Arben ZEQIRI
"Bëje Zot ëndërr", kishte thënë gomari kur ujku kishte filluar ta hajë. Edhe pse kafshët e tjera të pyllit i kishin thënë të mos e provokojë ujkun dhe mos ta shkel territorin e tij. "Ëndrra" e gomarit, si duket po i bëhet realitet Maqedonisë dhe politikanëve tanë, të cilët nuk duan as të dëgjojnë këshillat dhe sugjerimet e diplomatëve të huaj. Fjalët e opozitës se Maqedonia është në prag të luftës, i morëm si tentativë për të përfituar poena politik. Kështu thanë edhe opozita edhe faktori ndërkombëtarë, prandaj nuk na frikësoi shumë Thaçi me "kërcënimet" e tij opozitare. Vetëm kujtojmë se nuk kaloi as një dekadë që Maqedonia doli nga një luftë e cila, më pas u vlerësua se kishte filluar pikërisht si pasojë e padrejtësive të pushtetit ndaj shqiptarëve. Kushtetuta e Maqedonisë na rezultoi si "gjeneratorë" e asaj lufte e cila përfundoi me qindra të vrarë, mijëra refugjatë dhe me ndryshimin e një Kushtetute. U nënshkrua Marrëveshja e Ohrit, e cila duhej që brenda disa viteve fillimisht të ndryshojë pozitën e shqiptarëve në Maqedoni, pozitën e Maqedonisë në arenën ndërkombëtare dhe gjatë kësaj kohe të merret edhe me sanimin e dëmeve të luftës, rindërtimin e shtëpive të djegura dhe rehabilitimin e të prekurve dhe të dëmtuarve nga lufta. Nëntë vite pas nënshkrimit, Marrëveshja e Ohrit u kujdes vetëm për liberalizimin e vizave, rritjen e papunësisë, burgosjen e shqiptarëve dhe "rehabilitimin" e udhëheqësve të luftës, duke harruar rehabilitimin e invalidëve, familjeve të dëshmorëve dhe jetimëve të asaj lufte. U ndërruan disa Qeveri, u nënshkruan edhe shumë marrëveshje të tjera të cilat në mënyrë indirekte u kritikuan nga faktori ndërkombëtare, se të njejtat po degradojnë dhe humbin vlerat e Marrëveshjes së Ohrit, por politikanëve të vendit, veçanërisht atyre shqiptarë, të dalldisur pas kolltukëve të Qeverisë, paralajmërimet e ndërkombëtarëve ju hynin në njërin vesh dhe ju dilnin në tjetrin. Rastësisht apo si pasojë e marrëveshjeve ndërpartiake për pushtet, Marrëveshja e Ohrit filloi të degradohet. Fillimisht ajo kishte humbur nga arkivat e partive që e kishin nënshkruar dhe origjinalin e saj e kishte ruajtur vetëm një parti nënshkruese, Partia për Prosperitet Demokratik, e cila tanimë nuk kishte asnjë rol në implementimin e saj, dhe një parti tjetër e cila deklaron se punon në implementimin e saj, por që nuk kishte qenë nënshkruese e këtij dokumenti. Marrëveshja e Ohrit, skadoi të gjitha afatet, ndërsa në praktikë gjeti vend vetëm në disa segmente. E politikanët shqiptarë duke mos dashur të besojnë se ky dokument, tanimë jo vetëm që ka humbur nga arkivat, por ka humbur edhe nga realiteti politik në vend, vazhdonin të thonë "Bëje Zot ëndërr". Për çka në të vërtetë shërbente Marrëveshja e Ohrit. Përveç ndryshimit të pozitës së shqiptarëve, ajo ishte një garancë për sigurinë dhe stabilitetin e Maqedonisë dhe mbarë rajonit dhe degradimi ose "vdekja" e saj, do të nënkuptonte edhe fund për stabilitetin dhe sigurinë e vendit. Kështu të paktën gjatë gjithë këtyre nëntë viteve na sugjeronin miqtë e analistët vendorë e ndërkombëtarë, e më të zëshëm ishin ambasadorët e SHBA-ve dhe Bashkimit Evropian, të cilët gjithnjë na rikujtonin se rruga e Maqedonisë drejt Bashkimit Evropian, kalon nëpër Ohër. Eh kjo fjalë fillimisht dukej e bukur dhe të gjithë menduam se diplomatët na flasin për pushime verore, për plazhe e për bikini. Nuk e di nëse ne ishim aq naivë dhe nuk dinim të lexojmë mes rreshtave, apo diplomatët ishin aq të mëshirshëm dhe duke patur parasysh traumat e luftës së fundit, nuk deshën të na frikësojnë drejtpërdrejt se ç'po ndodh. Por, edhe "mëshira" e ndërkombëtarëve morri fund dhe vendosën ta godasin gjarprin në kokë. "Ardhmëria e Maqedonisë është në pikëpyetje", tha ambasadori i SHBA-ve në Shkup, Filip Riker, i cili kërkoi zgjidhje sa më të shpejtë për kontestin rreth emrit dhe implementimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit. Pak më i butë, por jo si gjithnjë, ishte edhe ambasadori i Bashkimit Evropian, Ervan Fuere, i cili tha se nëse nuk duam të rrezikojmë stabilitetin dhe sigurinë e vendit, duhet të përkushtohemi në implementimin e MO-së. Të dy deklaratat u "analizuan" ashtu siç deshi politika jonë, në stilin "Bëje Zot ëndërr". Këto këshilla nga politika vendore u vlerësuan si presion, që sipas dikujt, kanë për qëllim të detyrojnë kryeministrin të zgjidh kontestin për emrin, e sipas të tjerëve, me qëllim të përshpejtimit të implementimit të Marrëveshjes së Ohrit. Por, asnjëri nga politikanët tanë nuk u "frikësua" se Maqedonia vërtetë ndodhet në rrezik. Vetëm disa ditë pas paralajmërimeve të diplomatëve ndërkombëtarë, në një "aksion" policor, në kufi me Kosovën zbulohen 4 bunkerë me armatim të kalibrit të ndryshëm, një ditë më pas në po të njëjtën rrethinë zbulohet dhe një bunkerë tjetër me armatim edhe më të rëndë. Opinionit iu servuan deklarata nga më të ndryshmet, për pushtetin armatimi i takonte një grupi "terroristësh", ndërsa partitë shqiptare heshtnin dhe luteshin me vete "Bëje Zot ëndërr". U konfiskua armatimi dhe u rehatuam, nuk ka rrezik. Të dielën në e-mail adresat e disa mediumeve në vend, ndër të cilat dhe në gazetën "Koha", arrin një kumtesë me stemën e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, e cila konfirmon përleshjet në kufirin mes Maqedonisë dhe Kosovës dhe paralajmëron se hovi i tyre nuk do të ndalet aty. E para që reagoi (në vend të policisë), ishte partia shqiptare në pushtet e cila përveç se u distancua nga kjo kumtesë, nuk nguroi edhe ti quajë autorët e saj, "trafikant armësh" dhe të tregojë se UÇK ka vetëm një komandant. A jemi në prag të luftës apo jo? Përgjigje nuk ka, e politika vazhdon të lutet "Bëje Zot ëndërr".