Financial markets

PDF  PDF KOHA

Aktuale

 | Komente- | 
Betejat e ardhshme,
edhe më të vështira
Driton ZENKU
Gostivar, 11 korrik - Intonimi i himnit kombëtar nga Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore "Besa", ka shënuar fillimin e Akademisë Përkujtimore në shenjë përkujtim të 9 korrikut të vitin 1997, si dhe dëshmorëve që ranë në mbrojtje të Flamurit kombëtar
në qytetin e Gostivarit. Në prani të familjarëve të dëshmorëve, personaliteteve që ishin aktiv gjatë kësaj periudhe kohore si dhe shumë qytetarëve të Gostivarit, si dhe mysafirëve nga qytete të tjera të Maqedonisë, referat kushtuar ngjarjeve të përgjakshme të para trembëdhjetë viteve mbajti kryetari i atëhershëm dhe aktual i Komunës së Gostivarit, Rufi Osmani, i cili mes tjerash, theksoi se 9 korriku i vitit 1997, mbetet një datë e shënuar e rezistencës demokratike të shqiptareve të Gostivarit. "Jemi mbledhur sonte të rikujtojmë një datë të veçantë në historinë tonë më të re, datë kjo që ishte kthesë e madhe e ndryshimeve të shumta që ndodhën deri më sot, ndryshime këto që sot me kompetencë duhet ti cilësojmë si ndryshime të pamjaftueshme dhe të papërfunduara", nënvizoi Rufi Osmani, i cili më pas u shpreh se rrugëtimi i lëvizjes politike shqiptare në Maqedoni, në 20 vitet e fundit ka njohur shembuj mjaftë sublim të sakrificës individuale dhe kolektive me mision avancimin dhe zgjidhjen çështjes shqiptare në Maqedoni. "Në këtë rrugëtim historik të sakrificës shqiptare, padyshim tre janë ngjarjet kulmore që vulosën përpjekjet shqiptare për barazi sistemore. Rezistenca demokratike për legalizimin e flamurit kombëtar me pasoja tragjike në Gostivarin e 9 korrikut të vitit 1997, sakrifica popullore prej një dekade në themelimin, funksionimin dhe institucionalizimin e UT-së, si tempull i dijes universitare dhe, kryengritja e armatosur shqiptare e vitit 2001 dhe rezultati i saj - Marrëveshja Kornizë e Ohrit", u shpreh Osmani. Duke u fokusuar në ngjarjet e 9 korrikut, Osmani potencoi se kontesti 6 mujor institucional si epilog efektuoi realizimin e pjesshëm të kërkesës për përdorim publik të flamurit shqiptar nëpërmjet miratimit të Ligjit përkatës, krahas intervenimit barbar policor me epilogun tragjik të viktimizimit të tre pjesëmarrësve të demonstratave demokratike, keqtrajtimin e mijëra qytetarëve, burgosjen dhe dënimin e udhëheqësve komunal dhe qytetarëve të tjerë të pafajshëm të Gostivarit. "Klasa e atëhershme politike shqiptare në kuadër të pushtetit qendror, ishte tërësisht e instrumentalizuar dhe margjinalizuar duke u shndërruar në një vegël politike pa përgjegjësinë më elementare politike dhe kombëtare, situatë kjo që është karakteristik dalluese edhe klasës politike shqiptare pjesëmarrëse e qeverise aktuale", shtoi mes tjerash Osmani. Sipas tij, me shumë kompetencë mund të vihet në përfundim se, ngjarjet e korrikut të Gostivarit të vitit 1997, krahas atyre të Bit Pazarit, Universitetit të Tetovës, Ladorishtës dhe Haraçinës, ishin gurrëthemeli i pakënaqësisë popullore që efektuoi kryengritjen e armatosur shqiptare të vitit 2001.
"Të gjitha këto dukuri negative janë argumentim i mjaftueshëm për të konstatuar me keqardhje se shumëçka mbeti e pafinalizuar në aspekt të barabarësisë institucionale të kombit shqiptar në Maqedoni dhe se betejat e ardhshme politike për të arritur statusin shtetformues për kombin shqiptarë do të jenë edhe më të vështira në krahasim me periudhat e kaluara", tha Osmani, për të shtuar se "një nga dilemat e vjetra që parashtrohet edhe sot, është se a thua vallë mundej të evitohej tragjedia dhe njëkohësisht të realizohej objektivi për legalizimin e përdorimin publik të flamurit shqiptarë". "Sonte po si para 13 viteve mbaj të njëjtin qëndrim. Tragjedia e 9 korrikut të vitit 1997, ishte skenar i drejtpërdrejtë i tandemit Gligorov-Cërvenkovski me pëlqimin e drejtpërdrejtë të udhëheqjes së PPD-së dhe me pajtimin e heshtur të udhëheqësish të opozitës së atëhershme shqiptare", nënvizoi Osmani. Me këtë rast, para prezentëve në sallë u shfaq edhe dokumentari dedikuar ngjarjeve të përgjakshme të Gostivarit, të përgatitur nga gazetari Nuri Bajrami, si pjesëmarrës i drejtpërdrejt i ndodhive të korrikut në Gostivar. Akademia Solemne u begatua edhe me një program të begatë kulturor dhe artistik, me motive që ndërlidheshin edhe me ngjarjet e 9 korrikut të vitit 1997.
 

Komenti JUAJ

Të dhënat tuaja:

Emri
E-mail
Tel:
 

Kthehu mbrapa

komentet e lexuesve

1.  
 
 
2.  
 
 
3.  
 
 
4.