Vedat MEMEDALIU
1. Bravo për Xhevat Ademin. Arriti të realizojë mbledhjen e famshme të Komitetit të Badenterit, por vetëm pas një muaj bojkot nga deputetët e bashkëkoalicionit VMRO. Rendi i ditës, "rastësisht" ishte ndërruar. "Shkupi 2014", evidenca maqedonisht në ditarë të shkollave, maqedonishtja nga klasa e parë për nxënësit shqiptarë dhe xhamia Burmali do të diskutohet pas një muaji. Ose, të vijnë kohë më të mira. Ndoshta kur të bëhet përurimi i skulpturave në sheshin e Shkupit. Temat e "nxehta" do të diskutohen patjetër. Xhevati ia ka dhënë fjalën, siç tha, vetvetes. Por, para këtyre temave, do të diskutohet "Dekada e Romëve" e propozuar nga deputeti rom Hamdi Bajram. Edhe ata janë pjesë e Marrëveshjes së Ohrit.
2. Fajtor për vendimin e Gjykatës së Apelit kundrejt rastit të Sopotit është kryetari i Trupit gjykues, Ismail Limani. Kështu akuzoi deputeti Safet Neziri, sipas të cilit, si kryetar i Trupit gjykues, Limani nuk është dashur të nënshkruajë vendimin e anëtarëve maqedonas të këtij trupi gjyqësor. Është histori e njëjtë e partive shqiptare në pushtet, të cilët në pamundësi për të mbuluar dështimet e tyre politike, akuzojnë krejtësisht palën e tretë - në këtë rast anëtarët shqiptarë të Gjykatave të larta në vend.
Nuk e di "fajin" e Ismail Limanit, por një e di: Safeti bashkë me shokë në qeveri e Parlament është dashur që Limanit t'i mundësojnë që, me Badenter të bllokojë vendimin, ashtu siç patën kërkuar kur ishin në opozitë. Sikur atëherë kur dy anëtarët shqiptarë të Gjykatës Kushtetuese u shpallën "tradhtarë", sepse nuk kishin bërë asgjë që të mos kontestohet Ligji për përdorimin e flamurit shqiptarë. Limani, kush e di se sa i "poshtër" të ketë qenë në këtë rast, nuk do të nënshkruante vendimin nëse do të kishte mekanizmin mbrojtës - Badenterin. Ose, Safeti me shokë është dashur që, konkluzioneve për Sopotin të miratuara në Parlament, t'i fusin edhe një urdhëresë të karakterit ekzekutues. Kanë mundur ta bëjnë këtë nëse ishin marrë vesh me VMRO-në, ashtu siç u morën vesh me ndryshimet e Ligjit të Inspektoratit të arsimit. I votuan ndryshimet e ligjit të ndëshkimit, por Safeti siguroi ato nuk do të vlejnë për shkollat shqipe. Së paku deri në prill.
3. BDI do të rri urtë aq kohë sa Bashkimi Evropian i ka dhënë kohë Maqedonisë ta zgjidh problemin. Më pas do rebelohen nëse nuk zgjidhet kontesti me Greqinë dhe nëse nuk anëtarësohemi në NATO dhe BE! Nënkryetarja e BDI-së, Teuta Arifi edhe një herë u mundua t'i qetësojë të "pakënaqurit" e partisë, të cilët nëpërmjet disa mediave kishin braktisjen e koalicionit qeveritar me VMRO-në. Teuta arriti t'ia plasë fytyrës Gruevskit, i cili për të satën herë me radhë, tregoi se edhe nëse kalon afati i BE-së, Maqedonia do t'i vazhdojë bisedimet me fqinjët grek. Madje nuk garantoi edhe nëse problemi me emrin zgjat 4 ose 10 vjet. Fundja, nuk bëhet Lufta e Tretë Botërore. Kështu ka siguruar Ali Ahmeti. Maqedonia ka kohë të presë, akoma s'ka përfunduar Rilindja në 100 hapa! E, ata të "pakënaqurit" e BDI-së, pas 100 hapave do të marrin vesh se, në fakt asnjë ditë s'kanë qenë pjesë e qeverisë.
4. Xhamia Burmali nuk mund të ndërtohet në sheshin e Maqedonisë, jo në vend të huaj dhe pa respektuar procedurat ligjore. Gruevski e tha troç: Burmali Xhamia është pjesë e historisë. BFI ka plane rezervë. Nuk i beson kryeministrit. Ka siguruar se falja e xhumasë do të bëhet ditën kur do të vihet gurthemeli i xhamisë. Por nuk ka përgjigje kur do të jetë kjo ditë. Përgjigje nuk ka as Këshilli iniciues për ndërtimin e xhamisë. Ky Këshill po pret nga BFI të caktojë ditën. E kanë humbur takvimin, iu kanë përzier datat. Sikur nuk e dinë se në çdo të premte falet namazi i xhumasë. Por edhe me deshtë, tashmë s'ka vend ku me u fal, teneqet e bardha e kanë rrethuar tërë sheshin. Nuk ka vend ku me shkel e lëre me u falë. As xhamia e Prilepit s'do të ndërtohet. As ajo e Manastirit nuk hapet për lutje. I ka vdek nana asaj pune.
5. Përfaqësimi i shqiptarëve në institucionet shtetërore gjatë vitit 2008-2009 qenka rritur për 1.4 për qind. Kështu tregoi hulumtimi i Avokatit të Popullit, statistikat e së cilës kishin përfshirë vetëm punësimet e shqiptarëve. Në Ministrinë e Bujqësisë, atë të Financave, të Jashtmen, Drejtorinë e Doganave, në Drejtorinë e të Hyrave Publike dhe në shumë institucione tjera që udhëhiqen nga maqedonasit, për çdo ditë sillen kuadro të VMRO-së nga Dellçeva, Strumica, Koçani e qytete tjera. Shifrat për këto punësime s'mund t'i ketë Avokati i Popullit. Nuk i bien në dorë as Sekretariatit për Marrëveshjen e Ohrit, ndryshe ishte publikuar Analiza e saktë e përfaqësimit e paralajmëruar gati dy vite më parë.
vedat@koha.com.mk
komentet e lexuesve
| 1. | |
| 2. | |
| 3. | |
| 4. | |
| 5. | |
| 6. | |
| 7. | |
| 8. | |
| 10. | |
| 11. | |
| 12. | |
| 13. | |
Vedat MEMEDALIU
Mësim me 45 nxënës në një klasë. Disa në këmbë, të tjerë ndajnë karriget në dyshe, e të tjerë ndajnë edhe bankat. Mësim pa libra, kompjuterë që nuk janë vënë ende në funksion... Një ditë e arsimit shqip në Kumanovë i ngjan reportazheve të National Geografic në vendet afrikane, ku nxënësit - në mungesë të objekteve shkollore, librave dhe mjeteve tjera, mësimin e ndjekin nën qiellin e hapur, ashtu të grumbulluar rreth mësuesit. Dhe kjo situatë sot e tetë vite të plota është realitet i shqiptarëve të Maqedonisë, ndërsa problemi nuk ka zgjidhje. Këtë e dëshmon gjendja e arsimit shqip në Kumanovë, vendi, që më së shtrenjti pagoi çmimin e konfliktit të vitit 2001. Për ata që merren me politikë në këtë qytet dhe rrethinë, pra deputetët dhe ministrat, kjo gjendje është bërë normale. Asnjëherë nuk ngritën zërin kundër këtyre padrejtësive, të cilat i ka ndaluar edhe Kushtetuta dhe ligjet e këtij vendi. Nuk shqetësohen as partitë që përfaqësojnë. Në vend se të jenë përfaqësues të popullit nga kjo zonë, ata janë bërë përfaqësues të kësaj politike diskriminuese ndaj votuesve të tyre. Fshatarëve vazhdojnë t'u shesin pordha me vokabularin e tyre patriotik, ndërsa fjalët e tyre nuk zënë vend askund në ndryshimin e këtij realiteti afrikan. Përkundër kësaj, këtë realitet, me lejen e shefit të tyre Nikolla Gruevski, mundohen ta shtrijnë edhe në Fakultetin e USHT-së në këtë qytet. Aty punësohen militantët partiakë, profesorë që kanë ligjëruar në shkollat e mbrëmjes nëpër fshatrat e kësaj ane. Vendosin administratë politike për të shkaktuar situata kaotike.
Nga ana tjetër, ata pak intelektualë të kësaj ane, kanë pranuar nënshtrimin nga këto antivlera të kombit. Janë dorëzuar dhe kanë pranuar që verbërisht t'i shërbejnë pushtetarëve të përkëdhelur nga Gruevski. Dhe natyrisht, do ta pësojnë fëmijët tanë që i kemi regjistruar në shkollën e Ekonomisë, Teknikës, Gjimnazit dhe në fakultetet e shumëpritura. Në vend të bankave dhe karrigeve, këta patriotë u kanë siguruar fëmijëve të drejtën të ndjekin mësimin në këmbë. Nëse këtë s'mund ta durojnë, atëherë me lejen e patriotëve tanë, fëmijët kanë të drejtë të shkojnë shumë më herët në shkollë, me gjasa reale për të "vjedhur" ndonjë karrige nga ndonjë klasë tjetër fqinje. Për shkak të numrit të madh të nxënësve shqiptarë, deputetët dhe ministrat tanë u kanë lejuar atyre të mbajnë mësimin në tre ndërrime. Premtuan edhe kontejnerë, por ja që as këtu se mbajtën fjalën.
Këta zotërinj që dikur rrihnin gjoks para popullit, sot nuk janë në gjendje të realizojnë edhe të drejtat e nxënësve që i garanton Kushtetuta e këtij vendi. Për avancimin e tyre të mos flasim. Atyre u mjafton të jenë politikanë dhe të kenë ca privilegje të vockla. Këtë e ka hetuar edhe kryeministri Gruevski, dhe për këtë arsye bën çka t'i kujtohet me fëmijët shqiptarë. Gruevski shkel ligjet, shkel Kushtetutën dhe në vend që të kundërshtohet nga të zgjedhurit e popullit, ndodhë e kundërta. Ata e përkrahin këtë politikë. Ata, pra të zgjedhurit tanë, ua imponojnë fëmijëve tanë edhe maqedonishten që nga klasa e parë. Edhe atë pa i pyetur prindërit, pedagogët dhe ekspertët e kësaj lëmie. Na konsiderojnë sikur të jemi vetëm prindër biologjik të fëmijëve tanë e asgjë tjetër. Natyrisht, edhe këtu nisen prej vetes. Që moti kanë pranuar të jenë vetëm politikanë biologjik shqiptarë, sepse kjo politikë antishqiptare që ka për qëllim shkatërrimin e arsimit shqip dhe asimilimin e fëmijëve tanë, nuk është bërë, ose së paku, nuk është përkrahur as në kohën e PPD-së, parti kjo e cila veprimtarinë e vet e ushtroi në një periudhë të vështirë, kur Kosova ishte në okupimin serb, kur Shqipëria po dilte nga kthetrat e komunizmit 50-vjeçar të Enver Hoxhës, dhe kur në Maqedonisë nuk kishte ndodhur as 2001-sha, e as Marrëveshja e Ohrit.
vedat@koha.com.mk
Vedat MEMEDALIU
Dikur, muri i Berlinit kishte ndarë berlinezët në lindor dhe perëndimor. Por sot, vendi ku ishte muri i gjatë disa kilometra është atraksioni më i madh turistik në këtë qytet gjerman. Edhe muri i Palestinës ose ndryshe i quajtur "muri i vajtimit" po ndan njerëzit në dy botëra të ndryshme. Njëra anë si më mirë, e tjera me trishtime. Jo edhe me kaq ekstrem, mund të krahasohet "muri i padukshëm" i territorit të Çairit, komunë kjo përgjithësisht e populluar me shqiptarë. Ajo që e dallon murin e Berlinit me murin e Çairit është historiku që ndajnë këto dy territore. Për më pak se 30 vite, muri i ftohtë i Berlinit kishte qenë kërcënimi më i madh i fundit të Luftës së Dytë Botërore dhe fillimit të Luftës së Ftohtë, ndërsa "muri i Çairit", vazhdon të tmerrojë qytetarët e kësaj komunë edhe sot e kësaj dite. Një kaos urban. Në secilin raport të Entit Shtetëror të Statistikës, komuna më e vogël e Shkupit besa edhe e Evropës, por me numër më të madh banorësh sa i përket kilometrave katrorë, zë vendin e parë për ndërtime ilegale. E ka kaluar edhe Tetovën.
Mbi 190 ndërtime ilegale brenda pak muajve. S'ka mbetur vend as për WC publike, e mos të flasim për institucione, shkolla, parqe, salla e diçka tjetër që shihen në komunat rreth saj. Institucionet që duhet të merren me këtë çështje kanë hequr dorë. U konvenon që kjo komunë e shqiptarëve të mbijetojë me zor. Ka dy javë që Ministrisë së Transportit i janë drejtuar pyetjet tona nëse përgjegjësit dhe inspektorët e kësaj ministrie kanë inspektuar ndërtimet e egra në këtë komunë dhe cilat do të jenë masat që duhet të merren. Përgjigje s'ka. Heshtin edhe përgjegjësit e Çairit. Zëdhënësi na drejton te përgjegjësi i urbanistikës. Ai te inspektori komunal, ky i fundit na rikthen përsëri te zëdhënësi. Një rreth i mbyllur fajtorësh që nuk i japin përgjegjësi askujt.
Mijëra euro jepen në dorë për zgjerime ballkonesh. Ngritje ndërtesash, kate më shumë, pa asnjëfarë plani. Dhe gjithë këto para që jepen çajtoreve në këtë rajon shkojnë te përgjegjësit që heshtin në pyetjet e gazetarëve. Për të kaluar rrugën kryesore që shpie në këtë komunë, jo më shumë se 800 metra, duhen më shumë se një orë. Rrugë përplot me gropa, kaos edhe në trotuare. Dëshirojnë që me kopalla të tërheqin vëmendjen nga problemet ditore të banorëve. Lavdërohen se paskan themeluar Muzeun e UÇK-së, që në fakt, zyrtarisht është vetëm një muze lokal me vetëm një të punësuar - drejtorin.
Nga ana tjetër, edhe vet qytetarët e dëshirojnë këtë parregullsi që kaq vite po funksionon vetëm në këtë komunë. Parkojnë ku të duan, bërlloku kundërmon rrugëve. Tregojnë përralla nëpër çajtore, duke u marrë më punë që asnjëherë s'u ka shkuar për dore. Madje, po t'i dëgjosh mirë, hyjnë filmave duke u marrë edhe me zgjidhjen e krizës globale financiare. Të mbytur nga fukarallëku, rrëfejnë për forcën e Amerikës dhe Rusisë. Ngritet Ahmedinexhadi, përqeshet Çavezi. Harrojnë se në dy dhoma jetojnë më shumë se dhjetë veta. Kënaqen me Bit Pazarin. Kanë ku e bëjnë allishverishin. Dhe udhëheqësit e komunës bënë jetë pashai. S'ka kush u kërkon llogari. Bëj çfarë të duash, bëj çfarë dua. Dhe derisa të gjithë heshtin për këtë kaos urban në këtë komunë, "muri i padukshëm" i Çairit vazhdon të ndajë shqiptarët nga pjesa tjetër e Shkupit. Faji është te të gjithë ne.
vedat@koha.com.mk
Vedat MEMEDALIU
1. Në një shkrim autorial, shumë muaj më parë, atëherë kur Bashkimi Demokratik për Integrim ishte në opozitë, Izet Mexhiti kishte shkruar se "sa herë që mandatari Gruevski përsëritë se është duke na çuar drejtë Evropës së bashkuar, aq herë na bëhet e ditur se kemi punë me një njeri, i cili edhe shtetet tjera të Evropës i konsideron si edhe partitë e koalicionit të tij qeveritar që binden me fjalë dhe premtime boshe".
Titulli i opinionit të Mexhitit në një të përditshme shqipe ishte "Të gjitha do i dëshmojë koha". Dhe, mes tjerash, ai shkruante se "bindja e Gruevskit buron nga vetëdija se partia e tij mundet pa Maqedoninë, por Maqedonia nuk mundet pa VMRO-DPMNE-në". Dhe ashtu siç ia kishte vënë titullin shkrimit, ashtu edhe po vijojnë punët, tani kur në Qeverinë e Gruevskit, participon edhe partia e dikur rebelit Izet Mexhiti.
2. Bashkëpartiaku i Mexhitit, zëvendëskryeministri Abdylaqim Ademi, i angazhuar në Sekretariatin për implementimin të Marrëveshjes së Ohrit, ka një vjet që s'po mundet t'i sigurojë të dhënat se sa institucionet shtetërore janë duke respektuar përfaqësimin e shqiptarëve, edhe atë tetë vite pas nënshkrimit të Marrëveshjes në Ohër.
Doganat, Prokuroria, Gjyqësia dhe shumë institucione tjera shtetërore nuk përfillin kërkesën e zëvendëskryeministrit. Mediat janë të vetmet që ngrenë zërin dhe kërkojnë llogari. Bile, edhe kur luajnë rolin e zyrtarëve shqiptar, përsëri gazetarët janë fajtorë. Dihet akuza: porositen nga opozita. Paramendoni, kabineti i zëvendëskryeministrit një vjet s'po mundet të përgatis Analizën e paralajmëruar që vitin e kaluar. Mos të flasim se kur do të përmirësojë gjendjen e shqiptarëve në ato institucione ku përqindja është e tmerrshme. E kështu, sipas kësaj logjike të punës së deritashme të Sekretariatit, del që masat për zbutjen e diskriminimit të shqiptarëve do të vazhdojnë edhe në të ardhmen. Koha, thonë meteorologët bashkë me Xhevat Ademin, nuk do të ketë ndryshime - ditët në vijim do të jenë shumë të nxehta.
3. Si asnjëherë më parë, shqiptarët mësuan se Maqedonia është ekskluzivisht shtet i maqedonasve. Gjuha shqipe, Ligji i dëshmorëve, flamuri kombëtar...., dhe shumë e shumë çështje tjera u harruan bashkë me Marrëveshjen e Majit dhe atë të Marsit. Dhe tani del dikush e na shet pallavra se "ministrat shqiptarë s'ka pse ndërrohen, janë treguar të suksesshëm".
Deri dje ua shante nënën se po humben në tendera, tani na u bënë të suksesshëm!!!. Çfarë morali i dobët politik. Lakuriqësi e pafund. "Ekziston një lloj njerëzish që kur zgjohen në mëngjes, maten me hijen e tyre", ka thënë Xhevati. E saktë. Kurrë më drejtë s'e kam dëgjuar të flet.
4. Nga Brukseli vijnë lajme të mira. Viza nga 1 janari s'do ketë për qytetarët e Maqedonisë. Një freski e paparë edhe për partitë shqiptare, të cilët duke treguar lojalitetin ndaj Gruevskit rreth emrit të Maqedonisë, desh na zunë frymën nga tymi i duhanit nëpër çajtoret e Çairit, Dizhonit dhe Gazi Babës. Megjithatë, e vërteta qëndron diku tjetër. Evropa dinë të shpërblejë qytetarët dhe njëkohësisht, të dënojë Qeveritë. Raporti i Komisionit Evropian për punën qeveritare sigurisht që do të jetë negativ, përkundër dritës jeshile për vizat. Atëherë, kur të rinjtë shqiptarët do rreken pas kurbetit, nuk do të jetë e rëndësishme Marrëveshja e Ohrit, puna e ministrave të "suksesshëm", dhe parashikuesit e kohës.
vedat@koha.com.mk
| 1. | |||||||
|
|||||||
| 2. | |
komentet e lexuesve
| 1. | |||||||
|
|||||||
| 2. | |||||||
|
|||||||
| 3. | |
| 4. | |
| 5. | |
| 6. | |
| 7. | |
| 8. | |
| 10. | |
| 11. | |
| 12. | |
| 13. | |