Dinjiteti kosovar
Në kohën kur Millosheviqi bënte kërdi nëpër ish-Jugosllavi, ai në vitin 1989 me ndihmën e forcave ushtarako-policore suprimoi edhe autonominë e Kosovës. Që ta kishte më lehtë ta kontrollojë ripushtimin e saj, ai me dhunë uzurpoi Televizionin e Prishtinës, duke i dëbuar nga puna të gjithë ata gazetarë që mendonin me kokën e tyre, dhe që kundërshtonin regjimin e pushtuesit serb. Për të siguruar mbarëvajtjen e punës së televizionit, këta gazetarë me renome u zëvendësuan me disa njerëz me vetëdije të diskutueshme kombëtare dhe me moral të dobët njerëzor. Mirëpo regjimit serb I lindi një problem. Dikush duhej lexuar (dez)informatat që përgatiteshin nga "gazetarët" që fshiheshin pas kamerave televizive. Në tërë Kosovën, serbët nuk arritën të gjejnë asnjë prezantues shqiptar të lajmeve, dhe si rezultat i kësaj vetëdije të lartë kombëtare dhe profesionale të kolegëve kosovarë, pushtuesit serb u përcaktua për të famshmen e asaj kohë, "Hajrie spikericën", që ishte një vajzë e përkatësisë rome, por e cila nuk e kishte problem të jetë megafoni i pushtetit serb që ua kumtonte kosovarëve për çdo natë "të mirat" që i sillte regjimi i Millosheviqit". Pas gjithë këtyre sakrificave të bëra me vite, Kosova sot është bërë shtet, ndërsa shqiptarët e Maqedonisë kanë filluar t'i lakmojnë edhe romët e Shutkës për guximin që po tregojnë për të mbrojtur atë që mendojnë se u takon.
Mbrojtja e brendit KOHA
Sot në Maqedoni funksionon sistemi pluralist dhe një pushtim i redaksive të tëra për t'i kontrolluar politikat e tyre redaktuese nuk bëhet me tanke apo me ushtri, siç vepronte Millosheviqi në Kosovë. Tani zbatohen metodat "demokratike". Një e tillë u përdor edhe nga biznesmeni Velija Ramkovski ndaj pronarëve të gazetës "Koha" dy muaj më parë, të cilët refuzuan shantazhin e tij prej disa qindra mijë euro për t'ia shitur gazetën këtij biznesmeni, i cili sipas analizave tona, dëshironte që me kredibilitetin e gazetës KOHA të zhvillojë politika të caktuara antishqiptare. Me të pësuar këtë disfatë, Ramkovski mblodhi disa gazetarë dhe themeloi gazetën Koha e Re. A jeni pyetur ndonjëherë pse në Maqedoni dhe gjetiu nuk ekzistojnë imitime të pronave industriale dhe brendeve të njohura, si psh: Alsat i Ri, Vero e Re, Mercedes New, Sony New, Dnevnik Nov, VREME Novo, etj. Shkaku qëndron në ligjet e shumta vendore dhe konventat ndërkombëtare për mbrojtjen e pronësisë industriale, që rregullojnë qartë këtë sferë, nënshkruese e së cilës është edhe Maqedonia. Për shembull në nenin 206 të Ligjit për pronësi industriale, thuhet qartë se "pronari i brendit të mbrojtur (në këtë rast KOHA) posedon të drejtën ekskluzive për të mbyllur çdo brend tjetër që është i njëjtë apo i ngjashëm me të, apo në njërën apo tjetrën mënyrë asocon me brendin e tij (në rastin konkret KOHA e Re), sidomos për prodhime nga veprimtaria e njëjtë, të cilat kanë mundësi për ta çorientuar konsumatorin e rëndomtë. Qysh në vitin 2007, pa pasur ende asnjë bashkëpunim me Velija Ramkovskin, ne kërkuam t'i mbrojmë katër shkronjat e gazetës KOHA, me qëllim të evitimit të problemeve që mund të paraqiten në të ardhmen. Pas konstatimit se ky emër është i lirë në Maqedoni, Agjencioni për ruajtjen e pronësisë industriale lëshoi vendimin për mbrojtje të gjerë të brendit KOHA. Me fjalë tjera, kjo nënkupton se ne fituam të drejtën ekskluzive të përdorimit të këtyre katër shkronjave në të gjitha format dhe në kombinim me të gjitha ngjyrat në tërë territorin e vendit. Ndaj, deri në vjedhjen e organizuar nga Ramkovski, ne nuk kemi pasur asnjë kontest në këtë drejtim, mirëpo ja që Maqedonia nuk është Kosovë, dhe Ramkovski gjeti jo një, por disa "Hajrie spikerica shqiptare", të cilët në mënyrë të paskrupullt iu përveshën detyrës një hajnie të paparë deri më tani, vjedhjes së një brendi të mirënjohur dhe mirëmbrojtur me ligjet e këtij vendi. Që nga dita e parë, ne ua tërhoqëm publikisht vërejtjen kolegëve tanë që të mos keqpërdoren nga pronari i tyre Ramkovski, mirëpo për fat të keq, pozicionimi i tyre përballë Ramkovskit ishte inferior, ndaj edhe apeli ynë kolegial nuk u morr parasysh. Ata të vetëdijshëm për mëkatin që do të bëjnë, zgjodhën rrugën e presedanit, atë të turpit, duke instaluar në mesin e gazetarisë shqiptare një mendësi jotipike për shqiptarët - vjedhjen e identiteteve. Neve nuk na mbetej tjetër, përpos të kërkojmë reagimin e institucioneve shtetërore që sipas ligjit, janë të obliguar të garantojnë mbrojtjen e të drejtave autoriale. U drejtuam deri te Trupi koordinativ për mbrojtjen e pronësisë industriale, deri te Inspektorati i tregut, si dhe ngritëm padi deri në Gjykatën themelore II në Shkup. Edhe pse sipas ligjit, inspektorati dhe trupi koordinativ janë të obliguar që në raste të këtilla ta kryejnë punën e tyre në afat maksimal prej 15 ditëve, për shkak të presioneve politike nga pala tjetër, zbatimi i ligjit zgjati një muaj. Nga ana tjetër, në dy seancat e deritashme gjyqësore, avokatët e Ramkovskit munguan qëllimisht, duke dashur të fitojnë kohë për t'iu shmangur ballafaqimit me drejtësinë.
Të drejtat e kriminelit shqiptar
Gjatë tërë kohës, Ramkovski kërkonte ndihmën e politikës maqedonase dhe asaj shqiptare të afërt me të, të cilët në rastin konkret, përkundër afërsisë që kanë me të, ishte e pamundur t'i ndihmojnë, për shkak se bëhet fjalë për një rast të pastër juridik dhe një e drejtë e pakontestueshme në favorin tonë. Të pohosh se gazeta Koha është mbrojtur nga Gruevski, këtë munden ta thonë vetëm "Hajriet" e Ramkovskit. Sipas logjikës së tyre, nëse një kriminel shqiptar të hyn në shtëpi dhe të grabitë foshnjën, t'i nuk guxon ta lajmërosh policinë, sepse krimineli do të të shpallë tradhtar dhe bashkëpunëtor të shtetit. Nuk ke të drejtë as ta kundërshtosh kriminelin, sepse çfarëdo konfrontimi fizik apo verbal me te, sipas logjikës së këtij krimineli shqiptar, kjo do të nënkuptojë se t'i krijon përçarje ndërshqiptare. Që të mbetesh i pastër dhe të mos e përçash popullin shqiptar, prindi duhet ta lejojë kriminelin shqiptar dhe patriot që ta grabisë fëmijën dhe mundësisht kur të braktisë shtëpinë, t'ia hedhësh një gotë ujë mbrapa për t'i dëshiruar rrugë të mbarë. Ja, këtë reagim paskan pritur nga ne veglat shqiptare të Ramkovskit. Nga ana tjetër, padroni i tyre, i cili posedon disa media në vend, ka pasur dhe vazhdon të ketë kontakte të vazhdueshme me kryeministrin Gruevski, për të cilin padërprerë pohon se do të fitojë edhe dy mandatet e ardhshme. Ky njeri qëndron bukur edhe me liderin e LSDM-së Branko Crvenkovski, por edhe me disa funkcionarë të lartë të BDI-së, të cilët në shpirt kanë LSDM-në. Për këtë flasin vetë faktet. Plagiati "Koha e Re" mbrohet në Parlamentin e Maqedonisë nga deputeti i LSDM-së, Andrej Petrov. Kjo vjedhje mbrohet edhe nga deputetja e BDI-së, Ermira Mehmeti, nga ish-kryetari për (mos)ndriçimin e ngjarjeve të Gostivarit, Mersel Bilalli, apo edhe nga profesori Imer Ismaili, i cili gjithashtu kohë më parë ishte akuzuar për plagjiat. Të mos i harrojmë edhe disa kolegë tanë të cilët në cilësinë e ekspertëve, vjedhjen klasike të brendit tonë e cilësuan si mbyllje të gazetës dhe ngufatje të mendimit të lirë.
Fuqia e të hollave
Gjithë këta njerëz, rreshtohen kundër gazetës kryesore të shqiptarëve në Maqedoni, duke përkrahur vjedhjen e dirigjuar nga Ramkovski. Tani shtrohet pyetja, nëse këtu bëhet fjalë për mbrojtjen e gazetës Koha e Re, apo për luftë kundër gazetës KOHA. Ne e dimë përgjigjen. Gazeta jonë një kohë të gjatë mundohet ta ruajë pavarësinë e ndikimit politik nga të gjitha partitë. Këtë e ka vlerësuar lexuesi shqiptarë, i cili sipas të gjitha anketave të bëra deri tani, rezulton se mbi gjysma e tyre lexojnë gazetën KOHA. Dhe natyrisht, të qenurit jashtë çfarëdo kontrolli politik paraqet një pozicion të rrezikshëm, qoftë për partitë politike, ashtu edhe për gazetën tonë, e cila tani është vënë në shënjestër nga të gjitha partitë maqedonase, nëpërmjet argatëve të tyre shqiptarë. Këtë herë do të dalim nga modestia dhe do të rikujtojmë rastin e para disa viteve kur deputetët e PPD-së i shitën votat e tyre për ta përkrahur kabinetin qeveritar të Ljupço Georgievskit. Atëherë deputeti Sefedin Haruni, tregonte se një deputet i PPD-së kishte kushtuar prej 30-40 mijë marka gjermane. Dhe për një buxhet jo më shumë se 300 mijë marka gjermane, tërë grupi parlamentar i kësaj partie votoi qeverinë e Georgievskit, të cilit i kishte ikur Tupurkovski me deputetët e tij. Para dy muajve, pronarët e gazetës KOHA refuzuam një ofertë dy herë më të madhe nga ajo që kishin marrë dikur deputetët e PPD-së. Jo se ne kemi shumë para, por për shkak se për mendimin tonë, shitja e imponuar e një gazete me ndikim më të madh te shqiptarët, një biznesmeni joshqiptar, i cili di të luajë lojëra të ndyta politike, nuk do të dallohej aspak me veprimin e ish-deputetëve të PPD-së.
Prapavija politike
Analizat tona thonë se pas gjithë këtij konflikti me Ramkovskin, fshihen motive të errëta politike. Sipas mendimit tonë, elitat maqedonase edhe një herë kërkojnë që për hesapet e tyre, shqiptarët të bëhen ata që do ta paguajnë çmimin kryesor. i njohur për koketimin me dy liderët kryesorë maqedonas, pronari i gazetës KOHA e RE, kërkonte që me rebelimin eventual të shqiptarëve t'i kënaqë edhe nevojat e dy oponentëve politik, Gruevskit dhe Cërvenkovskit. I pari ka nevojë t'i shmanget zgjidhjes së çështjes së emrit, ndërsa i dyti nuk mund ta paramendojë kthimin në pushtet në rrugë paqësore. Jorastësisht, që të dy me veprimet e tyre janë duke i fryrë zjarrit, ndërsa shqiptarët janë ata që në këtë rast duhet luftuar njërin dhe duhet përkrahur tjetrin, varësisht nga afërsia dhe pozicionimi politik. Fokusimi i fajit vetëm te pozita apo opozita maqedonase, me automatizëm nënkupton shfajësimin e partive shqiptare nga çfarëdo përgjegjësisë për politikat e tyre të dështuara. Në vend që përgjegjësia të kërkohet nga të zgjedhurit shqiptarë, gazeta KOHA e RE me politikën e saj redaktuese shpërqendronte vëmendjen vetëm te kryeministri Gruevski, i cili në rastin konkret paraqitej ai i keqi, duke lënë të nënkuptohet se i miri për shqiptarët na qenka Cërvenovski. Duke ndjekur këtë logjikë, atëherë shtrohet pyetja, pse shqiptarët në zgjedhje rrihen, vriten apo përfundojnë në burg?! Nëse fati i të drejtave të shqiptarëve varet nga Gruevski apo Cërvenkovski, ne atëherë do të duhet t'i mbyllim të gjitha partitë tona. Kështu së paku do të kursejmë jetën e votuesve tanë.
Kursi ynë
Për dallim nga këta kolegë tanë të rinj, ne vazhdimisht kemi kritikuar kryeministrin Gruevski për politikën e tij antishqiptare, por nuk i kemi amnistuar edhe të zgjedhurit tanë. Revidimi i listave zgjedhore, ligji për natalitetin, maqedonishtja nga klasa e parë, Ligji për gjuhët, diskriminimi në ndarjen e buxhetit, enciklopedia, etj, janë vetëm disa nga tema që u zbuluan nga gazetarët tanë, ose në bashkëpunim me mediat tjera shqipe u trajtuan intenzivisht nga gazeta KOHA. Mirëpo në të gjitha këto raste, gazeta KOHA nuk ka heshtur përgjegjësinë e të zgjedhurve tanë. Ne kemi dashur ta ndërprejmë këtë praktikë të politikanëve dhe partive tona që paaftësinë e tyre ta mbulojnë me nacionalizmin e Gruevskit apo Cërvenkovskt. Për mendimin tonë, faji për këtë pozitë të mjerë të popullatës shqiptare në Maqedoni qëndron në fabrikën që prodhon lideruca dhe politikanë të llojllojshëm shqiptarë, të cilët vetëm se legjitimojnë politikat antishqipare të të gjitha qeverive të deritashme të këtij shteti. Edhe për këtë konstatim do të japim disa shembuj. Qoftë në rastin e Bit Pazarit, atë të Ladorishtit, ngjarjeve tronditëse të Gostivarit, rastin e Sopotit, keqtrajtimin e të arrestuarve të Brodecit, kisha në qendër të Shkupit, maqedonishtja, enciklopedia, nataliteti, përmendoret, si dhe shume e shumë veprime tjera antishqiptare, të gjitha këto janë miratuar nga të përzgjedhurit tanë. Madje në disa raste, shqiptarë kanë qenë edhe kryetarë të komisioneve për ndriçimin e aksioneve të dhunshme policore ndaj civilëve shqiptarë, të cilët në fund kanë dalur me raporte se gjithçka ka qenë në rregull dhe në pajtim me ligjin. Shumë nga këta njerëz, edhe sot janë lartë në jetën politike apo publike të vendit, dhe mësojnë popullin nga duhet shkuar dhe kush duhet përkrahur, Crvenkovski apo Gruevski.
"Shpërblimet" për politikën
pro-qeveritare
Arsyetimi se gazeta e Ramkovskit është mbyllur meqë paska qenë me disponim antiqeveritar, ndërsa sipas kësaj logjike, gazeta KOHA është ajo që preferoheshka nga kryeministri Gruevski, është edhe një tentativë e pasuksesshme për të mbuluar motivet politike të këtij projekti të familjes Ramkovski. Argumentet dëshmojnë të kundërtën. Të fillojmë nga skandali në Parlamentin e Maqedonisë, që ndodhi para tre viteve, kur një aktivist i BDI-së, goditi pa asnjë arsye autorin e këtyre reshtave. Për shkak të "afërsisë" që ka gazeta KOHA me kryeministrin Gruevski, prej atëherë e deri më sot nuk është mbajtur asnjë seancë gjyqësore, përkundër padisë së ngritur para gjykatës së Shkupit. "Afërsinë" tonë me kryeministrin e këtij vendi e pagoi edhe botuesi tjetër i gazetës KOHA, Arben Ratkoceri, kur një mëngjes të vitit të kaluar, në shtëpinë e tij hynë njësitë speciale të policisë, dhe për katër orë mbajtën në shënjestër automatiku gruan, dy fëmijët dhe prindërit e tij. Për shkak të "afërsisë" me të njëjtin kryeministër, policia maqedonase nuk mund të zbulojë autorët e kërcënimeve të shumta të cilët me letra anonime, për këto dy tre vite sa është kryeministër Gruevski, kanë tentuar ta frikësojnë stafin dhe anëtarët e familjeve tona. Nga ana tjetër, e njëjta polici, në rastin kërcënimeve të fundit ndaj redaksisë së TV A1, zbuloi në afat rekord autorët e saj. Njëjtë kishte vepruar edhe me kërcënimet ndaj kryeredaktorit të gazetës Shpic, Branko Gerovski.
"Dënimet" për politikën
anti-qeveritare
Këto janë "shpërblimet" që kemi fituar ne nga kjo qeveri dhe nga kryeministri Gruevski. Nga ana tjetër, do të përmend vetëm disa nga "dënimet" që kanë përjetuar kolegët tanë nga "Koha e Re" që nga fillimi i daljes në shitje të kësaj gazete. Në ditën e tretë të saj, për qëndrimet e saja antiqeveritare, gazeta e Ramkovskit "dënohet" nga ministri i VMRO-së për eurointegrime, Vasko Naumovski, i cili aty vendos t'i dërgojë reklamat e resorit që drejton. Fushata e tij qeveritare për pengimin e shpërnguljes së shqiptarëve nga zona e Likovës, nga të gjitha mediat e shkruara shqipe, shkoi për disa ditë me radhë vetëm në gazetën e Ramkovskit, Koha e Re. Këto "dënime" të Qeverisë që nga ditët e para të kësaj gazete "antiqeveritare" u pasuan edhe nga kryetari i qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski, Edhe këtij kuadri të lartë të VMRO-së, dikush i kishte pëshpëritur në vesh se duhej "luftuar" gazeta "Koha e Re" ngase ajo është "antiqeveritare". Për këtë arsye, në shtatë ditët e para të saj, "Koha e Re" "dënohet" me reklamat e qytetit të Shkupit. Edhe këtij "dënimi" të gjitha gazetat tjera shqipe arritën t'i shpëtojnë (Fakti, 24 Orë, Lajmi, si dhe gazeta KOHA). "Dënimeve" me reklama nga Qeveria të kësaj gazete të Ramkovskit, përveç kuadrove të VMRO-së iu bashkëngjitën edhe disa ministra dhe funksionarë të BDI-së, të cilët në këtë mënyrë i dhanë përgjigjen e duhur politikës "antiqeveritare" të kësaj gazete. Për këtë kurs politik, gazeta e Ramkovskit ka paguar edhe "dënime" tjera nga Qeveria Gruevski, por ato nuk i di opinioni i gjerë i vendit. Kështu për shembull, vetëm gjatë muajit të parë të ekzistimit të saj, tre vizitat e vetme jashtë vendit të kryeministrit Gruevski dhe anëtarë të Kabinetit të tij, u shoqëruan vetëm nga gazetarët shqiptarë të gazetës së Ramkovskit. Gjithë kolegët e tyre nga gazetat tjera, Fakti, 24 Orë, Lajmi si dhe nga gazeta KOHA, patën "fatin" t'i shpëtojnë këtij 'dënimi" për t'i shoqëruar qeveritarët e kabinetit të Gruevskit në të gjitha vizitat e bëra jashtë vendit, edhe atë me para të Qeverisë.
Përvoja e deritashme
Jo vetëm KOHA, por edhe mediat tjera si FAKTI, 24 Orë, Alsat-M, A1, Sitel, Dnevnik, etj, nuk do të lejonin që dikush tjetër të hyjë në tregun mediat të vendit duke keqpërdorur brendin e tyre, me atë që do t'i kishte shtuar prapashtesën "E RE". Ndryshe në këtë vend njihet edhe një përvojë e ngjashme para më shumë se 10 vite me radion "Kanal 77". Për shkak të mbrojtjes së brendit, kjo radio nga Shtipi i kishte ndaluar televizionit K7 përdorimin e këtij brendi, me arsyetimin e njëjtë se huton konsumatorin. Si tani, edhe atëherë, organet e shtetit kishin intervenuar me kohë, dhe TV-K7 ndryshoi emrin duke u quajtur TV- K5, i cili funksionon edhe sot. Atëherë për këtë rast nuk u bë shumë zhurmë në opinion, pasi që me këtë vendim ligjor ishte pajtuar menjëherë pronari i tash më televizionit K5.
Shqipja, vetëm me licencë maqedonase
Këto ligje si duket nuk duhet të vlejnë vetëm për Velija Ramkovskin. Ai së fundi po tenton t'i hakmerret gazetës KOHA me një propozim "margaritar" që në esencë prekë edhe gjuhën tonë amtare. Avokatët e tij kanë dërguar kërkesë deri te Agjencioni për ruajtjen e pronësisë industriale për ta shfuqizuar vendimin e gazetës KOHA për mbrojtje të brendit, të cilin po ky organ ia ka miratuar në vitin 2007. Dhe paramendoni se cili është arsyetimi për këtë kërkesë. Avokatët e Ramkovskit, thirren në brendin e gazetës VREME (origjinal BPEME), që në përkthim do të thotë KOHA. Meqenëse neni 206 i Ligjit për mbrojtje industriale thotë qartë se bartësi i së drejtës së një brendi të siguruar, ka të drejtë të ndalojë ndonjë brend që është i ngjashëm ose paraqet imitim të brendit të tij, i cili mund ta hutojë konsumatorin e rëndomtë, kjo tentativë e luftimit të gazetës KOHA, tani edhe nëpërmjet gazetës maqedonase BPEME, paraqet edhe një tentim të një mjerani i cili nuk është mësuar të pajtohet me drejtësinë. Në elaborimin e kësaj kërkese, thuhet se "lexuesit e BPEME-s, kur shkojnë për të blerë këtë gazetë, hutohen dhe gabimisht blejnë gazetën KOHA, e cila në maqedonisht paska kuptimin e njëjtë". Edhe pse ky arsyetim, këto ditë është refuzuar nga Gjykata Administrative, e cila ka vërtetuar vendimin e drejtë të Inspektoratit të Tregut për mbylljen e gazetës "Koha e Re" me këtë emër, ne si gazetarë shqiptarë mbetemi të habitur me faktin se kolegë tanë shqiptarë rreshtohen pas një turpi të paparë që j'u servohet nga bosi i tyre Ramkovski, i cili në këtë mënyrë nëpërkëmbë edhe gjuhën tonë të shenjtë shqipe. Sipas tyre, maqedonishtja na qenka gjuha hyjnore e cila duheshka ta licencojë përdorimin e çdo fjale shqipe e cila mund të ketë kuptim edhe në maqedonishte. Kështu sipas tyre, për ta përdorur fjalën nënë, sipas gazetarëve shqiptarë të Ramkovskit, duheshka që për këtë të marrim leje nga gjuha maqedone, apo nga Krste Petkov Misirkov. Nëse nuk na jepet liçenca, atëherë nuk guxojmë nënave tona t'i drejtohemi me nënë, por me "mamo", sepse do të hutoheshka nëna e Petkos dhe e Stankos. Të njëjtën duheshka ta bëjë edhe gazeta turke Zaman (KOHA), ose një ditë mund t'i kujtohet pronarëve të gazetës VEST të kërkojnë të njëjtën për gazetën LAJM, sepse, apo, siç thonë këta shqiptarë, maqedonishtja na qenka gjuha që duhet të na japë licencë për t'i thënë bukës- bukë dhe ujit- ujë.
Presedani i ndaluar
Këtë shpjegim të gazetarëve të Velisë nuk e kanë pranuar as gjykatësit maqedonas, tëcilët e kanë hedhur poshtë si të pabazë këta argumentim të sëmurë dhe antishqiptar. Në këtë rast bëhet fjalë për qëndrimin parimor që kanë këta gazetarë ndaj gjuhës shqipe, të cilën në vend që ta mbrojnë, ata e kushtëzojnë përdorimin e saj vetëm me licencë shkau. Por ja të supozojmë se njëjtë sikur që bëjnë këta, edhe të tjerët të luanin lojën e Ramkovskit. çka do të ndodhte në atë rast? Që në fillim, i njëjti drejtor, emri i të cilit qëndron në vendimin për mbrojtjen e brendit KOHA në gjuhën shqipe dhe alfabetin latin, tani do të duhej të sillte vendim të kundërt me atë që ka nënshkruar para tre viteve. Ai do të duhej të pranonte mendësinë e këtyre gazetarëve shqiptarë se gazeta KOHA lajthit lexuesin e gazetës "BPEME", një gazete maqedonase me alfabet cirilik.
Më vonë, edhe inspektorët dhe gjykatësit do të duhej të lejonin që secilit që do t'i kujtohet të mund të hapë shitore Hedis i Ri, Vero e Re, apo mediume të llojit Lajm i Ri, Fakti i Ri, Dnevnik Nov, A1 Novo, e shumë shembuj tjerë. Do të bëhej një kaos i vërtetë i cili do të vinte në pikëpyetje funksionimin e tregut.
Kriza e identitetit
Për këtë arsye nuk lejohet lehtë të ndodhë presedani, sikurse kjo nuk u lejua edhe para dhjetë viteve mes Kanal 77 dhe Kanal 7, e cila prej atëherë zgjodhi emrin tjetër TV K5. Kjo nuk guxon të ndodhë edhe për arsye se mbrojtja e pronësisë industriale nga organet e këtij shteti është një prej kritereve kryesore për anëtarësimin e Maqedonisë në BE. Fundja, shqiptarët nuk e kanë zakon t'i vjedhin identitetet e huaja, siç tentoi ta bëjë politika e Gruevskit me identitetin shqiptar të Nënës Terezë, të Skënderbeut, identitetin e figurave historike bullgare apo identitetin e popujve antikë, që së fundmi po kundërshtohet nga fqiu ynë jugor, i cili po i konteston edhe emrin këtij shteti.
Vjedhja e identiteteve është veti e njerëzve dhe popujve që kanë dilema për prejardhjen e tyre, në rastin konkret maqedonasve (antikë apo sllavë), apo edhe e torbeshëve. Ne nuk dëshirojmë të mendojmë se dilemat e njëjta rreth identitetit i kanë edhe këta vegla shqiptare të Ramkovskit, të cilët në këtë mënyrë po importojnë në mesin tonë probleme të huaja ndër shqiptarët.
komentet e lexuesve
| 1. | |
| 2. | |
| 3. | |
| 4. | |
| 5. | |
| 6. | |
| 7. | |
| 8. | |
| 9. | |
| 10. | |
Lirim Dullovi
Në vend se në këto faqe të gazetës KOHA të lexoni ndonjë opinion, kësaj radhe do të lexoni, shpresojmë për së herë të fundit, lidhur me problemet e gazetës KOHA, që u shkaktuan nga një biznesmen me të cilin gjatë dy viteve të kaluara kjo gazetë zhvilloi një bashkëpunim afarist.
Bëhet fjalë për biznesmenin Velija Ramkovski, me të cilin dy vite me herët, unë dhe partneri im, Arben Ratkoceri, vendosëm të ndajmë në dysh, d.m.th. 50:50 fitimin nga biznesi, kurse menaxhimi i gazetës KOHA të mbetet në duart tona. Me fjalë tjera, kjo marrëveshje parashihte që pronësia mbi gazetën KOHA të mbetej e pandryshuar, ngaqë atëbotë biznesmeni Ramkovski pohonte se është i interesuar vetëm për biznes, gjegjësisht për pjesën e tij prej 50 për qind nga fitimi i gazetës `'KOHA". Për ta fituar këtë pjesë, ai u zotua se për një kohë të pacaktuar do të mbulojë shtypin dhe shpërndarjen falas të gazetës KOHA, si dhe do të "bombardojë" me reklamimin e gazetës tonë në televizionin e tij, A1. Ndërkohë, ai kërkoi që mjetet nga reklamat për gazetën KOHA të derdhen në xhirollogarinë e tij të firmës Plus Produkcija, prej nga, ai u zotua se do të na ndajë gjysmën e mjeteve të profitit. Kjo ishte marrëveshja gojore, për të cilën Ramkovski, përkundër insistimit tonë, nuk ishte i gatshëm asnjëherë ta nënshkruajë, me arsyetimin se ai me askend nuk nënshkruan asgjë dhe se është i njohur si njeri i fjalës?!
Natyrisht se ne nuk i besuam fjalëve të tij, mirëpo pranuam këtë "deal" për disa arsye. E para ka të bëjë me shpërndarjen falas të gazetës KOHA; e dyta me reklamimin e saj në TV A1; e treta me mbulimin e pjesës së marketingut nga grupacioni i tij medial, segment i cili nuk varet vetëm nga cilësia e gazetës, por edhe nga të qenit pjesë e ndonjë grupacioni (jo)formal medial; si dhe nga shkaku se kjo ishte mënyra e vetme për ta ruajtur pavarësinë e politikës redaktuese të gazetës KOHA, e cila jorastësisht arriti besueshmërinë maksimale të lexuesit shqiptar, që rezultoi me disa zbulime gazetareske siç janë: listat zgjedhore me 200 mijë votues fiktiv (shumica në pjesën maqedonase të shtetit), pastrimi i së cilës u fut në detyrat prioritare të vendit për anëtarësim në Bashkimin Evropian, zbulimin e materialit komprometues të Enciklopedisë maqedonase, që rezultoi me zhvlerësimin e saj dhe përpilimin e një Enciklopedie të re, marifetllëqet me projektin për stimulimin e natalitetit vetëm te maqedonasit, i cili më vonë u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese, keqpërdorimet në UT dhe problemet e shumta në arsimin fillor dhe të mesëm në tërë shtetin, diskriminimi i shqiptarëve në buxhetet për kulturë, shëndetësi, arsim dhe në ekonomi, shndërrimi brenda natës i shqiptarëve në maqedonas në dokumentet personale që lëshohen nga MPB-ja (letërnjoftime, patentat e shoferëve, pasaporta, certifikatat e datëlindjes etj), projekti për mësimin e maqedonishtes nga klasa e parë si dhe shumë skandale tjera që morën epilog pozitiv falë përkushtimit profesional të stafit të gazetës KOHA.
Ambiciet tona profesionale nuk përfundonin këtu. Me insistimin tonë të fuqishëm, këto probleme të shqiptarëve morën trajtimin e duhur edhe në televizionin A1, ku gazeta KOHA kishte tërë kohën të punësuar një gazetar shqiptar, i cili për detyrë kishte ta njoftojë publikun maqedonas me problemet e shqiptarëve që trajtoheshin në këtë gazetë. Kuptohet, i tërë ky qëllim i ynë fisnik kishte një çmim që duhej paguar.
Biznesmeni Ramkovski filloi t'i hakmerret gazetës KOHA, duke ndalur për vete edhe pjesën tonë të profitit. Këtë e bënte nën pretekstin e blerjes së makinave të reja të shtypit, në emër të mosrealizimit të pagesave të faturave nga ana e klientëve si dhe në emër të investimeve tjera të tij, duke na u lutur që të kemi mirëkuptim. Natyrisht, këto arsyetime nuk mund t'i mbulonin qëllimet e tij të tejdukshme për ta grabitur një ditë gazetën KOHA. Nga ana jonë, mungonin alternativat për të vazhduar vetëm me këtë projekt. E vetmja mbrojtje që kishim ndaj këtyre ambicieve të sëmura të biznesmenit Ramkovski, ishte patentimi nga ana jonë i katër shkronjave të gazetës KOHA në Agjencionin shtetëror për mbrojtjen e pronësisë industriale. Duke e pasur parasysh këtë fakt, biznesmeni Ramkovski fillon të zbatojë planin e tij për dobësimin financiar të gazetës KOHA, duke mos ndarë me ne, për më shumë se një vit përfitimet materiale të gazetës KOHA. Bëhet fjalë për disa qindra mijë euro, edhe atë sipas përllogaritjeve të vetë ekipit të Velija Ramkovskit. Këto mjete kanë përfunduar në xhirollogarinë e firmës Plus Produkcija, që joformalisht është nën kontrollin e tij.
Në fazën e fundit të projektit të tij për grabitjen e gazetës KOHA, Ramkovski inicon kërkesën e tij për të shkaktuar pakënaqësi te popullata shqiptare, që për epilog duhet të ketë tensionimin e raporteve ndëretnike në vend. Ky ka qenë insistimi i tij i vetëm për t'u përzier në politikën redaktuese të gazetës KOHA gjatë bashkëpunimit afarist dyvjeçar me këtë njeri. Në të njëjtën kohë, në mediat që janë nën kontrollin e tij, siç është gazeta VREME, plasoheshin tituj bombastik si dhe editoriale ku kërkohej që fëmijët shqiptarë të mësojnë gjuhën "shtetërore" maqedonase nga klasa e parë, apo shkrime të llojit, "Zoshto makedonskoto zname ne se vee vo jarbolite vo Tetovo i Gostivar".
E përbashkëta e këtyre dy tendencave të tij është ngritja e shkallës së pasigurisë në vend si pasojë e mosdurimit që do të shkaktohej mes shqiptarëve dhe maqedonasve. Stafi i gazetës KOHA me kohë i ka nuhatur këto politika në vend, që kanë për qëllim të vijnë në pushtet, duke përdorur pakënaqësitë reale të shqiptarëve në këtë shtet, të cilët do të duhet të radikalizohen në veprimet e tyre, duke mos përjashtuar këtu edhe shkaktimin e ndonjë konflikti të armatosur. Meqenëse, iniciator të këtyre ideve për keqpërdorimin e pozitës së rëndë të shqiptarëve janë qarqe joshqiptare, gazeta KOHA nuk ka pranuar të jetë pjesë e këtyre skenarëve.
Pas refuzimit kategorik të kërkesave të tij nga ana jonë, Ramkovski zbaton plani e tij për grabitjen e gazetës KOHA nga dy pronarët e saj, duke dhënë një ultimatum prej tre ditësh: "merrni këto të holla dhe hidhni firmën për bartjen e pronësisë së gazetës KOHA tek unë, në të kundërtën do ta ndaloj botimin e gazetës KOHA dhe javores ARENA, Ramkovski provon një shantazh për të cilin ka vlerësuar se do t'i kalojë me sukses. Së pari, ai ka qenë i bindur se shuma prej disa qindra mijë euro do të pranohet pa ndonjë hamendje nga pronarët e gazetës KOHA.
"Namerno sum ve ostavil bez pari. Nemate pari da prodolzhite sami, nema kaj da se pecatite, so CETIS ste skarani, Evropa 92 nema dobra pecatnica i e skapa, a MPM se prezafateni so nivnite izdanija, i nema kaj da ve stavi na pecatenje. Znaci, imate tri dena. Zatoa podobro zemete gi parite inaku KOHA i ARENA nema da gi pecatam, dokolku ne mi gi dadete mene". Këto kanë qenë fjalët e biznesmenit Ramkovski, drejtuar bashkëpronarit të gazetës KOHA, Arben Ratkoceri. Parimisht, Ramkovski kishte pasur të drejtë në vlerësimin e tij. Situata ishte pikërisht ashtu siç e kishte përshkruar. Megjithatë, gabimi i tij fatal kishte të bënte me nënçmimin e pronarëve dhe stafit të gazetës KOHA. I mësuar nga përvoja e tij e deritashme, se me para mund të blihet çdo gjë, ai për herë të parë në jetën e tij mori një "JO" kolektive nga pronarët dhe stafi i gazetës KOHA dhe javores ARENA. Të vetëdijshëm për vështirësitë e shkaktuara në punën e mëtutjeshme, ky ekip zgjodhi rrugën më të vështirë, atë të rezistencës dhe mbijetimit nga ky atak i shkaktuar nga një "boss" i madh në biznesin e mediave në vend. Adresa e parë ku kërkuam ndihmë për ta tejkaluar këtë krizë, ishte ajo e pronarit të Ve-Ve Group dhe të TV Alsat, z.Ferik Velija. Ky zotëri bëri të pamundurën që gazeta KOHA të jetë përsëri në duart e lexuesve të saj. Për ndihmën e pakushtëzuar që na ka ofruar, stafi i gazetës KOHA dhe javores ARENA do t'i jenë mirënjohës për gjithë jetën.
Pas dështimit të planit djallëzor, biznesmeni Ramkovski, si asnjëherë më parë në jetën e tij, personalisht filloi t'i marrë në telefon njerëzit e ekipit tonë, duke i lutur që për shuma të mëdha të hollash, të kalojnë në radhët e tij për të hapur një gazetë tjetër në gjuhën shqipe. Nga gjithsej 30 anëtarë të staft tonë, aty kaluan vetëm katër ish-kolegë të parëndësishëm për funksionimin e gazetës tonë, të cilët dëshmuan se për ZOT kanë vetëm paranë. Shtyllat kryesore të gazetës KOHA dhe javores ARENA mbetën të paprekura. Ky ekip, i cili së bashku me pronarët e këtyre dy edicioneve informative, zgjodhën rrugën më të vështirë drejt suksesit, përbëhet nga emra eminentë të gazetarisë shqiptare, që me përkushtimin dhe profesionalizmin e tyre kanë arritur të fitojnë simpatitë dhe besimin e lexuesve shqiptarë.
Nga ana tjetër, biznesmeni Ramkovski prej sot pritet të lëshojë në shitje gazetën e tij, të quajtur KOHA E RE, projekt ky i koordinuar nga kolegët tanë maqedonas nga gazeta VREME dhe SHPIC. Në këtë gazetë, përpos këtyre katër personave të ikur nga radhët tona, mësohet se i janë bashkangjitur edhe një pjesë e kolegëve tanë që punojnë në redaksinë shqipe të RTVM-së. Ne si redaksi nuk e kemi ndër mend t'i pengojmë të punojnë aty ku duan. Megjithatë është për keqardhje pjesëmarrja e tyre në vjedhjen e organizuar nga biznesmeni Velija Ramkovski të brendit tonë KOHA, të cilën e kanë "stolisur" edhe me tre shkronja tjera "E RE". Sipas ligjeve në fuqi që rregullojnë të drejtat autoriale në vend, ky brend i cili është patentuar para disa viteve nga ana jonë, nuk guxon të përdoret nga asnjë subjekt tjetër juridik, sidomos nëse ai ushtron veprimtari në lëmi të njëjtë. Po të ishte kjo e lejuar, atëherë lirisht mund të hapeshin televizione dhe gazeta me emrat A1- NOVA, A2 - NOVA, SITEL NEW, VREME NEW, SPIC NEW, KANAL 5 NEW, VEST NEW, apo firma me emrat MC DONALD'S NEW, VICTORIA SECRET NEW, SONY NEW, HEDIS NEW, T-MOBILE NEW, e kështu me radhë. Këtë e ka të qartë edhe vetë punëdhënësi i tyre Velija Ramkovski, i cili në rastin konkret, duke mos mundur ta përballojë këtë epilog të planit të tij djallëzor, ndërmerr hapa iracionale vetëm e vetëm për ta dëmtuar gazetën KOHA.
Për fat të keq, këtë vjedhje të katër shkronjave të arta të gazetës sonë, e legjitimojnë këta kolegë tanë, të cilët pa asnjë parakusht tjetër përveç parave, kanë pranuar të jenë veglat e Ramkovskit që do t'ia mundësojnë të vjedhin shkronjat tona të siguruara në institucionet përkatëse.
Këto ditë gazeta KOHA do t'i dërgojë letër paralajmëruese pronarit të kësaj gazete të re për të hequr dorë nga keqpërdorimi i brendit tonë që është patentuar në institucionet përkatëse të këtij shteti. Nëse kjo nuk merret parasysh, atëherë do të kërkojmë që këtë ta bëjnë institucionet e drejtësisë.
Për fat të keq, këtë vjedhje të katër shkronjave të arta të gazetës sonë, e legjitimojnë katër kolegë tanë, të cilët pa asnjë parakusht tjetër përveç parave, kanë pranuar të jenë veglat e Ramkovskit që do t'ia mundësojnë të vjedhin shkronjat tona të siguruara në institucionet përkatëse
komentet e lexuesve
| 1. | |
| 2. | |
| 3. | |
| 4. | |
| 5. | |
| 6. | |
| 7. | |
| 8. | |
| 9. | |
| 10. | |
Lirim DULLOVI
Po radhiten deklaratat e krerëve të Maqedonisë kundër BE-së dhe vendimit të Këshillit të ministrave që Maqedonia të mos fitojë datë për fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Presidenti, kryeministri, ministrat e kabinetit të tij, protestuesit që spontanisht u dërguan para zyrave të BE-së në Shkup, të gjithë me kritika joracionale po i hedhin fajin Brukselit zyrtar, duke krijuar një atmosferë anti-NATO dhe anti-BE, të ngjashme me ato të protestave në Shkup, kur para dhjetë viteve e pësoi Ambasada e SHBA-ve. Dhe, në vend se kjo tendencë e partisë më të madhe në këtë shtet të shqetësojë partitë shqiptare, sidomos BDI-në qeveritare, ato justifikojnë dështimin e misionit të tyre më përralla të palezetshme që s'vlejnë as për më të vegjlit. Sipas anëtarit të kësaj partie, Xhevat Ademi, Brukseli i paska dhënë shans Maqedonisë edhe gjashtë muaj. Po të ishte porosia negative, atëherë duke përcjellë gjithnjë këtë logjikë, do të duhej pritur që Brukseli t'i thoshte Maqedonisë se sot e 100 vjet nuk ka për të qenë pjesë e BE-së, nëse nuk e zgjidh kontestin e emrit me Greqinë.
Natyrisht se diçka e tillë nuk mund të pritet nga një institucion serioz siç është BE. Këto deklarime janë veti e individëve dhe subjekteve joserioze që në rrethana të caktuara dalin me qëndrime ekstreme të llojit "me ose pa maqedonasit, shqiptarët do të hyjnë në BE dhe në NATO" ose "ky dhjetor do të jetë shumë i nxehtë".
Shqiptarët me politikanë të këtillë, ngadalë por sigurt, po shkojnë në kraharorin e Beogradit, e jo të Sofjes, siç pretendon kryetari i një partie tjetër, i cili kështu dëshiron ta kursejë kryeministrin Gruevski para shqiptarëve. Sipas kësaj logjike, do të duhej të besojmë se edhe Llatasi, Mirka, Tomiqi, Milenko, Bumbari, Bllazhja e të tjerët si këta, po luftuakan për kauzën bullgare. Konstatim joserioz, për një politikan serioz.
Por, t'i kthehemi partisë shqiptare në pushtet, që në këtë rast ka edhe përgjegjësinë më të madhe. Kjo parti e konsideron veten si përkrahëse e frymës së perspektivës euroatlantike të Maqedonisë dhe për këtë qëllim thotë se do ta vë në funksion tërë kapacitetin e saj intelektual dhe politik që gjatë gjashtë muajve të ardhshëm, të arrihet ky qëllim.
Të mësuar nga e kaluara, këto deklarata nuk është çudi t'i dëgjojmë edhe pas gjashtë muajve kur me këtë politikë anti-NATO dhe anti-BE që po koordinohet nga qarqet qeveritare në vend, Maqedonia mund të bëhet vetëm pjesë e Rusisë, Bjellorusisë, Serbisë, Venezuelës, Kubës, por assesi kjo politikë dhe këto qëndrime nuk mund ta çojnë këtë vend në familjen e madhe evropiane. Në vend të këtyre deklaratave bajate për angazhim properëndimor, partia shqiptare në pushtet do të duhej të ndërmarrë veprime konkrete politike për të detyruar kryeministrin të zmbrapset nga qëllimi për ta bërë këtë shtet pjesë të një aleance me Serbinë, vend ky i cili i vetmi në rajon ka hedhur poshtë mundësinë e anëtarësimit në NATO. Argumentet janë të qarta. Jorastësisht ambasadori i BE-së, Ervan Fuere tha se Maqedonia me Greqinë po negocion vetëm çështjen e emrit, e jo edhe të identitetit, i cili përdoret nga kryeministri vetëm si alibi për të hedhur poshtë çdo mundësi për tejkalimin e këtij kontesti që po pengon hyrjen e shtetit në NATO dhe BE.
Pra, gjërat nuk janë edhe aq të komplikuara sa pretendon kryeministri Gruevski, i cili me provokimet e shumta në të kaluarën për antikvizimin e vendit, edhe përshkallëzoi qëllimisht kontestin me Greqinë. Ajo që po kërkon Brukseli, është që kjo politikë e përvetësimit të kulturave, historive dhe vlerave të popujve tjerë të marrë fund, dhe natyrisht, të gjendet një zgjidhje për kontestin rreth emrit.
Për këtë arsye, duhet të merr fund edhe solidarizimi i verbër i politikanëve shqiptarë me ndjenjat e maqedonasve rreth identitetit të tyre, sepse i njëjti është një problem i fabrikuar që duhet ta mbajë këtë shtet larg vlerave euro-perëndimore. Është koha që partitë shqiptare, më në fund t'i kthehen nevojave, kërkesave dhe aspiratave të elektoratit shqiptar. Në të kundërtën, çdo de-legjitimim i politikës së tyre, mospërputhje e vendimeve politike me vullnetin e shqiptarëve, ngjallë rrezikun e krijimit të situatave kaotike në vend, që natyrisht, siç ka ndodhur edhe në të kaluarën, mund të kapitalizohen nga armiqtë e interesave shqiptare në Ballkan.
lirim@koha.com.mk
Lirim DULLOVI
Duhet të jesh i marrë për të mos kuptuar prapavijën e politikës që udhëhiqet nga kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski. Pikërisht të tillë janë shumica e politikanëve shqiptarë në Maqedoni. Jorastësisht u hartua edhe enciklopedia e famshme maqedonase, prej të cilës politikanët tanë kërkojnë të distancohet kryeministri, njeriu i cili financoi këtë projekt dhe i cili bëri promovimin e tij. Ai më 16 shtator mes tjerash kishte thënë se "ky projekt ndoshta nuk është tregues i plotë për jetën dhe zhvillimin e Maqedonisë, mirëpo kjo vepër, në mënyrë autentike skenon pikëpamjet maqedonase për të kaluarën dhe të tashmen kulturore dhe politike kombëtare dhe pretendon të jetë informatë objektive dhe integrale për ne dhe vendin tonë". Pavarësisht kësaj deklarate, ku ai në mënyrë të hapur pozicionohet në mbrojtje të kësaj vepre, që sipas tij paraqet "pikëpamjen maqedonase", drejtuesit e politikës shqiptare në Maqedoni, koncentrohen me përgjegjësinë e vetëm akademikëve shqiptarë, të Bllazhe Ristevskit, të ASHAM dhe paralajmërojnë padi ndaj autorëve si dhe kërkojnë korrigjime të "gabimeve" dhe distancim nga njeriu i cili në çdo aspekt ishte munduar që kjo vepër të dalë si e tillë dhe të nxisë pikërisht këtë reaksion të shqiptarëve në rajon.
Qeveri e Beogradit
Po të analizojmë politikën trevjeçare të Qeverisë Gruevski, do të konstatojmë se për dallim nga Ljubço Georgievski, i cili frymëzohej nga Sofja, kryeministri aktual Nikolla Gruevski është përcaktuar që Maqedoninë ta çojë në Serbi. Pas patriotit të madh maqedonas, në realitet fshihet një figurë e Beogradit, i cili ka për detyrë që të nxisë një konflikt të ri në Ballkan, ku do të përfshihej jo vetëm Maqedonia, por edhe Kosova, Shqipëria, Serbia dhe Bosnja. Qëllimi final i këtij operacioni do të duhej të ishte ridefinimi i kufijve të këtyre shteteve të Ballkanit, ku nuk do të kishte vend për Maqedoninë si shtet, por ajo do të mund të përfshihej në Serbi, si një pjesë autonome e saj.
Provokimet
Në këtë analizë do të mundohem që këtë konstatim ta argumentoj me disa fakte. Pavarësisht problemeve që ka me tre fqinjët: Serbinë, Bullgarinë dhe Greqinë, kryeministri Gruevski është koncentruar që me çdo kush të shkaktojë konflikt me shqiptarët, si në Maqedoni, ashtu edhe në Kosovë dhe Shqipëri, pavarësisht qëndrimit të tyre tolerant për shtetin e përbashkët, identitetin e maqedonasve, gjuhën e tyre si dhe kulturën dhe ndjenjat e bashkëkombasve të vet, me të cilët po tentojnë ta shpijnë këtë shtet në NATO dhe BE. Që të ndodhë kjo, nevojitet politikë që do të nxisë një rebelim të shqiptarëve ndaj shtetit. Deri tani ky rebelim ka qenë i pamundur, për shkak se si askush më parë, Gruevski kishte vënë nën kontroll të plotë partitë e shqiptarëve në Maqedoni dhe duke shfrytëzuar paaftësinë për të vërejtur qëllimet e politikës së tij, ata kanë bashkëpunuar me te deri sot, duke i krijuar kryeministrit pozicione superiore para rivalëve tjerë politik maqedonas, por edhe duke i dobësuar pozicione shqiptare në këtë shtet, që disa herë iu afruan edhe luftës vëllavrasëse.
Disa nga 100 hapat e Gruevskit
Opinionit të gjerë shqiptarë i duhej shumë kohë të kuptojë jorastësinë e shumë vendimeve antishqiptare të kryeministrit që u kurorëzuan tani me enciklopedinë maqedonase. Duke filluar me ndalimin e përdorimit të flamurit shqiptar, Ligjin për stimulimin e natalitetit vetëm të maqedonasit, Ligjin për "ndalimin" e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe, vendimi i për ndërtimin e një kishe në shesh të qytetit si dhe mohimi i të drejtës për ndërtimin e xhamisë në kryeqytet, mohimi i të drejtës kushtetuese për mësim në gjuhën shqipe në Idrizovë të Shkupit, detyrimi i fëmijëve shqiptarë të mësojnë në tre ndërrime dhe në klasa me mbi 40 nxënës, detyrimi i nxënësve shqiptarë të mësojnë në gjuhën maqedonase, si pasojë e mungesës së paraleleve të mjaftueshme në gjuhën shqipe (tani për herë të parë edhe në Tetovë), diskriminimi i shqiptarëve në sferën e kulturës nëpërmjet ndarjes simbolike të mjeteve buxhetore, diskriminimi që u bëhet mediave shqiptare në ndarjen e mjeteve buxhetore për reklamimin e shpalljeve qeveritare në raport 98 për qind me 2 për qind në favor të mediave maqedonase, vendimi me të cilin fëmijët shqiptarë do të mësojnë në gjuhën maqedonase që nga klasa e parë, përdhosja e shqipes në librat shkollorë të përgatitur nga autorë maqedonas ku shprehjet, toponimet dhe ilustrimet e teksteve janë bërë në gjuhën maqedonase, shkatërrimi i arsimit shqip që nga Struga e deri në Kumanovë, lejimi dhe stimulimi i shkatërrimit të UT-së nga vetë shqiptarët, racizmi ndaj shqiptarëve në pishinën e Shkupit, objekt ky që në pronë të Qeverisë, rrahja në Nerez e grave dhe fëmijëve shqiptarë dhe "dënimi" me liri i aktorëve të këtij akti qyqar që zhvillohej para syve të policisë…
Dobësimi i votës shqiptare
Meqenëse këto akte politikanëve tanë ju dukeshin se janë në përputhje me Marrëveshjen e Ohrit, Gruevski shkoi edhe më tutje dhe mori miratimin e partive shqiptare edhe për shumë vendime tjera që dobësonin pozitën e shqiptarëve në këtë shtet. Ata e përkrahën kryeministrin kur këtij i duhej të dobësonte rolin e votës shqiptare dhe në vend të censusit prej 50, i dhanë atij të drejtë ta reduktojë atë në 40 për qind. Nëse më parë numri i votuesve në një zonë elektorale mund të dallohej nga zona tjetër me + - 3 për qind, që dmth 6 për qind, liderët tanë i thanë OK kërkesës së Gruevskit që dallimi mund të shkojë deri në +-5 për qind, që dmth në 10 për qind. Me këtë automatikisht ata pranuan që shqiptarët në Parlament të kenë prej 2 - 4 deputetë më pak se numri real që do të duhej të kishin nga numri i votave. Ata i dhanë Gruevskit edhe tre mandate deputetësh që të mund t'i zgjedhë me votat e diasporës së shpërndarë maqedonase.
Për të gjitha këto vendime politike të theksuara më lartë, gazetarët tanë me kohë kishin informuar opinionin, por ka munguar reagimi i shoqërisë shqiptare. Në vend të tyre, me shkrimet e gazetës KOHA janë marrë më shumë diplomatët dhe misionet e tjera ndërkombëtare në vend. Shembull për këtë është numri prej 200 mijë votave fiktive, me të cilat zakonisht manipulojnë partitë maqedonase, për të cilën heshtin partitë shqiptare. Pas argumentimit të pohimeve tona, kjo u mor në konsideratë nga Misioni vëzhgues i OSBE-së, i cili i dha për obligim kësaj qeverie që ta pastrojë listën e votuesve deri në zgjedhjet e ardhshme.
Armatosja për paqe
Paralelisht me këtë shkatërrim të shqiptarëve në Maqedoni, Gruevski bleu tre helikopterë për nevojat e forcave policore, duke i pajisur ato me armatim super modern. Përveç shqetësimit të gazetës KOHA dhe diplomatëve të huaj në vend, për këtë dukuri nuk u mërzitën aspak politikanët tanë shqiptarë, të cilët heshtën edhe blerjen e 200 transportuesve luftarak po nga kjo qeveri. Askush prej tyre një herë nuk e shtroi pyetjen, për çka do t'i përdorë kryeministri Gruevski këto armë.
Enciklopedia 3 vjeçare
Kjo është vetëm një pjesë e enciklopedisë 3 vjeçare e politikës antishqiptare të kryeministrit Gruevski, i cili çuditërisht vazhdon të ketë përkrahje, herë nga njëra, e herë nga partia tjetër shqiptare. Më pastaj liderët shqiptarë të Maqedonisë, si në Prishtinë ashtu edhe në Tiranë priten njëri pas tjetrit me nderimet më të larta nga politikanët dhe autoritetet shtetërore të këtyre dy vendeve, duke legjitimuar kështu në mënyrë indirekte edhe politikën antishqiptare që udhëhiqet nga Shkupi dhe që kamuflohet nga pushtetarët tanë. Jorastësisht mungon edhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Kosovën, ndaj për këtë shkak Maqedonia përbuzë presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu, dhe në fund e gjithë kjo kurorëzohet me një enciklopedi maqedonase, ku sipas Gruevskit, shprehen pikëpamjet e maqedonasve ndaj gjithë të tjerëve, në këtë rast ndaj shqiptarëve në Ballkan, si dhe amerikanëve dhe britanikëve, gjegjësisht NATO-s.
Lidhjet serbe
Prej ardhjes së Gruevskit në krye të Qeverisë, afër tij është instaluar krejt rryma proserbe që ekziston në këtë shtet. Afër tij është Llatasi, i cili dikur përkrahte djegien e Ambasadës amerikane në Shkup, pranë tij janë profesorët Shkariq, Bllazhe Ristovski dhe bija e tij, deputetja Liljana Popovska, afër tij janë antishqiptarët Vanço Shehtanski, Todor Petrov, Partia Radikale Serbe, këtu janë lidhjet e ripërtërira me Shërbimet Sekrete Serbe, këtu janë takimet e shumta të fshehta të qeveritarëve në Beograd. Me një fjalë, afër tij janë gjithë armiqtë e shqiptarëve, NATO-s dhe BE-së. Por, aty është edhe vetë Gruevski, i cili dikur ishte këshilltar në Qeverinë e Beogradit.
Për këtë shkak, nëse duan të mbijetojnë, shqiptarët në Maqedoni duhet të ndihmohen nga Prishtina dhe Tirana. Gruevski ka forcuar policinë, ka forcuar armatën, por edhe ka dobësuar si asnjëherë më parë shqiptarët në këtë shtet. Të shpresojmë se lufta të cilën po kërkon ta fillojë, do të fitojë përgjigjen e duhur si nga shqiptarët në rajon, ashtu edhe nga bashkësia ndërkombëtare, ku disa prej ambasadorëve, me inferioritetin e treguar ndaj këtyre problemeve, bashkë me partitë shqiptare, ndihmuan në krijimin e një "monstrumi" i cili do t'i vejë zjarrin Ballkanit.
| 1. | |||||||
|
|||||||
| 2. | |||||||
|
|||||||
Lirim Dullovi
Sulmi i ekstremistëve maqedonas ndaj shqiptarëve të lagjes Nerez të Shkupit dhe rrahja brutale e grave dhe fëmijëve shqiptarë, edhe atë në shtëpitë e tyre, është shembulli më tipik për demokracinë në këtë shtet. Të trimëruar dhe të mbrojtur nga shteti, komitat-kopila të veshur me fanellat e rrugaçëve të komitëve, erdhën në numër prej 200 personave dhe ia mësynë shqiptarëve të Nerezit, duke ushtruar terror të paparë. Gjithë ky vandalizëm ndodhi në mesditë në qendër të Shkupit, edhe atë në praninë e forcave të policisë, të cilët në atë momente po bënin spektatorin. Nga 200 cuba që sulmuan shqiptarët e pambrojtur, ministresha Jankullovska pohoi se policia e saj me mision vëzhgues në këtë rast, ka dyshuar vetëm 8 prej tyre, të cilët do të fitojnë nga një padi xigluese, shkaktim të dhunës. Dhe natyrisht, këtë sulm qyqar të qyqeve që votojnë VMRO-në të veshur me petkun sportive, nuk e dënuan asnjë nga partnerët e Ahmetit në koalicion qeveritar. Kryeministri Gruevski, i cili në vend të viktimave të Nerezit, nga frika për rejtingun e tij në bastionin e VMRO-së në Lisiçe, nga edhe erdhën në Nerez 200 cubat e komitëve, zgjodhi të vizitojë Strugën. Ai ende ka dilema se kush i pari ia nisi kësaj pune të pistë.
Ai si duket i ka besuar ekspoziturës së tij në krye të KF.Vardar, Vçno Shehtanski, i cili u tha mediave se komitët paskan qenë të provokuar, dhe sipas kësaj logjike, ata nga lagjja Lisiçe, (çerdhe kjo e VMRO-së) që gjendet në anën tjetër të Shkupit, paskan parakaluar në Nerez dhe qenkan ngacmuar nga nënat shqiptare dhe fëmijët e tyre, të cilët nuk i paskan pritur me lule në rrugë. Për këtë shkak, sipas tij, edhe dajaku paska qenë i merituar. Do të pajtoheshim me këtë konstatim, sikur i njëjti të ndodhte në civilizmet barbare, të cilat Evropa e bashkuar i ka braktisur me shekuj. Dhe pikërisht këtu qëndron edhe absurdi. Ky mentalitet i Shehtanskit të cilin e ndanë edhe kryeministri Gruevski që drejton këtë shtet, në formën më të egër ka institucionalizuar intolerancën ndëretnike dhe ndërfetare në këtë shtet multietnik. Nëse për Marrëveshjen e Ohrit thoshim se i dha fund konfliktit të vitit 2001, sot lirisht mund të themi se ajo po shndërrohet në Marrëveshje për armëpushim. Kjo politikë e cila mbijeton falë flijimit të idesë së shqiptarëve për shtetin e tyre etnik, tani për kurban po kërkon edhe flijimin e Marrëveshjes së Ohrit. Dhe gjithë kjo ndodhë para syve të përfaqësuesve shqiptarë në Qeveri dhe diplomatëve ndërkombëtarë, që edhe pas 8 viteve kanë mirëkuptim për politikat që nga buxheti i përbashkët mjetet u takojnë vetëm maqedonasve. Qoftë në arsim, në kulturë, në ekonomi, në infrastrukturë, në informim, në sport, diskriminimi ndaj shqiptarëve vazhdon me të njëjtin intensitet. Nuk kanë të ndalur edhe të burgosurit politik shqiptarë. Edhe në këtë mandat, si dhe në mandatet tjera qeveritare, burgjet po mbushen me shqiptarë terroristë, që siç thoshte një kolegë- gazetar, ky mentalitet i institucionalizuar maqedonas i konsideron gjithë shqiptarët si diell-zaptues, lumenj-shterrës, si shkëmbinj-shkulës e çka jo tjetër. Dhe populli hyjnor maqedonas, i prirë nga i dërguari i Krishtit, Nikolla Gruevski, për këtë politikë që po afron Maqedoninë drejt trazirave dhe zhbërjen përfundimtare të Marrëveshjes së Ohrit, me këtë edhe të Maqedonisë, po shpërblehet me liberalizim të vizave, me mundësi për hapjen e negociatave për anëtarësim me BE-në si dhe me mundësinë e anëtarësimit në NATO. Çmimin për këto aspirata të Maqedonisë së Gruevskit po e paguajnë shqiptarët, të cilët duhet të heshtin edhe kur u ndalohet të freskohen në pishinat e ndërtuara nga mjetet e buxhetit. Ata s'duhet të bëjnë zë edhe kur fëmijëve të tyre u mohohet e drejta për shkollim të garantuar ligjor në gjuhën amtare (Idrizova dhe Mjekësia në Shkup). Ata duhet të durojnë që nga 92 shkolla, vetëm dy të mbajnë emrat e figurave shqiptare. Sipas këtij mentaliteti, një vit është pak për fillimin e zbatimit të atij far ligji të kontrabanduar për gjuhën shqipe. Edhe në njësitë speciale policore e ushtarake, shqiptarët edhe më tej duhet të jenë të kënaqur që po marrin pjesë, së paku si klientë.
Për Gruevskin dhe të tjerët si ai, vlen parimi "Ne shtet tjetër nuk kemi, Maqedonia është shteti i vetëm i yni". Me këtë formulim ata ua bëjnë me dije shqiptarëve që të ndihen si mysafir, që shtëpinë e kanë diku tjetër- se kanë edhe ndonjë shtet tjetër, si Shqipëria, Kosova etj. Dhe, këtë shqiptarët, nëpërmjet përfaqësuesve të tyre që dinë ta mbajnë fjalën si burrat ndaj cubave të VMRO-së, por jo edhe ndaj atyre që i sollën në ato pozita, po durojnë për qëllime të ulëta dhe personale shkeljen e të drejtave elmentare të popullit të tyre. E dëshmuan edhe dje me qëndrimin rreth ligjit për parlamentin, ku në vend që ta avancojnë gjuhën shqipe, ata zgjodhën të jenë shërbëtorë të Gruevskit, të cilin po e përjetojnë si Firreri i tyre. Frikacakë dhe injorantë që kanë harruar kush janë, çka janë dhe pse frymojnë. Megjithatë të mençur për vetveten dhe karrierat e tyre afatshkurte politike. Tajmingun i zgjedhur për t'ia bërë hyzmetin e radhës Gruevskit ishte më se i qëlluar. Në vend të shqipes, qytetarët shqiptarët po shërojnë plagët e terrorit në Nerez dhe po mundohen ta mbajnë nën kontroll revoltën e shkaktuar nga kjo politikë e cila po shpërblehet në vazhdimësi me aleatë shqiptarë në Qeveri dhe me karrota të njëpasnjëshme nga bashkësia ndërkombëtare.
komentet e lexuesve
| 1. | |||||||
|
|||||||
| 2. | |||||||
|
|||||||
| 3. | |
| 4. | |
| 5. | |
| 6. | |
| 7. | |
| 8. | |
| 9. | |
| 10. | |