| |
Pastrohen shtretërit e lumenjve
Driton ZENKU
Gostivar, 5 korrik - Aksioni qeveritar për pastrimin e shtretërve të lumenjve në gjithë territorin e Maqedonisë, është duke u realizuar edhe në komunën e Vrapçishtit, ku dhe do të pastrohen shtretërit e dy lumenjve kryesor të kësaj komune, lumit "Mazraça" si dhe lumit të ashtuquajtur "Murgovec" që kalon nga fshati Vrapçisht.
Aksioni është mirëpritur nga drejtuesit e komunës së Vrapçishtit, të cilët janë edhe bashkëpjesëmarrës në zbatimin e këtij aksioni republikan.
"Qëllimi i aksionit të qeverisë së Maqedonisë dhe drejtorisë për mbrojtje dhe shpëtim që realizohet në bashkëveprim me komunën e Vrapçishtit, është pastrimi i dy lumenjve me të mëdhenj në territorin e komunës sonë, lumin "Mazraça" dhe atë që kalon nga fshati Vrapçisht. Intervenohet kryesisht në pjesët ku me vite të tëra është keqpërdorur shtatat i lumenjve duke hedhur mbeturina dhe materiale ndërtimore, të cilat janë edhe problemi kryesor që pengojnë rrjedhën e ujit nëpër lumenj. Është një aksion i mirëseardhur, duke pas para sysh faktin që thuajse 10 vite nuk është intervenuar aspak në pastrimin e shtretërve të lumenjve", nënvizoi Bajram Kadrija, kryetari i komunës së Vrapçishtit.
Aksioni ka përfshirë edhe komunën e Gostivarit si dhe atë të Rostushës. Në këtë të fundit, tanimë është bërë pastrimi i shtratit të lumit të Zhirovnicës, derisa në komunën e Gostivarit brenda kohës do të fillojë pastrimi i shtratit të lumit "Vardar". "Ne si drejtori për mbrojtje dhe shpëtim si bartëse e projektit qeveritar, kemi krijuar trupin koordinatave regjional që përbëhet nga përfaqësues të drejtorisë sonë, pushteti lokal si dhe qendrës për menaxhim me krizat. Aksioni realizohet në bashkëpunim me pushtet lokale. Aksioni ka përfshirë tre komunat e regjionit, komunën e Gostivarit, Vrapçishtit dhe Rostushës. Do të punohet në lokacionet kritike të cilat janë të caktuara si rrezik potencial deri te paraqitja e vërshimeve", njoftoi Liria Selmani, përfaqësuese e Drejtorisë për mbrojtje dhe shpëtim.
Derisa vijon projekti qeveritar për pastrimin e shtretërve të lumenjve në territorin e Maqedonisë, drejtuesit e pushtetit lokal në komunën e Vrapçishtit, apelojnë deri te qytetarët që të kenë kujdes në hedhjen e mbeturinave, që atë të mos ta bëjnë nëpër shtretërit e lumenjve apo vendbanimeve të tjera të palejuara.
"Do të kisha apeluar deri te qytetarët që të mos keqpërdorin shtretërit e lumenjve dhe të mos hedhin mbeturina dhe materiale ndërtimore, por të drejtohen deri te administrata komunale nga ku do të udhëzohen që mbeturinat t'i hedhin në vende adekuate. Do të punohet në drejtim të zgjidhjes afatgjate të kësaj problematike me qëllim që tu shmangemi katastrofave eventuale nga vërshimet e mundshme. Si territor kemi pozitë të lakmueshme gjeografike dhe deri tash s'kemi pas probleme të theksuara në këtë drejtim, megjithatë duhet intervenuar në kohë që asgjë mos i lihet rastit", nënvizoi Kadrija.