Mjaft më
Dr. Selver JASHARI
Ishte një herë koha kur shqiptarët sakrifikonin çdo gjë për një të ardhme më të mirë për gjeneratat e reja në vijim. Një ndër sakrificat e mëdha ishte edhe mundi i madh i mijëra patriotëve tanë në të kaluarën për avancimin e shkollimit në gjuhën shqipe. Siç e dimë, e gjithë kjo nuk ishte e lehtë fare. U nevojit shumë mund, shumë gjak, shumë tortura nëpër stacione policore dhe burgje sllave dhe shumë e shumë vuajtje të pashembullta. Kisha fatin dhe nderin që edhe unë, si i ri, me shumë shokë të jemi pjesë e një lëvizje të madhe që të kontribuojmë sadopak në realizimin e kërkesave legjitime të popullit tonë në këto ane. Si i ri vërejta se shumë bashkëqytetarë të mi në Kumanovë bënë shumë për hapjen dhe financimin e një Universiteti në gjuhën shqipe. Nuk ishte me rëndësi se kush dhe sa po kontribuon, sa ishte me rëndësi se njerëzit (edhe pse rrezikoheshin nga UDB-ja), punonin tej mase në të gjitha aspektet që nevojitej. Dhe ja, pas shumë viteve e dekadave, u arrit të realizohet dëshira e kahmotshme e popullit tonë. Të gjithë ishim të lumtur se kishim dy universitete në gjuhën tonë, njërin disi privat po mjaft i suksesshëm dhe tjetri shtetërorë, me një të kaluar të gjakosur dhe dëshirë të madhe për sukses. Filloi mirë, por si gjithnjë më parë, dikush duhej të përfitonte nga djersa dhe gjaku i shqiptarëve në këto anë. Pa fije turpi përvetësohej nga njëra apo tjetra parti politike. Mirë, koha shëron gjithçka, por jo edhe vetitë e politikës tonë shqiptare në këtë shtet, ku disa persona kleptomanë dhe injorant në mënyre permanente vazhdojnë të terrorizojnë studentët dhe mësimdhënësit nëpër këto institucione arsimore. Njëra parti ndërhynte me bandit të armatosur me "kallashnikova", kurse tjetra kur vinte në pushtet me "topa dore" dhe "shkorpiona", kuptohet këta kishin detyrë te "luftonin krimin"dhe të "vendosnin rendin dhe ligjin" në USHT. Ne qytetarët e rëndomtë, përpos të debatonim nëpër kafene dhe dhoma dasmash, asgjë tjetër nuk bënim, sepse do akuzoheshim si përkrahës të "krimit" dhe "profesorëve kriminel" në Universitet. Gjendja e tillë vazhdon. Aktorët janë të ndryshëm, por skenari i njëjtë. Përsëritet pa fije turp nga partitë politike shqiptare. Ndoshta kanë të drejtë, ndoshta ata kanë dëshirë të vendosin rendin dhe të luftojnë krimin, por mua si qytetar i zakontë duhet së paku të mundohen të më bindin në këtë gjë, duhen të më përgjigjen në ca dilema që kam dhe që assesi nuk i sqaroj dot, si për shembull: nëse ka veprime kriminale, a duhet ndokush nga aktorët në këto veprime të akuzohen dhe të dënohen nga organe përkatëse (deri sot askush nuk është dënuar në gjyq). Si është e mundur që në një tempull të dijës të ndërhyhet me armë automatike dhe dhunuesit mos të përgjigjen fare? Si është e mundur që Ministria e Arsimit të realizojë dëshirat e liderëve politik në pushtet, duke mos respektuar autonominë e USHT-së? Si është e mundur që profesorët të zëvendësohen me asistentë që ende s'kanë magjstratura të kryera,apo i kanë fallco të njëjtat? Dhe ju lutem më tregoni si do dukej dhe a do kishte ndokush guxim në mënyrë të njëjtë të ndërhynte në universitetin "Shën Kirili dhe Metodi''(me armë dhe leje të Ministrisë së Arsimit) si dhe shumë e shumë pyetje që nëse ndokush më përgjigjet, ndoshta do kuptoja se ku qëndron puna që politikanët tanë po bëjnë kësi lloj veprime në kurriz të të gjithë shqiptarëve. Universiteti i Tetovës është pronë e popullit shqiptarë në Maqedoni dhe nuk ka të drejtë morale askush të përvetësojë dhe të veprojë ashtu si i konvenon epshit të tij. Do kisha dashur të vjen dita ku studentët do protestojnë për kushte më të mira, për rritjen e bursave dhe gjëra tjera që kërkon koha bashkëkohore, e jo të mbrojnë universitetet nga bandat e politikanëve në pushtet dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Arsimi është shtylla kryesore e çdo populli të civilizuar, shqiptarët janë të tillë, mos harroni.
(Autori është stomatolog nga Kumanova)