| |
Srebrenicë, varrosen 775 mbetjet mortore
Srebrenicë, 11 korrik - Të dielën është shënuar 15-vjetori i masakrës së Srebrenicës, në të cilën paramilitarët serbë të Bosnjës, ekzekutuan mbi 8000 burra dhe djem myslimanë. Mijëra veta kanë marrë pjesë në ceremoninë që është zhvilluar në qendrën përkujtimore Potoçari, ku edhe janë varrosur edhe 775 mbetje mortore, të identifikuara së voni. Ky është varrimi më i madh kolektiv në 10 vjetët e fundit. Në mesin e 774 boshnjakëve myslimanë, është varrosur edhe katoliku Rudolf Hren, i cili po ashtu humbi jetën më 11 korrik të vitit 1995. Gjatë varrimit, të pranishëm kanë qenë mbi 50 mijë njerëz, në mesin e të cilëve edhe zyrtarë të lartë evropianë. Në këtë përvjetor ceremoni mortore kanë marrë pjesë edhe disa nga krerët e shteteve të rajonit, në mesin e të cilëve edhe presidenti i Maqedonisë, Gjorgji Ivanov. Presidenti serb, Boris Tadiq, homologu i tij kroat, Ivo Josipoviq, dhe kryeministri turk, Rexhep Taip Erdogan, janë gjithashtu në mesin e udhëheqësve pjesëmarrës. Disa muaj më herët, Kuvendi i Serbisë ka miratuar rezolutën, me të cilën dënon masakrën e forcave serbe ndaj 8000 meshkujve myslimanë në Srebrenicë.
Rezoluta shpreh ngushëllime dhe kërkim-falje për familjet e viktimave. Megjithatë, ajo nuk flet për gjenocid, por për masakër. Ndërkohë, para të pranishmëve, me fjalimet e tyre janë drejtuar kryetari i Bashkisë së Srebrenicës, Osman Suliq, ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Bosnjë, Charles English, përfaqësuesi i lartë Valentin Inzko dhe të tjerë.
Deri më tani, në qendrën përkujtimore Potoçari janë varrosur 3749 viktima. Mbi 4000 mbetje mortore mbeten në pritje të ekshumimit dhe të identifikimit. Masakra kundër burrave myslimanë në Srebrenicë në vitin 1995 është genocidi më i rëndë i ndodhur në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore. Zbardhja historike dhe juridike nuk ka përfunduar ende.