| |
Nxënësit e "Zordumis" sërish në "Bajram Shabani"
Kumanovë, 2 shtator - Nxënësit shqiptarë të klasës së pestë dhe të gjashtë të shkollës fillore "Toli Zordumis" në këtë fillim viti shkollor, në bazë të marrëveshjes paraprake, do të mësojnë në lokalet e shkollës tjetër fillore "Bajram Shabani" në Kumanovë. Kjo deri sa të kryhet ndërtimi i objektit të ri për nxënësit shqiptarë në shkollën amë.
Gurthemeli i objektit të ri u vu para një muaji dhe i njejti pritet të përfundojë kah muaji tetor. Mirëpo, punët janë duke ngecur dhe nuk po zhvillohen sipas dinamikës së paraparë.
Feriz Dervishi, këshilltar i DR-së thotë se edhe përkundër ngecjes, punimet pritet të përfundojnë deri në fund të muajit tetor, kur edhe do të vendosen të gjithë nxënësit shqiptarë në objektin e ri. Vitin e kaluar nxënësit shqiptarë dhe prindërit e tyre për disa javë radhazi protestuan duke kërkuar të ndërpritet tradisa disa dekadëshe për transferimin e nxënësve në "Bajram Shabani", kërkesë kjo që edhe u përkrah nga organet komunale dhe si rezultat i gjithë kësaj erdhi deri te fillimi i ndërtimit të objektit të ri për nxënësit shqiptarë. "Toli Zordumis" do të jetë shkolla e tretë në Kumanovë ku mësimi i tërësishëm 9 vjeçar do të mësohet në gjuhën shqipe, pas dy shkollave tjera "Bajram Shabani " dhe "Naim Frashëri". (E.N)