| |
“Shpifjet makabre të BFI-së”
Shkup, 11 korrik - Qendra për Mirëkuptim dhe Bashkëpunim Institucional dhe Forumi Rinor Islam të shtunën, nëpërmjet një reagimi drejtuar mediave, kanë reaguar ashpër ndaj, siç thuhet në reagim, "listës famoze" të personave të identifikuar si të involvuar në incidentin e ditës së xhuma javë më parë, të shpallur në uebfaqen zyrtare të Bashkësisë Fetare Islame, e pastaj të përcjellë edhe në disa mediume elektronike dhe të shkruara.
Arsye e këtij reagimi, sipas QMBI-së dhe FRI-së, është se në këtë listë janë shënuar edhe emrat e Rufat Sherifit, përndryshe kryetar i Qendrës për Mirëkuptim dhe Bashkëpunim Institucional, Zulkifli Sinanit, nënkryetar i Forumit Rinor Islam, si dhe Hasan Baftijari, anëtar i Kryesisë Qendrore të FRI-së.
"Përfshirjen e tyre në këtë listë e kuptojmë si një tentim të fëlliqur dhe tendencioz të kreut të Bashkësisë Fetare Islame dhe pasuesve të tij të verbër në këtë institucion, me një qëllim të vetëm: për të diskredituar personalitetin e këtyre personave që janë treguar si të palodhshëm në fushën e thirrjes islame me vite të tëra, si dhe rolin e organizatave joqeveritare ku ata veprojnë, po ashtu të njohura para opinionit të gjerë për aktivitetet e shumta në drejtim të afirmimit të vlerave pozitive islame dhe humane", thuhet në reagim. Pa dashur për të luajtur rolin e gjykatësit se kush në të vërtetë ishte shkaktari i incidentit në xhaminë Isa Beu, dhe mbi kë bie më tepër faji për atë që ndodhi aty, thuhet më tej në reagim, konsiderojmë se ngjarja si e tillë paraqet një veprim krejtësisht të pahijshëm dhe njollë të zezë për besimtarët muslimanë të vendit tonë.
"Për hir të informimit të opinionit të gjerë, deklarojmë me plot përgjegjësi se Rufat Sherifi dhe Hasan Baftijari as që kanë qenë të pranishëm në xhaminë Isa Beg në ditën kur ka ndodhur incidenti, kurse Zulkifli Sinani, edhe pse ka falur aty namazin e xhumasë, në asnjë moment nuk ka qenë i involvuar në zënkën, e cila ka ndodhur me këtë rast.
Për këtë shpifje makabre të udhëheqësisë së Bashkësisë Fetare Islame ndaj njerëzve plotësisht të pafajshëm, QMBI dhe FRI do të njoftojnë edhe institucionet shtetërore dhe faktorin ndërkombëtar të pranishëm në vend, krejt me qëllim të demaskimit të politikës së ligë që po udhëheq, për fat të keq, kreu i këtij institucioni fetar në drejtim të etiketimit të njerëzve dhe manipulimit me opinionin", thuhet në reagim, duke paralajmëruar se ndaj kreut të Bashkësisë Fetare Islame dhe bashkëpunëtorëve të tij, do të ngritet padi penale deri te organet relevante gjyqësore.