| |
USHT në mes drejtësisë dhe politikës
Arben ZEQIRI
Shkup, 11 korrik - Edhe një skandal i radhës ka përfshirë Qeverinë e Maqedonisë, kur vjen në shprehje Universiteti Shtetëror i Tetovës. Përkundër vendimit të Gjykatës Administrative të Shkupit për rishqyrtim nga e para të vendimit të Ministrisë së Arsimit për shkarkimin e ish-rektorit Agim Vela, Komisioni qeveritar i shkallës së dytë për arsim, shkencë dhe kulturë, tashmë disa muaj hesht. Kreu i këtij Komisioni, ministri i Ambienti - Nexhati Jakupi për KOHA thotë se nuk ndjehet kompetent të merret me këtë lëndë, edhe përkundër urdhëresës gjyqësore të Gjykatës Administrative që ky Komision të vendos për çështjen në fjalë.
Padia drejtuar Gjykatës Administrative ishte iniciuar nga ish-rektori Vela, ndërsa kishte të bëjë me emërimin, siç thotë ish-rektori, të paligjshëm dhe kundërligjor të rektorit aktual, Agron Reka. "Natyra e problemit nuk është në kompetencë të komisionit tonë", u përgjigj shkurt ministri Nexhati Jakupi, njëherësh kryetar i Komisionit të shkallës së dytë. Megjithatë, ndryshe thotë vendimi pozitiv i gjyqësorit me datë muajin janar, e cila përkundër mbështetjes ligjore që i ka dhënë inicitaivës së Velës, ndërsa ka kundërshtuar vendimin për emërimin e Agron Regës në krye të USHT-së, urdhëron Komisionin qeveritar që të shqyrtojë vendimin përfundimtar të MASH-it.
Se Komisioni që drejtohet nga ministri Jakupit duhet të merret me këtë çështje, është konfirmuar edhe nga zëdhënësi i Qeverisë, Martin Martinovski. "Për këto raste, kompetent është Komisioni i shkallës së dytë për arsim, shkencë dhe kulturë i Qeverisë së Maqedonisë, në krye të së cilës është ministri Nexhati Jakupi", u përgjigj fillimisht zëdhënësi Martinovski. Me këtë rast, ish-rektori Agim Vela akuzon se e gjithë kjo është një shkelje e ligjit me qëllim të mbrojtjes së rektorit aktual të USHT-së, Agron Reka. Rektori i shkarkuar nga MASH-i, thotë se për herë të tretë po i drejtohen Komisionit të shkallës së dytë për arsim, shkencë dhe kulturë dhe në fund kanë marrë vetëm përgjigjen se ky komision nuk ndjehet kompetent për këtë lëndë. Në vendimin e datës 15 të muajit të kaluar të Komisionit të shkallës së dytë, që edhe mban nënshkrimin e ministrit Jakupi, thuhet se ankesa "hidhet për shkak të mungesës së kompetencës". "Ministri dhe Komisioni qeveritar përveç sjelljes antiligjore, ka shkelur edhe afatin prej 15 ditësh për t'u mbledhur për këtë ankesë, pas vendimit të Gjykatës Administrative, pasi përgjigjen e japin pas 6 muajve", thotë Vela. Ish rektori i Universitetit Shtetëror të Tetovës, thotë se përveç kësaj, edhe në vendimin që Ministria e Arsimit mori për të shkarkuar atë në korrik të vitit të kaluar, thuhet se për ankesa duhet ti drejtohen po këtij komisioni. Pas gjithë kësaj, ish-rektori Reka, akuzoi Komisionin dhe Qeverinë për marrje të vendimeve politike me të cilat, sipas tij, mbrojnë vendimet e mëparshme po ashtu të motivuara politikisht.
"Ky vendim dëshmon se Agron Reka, i përkrahur politikisht nga Qeveria, ka zaptuar USHT-në dhe me të njëjtat mjete politike po mbrohet. Kjo është kundërligjore, Komisioni nuk respekton vendimin e Gjykatës administrative. Kjo konkluzë është një akt kryekëput politik, pa asnjë arsyetim ligjor, juridikisht i pabazë dhe me siguri është shkruar sa për të përfituar në kohë në dobi të udhëheqjes së dhunshme në USHT", tha Agim Vela. Zgjidhjen përfundimtare Agim Vela dhe dekanët tjerë të shkarkuar me vendim të MASH-it, e shohin sërish në ankesat e Gjykatës administrative, pasi sipas procedurave ligjore, ish-rektori thotë se meqë Komisioni në krye me ministrin Jakupit është shpallur jokompetent, Gjykata administrative vetë do të sjellë vendimin kryesor.
"Shpresojmë se më në fund do të fitojë drejtësia dhe se me këtë, një herë e përgjithmonë do të largohet politika nga Universiteti Shtetëror i Tetovës", u shpreh ish-rektori Vela.