Zekerija Ibrahimi
Derisa po i dëgjoj argumentet PËR e KUNDËR projektit "Shkupi 2014", pastaj reagimet e kundërshtarëve të këtij projekti, e sidomos disa debate të fundit për këtë projekt dhe veçmas për xhaminë Burmali, që ka qenë jo moti në sheshin e kryeqytetit tonë, nuk mundem që në cilësi të qytetarit, pa i mbajtur ison askujt, të mos i shpreh disa bindje ta mia që kujtoj se mund të shërbejnë si argumente të mira për të gjithë ata që i dalin në mbrojtje kësaj xhamie ose që e kundërshtojnë këtë xhami dhe herë-herë shpikin argumente të paqëndrueshme.
Pse kërkohet xhamia Burmali?
Derisa shtetit përgjatë gjithë viteve të '90-ta e fillimit të 2000-tave vendoste kryqe vend e pavend mbi secilën kodër e kodrinë, si mbi sahat kullat e Prilepit e Manastirit, duke i vënë kapak me atë kryqin inkuizitor të Vodnos në vitin 2000, prishte xhami si ajo e Imaretit në Ohër dhe mbi të ndërtonte kishë, digjte xhaminë e Prilepit dhe sot nuk e lejon ndërtimin e saj, shqiptarët, po edhe të gjithë myslimanët e tjerë, ndonëse kundërshtonin, megjithatë nuk turbullonin shumë ujë. Ndonjë deklaratë, reagim dhe aq! A ishte kjo nga frika apo nga hesape të tjera, këtë do ta marrin vesh gjeneratat që do të vijnë pas nesh. Pastaj vijon ndërtimi i Kishës së Shën Mërisë përballë Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, ndërsa po aty pranë nuk u lejua të ndërtohet xhamia e Jelen Kapanit që ishte rrënuar në vitin 1965. Pastaj vjen vendosja e gurthemelit të Filarmonisë mbi themelet e xhamisë Ibni Pajko, bile me shenjtërim me ujë të bekuar të z.z. Stefanit e do "stefanëve" tanë, por edhe kjo, me pak reagime, kaloi. Megjithatë kur shteti vendosi që në sheshin e qytetit, i cili u përket të gjithë qytetarëve të Maqedonisë, pra jo vetëm atyre që jetojnë në nënkomunën e Shkupit - Qendër, kjo më e derdhi kupën. Shteti vendosi që me para të qytetarëve taksapagues të vendit (ku as gjysma nuk janë ortodoksë) në sheshin e qytetit të ndërtojë një kishë që dikur paska qenë aty pranë, që tash i bie të jetë nën Qendrën Tregtare të Qytetit. Ky ishte shkaku i fundit që myslimanët e këtij vendi përfundimisht ta marrin seriozisht këtë punë dhe t'i thonë shtetit se: "Nëse ti do ta kthesh imazhin e dikurshëm të vendit", siç dëshmoi edhe me teatrin serb, po edhe me dëshirën për ngritjen e Pallatit të Oficerëve, e sidomos me portat triumfale, statujat antike, kristiane e tjera, "atëherë këtë punë do ta bëjmë si duhet".
"Meqë, pra, bëjmë fjalë për imazh, për identitet kulturor të kryeqytetit, atëherë të mos e diskriminojmë askënd. Se, para se të ketë qenë aty teatri, pallatet e ndërtesat e tjera, aty ka qenë për 400 e kusur vjet, nga shek. XV deri më 1925, xhamia Burmali. Kështu, ndonëse ne myslimanët të prirë nga dëshira që të mos bëjmë telashe, deri sot s'e kemi kërkuar këtë xhami, se bëhej fjalë për sheshin e kryeqytetit (ndërsa ne kemi menduar se shteti dëshiron të jetë shekullar), por meqë ju dëshironi që këtij shehri t'i krijoni identitet kristian, atëherë edhe ne si qytetarë të këtij vendi, si taksapagues, por edhe si myslimanë të këtij vendi, kërkojmë që në shesh të kthehet edhe xhamia Burmali. As më shumë as më pak. As për inat, as për lezet."
I zënë ngushtë pas kësaj kërkese, shteti luajti lojë: të gjitha kompetencat (bashkë me buxhetin) për sheshin e kryeqytetit ia kaloi Komunës Qendër, që për hir të së vërtetës duhet të themi se Qendra nuk është as komunë në kuptimin e mirëfilltë të fjalës - ajo është pjesë e Qytetit të Shkupit. Aq më tepër kur bëhet fjalë për sheshin e kryeqytetit, që duhet të paraqesë interes nacional të të gjithë qytetarëve të vendit (që mund të jenë të feve të ndryshme, por edhe ateistë), është paradoks i llojit më unik në botë të lejohet që një nënkomunë të merret me çështje kaq të rëndësishme për të gjithë qytetarët e këtij shteti. Natyrisht sherri nga Gruevski and company ishte se Këshilli i Qendrës ishte "i pastër nga të tjerët" dhe se aty kalonte çdo gjë e tij. Dhe, tani sa herë që ka nevojë, Gruevski arsyetohet me vendimet e këtij këshilli.
Në fakt ky ishte një karrem që e hëngrën edhe kërkuesit e Burmalisë: filluan t'i drejtohen Këshillit të Komunës Qendër, t'i shkruajnë letra kryetarit të Qendrës, të bëhen takime me të dhe të kërkohet prej tij. Në vend që ta thyejnë këtë çelës, të mos e pranojnë këtë lojë, ta bojkotojnë krejt dhe ta delegjitimojnë këtë këshill dhe të kërkojnë që me këso çështje kaq të rëndësishme të mos lejohet të merret një nënkomunë e Qytetit.
Pesë shartet/shtyllat argumentuese PËR Burmalinë
1. Xhamia Burmali nuk është imponim shtetëror si Kisha e Mbretit Konstatin dhe Shën Helena. Ajo është kërkesë e qytetarëve: mbi 95 % e myslimanëve të Maqedonisë e dëshirojnë atë;
2. Xhamia Burmali nuk ndërtohet mbi themele të diskutueshme, si Kisha që vendoset mbi themelet e shtëpisë së nobelistes shqiptare, Nëna Terezë;
3. Xhamia Burmali nuk ndërtohet pse nuk kanë ku të falen myslimanët që jetojnë e veprojnë në anën tjetër të Vardarit, por ajo ndërtohet atje për ta ruajtur identitetin kulturor të Shkupit;
4. Xhamia Burmali nuk kërkohet për inat të Kishës (dhe ne nuk guxojmë të heqim dorë edhe nëse shteti heq dorë nga Kisha), por ajo ndërtohet si baraspeshë e identitetit të ri të Kryeqytetit dhe të gjithë shtetit: nëse shteti ka vendosur ta kristianizojë, antikizojë e bizantinizojë Maqedoninë, atëherë të vijë në konsideratë edhe prania osmane e islame këtu;
5. Xhamia Burmali nuk bëhet që aty të vijnë të falen zyrtarë myslimanë të huaj që do të vijnë në Maqedoni, madje nuk është fare e rëndësishme a do të falen aty të gjitha vaktet, a do të falet xhumaja e a do të këndohet ezani. E rëndësishme është që ajo të jetë simbol i pranisë myslimane të këtij vendi dhe dëshmi se Maqedonia është vend multikulturor dhe multireligjioz.
Dhe, para se të përfundoj, të them edhe diçka: sado që dikush mundohet t'ia mohojë vlerën Këshillit Koordinues për Ndërtimin e Xhamisë Burmali, e vërteta është se ky trup e aktualizoi dhe, bile, e ndërkombëtarizoi problemin e identitetit kulturor të Shkupit, duke e kërkuar xhaminë Burmali. Pastaj, sado që BDI-ja është e ngathtë në zgjidhjen e këtij problemi dhe e hëngër karremin se "për sheshin e Kryeqytetit është përgjegjës Komuna Qendër", ndërsa PDSH-së s'i kërcet se çka vihet në Shkup, megjithatë BFI-ja nuk guxon të shpallë luftë me ta - siç kemi qenë dëshmitarë kohëve të fundit. Keq apo mirë, ata të politikës kanë pak më shumë fuqi se të gjithë ne që duam ta ndihmojmë Burmalinë.
Se pastaj vjen pyetja a janë për xhaminë apo duan të luftojnë PDSH-në e BDI-në?! Po ashtu as Këshilli Koordinues për Burmalinë nuk duhet të sulmohet nga BFI-ja, se në gjithë botën e qytetëruar asociacionet joqeveritare janë një segment shumë i rëndësishëm që vetëm i ndihmojnë proceset. Sa për kujtim, në këtë trup marrin pjesë organizata që i kanë marrëdhëniet shumë të mira me BFI-në. Dhe, në fund, as Gruevski e Todoroviqi nuk bën të shahen e quhen me emra më të ndryshëm, se nuk është qëllimi të luftohet Gruevski e Todoroviqi, por të ndërtohet xhamia.
Dhe, ndonëse personalisht për shumë arsye nuk dëshiroj të kem ndonjë punë me ata BFI-së, megjithatë nëse ata lëshojnë kushtrimin për faljen e xhumasë në një ditë pranvere aty te vendi i Burmalisë, unë do të jem i pari që me sixhade në dorë do të rreshtohem aty.
"Burmalia do të bëhet!" Kjo duhet të jetë kryefjala jonë sot.
Zekerija Ibrahimi
Më 12 mars 2010 të gjitha mediat shqipe, po edhe ato serbe e të tjera njoftuan gjerë e gjatë se ministri i Jashtëm shqiptar, Ilir Meta, me ftesë të homologut të tij serb, Vuk Jeremiq, qëndroi në vizitë në Beograd. Pastaj i pamë sesi u përshëndetën duke buzëqeshur vesh më vesh e sesi serbët edhe një herë deklaruan se sa të mirë janë shqiptarët e Shqipërisë dhe, që "t'i dijë Meta punt' e veta", edhe një herë na treguan se ata kanë problem vetëm me shqiptarët "e Kosmetit", po edhe të gjithë ish-Jugosllavisë.
Nëse faqja e zezë e kësaj kohe merret publikimi i fjalimit fashizoid të atij priftit shqiptar katolik nga Amerika, atij mund t'ia shkojë vetëm Ilir Meta me vizitën e tij në Beograd. Derisa nënat shqiptare akoma i mbajnë në dorë fotografitë e familjarëve të tyre që ende nuk dihet se në cilin varr masiv janë varrosur, derisa për ditë në Kosovë zbulohen krime të reja serbe, dhunime grash, masakra që s'i ka parë bota që nga Lufta e Dytë e këndej, është faqe e zezë që t'i shtrëngohet dora një ministri, presidenti (a kopili të Millosheviqit) të një vendi që le që nuk është gjykuar ende për gjenocid ndaj boshnjakëve e shqiptarëve, por që bile as falje s'ka kërkuar kurrë për ato krime.
Vërtet është për t'u pyetur se cila shkollë diplomacie e lejon këtë. Tashmë edhe njeriu më i thjeshtë e ka mësuar se si bëhet diplomacia serioze, se përditë në TV e internet shfaqen lojëra të këtilla. Turqia e tërheq ambasadorin e saj nga SHBA-ja pse ata miratojnë rezolutë për gjoja gjenocidin turk mbi armenët para rrafsh një shekulli. Kina ende mban marrëdhënie të ftohta me Perëndimin dhe SHBA-të për shkak të Tajvanit, Kroacia e Sllovenia desh u përplasën për shkak të një cope toke a uji në kufi. Ndërkaq Ilir Meta shkel mbi krejt kufomat shqiptare të Kosovës, mbi gjakun e fëmijëve të vrarë, mbi dhunimet, zhdukjet e masakrat dhe si "burrë" shkon në Beograd, pa thënë madje as një fjalë se Beogradi u ka borxh shqiptarëve për atë që e ka bërë para jo më pak se dhjetë viteve. Nëse kësaj i thonë diplomaci, atëherë Ilir Meta as D-në nuk po e ditka prej diplomacisë. Madje, edhe shefi i tij, Sali Berisha, që shtiret si engjëll mulliri, duhet ta dijë se ky gjynah politik bie edhe mbi të. Dhe, se nuk do të mundet as ai të fshihet pas "patriotizmit" për dashurinë e madhe që e ka ai për Kosovën. Ec mos mendo tash se autostrada e re Durrës-Kukës-Prishtinë nuk është plan që e nxjerrë Serbinë në det, sepse si po del puna, ajo autostradë do të vazhdojë deri në Nish. Prandaj pallavrat për bashkimin kombëtar me këtë autostradë në fakt janë realitete që Serbinë e bashkojnë me Adriatikun. Kështu atë që nuk arriti ta bënte Serbia kur vriste shqiptarë, kur përzinte e ushtronte gjenocid mbi shqiptarët e Kosovës, madje edhe kur hynte si ia donte qejfi në territorin shqiptar të Shqipërisë, sot po e realizon me ndihmën e qeverisë shqiptare, të Saliut dhe të Metës.
Kështu me një të rënë vizë u harruan gjithë ato që kanë kaluar. U harrua madje edhe fakti se Shqipëria është vend anëtar i NATO-s, ndërsa Serbisë ia heqin vizat dhe askush nuk pyeti pse?!
Para nja dy javësh një ish-polic serb në Kosovë (që mbase atje nuk kthehet nga terrori që e ka bërë), tash i angazhuar me detyrë në policinë e Serbisë në Luginën e Preshevës, vrau pa pikë faji, pos asaj që ishte shqiptar, një shqiptar të Maqedonisë, ndërsa askush nga Serbia nuk doli të kërkojë falje nga familja e viktimës, e le më prej kombit shqiptar. Sepse ai u vra vetëm pse ishte shqiptar.
Apo, si na quajnë shqiptarët e Shqipërisë, "maqedonc". Kjo do të thotë se Serbia po vazhdon në mënyrë institucionale me avazin e vjetër, e padit Kosovën për pavarësi jolegjitime (paramendoni çfarë paradoksi: agresori e padit viktimën), vret shqiptarë si t'ia dojë qejfi, ende i ndan shqiptarët në "dobrih allbanci" si Ilir Meta dhe "lloshi shiptari" si Hashim Thaçi, ndërsa Evropa e mbështet - ia heq vizat dhe e fton në BE, ndërsa shteti jonë amë (ashtu si e quajmë ne Shqipërinë londineze) vazhdon të kultivojë marrëdhënie të mira me Serbinë. Thuajse viktima, të masakruarit, të humburit, të djegurit, të dhunuarit, të zhdukurit, janë banorë të Xhibutit a të Çadit, e jo bashkëkombësit shqiptarë që e flasin gjuhën e njëjtë, që besojnë në vlerat e njëjta dhe të cilët gjithmonë kanë dhënë shpirt me sy matanë, kah "nana Shqypni".
Kur krejt kjo që e themi më sipër të shihet në mozaikun se kjo qeveri shqiptare po ashtu sillet edhe me Greqinë, që njësoj ka ushtruar dhe vazhdon të ushtrojë terror të vazhdueshëm mbi çamët dhe Çamërinë, bile kohëve të fundit edhe duke i "rirregulluar" vijat kufitare në favor të Greqisë, nuk ke si mos konstatosh se kjo është vërtet faqe e zezë.
Edi Rama ia jep çelësin e Tiranës Goran Bregoviqit në dalldinë e tiranasve me atë serb që dikur e motivonte vrasjen e shqiptarëve, Sala lidh miqësi me grekun e serbin, ndërsa ne shqiptarët këndej si romantikë të përjetshëm që jemi, vazhdojmë të besojmë se e kemi "nanën Shqypni".
Aman! Nuk na duhet një Shqipëri e tillë! Kur "nuk i di Meta punt' e veta".
Zekerija IBRAHIMI
Raporti pozitiv i BE-së dhe djegia, fikja dhe rindërtimi i manastirit të Shën Bigorskit, ishin disa elemente për të më nxitur të shpreh edhe një indinjatë dhe keqardhje për gjendjen tonë të mjerueshme, si dhe për të vënë re se ku gjendet Maqedonia në respektimin e të drejtave religjioze të qytetarëve të saj.
Djegia e kishës së Leshkë dhe xhamisë në Prilep
Në vitin 2001, gjatë konfliktit të armatosur, mes shumë xhamive të djegura në rajonin e Tetovës e të Kumanovës, madje edhe shumë të tjerave të dëmtuara, ajo që i dha vulë kësaj katandie e piromanie ishte djegia e kishës së Leshkës në Tetovë dhe djegia e xhamisë së Prilepit. Ndonëse kisha u dogj në zonë luftarake dhe akoma nuk dihet si e kush e dogji, xhamia dihet botërisht (ka edhe pamje filmike nga ajo djegie) se u dogj nga qytetarë sllavortodoksë të Prilepit si hakmarrje ndaj asaj që ndodhi në Karpallëk (edhe pse më shumë se gjysma e atyre që u vranë atje kishin qenë myslimanë të nacionalitetit romë). Pastaj ndërkombëtarët në shenjë të vullnetit të mirë për hir të rrethanave të reja që po krijoheshin në Maqedoni e nxitën dhe e ndihmuan financiarisht ndërtimin kishës së Leshkës dhe të xhamisë së Prilepit. Kështu, kisha u ndërtua dhe tashmë është harruar se kur është përuruar, ndërsa xhamia le që nuk u rindërtua, por ajo ka shkuar gjithnjë e më shumë duke u rrënuar, ndërsa së fundi ai flokëgjati Pasko dëshiron t'ia lëkundë edhe themelet për të zbuluar ndonjë kishë nën këtë xhami të vetme të Prilepit. Madje, meqë aty kanë filluar të pshurret kush si mundet, ndërsa qentë, po bile edhe njerëzit, e kanë bërë lëmë të plehut të tyre, pushtetarët e Prilepit si "mbrojtës" të monumenteve kulturore historike dhe mëshirues "të mirë" që janë, ua tërheqin vërejtjen këtyre qenefxhinjve se "Aty ndalohet të bëhet nevoja". Sa të mëshirshëm që janë! E në anën tjetër qëndron heshtazi sahat kulla me mbishkrim osman në derë e me kryq mbi kokë. Kështu Maqedonia synon t'i përmbushë kriteret për fillimin e bisedimeve me BE-në, duke i shkelur e nëpërkëmbur edhe të drejtat më elementare religjioze. Megjithatë kjo nuk është habia ime më e madhe. Unë aq më shumë habitem që Evropa rri e vështron dhe i jep komplimente Maqedonisë, që ma kujton atë Evropën mesjetare të inkuizicionit spanjoll. S'ka si interpretohet ndryshe kjo.
Djegia e Shën Bigorskit
Në anën tjetër të Maqedonisë para do ditëve në anën e Rekës së Epërme u dogj kompleksi i manastirit të Shën Bigorskit (ose si e quajtën shqiptarët: Shën Bigurit). Ndonëse për këtë djegie u tha se ka shumë gjasa të jetë e nxitur nga dora e njeriut se aty mund të ketë pasur mjaft elemente të kulturës ortodokse shqiptare në Maqedoni (për çka vetëm mund të supozojmë), ajo që ishte interesant është sesi vrapuan myfti e kadi, i madh e i vogël, mysliman e ateist që ta shuajnë këtë manastir. Madje ai myftiu i Dibrës krenohej se ka marrë pjesë në fikjen e zjarrit. Aferim myfti efendi! Njëjtë krekosej dhe kërkonte ndihmë për rindërtim edhe kryetari i Dibrës.
Që të mos keqkuptohemi, mua si një besimtar i Zotit, gjithsesi që më vjen keq për çdo djegie, e sidomos për një objekt ku njerëzit i luten Zotit, por ajo që në këtë rast më habit është se pse këta myftinjtë dhe këta pushtetarët e tjerë nuk reagojnë njësoj që ta shpëtojnë edhe xhaminë e Prilepit. Unë ende s'e kam dëgjuar asnjë fjalë ta ketë thënë për xhaminë e Prilepit as myftiu zjarrfikës i Dibrës, as kryetari kaq humanitar e argëtues i Komunës së Dibrës. Ndërsa i pashë si turreshin të garojnë se kush ndihmoi më shumë në shpëtimin e manastirit të djegur.
Djegia e shpresës
Në gjithë këtë diskriminim që u bëhet pjesëtarëve të religjionit pakicë (kështu konsiderohet te ne 40%-shi mysliman) në këtë vend unë më së paku dua t'i fajësoj slavomaqedonasit. Sepse ata të kompleksuar me problemet themelore të identitetit të tyre sillen si të përçartë dhe nuk dinë se ku prekin dhe çka dëmtojnë. Dhe, njerëzve të tillë u falet, apo?... Por, ajo që më shumti dhemb në gjithë këtë situatë është se çfarë bëjnë "tanët"... Ata e vrasin shpresën.
Politikanët shqiptarë thonë se ata nuk merret me çështje religjioze, se ky është shtet laik (edhe pse në këtë vend orë e çast ngrihen kryqe mbi kodra dhe kisha në sheshe të qytetit), ndërsa kur shkojnë të kërkojnë vota në katunde si hoxhallarë të mirë kallëzojnë derse e mesele myslimane. E kur pastaj të vijnë në pushtet "nuk merret me çështje religjioze".
Ndërsa pjesa e dytë e kësaj tragjedie janë hoxhallarët dhe BFI-ja me kreun e saj. Ata dinë shumë mirë të merren me shitjen e vizave të haxhillëkut (thënë me fjalor ekonomik: me biznesin e vizave), ata të BFI-së shumë mirë dinë të përzënë nga puna hoxhallarë që i bëjnë sexhde Zotit e jo Reisit, ata dinë shumë mirë të shpallin murtedë e myslimanë, të shpallin klane kriminelësh e pastaj të bashkëpunojnë me ato klane. Po, po, ata dinë shumë mirë të shuajnë zjarre në manastire, por nuk dinë të ndezin dashuri nëpër xhami; ata dinë të hedhin ujë në zjarrin e manastirit, por nuk e ndalojnë benzinën në xhamitë e tyre.
Prandaj si të dytët, ashtu edhe të parët, pra edhe hoxhallarët edhe politikanët, si duket e kanë harruar (ose kurrë s'e kanë mësuar) atë fjalën e urtë se "Vreshta s'bëhet me urata, por me shata e lopata (Xhamia s'bëhet me deklarata e komunikata, por me shata e lopata)".
komentet e lexuesve
| 1. | |
| 2. | |
| 3. | |
| 4. | |
| 5. | |
| 6. | |
| 7. | |
| 8. | |
| 9. | |
| 10. | |
Zekerija IBRAHIMI
Kur lexoj thuaja çdo ditë në gazetë sesi nëpër shkollat shqipe nxënësve u jepen libra me turrli-turrli tekstesh, diku të përkthyera, diku gjysmë të përkthyera, diku të harruara me fragmente maqedonase, diku me gjuhë gjysmë shqipe e me ideologji alla-bllazheristevski për historiografinë shqiptare, vrik më vijnë në mend vite 2000-2004 kur si redaktor në Shtëpinë Botuese "Logos-A" punonim natë e ditë - që të bëjmë libra shkollore shqip?. Dhe, pastaj më kujtohet sesi na fundosën shqiptarët. Pra, jo maqedonasit, por SHQIPTARËT!
Vendosëm ne atëbotë të bëjmë tekste shkollore shqip?. Morëm pjesë në konkurs, fituam shumë libra, festuam për këtë dhe iu përveshëm punës. Duke e ditur se libri shkollor shqip për shqiptarët e Maqedonisë ishte gati se punë e shenjtë, e para e punës vajtëm në Shqipëri dhe vumë kontakt me Shtëpinë Botuese të Librit Shkollor dhe u morëm vesh me ata që të gjithë librat që do t'i bënim ne gati, t'i dërgojmë atje për redaktim shkencor - për unifikimin e terminologjisë shkencore dhe për redaktim gjuhësor. Pastaj i gjetëm autorët shqiptarë të Maqedonisë - shumica arsimtarë e profesorë të shkollave tona, të cilët morën përsipër të bëjnë libra. Dhe, kështu - duke e kaluar një libër në disa duar profesionistësh, bëmë libra që asnjëherë më parë nuk kishin parë shqiptarët e Maqedonisë: autori shqiptar, redaktori shkencor shqiptar me shumë përvojë në tekstet shkollore, redaktori gjuhësor perfekt, redaktori artistik me punë të jashtëzakonshme, ndërsa librat shtypeshin në shtypshkronjat më prestigjioze të vendit dhe të huaja - duke prodhuar kështu libra që për herë të parë shfaqeshin në tregun e librit shkollor shqip, madje jo vetëm në Maqedoni. Natyrisht se kjo kushtonte shumë. Kushtonte më shtrenjtë se të përkthesh një libër nga maqedonishtja, se ashtu paguhej vetëm përkthyesi, libri jonë kushtonte më shtrenjtë, sepse për tekstet sllavoshqipe nuk paguhej redaktim shkencor-terminologjik, libri jonë kushtonte më shtrenjtë, se zakonisht, ashtu siç ndodhë edhe sot në tekstet sllavoshqipe, te ato nuk brengosej kush as për redaktimin gjuhësor. Prandaj tekstet sllavoshqipe ishin më lirë. Por, nuk ishte vetëm kjo: ministrat a zëvendësministrat shqiptarë të Arsimit, po edhe drejtorët a zëvendësdrejtorët shqiptarë të Byrosë për Zhvillimin e Arsimit, që si duket kishin leverdinë e tyre ose ndonjë interes tjetër nga botimet sllavoshqipe të teksteve shkollore, na bllokuan krejt. Librat tanë nuk merreshin (me pak përjashtime) nga drejtorët e shkollave dhe nga arsimtarët përkatës - ata me ngulm vazhdonin të merrnin tekste shkollore sllavoshqipe. Madje, kanë ndodhur edhe situata komike kur arsimtarët i merrnin librat tanë, e kur shkonte urdhri nga LART se duhej të merrej libri sllavoshqip, ata të shkretët të zënë ngushtë na i kthenin librat duke shpikur arsye tragjikomike. Kështu librat na mbetën në depo. U desh të presim disa vite që librat tanë të shiteshin, madje më shumë të faleshin për sevap, ndërsa ne për shkak të borxheve ndaj shtypshkronjave, autorëve e redaktorëve, disa herë u përballëm me kriza që desh na falimentuan. Madje edhe sot e kemi brengë të ndërgjegjes që nuk kemi arritur t'i shpërblejmë sipas meritës shumë njerëz që na kanë ndihmuar në krijimin e atyre teksteve. Prandaj, le të jetë ky artikull edhe një mirënjohje për të gjithë ata që e flijuan mundin e tyre për librin shkollor SHQIP.E kur ne (pjesërisht edhe Albassi) për arsye të këtilla u tërhoqëm nga botimi i librit shkollor - se ashtu na detyruan shqiptarët (ministrat a zëvendësministrat shqiptarë të Arsimit, drejtorët a zëvendësdrejtorët shqiptarë të Byrosë, drejtorët e arsimtarët e shkollave, po edhe prindërit që s'çanin kokë për librat e fëmijëve të tyre) dhe librin shqip përsëri mbeti ta botojë ashtu sllavoshqip vetëm shtëpia botuese që për vite me radhë na dhunonte me toponime sllave, sot përsëri gazetat na njoftojnë për përdhosjet e librit shqip në Maqedoni që i bën pikërisht kjo shtëpi botuese. Dhe, sa më vjen keq për nxënësin shqiptar që e vuan këtë, aq më shumë më vjen keq për nivelin e ulët intelektual e moral të atyre që akoma vazhdojnë të përfitojnë në kurriz të këtij populli, e në anën tjetër e rrahin gjoksin duke u çjerrë për shqiptari. Demagogji pa fund. Ata, po, po pikërisht ata e penguan librin shqip me krejt nishanet e librit shkollor shqip që e botonte SHB "Logos-A" (dhe SHB "Albass") dhe ata e lejuan këtë gjendje.
Prandaj, i kisha lutur ata që sot shkruajnë për librin shkollor shqip, që në vend se të merren me pasojat e dhimbshme, të mendojnë pak edhe për shkaqet: Kush e lejoi këtë sllavofilizëm në librin shkollor shqip?; Kush përfiton nga tekstet shkollore sllavoshqipe?; Kujt i konvenojnë tekstet shkollore sllavoshqipe?; Pse u penguan shtëpitë botuese shqiptare të botojnë libra SHQIP?. Për ata që dinë të mendojnë, përgjigjja është e lehtë: atë e di babai im i cili në vitin 1991 me njëqind telashe më regjistroi në shkollë të mesme - se aty "s'kishte vend për aq shqiptarë" dhe e di ai prindi i atyre nxënësve të mjekësisë, i cili njësoj si babai im me po ato telashe në vitin 2009 e regjistron në shkollë të mesme fëmijën e tij.
Kanë kaluar thuaja njëzet vite, por gjendja jonë ka ngelur në vend. Vetëm shkojnë e vijnë figura të reja. Se ujku nuk e harron zanatin. Aq më shumë derisa ka plot mëzetër përreth.
(Autori është
bashkëpunëtor i SHB "Logos-A")
Zekerija IBRAHIMI
Pas nismës së disa shoqatave të tjera joqeveritare, të cilave iu bashkua edhe Lëvizja Qytetare "Zgjohu", që kanë filluar të mbledhin nënshkrime për "referendum për mosndërtimin e asnjë objekti fetar në sheshin e qytetit të Shkupit" nuk mundesha të mos habitem e mos tronditem për hesapet e gabuara e matematikën dallash të këtyre OJQ-ve.
Ndonëse reagimi im është i përgjithshëm, pra për të gjithë nismëtarët, megjithatë aq më shumë më brengos pjesëmarrja e Zgjohut në këtë iniciativë. Mendoj kështu ngase për mua, po besoj edhe për shumë shqiptarë të Maqedonisë Lëvizja Qytetare "Zgjohu" në ambientin tonë ka sjellë një freski të nismave qytetare, madje deri tash në shumë raste ka shërbyer si zë i rëndësishëm qytetar i shqiptarëve të Shkupit dhe më gjerë. Aq më shumë kur bindja ime e thellë është se me këtë lëvizje udhëheqin të rinj që ndër shqiptarët e Maqedonisë u takojnë intelektualëve që kanë guxim ta ngrenë zërin qytetar në momentet më të rëndësishme. Por, jo edhe të bëjnë këso gabime trashanike.
Prandaj duke u nisur nga parimi i lirisë së mendimit, po edhe nga e drejta qytetare dhe përgjegjësia intelektuale për t'u shprehur në lidhje me atë që ndodhë përreth nesh, kësaj radhe do të duhet të shprehem kundër iniciativës në fjalë për të mbledhur nënshkrime "për referendum kundër ndërtimit të çfarëdo objekti në sheshin e qytetit të Shkupit", që në taborin tonë i ngjan shumë logjikës "Më vdektë djali për inat të resë" - më mirë të mos bëhet as Xhamia "Burmali" dhe Shtëpia e Nënë Terezës aty ku ka qenë vetëm mos të bëhet kisha.
Duke i pasur parasysh këto arsye, në këtë shkrim dëshiroj të vë në pah se në çfarë rruge do të duhej të zhvillohet iniciativa e Zgjohut pa pasur nevojë t'i mveshin vetes ndonjë bagazh antifetar.
Si e para, duket qartë se kjo Lëvizje është e motivuar për këtë iniciativë nga indiferenca e pushtetit për themelet e shtëpisë së Nënës Terezë që do të mbuloheshin po të ndërtohej ajo kishë. Edhe pse me këtë iniciativë thuajse asgjë nuk pengohet. Nëse ata e kanë me gjithë mend që të shpëtohet shtëpia e Nënës Terezë, do të duhet të kërkojnë me ngulm dhe pas asnjë kompromis që ata shqiptarë që na përfaqësojnë të vënë këmbë se në asnjë mënyrë nuk bën të lejohet kjo. (E drejta e kishës është e drejtë e të tjerëve, po kjo duhet të bëhet me usull dhe jo në dëm të të tjerëve) Dhe, kjo s'ka si mos bëhet. Kur arriti Agron Buxhaku të shesë aq truall pikërisht aty pranë themeleve të shtëpisë së Nënës Terezë pa i bërë syri "pët", nuk besoj se aq pak fuqi ka BDI-ja (ose më parë PDSH-ja, po edhe njerëzit që tash janë DR) që ta ndalin një sulm të këtillë ndaj historisë së jetës së Nënës Terezë. Fundja le ta blejnë për vete e le t'ia falin shqiptarisë. Ndërkaq meqë Zgjohu ia ka mësyrë kësaj nisme, këtë assesi nuk duhet ta ndalë - me çdo kusht duhet të kthehet shtëpia ku dikur ka lindur nobelistja shqiptare Gonxhe Bojaxhiu. Njerëzit në botë i kanë bërë muze kafenetë ku ka pirë kafe Hemingueji, Pikaso etj., ndërsa pushtetarët tanë nuk qenkan në gjendje ta mbrojnë një hap vend si shenjë ku ka buruar njëra nga humanistet më të njohura të shekullit XX, që për fatin tonë ka qenë shqiptare nga Shkupi.
Çështja e dytë ka të bëjë me barazimin e kishës dhe të xhamisë, me ç'rast (edhe "Zgjohu") kërkon të mos ndërtohet as xhamia, ma merr mendja vetëm që të mos ndërtohet kisha (të mos mbulohen themelet e shtëpisë së Nënës Terezë). Se edhe këtu e kanë gabim dhe se madje po bëjnë një gabim historik, për këtë do të duhet t'i bind me disa paralele:
-Xhamia "Burmali" deri në vitin 1925 ka qenë aty ku kërkohet të ndërtohet edhe sot;
-Kisha "Mbreti Konstantin dhe Shën Elena" nuk ka qenë aty ku kërkohet të ndërtohet sot;
-Xhamia "Burmali" është rrënuar bigajri hak - me urdhër të pushtetit;
-Kisha "Mbreti Konstantin dhe Shën Elena" është rrënuar nga tërmeti i vitit 1963;
-Në vendin ku ka qenë xhamia sot nuk ka të ndërtuar asgjë;
-Në vendin ku ka qenë kisha sot është qendra tregtare;
-Me ndërtimin e xhamisë "Burmali" do të korrigjohej një padrejtësi historike;
-Me ndërtimin e kishës "Mbreti Konstantin dhe Shën Elena" do të vendosej një padrejtësi historike - do të fshiheshin gjurmët e shtëpisë së Nënës Terezë;
-Për ndërtimin e xhamisë nuk kërkohen mjete nga buxheti i shtetit (kështu është shprehur BFIM-ja dhe Këshilli për Rindërtimin e Xhamisë "Burmali");
-Për ndërtimin e kishës shteti ka ndarë mjete nga buxheti, ku participojnë edhe qytetarë jo të krishterë (ndërsa tash kjo kamuflohet me fjalor tjetër);
-Për ndërtimin e kishës shumica e qytetarëve të krishterë janë shprehur kundër;
-Për ndërtimin e xhamisë të gjithë qytetarët myslimanë të Maqedonisë janë homogjenë (përveç Zgjohut, askush nuk është deklaruar kundër).
Këto dhe argumente të tjera më pak të rëndësishme është dashur t'i kenë parasysh iniciatorët e kësaj iniciative, e sidomos "Zgjohu". Aq më tepër ata nuk duhet të harrojnë se PËR ndërtimin e xhamisë janë shprehur edhe mbi 70 OJQ të Maqedonisë, pra përveç aktiviteteve që i ka bërë BFIM-ja. Kam përshtypje se "Zgjohu" është futur në kallëpe të lëvizjeve majtiste-ateiste në vend që janë kundër kishës, ku kjo OJQ duke dashur ta mbrojë shtëpinë e Nënës Terezë (që, duke qenë vetë murgeshë, kurrë nuk ka qenë kundër objekteve fetare), e dëmton ndërtimin e xhamisë, që i bie se duke dashur t'i rregullojë vetullat i nxjerrë edhe sytë. Prandaj miqësisht kërkoj nga iniciatorët e kësaj ideje, e sidomos nga "Zgjohu", që ta rishqyrtojnë edhe një herë iniciativën, ndërsa "Zgjohu" të ketë kujdes mos të viktimizohet për interesa të tjera dhe herëve të tjera të mendojë më mirë kur vendos t'u bashkëngjitet këtyre iniciativave, që po të kalojnë, lënë pasoja historike për të gjithë ne. Se pastaj detyrimisht do të vijmë te ajo barsoleta "Kishën s'e deshe, xhamisë s'ja dite renin, .....".
Ju lutem!
komentet e lexuesve
| 1. | ||||||||
|
||||||||
| 2. | |
| 3. | |
| 4. | |
| 5. | |
| 6. | |
| 7. | |
| 8. | |
| 9. | |
| 10. | |