| |
Konfiskohen rreth 20 milionë euro
Shkup, 2 shtator - Klubi i natës "Bravos" në Gostivar dhe një tjetër klub në fshatin Pallaticë, ku Zurijet Limani dhe Andrija Gjorgjioska kanë prostituuar një vajzë të mitur, u gjetën midis pronave që kohëve të fundit janë konfiskuar nga ana e shtetit. Sipas të dhënave të Ministrisë së Drejtësisë, organet kompetente kanë konfiskuar prona të ndryshme në vlerë që arrin në njëzet milionë euro, të cilat janë fituar në mënyrë kundërligjore. Bëhet fjalë për prona të sekuestruara pas përfundimit të proceseve gjyqësore për vepra të ndryshme penale, në të cilat dominojnë larja e parave dhe shpërdorimi i detyrës. Ka qenë ministri i Drejtësisë, Mihajllo Manesvki, ai i cili të enjten ka informuar se prona janë sekuestruar nga ish njeriu i parë i Drejtorisë Doganore, Dragan Daravellski, por edhe nga Kirill Docevski, Miodrag Markoviq, Zhivko Eftimovski, Borko Markoviq, Zurijet Limani dhe Andrija Gjorgjioska, të cilët kanë drejtuar firma, kompani dhe lokale të njohura për opinionin vendas. Sipas Manevskit, këtyre personave, pas përfundimit të proceseve gjyqësore kundër tyre, u janë sekuestruar banesa, objekte afariste, letra me vlerë dhe aksione që i kanë pasur nëpër bankat vendase, të cilat janë fituar nëpërmjet aktiviteteve kundërligjore. "Mashtrohen të gjithë ato që mendojnë se do të shpëtojnë dhe nuk do t'u konfiskohet prona nëse të njëjtën ose pasurinë kundërligjore do ta transferojnë në emrin e ndonjë personi të tretë", ka thënë ministri Manevski. Gjatë konfiskimeve të muajve të fundit nga ish drejtori i Doganës janë marrë banesa, parcela në Shkup dhe Kumanovë si dhe një lokal në Kumanovë. Gjithashtu pronë është sekuestruar edhe nga 21 të akuzuarit në rastin "Stanet". Shuma më e madhe i është konfiskuar noterit Nikolla Stojmenoviq, nga i cili janë marrë rreh katër milionë euro. (I.I.)