Financial markets

PDF  PDF KOHA

Opinione

 | Koment |  
Miqtë dhe qentë
Ali ALIU
Përshëndetje me miq është titulli i një poezie antologjike i poetit të madh të letrave shqipe Azem Shkreli. I kishte të shumtë dhe të vërtetë miqtë poeti pse edhe vetë ishte i tillë, i madh, në jetë dhe në poezi… Kur ia përzinin, ia arratisnin qetësinë, gjumin, krismat pas shpine, sidomos lehjet e qenve netëve të vona, kur ia rëndonin dhe pelinosnin vetminë, Azemi i thërriste miqtë, nga janë e nga s'janë të shpërndarë nëpër Arbëri, t'ia mbushin odën miqësi, ngrohtësi… Dhe ata vërtet i gjendeshin pranë, i sillnin gëzim dhe mirësi, duke ia gjallëruar ambientin, duke ia larguar zjarrminë, duke ia shëruar kafshim-qentë…Qetohet atëherë ngadalë dhe fle me miq-engjëjt në shoqëri…
Por, qentë si qentë, kurrë s'mungojnë, kurrë s'pushojnë së lehuri, dje, sot dhe mot. Ves qensh. Më faniten hije çakejsh të përçudnuar here pas here, por ama në vazhdimësi. Herë si shkrues letrash anonime e here kafshimesh tinëzare… Janë, kryesisht shkarravitës letrash pa talent e që hiqen e vetënumërohen si krijues që urrejnë me patologji nëse i injoron, nëse nuk merresh me ta. Janë kryesisht ata që duan me çdo kusht të bëhesh mbështetës i vetëmashtrimit të tyre se janë vlera kombëtare, ata që nuk e kanë kuptuar e nuk do e kuptojnë kurrë se krijuesin e mbështet vepra e tij, se letërsia vlerësohet sipas standardeve letrare e jo sipas helmit të vetëmashtrimit. Qëllon ndonjëri midis tyre më i neveritshëm që lehjen e ka ushqim thuaja të përditshëm: kutërbimi i tij nga këllira e palarë e mbush hapësirën nga kalon. S'e do as gruaja e vet që ngushëllohet hapekrah…
Bëhen bashkë në lehje këta tre-katër, e mbase pesë shkrues e nënshkrues që kanë të kaluar të përbashkët: emir i ndonjërit, edhe pse i fshirë me ngjyrë të zezë, deshifrohet lehtë si denoncues në mijë faqet e dosjes sime policore në Maqedoni.
Ç' t'u thuash atyre, si t'i quash artistë ata që sot, në kohën e internetit kur i ke të hapura dyert e të gjitha mediave, shtëpive botuese, vlerësuesve letrarë…, nuk e kanë kuptuar se vepra është ajo që të ngre e të rrëzon. Ç't'u thuash atyre që njohin vetëm artin e urrejtjes, të lehjes, njollosjes së të tjerëve, spiunimin, atyre që duan të të çojnë të pranosh të pamundurën: se art na qenka çdo shkarravinë, se artisti i mirëfilltë na u merrka me lehje dhe kafshime qensh. Mbase për ata nuk mund dhe nuk duhet të thuhet asgjë më shumë se sa e vërteta që është dëshmuar qysh se ekziston kjo gjini njerëzore: ata do i vrasë urrejtja që kanë për tjerët, ata do i shurdhojë lehja vetjake, ata janë varrtarët më të mire e më të denjë të shkarravinave të tyre nëpër letra.
 
   

Komenti JUAJ

Të dhënat tuaja:

Emri
E-mail
Tel:
 

Kthehu mbrapa

komentet e lexuesve

1.  
 
 
2.  
 
 
3.  
 
 
4.  
 
 
5.  
 
 
6.  
 
 
7.  
 
 
8.  
 
 
9.  
 
 
10.  
 
 
11.  
 
 
12.  
 
 
13.  
 
 
10.  
 
 
10.  
 
 
10.  
 
 
10.