Financial markets

PDF  PDF KOHA

Aktuale

 | Komente- | 
Harroni ngjyrën
roze dhe blu!

Simone FILIPINI
Sot është Dita Botërore e Gruas. Kjo ditë përnjëherë më përkujtoi fëmijërinë time. Pse? Sepse 8 marsi ka të bëjë me barazinë mes grave dhe burrave. Barazi e cila në shumë vende mbetet ëndërr e parealizuar, por për mua kjo ishte pjesë integrale e jetës sime. Në esencë flasim për mundësitë e barabarta. Mundësitë të cilat na i ofruan prindërit tone, më mire thënë mua, tre motrave të mia dhe katër vëllezërve të mi. Të gjithë ne trajtoheshim në mënyrë të barabartë. Asnjëri prej nesh nuk ishte i privilegjuar. Prindërit e mi në mënyrë të barabartë përkrahën ambiciet tona, duke na stimuluar t'i zhvillojmë talentet dhe kapacitetet tona. Na mësuan të respektojmë individin; mësuam t'i tejkalojmë paragjykimet dhe gjykimet e pajustifikuara. Na morën për dore dhe na i dhanë mjetet të cilat na sollën këtu ku jemi tani. Në rast se babai im do të kishte qenë akoma i gjallë, ai do të kishte qenë jashtëzakonisht krenar me ne, fëmijët e tij. Ne dallojmë, por të gjithë e kemi të përbashkët ambicien dhe ndjenjën e forte të pavarësisë. Që të gjithë kemi të ardhurat tona personale dhe përgjegjësitë tona. Po ashtu të gjithë kemi ndjenjën e thellë se i takojmë njëri tjetrit, mbahemi bashkë dhe kujdesemi për njëri tjetrin dhe familjet tona. Barazia fillon madje para lindjes; në gëzimin e përbashkët të pritjes së një vajze apo djali. Vetëm me një dëshirë: foshnja të jetë e shëndoshë! Hapi tjetër është vetë lindja; trajtimi i sinqertë dhe i barabartë fillon atje. Nëse foshnja është vajzë, për zhvillimin e saj është shumë e rëndësishme ndjenja e barazisë duke mos u bërë asnjë koment negativ për arsyen që është vajzë. Ajo duhet të inkurajohet që të zhvillojë veten lirisht dhe të bëjë zgjedhjet e saja personale. Lejojeni që të merret me sport, të luaj loja të ashpra në rast se dëshiron dhe të vijë në shtëpi me varrë në gjunjët e saj pasi që ka hipur në drunj. Ajo duhet të jetë e lire që të zhvillojë ambiciet dhe zbulojë talentet e saja të veçanta. Shkurtimisht, ajo duhet të përfitojë vetëbesim të mjaftueshëm dhe kompetenca për t'i ikur në mënyrë efektive stereotipit ose asaj që konsiderohet si rol tradicional i gruas. Nëse foshnja është djalë, ai në asnjë mënyrë nuk duhet të dënohet apo degradohet atëherë kur tregon emocione apo dobësi; ai duhet të edukohet t'i kryej detyrat shtëpiake në mënyrë të barabartë. Nëse i pëlqen baleti apo vallëzimi, le të merret me të; nëse i pëlqen futbolli, në rregull. Edhe njëra por edhe zgjidhja tjetër është e mire për zhvillimin e tij, secila në mënyrën e vet. Ai duhet të edukohet që ti respektojë njësoj mendimet e djemve dhe vajzave, burrave dhe grave. Gjithashtu duhet të jetë në gjendje që të bëjë zgjedhje të cilat i përshtaten talentit dhe preferencave të tija individuale në vend që të jetë i detyruar t'i përshtatet stereotipit për atë që konsiderohet 'burrë i vërtetë'. Idetë për atë se çfarë duhet të jenë 'gratë e vërteta' dhe 'burrat e vërtetë' janë të bazuara në realitete të krijuara. Këto ndarje të krijuara të roleve dhe detyrave mes grave dhe burrave janë zhvilluar gjatë kohës, kryesisht prej meshkujve, dhe ato dallojnë në shoqëri të ndryshme, duke e bërë të qartë në mënyrë të saktë se nuk ka një të vërtetë universale për këtë çështje. Ka vetëm një gjë e cila është e përbashkët: rregulli i ndarjes së detyrave dhe roleve është gjithmonë në favor të meshkujve duke i vënë femrat në pozitën e klasës së dytë në shoqëri. Këto rregulla janë dhe duhet të jenë të kundërshtuara pasi që krijojnë jo-barazi fundamentale lidhur me qasjen në arsim, punë, influencë dhe fuqi. Për më tepër, historia ka dëshmuar se besimet kulturore lidhur me rolet mashkull-femër janë fleksibile dhe dinamike dhe mund të ndryshojnë. Holanda e vitit 2010 nuk mund të krahasohet me Holandën e vitit 1960. Maqedonia 2010 është shumë larg prej Maqedonisë së viteve të pesëdhjeta. Në dekadat e fundit janë bërë marrëveshje në nivel botëror me qëllim të vënies së një fundi kësaj pabarazie të pajustifikuar. Kisha dashur t'ia jap zërin tim kësaj thirrjeje gjithashtu në kontekstin e Maqedonisë. T'i vëmë fund ideve fikse për atë se si duhet të jenë femrat dhe meshkujt. Kisha dashur të bëj një thirrje të forte që t'i lëmë ato të zhvillohen në bazë të talenteve dhe dëshirave të tyre individuale. Ashtu siç kanë bërë prindërit tanë me ne, me mua. Për këtë, ata meritojnë falënderimin tim të përjetshëm. Trajtimi i tyre i barabartë i djemve dhe vajzave është baza e fuqisë sime, e energjisë pozitive të cilën e ndjej, e vetëbesimit të cilin e posedoj dhe asaj qe jam Ambasadore e Holandës në Maqedoni. 8 marsi është një ditë që na bënë që ta kujtojmë. Le të mos i bëjmë vajzat tona roze dhe djemtë tonë blu. Le t'ju prezantojmë ylberin e ngjyrave të cilat jeta ka për t'ju ofruar!

Autorja është ambasadore e Holandës në Maqedoni. Ky tekst është përgatitur ekskluzivisht për gazetën KOHA

 

Komenti JUAJ

Të dhënat tuaja:

Emri
E-mail
Tel:
 

Kthehu mbrapa

komentet e lexuesve

1.  
 
 
2.  
 
 
3.  
 
 
4.