| |
Mbahet konstant tensioni i emrit
Shkëlzen LUSHAJ
Shkup, 11 korrik - Sekretariati për çështje evropiane pranë Qeverisë së Maqedonisë, ditë më parë ka publikuar një anketë të bërë nga ana e saj, sipas të cilës, nëse do të organizohej një referendum për çështjen e emrit dhe integrimin e vendit në BE, 75 % e qytetarëve do të pranonin që vendi të anëtarësohet në familjen evropiane, por me emrin kushtetues - Republika e Maqedonisë. Sipas të njëjtës anketë qeveritare, pjesa e mbetur e qytetarëve, rreth 10 %, referendumin do ta bojkotonin, ndërsa 7 % të tjerë, thuhet se ende nuk kanë vendosur për të dalë në votim. Anketa është kryer më datë 3 korrik, që domethënë pas injorimit të Maqedonisë nga ana e Këshillit evropian më 17 qershor dhe mesazheve të njëpasnjëshme nga zyrtarët e Brukselit se, vendi nuk mund të marrë datë pa arritur një zgjidhje të emrit dhe të përmbyllë kontestin bilateral me Greqinë. Ajo që, sipas analistëve, është simptomatike, është fakti se anketat e tilla përkrahin mos ndryshimin e emrit dhe njëherazi betonojnë pozitat dhe politikat e promovuara nga kryeministri Gruevski. Megjithatë, ky sondazh i opinionit publik, duket se është edhe me të metat e saj, për arsye se, thotë analisti Rizvan Sulejmani, nëse pyetja e anketës nuk ka përmbajtur alternativë për të zgjedhur, por ka qenë e formuluar me po ose jo, atëherë nuk mund të merret si e qëndrueshme. Sulejmani konsideron se anketat publike zakonisht bien nën ndikimin e sugjestioneve për qëllime politike, duke konfirmuar kështu dyshimet e përhapura në lidhje me motivet dhe qëllimet e anketës së fundit. Ai nuk mendon se anketat janë një barometër i saktë, sepse "çfarëdo zgjidhje që do të jetë për emrin, nuk është bardh e zi, por është kompromis që shumë rëndë e shpjegon një pyetje". Sipas tij, anketa tregon edhe një rënie të butë të qytetarëve për anëtarësim në BE dhe NATO, por Sulejmani ka një teori tjetër në lidhje me këtë segment të anketës. "Është një rregull e pashkruar. Ajo është se sa më e lartë të jetë përqindja pro anëtarësimit, aq më larg BE-së jemi, dhe sa më e ulët të jetë përqindja, aq më afër jemi", thotë Sulejmani, i cili megjithatë shton se ky shpjegim nuk duhet kuptuar bukfalisht, ndërsa në vazhdim merr shembull edhe disa prej shteteve - anëtare të BE-së, të cilat janë anëtarësuar në këtë organizatë kur disponimi pozitiv i qytetarëve ka qenë mes 50 % deri në 53 %.
Sulejmani, në situata të këtilla sheh tregues se shteti është stabilizuar në aspektin ekonomik, social dhe politik. Por, pse Qeveria është e prirur që të bëjë anketa që tregojnë me përqindje të lartë indisponim e qytetarëve për ndryshimin e emrit? Analisti Albert Musliu konsideron se anketat e bëra nga Qeveria janë një lojë fjalësh për të krijuar konfuzion në opinion. Në to, thotë Musliu, nuk vihet vijë e trashë mes asaj se ç'është me më shumë dhe çfarë është me më pak rëndësi - hyrja në BE apo mos ndryshimi i emrit. Ndaj, shton ai, në këtë mënyrë Qeveria, të njëjtat i shfrytëzon për të arritur një qëllim të saj - ta mbajë në status kuo çështjen e emrit. "Kjo më shumë mban një tension artificial rreth kontestit të emrit, në kushte kur nuk ka ndonjë vendosmëri për zgjidhjen e saj dhe në kushte kur proceset integruese nuk lëvizin, ndërkaq edhe çështjet reformative nuk shkojnë përpara", thotë Musliu. Sipas tij, edhe mungesa e Maqedonisë në agjendat e vizitave të zyrtarëve evropian, siç ishte rasti i një jave më parë të Presidentit të Këshillit evropian - Van Rompuj, tregon se vendi nuk mund të integrohet pa i përmbyllur negociatat për emrin. Ndryshe, Maqedonia nuk ka qenë e përfshirë në agjendën e takimit të kryeministrave të shteteve-anëtare të BE-së, më datë 17 të muajit të kaluar, gjë që në opinionin maqedonas ka shpërndarë një dozë të lartë euro-skepticizmi. Ndërkaq, Presidenca belge në programin e saj për kryesimin e BE-së, ka premtuar se do të angazhohet që brenda Këshillit evropian të arrijë një konsensus për dhënien e datës për Maqedoninë, por nga ana tjetër, kryeministri Gruevski, disa herë është shprehur se nuk pret asnjë ndryshim në këtë drejtim, duke akuzuar kështu Greqinë për bllokadën e bërë në procesin euro-integrues.