komentet e lexuesve
| 1. | |||||||
|
|||||||
| 2. | |
| 3. | |
| 4. | |
| 5. | |
| 6. | |
| 7. | |
| 8. | |
| 10. | |
| 11. | |
| 12. | |
| 13. | |
Shkëlzen HALIMI
Të gjitha ata që mendojnë se akademikët maqedonas nuk e dinë të vërtetën e shqiptarëve, gabojnë shumë. Përkundrazi, ata e dinë shumë mirë, madje ndoshta edhe më mirë se shumë historianë shqiptarë. Po pse atëherë këta akademikë e bënë zhvendosjen e kësaj historie për më shumë se 2000 vjet, duke na bërë ardhacak (pas shekullit 16) dhe duke na emëruar edhe me epitete ofenduese? Nëse shqiptarët, sipas akademikëve maqedonas, paskan ardhur në këto vise shumë - shumë vonë, a do të thotë kjo (për shkak të afërsisë) se edhe në Kosovë shqiptarët na paskan ardhur në të njëjtën kohë? Problemi nuk kufizohet brenda Maqedonisë, por edhe më gjerë, duke i dhënë "argument" edhe palës serbe për ta shfrytëzuar këtë moment në "qërimin" e hesapeve me ata që pavarësinë e Kosovës e kanë konsideruar si realitet konkret. Pra, problemi kap përmasa më të gjëra dhe synon të shtresohet në "fuçinë e barotit" të Ballkanit.
Ky kapitull i zymtë i akademikëve maqedonas nuk erdhi rastësisht, por ishte i planifikuar dhe me qëllim të caktuar. Deshifrimin e kësaj të keqe, sado pak, e bëri një akademik tjetër maqedonas, Millan Gjurçinov, i cili për agjencinë Reuters, enciklopedinë do ta quajë si një hartim tepër të nxituar dhe të motivuar politikisht, duke theksuar se një konflikt i ngjashëm mes akademikëve serbë dhe kroatë në vitet '80 kontribuoi në shtimin e nacionalizmit, që pastaj çoi në shpërbërjen e përgjakshme të ish-Jugosllavisë.
Edhe më keq, akademikët maqedonas me projektin e tyre të fundit, me vetëdije tentojnë t'ia bëjnë shqiptarëve atë që atyre ia bëjnë grekët (nuk ia pranojnë emrin), bullgarët (nuk ia pranojnë kombin) dhe serbët (që nuk ia pranojnë kishën). Se ekziston një qendër që i koordinon këto plane, tregon qartë edhe kërkesa e dy partive minore maqedonase që parashtruan padi kundër institucionit përkatës që në regjistrimin e popullatës konstatoi se nga numri i përgjithshëm i qytetarëve të Maqedonisë, shqiptarë janë më tepër se 24 për qind, ndërkaq sipas tyre ky numër duhet të jetë nën 20 për qind, diku rreth 17 për qind. A ishte edhe kjo një ndërmarrje e rastësishme? Ose përse disa nga liderët shqiptarë nuk janë prezantuar fare, ndërkaq ata që janë prezantuar paraqiten si figura kontroverse, duke e minimizuar në maksimum autoritetin e tyre? Ose përse kryeministri Gruevski me këmbëngulje nuk e paraqet qëndrimin e tij të vërtetë rreth enciklopedisë?
Padyshim se paraqitja e Enciklopedisë maqedonase është edhe një sprove për faktorin shqiptar. Sprovat e tilla, fatkeqësisht kanë filluar të imponohen shumë shpesh dhe ky është një test i ulët që po ia bën pala maqedonase shqiptarëve. Shfrytëzohet zhvendosja e vëmendjes së shqiptarëve në enciklopedi në njërën anë, ndërkaq në anën tjetër shpërthen propozimi për stemën e re të shtetit me elemente që s'e reflektojnë multietnicitetin e Maqedonisë. Dhe çfarë po ndodh tani? Pothuaj i kemi harruar problemet e shumta në arsimim shqip, në kulturë dhe në segmente tjera të përditshmërisë shqiptare. Ashtu siç rrjedhin ngjarjet është e logjikshme që, sipas një skenari të të njëjtës qendër antishqiptare, të pasojë ndonjë problem edhe më i rëndë që të kemi një zhvendosje të re të vëmendjes, me qëllim që të harrohet enciklopedia (mbamendja e shqiptarëve zbehet shumë shpejt) dhe ajo ta realizojë synimin e saj. Nevoja për një koordinim dhe veprim paralel për zgjidhjen e të gjitha problemeve tashmë është domosdoshmëri dhe përfaqësuesit shqiptarë do të duhet t'i shfrytëzojnë të gjitha instrumentet që i kanë në institucione dhe më në fund duhet të tregojnë se ata nuk janë të kënaqur aspak me atë që janë ulur në karrigat e pushtetit. Jo vetëm politikanët shqiptarë, por edhe intelektualët që vazhdimisht mbajnë qëndrim inferior, i kanë të gjitha argumentet që me një paraqitje dinjitoze para faktorit ndërkombëtar ta lakuriqësojnë deri në palcë këtë enciklopedi pa vlerë.
Natyrisht, edhe faktorët ndërkombëtar do ta shqyrtojë këtë çështje, sepse edhe ata e kanë të qartë se puna e akademikëve maqedonas është cytur nga qendra tjera, që shqiptarët vazhdojnë t'i trajtojnë nën prizmin serb, e që është në kundërshti me interesin euro-amerikan. Pikërisht plani euro-amerikan është që shqiptarët, të gjithë, pa marrë parasysh se ku jetojnë, të integrohen në familjen e madhe evropiane. Prandaj, duke e patur parasysh këtë fakt, shqiptarët duhet të jenë sa më syçelë për të mos rënë në ndonjë kurth të papritur. Të gjithë e kanë të qartë se Akademia maqedonase është fokusuar në një nacionalizëm që i ngjan atij serb dhe kjo nga bota demokratike është detektuar si e tillë. Tashmë kur duket qartë se është atakuar qenia shqiptare dhe kur më janë përkeqësuar marrëdhëniet ndëretnike, me të drejtë shtohet dilema: çka më tej? Shqiptarët duhet ta shtrojnë çështjen e shteformësisë, pra duhet të kërkojnë që të jenë element shtetformues, të barabartë, pasi shihet qartë se enciklopedia, pos shumë qëllimeve, ka për qëllim edhe minimizimin e kërkesës për shteformësi. Kuptohet, kjo do të arrihej me një konsensus të të gjithëve, sepse këtë e kërkon çasti aktual. Ndaj, edhe revolta e arsyeshme e shqiptarëve pas daljes së kësaj enciklopedie duhet të menaxhohet mirë, gjithnjë duke patur kujdes që të mos dalë jashtë kornizave demokratike, por duke manifestuar një qytetari që do të ishte e kundërta e asaj që kanë shkruar maqedonasit, se kinse shqiptarët na qenkan "kaçakë e malësorë". T'i tregojmë botës edhe një herë se ne i takojmë një civilizimi që prodhon vlera të mirëfillta...Por, paraprakisht duhet të dimë t'i lexojmë shenjat që përhapen në çdo anë dhe ta kuptojmë me kohës mesazhin e tyre.
Enciklopedia e marrive. Kështu do të mund të quhet Enciklopedia Maqedonase( e jo Enciklopedia e Maqedonisë), projekti më i ri i Akademisë Maqedonase të Shkencave dhe Arteve, që të mërkurën pati një promovim mjaft pompoz.
Është vështirë të presësh diçka nga ata që lajtmotiv të përditshmërisë kanë paragjykimin, aq më tepër kur dihet se paragjykimi ndaj shqiptarëve në Maqedoni për shumë kë është ushqim shpirtëror.
Paraqitja e elementit shqiptar në formën e një karikature të vrazhdë, edhe atë në një projekt voluminoz që mban siglën e një institucioni ku besohet se është tubuar truri i një kombi (Akademia e Shkencave dhe Arteve), do të thotë se më në fund në Maqedoni po bien maskat dhe se po qartësohen qëllimet me prapavijë të errët. Kjo shqiptarëve ua përkujton projektet famëkeqe të Akademisë serbe në krye me Çubrolloviqin e Ivo Andriqin.
Mosprezentimi i vërtetë i historisë shqiptare, ashtu siç argumentohet edhe në shumë dokumente të historianëve e udhëpërshkruesve të huaj, mospërfshirja e ngjarjeve historike (që kanë ndodhur në Dibër, Manastir, Shkup...), pa të cilën historia shqiptare do të ishte e mangët, lënia anash e shumë figurave shqiptare nga jeta kulturore e politike, përfshi edhe ata, pa të cilët historia e më e re e Maqedonisë jo vetëm që do të ishte e thatë, por edhe do të humbte kuptimin, do të thotë se intriga ndaj shqiptarëve tashmë po institucionalizohet. Është e pafalshme mospërfshirja në këtë enciklopedi e shumë figurave, ndër të tjera edhe mospërfshirja e Nevzat Halilit, liderit të partisë (PPD) së parë shqiptarë në Maqedoninë pluraliste, pastaj e kryetarit aktual të PDSH-së, Menduh Thaçit e ndonjë tjetër. Për ta nuk pati "hapësirë dhe vend", por pati për, bie fjala, Johan Tarçullovskin, i dënuar nga Gjykata e Hagës për krime kundër njerëzimit (në Luboten plagët ende janë të freskëta). A nuk flet kjo qartë për një tendencë të paramenduar mirë.
Është kapitull në vete numri i madh i gabimeve dhe të pavërtetave që prezantohen në këtë enciklopedi. Duket qartë se hartuesit e saj ndaj elementit shqiptar kanë patur qasje improvizuese. Këtë improvizim ata do ta dëshmojnë, për shembull, te shënimi mbi Hasan Kaleshin, një figurë e shquar e kulturës shqiptare nga Kërçova (babai i piktorit me famë botërore, Omar Kaleshi). Në vend të fotografisë së Hasan Kaleshi, ata do ta vënë fotografinë e Faik Konicës. Një gabim tjetër i pakëndshëm bëhet me Hamid Thaçin (kumanovarë), një figurë nga periudha e LNÇ-së, i cili prezantohet dy herë: një herë si Taki Hamid pastaj si Taçi Hamid. Këto janë vetëm disa nga "perlat" e injorancës dhe infantilitetit të përpiluesve të këtij projekti. Ndërkaq, mos të flasim për disa të pavërteta që ndërlidhen me vetë shtetin shqiptar dhe me disa figura që kanë lënë gjurmë në historinë e Shqipërisë.
Dhe çka duhet bërë pas gjithë kësaj? Është koha të tubohet Unioni i Intelegjencisë Shqiptare, Shoqata e Historianëve Shqiptare, Shoqata "Zgjohu" dhe asociacionet tjera shqiptare që veprojnë në Maqedoni dhe ta shqyrtojnë mirë e mirë këtë enciklopedi, dhe t'i evidentojnë të gjitha marritë, intrigat, të pavërtetat, natyrisht me argumentet që janë absolutisht në anën e shqiptarëve, dhe të kërkojnë që urgjentisht enciklopedia të tërhiqet nga përdorimi dhe të shpallet e pavlefshme. Ose të bëhet një enciklopedi që i përgjigjet realitetit të Maqedonisë. Natyrisht, edhe subjektet politike shqiptare duhet ta shprehin qëndrimin e tyre. Kjo enciklopedi duhet të vlerësohet si shkas që të gjithë shqiptarët të falsin me një zë.
Sepse për këtë enciklopedi janë derdhur shumë mjete nga buxheti i shtetit, në të cilin (buxhet) participojnë edhe shqiptarët. Nuk ka logjikë që ta paguash dikë të tallet me historinë dhe kulturën tënde. Kjo i kalon të gjitha kufijtë e njerëzimit.
Ndërkaq, ata dy-tre shqiptarë, anëtarë të kësaj akademia, pas këtij skandali besoj se e kanë të qartë mesazhin e atyre akademikëve që e përpiluan këtë Enciklopedi të marrive, që cenojnë jo vetëm historinë dhe kulturën, por edhe dinjitetin e shqiptarëve. Ata duhet t'u thonë lamtumirën atyre që tallen me fatin e popullit që i takojnë vetë.
Shkëlzen HALIMI
Kësaj radhe nuk do të bëj fjalë për emra konkret, për vendin ku zhvillohet ngjarja. Jo, sepse më mban shpresa se drejtuesit më të lartë të subjekteve politike do të ndërmarrin masa për t'i dhënë fund maltretimit sa fizik aq edhe psikik të atyre individëve që rastësisht punojnë në një mjedis ku një drejtues qëllon të jetë partiak. Sepse të maltretuarit thjeshtë janë të pafajshëm dhe kanë dinjitet.
Do të flasim për të "kaltrit" (BDI) dhe për të "kuqtë" (PDSH) e Maqedonisë. Pra, për ata që veten dhe të tjerët i shohin përmes dy ngjyrave. Por, edhe për bëmat e tyre hakmarrëse, si një veprim për ta dëshmuar "besnikërinë" ndaj partisë, por edhe talljen e tyre me fate të njerëzve. Njerëz të tillë nuk i nevojiten asnjë formacioni politik, asnjë shoqërie, sidomos asaj shqiptare, që pretendon të jetë demokratike dhe që mëton të manifestojë vlera qytetëruese.
Ajo që nuk dihet publikisht asgjë ( e dinë vetëm ata që po e përjetojnë në lëkurën e tyre) ka të bëjë me një drejtor të një ndërmarrje shtetërore. Ndoshta ka edhe të tjerë ose edhe ndoshta është i vetëm (ku fati të jetë kështu). Dhe aty ku ia ka dhënë partia (në pushtet) detyrën për të qenë njeriu i parë, çuditërisht, prej vitesh punojnë një numër i konsiderueshëm shqiptarë. Natyrisht, ky numër, siç tregojnë ata që nuk janë as me njërën e as me partinë tjetër, me ardhjen e drejtorit të ri pothuaj nuk ndryshoi. Ditën e parë e përpiloi listën e atyre (shqiptarëve) që ishin me kontratë dhe i largoi nga puna, kurse në vend të tyre solli një kontingjent tjetër (të aktivistëve partiak) për ta plotësuar numrin e të larguarve. Me këto marifetllëqe natyrisht se jemi mësuar nga e kaluara dhe kjo nuk na habit fare. Por, t'i trajtosh të tjerët, që janë shqiptarë (se me palën maqedonase, siç thotë populli, pasuli numërohet kokërr për kokërr), që kanë përvojë pune, vendime si të "kuq", duke aluduar qartë në partinë kundërshtare, kjo del jashtë çdo logjike dhe nuk përkon fare me sjellje normale e njerëzore, me etikën e funksionit, por me një rrugaçëri të llojit më të ultë.
Thellë jam i bindur se një drejtor të tillë askush nuk e ka mandatur që frustracionet e veta t'i shërojë me sjellje sadiste e kërcënuese ndaj atyre që në sytë e drejtorit kanë marrë ngjyrë të "kuqe". Në këtë kohë të vështirë, kur shumica e të punësuarve me shumë peripeci ia dalin ta kalojnë muajin me rrogat që i marrin, të manifestosh urrejtje dhe kërcënim të llojit "se do të largohesh nga puna", vërtet është akt barbar dhe antinjerëzor. Mbi të gjithë është keqpërdorim i një besimi që të është dhënë.
"Flitet se grupi që është në "shënjestër" të drejtorit të "kaltër" çdo ditë shkon me frikë në punë dhe kjo për ta dita ditës po bëhet më e padurueshme". Kështu më tha miku imi tek sa më tregonte për këtë drejtor, sipas fjalëve të kushëriri të tij që me vite punon në ndërmarrjen që tashmë për një grup njerëzish është bërë ankth i vërtetë.
Po pse?- e pyeta unë.
Sepse, ka dhënë shumë premtime, më tha miku im. Dhe tash, hajt t'u biem të "kuqve" që t'i realizojmë premtimet për punësimin e të "kaltërve".
Drejtori në fjalë, siç flitet, ka hartuar një strategji perfide: të detyrohen të "kuqtë" që vetë ta lënë punë, çka do të thotë (sipas asaj popullores) "edhe ujku i ngopur, edhe dhentë në numër". Si? Trillon ndonjë mangësi për t'i dënuar me 15 për qind nga vlera e rrogës, krijon situata dhe pret që të reagojnë punëtorët ose pret që të refuzojnë ndonjë detyrë, siç kishte ndodhur tash së fundit, duke i detyruar të pastrojnë edhe nevojtoret (disa prej tyre figurojnë edhe si udhëheqës sektorësh). Por, ata e kishin gëlltitur edhe këtë urdhër, ndonëse u kishte thënë se "ju të "kuqtë" meritoni vetëm WC-të t'i pastroni".
E, çka është tepër, tepër është. Këtë as Gebelsi vështirë se do ta bënte. Këtu humb kuptimin edhe sikur ata vërtet të jenë "të kuq", mbase edhe armiq të përbetuar të të "kaltërve". Sepse, me këtë shembull (urdhri i drejtorit për të provokuar pakënaqësi apo revoltë) humb arsyeja, njerëzorja.
Në fillim të shkrimit thash se kësaj radhe nuk do të bëjmë fjalë për emra konkret, për vendin ku zhvillohet ngjarja, me shpresë se drejtuesit më të lartë të partisë që ia dhanë postin udhëheqës këtij personi do të ndërmarrin masa për t'i dhënë fund maltretimit sa fizik aq edhe psikik të atyre që rastësisht punojnë në një mjedis, që janë të pafajshëm dhe që megjithatë kanë dinjitet dhe janë shqiptarë. E kam lutur mikut tim që ta takojë këtë drejtor (e njeh mirë) dhe t'ia tërheqë vërejtjen. Nëse nuk korrigjohet, atëherë e kam për obligim moral që publikisht të merrem me të, pra do t'ia përmendi emrin dhe ndërmarrjen që drejton. Atëherë, me argumente, do t'ia potencoj edhe bëmat tjera që nuk do t'i shkojnë aspak për shtati jo vetëm atij, por edhe partisë që e ka deleguar në këtë post.
Dhe fare në fund, qëllimi i këtij shkrimi nuk ishte t'i sulmoj të "kaltrit" (ata të BDI-së) e as t'i mbroj të kuqtë (ata të PDSH-së), po thjeshtë të pengohet dukuria e urrejtjes ekstreme që fare lehtë mund të kalojë në çmenduri. Nuk besoj se këto dy parti dhe ato të tjerat kanë nevojë që në radhët e tyre të kenë individë të çmendur, individë të armatosur me urrejtje që mund të shkaktojnë edhe situata fatale dhe të bëhemi gaz i botës. Mbase, drejtori i "kaltër" e di që para pak kohe ishte fare pranë fatalitetit. Ndaj, logjika "kaltër" e "kuq" duhet të shmanget sa më parë, sepse në të kundërtën, mozaikun e primitivizmit tonë do ta bëjnë edhe më të plotë.
P.S.
Lidhur me artikullin "Trishtimi i Pollatit dhe shashtrisja e shqiptarëve" përmes e mail adresës (deri të premten) nga lexues të ndryshëm kanë ardhur 234 reagime. Prej tyre, vetëm katër lexues nuk ishin pajtuar me këtë shkrim dhe një person anonim (për mua) që kishte reaguar në një web faqe shqiptare, pasi teksti im është botuar edhe në shumë gazeta e web faqe tjera shqiptare. Mua sinqerisht më vjen keq që këta (katër -pesë) lexues kanë probleme me identitet e tyre dhe se krejt mbrapsht e kanë lexuar shkrimin tim. Dhe fatkeqësisht, të tillët në vend që ta kapin cjapin për brirë, e kapin për ato që i ka nën këmbët e pasme.
Shkëlzen HALIMI
Të mohosh vlerat shpirtërore autoktone dhe të pranosh me lehtësi fantastike vlerat e huaja, do të thotë vullnetarisht të heqësh dorë nga identiteti kombëtar. Kjo, po kështu do të thotë se janë ndezur aparatet e alarmit dhe se duhet shpejtuar për të intervenuar. Por, ç'fajde nga e gjithë kjo, kur të verbrit e shurdhmemecët as i shohin e as i dëgjojnë sinjalet e zëshme.
Nuk ka gjasa, as teorike, që ndonjë personaliteti nga jeta politike e kulturore e hapësirave shqiptare, t'i ndodhë një pritje madhështore, ashtu siç i ndodhi "heroit" të ri të shqiptarëve, përkatësisht aktorit turk (dhe shokëve të tij), Nexhati Shashmaz, i njohur si Pollat Alemndar nga seriali "Lugina e ujqve". Thjesht, heroi i shqiptarëve të Maqedonisë, Pollati, ishte trishtuar (se pse do të tregojmë më poshtë) nga pritja ekzaltuese që ia bënë pikërisht shqiptarët me të arritur në Shkup. Cili lider shqiptar në Maqedoni mund të krenohet se në qendër të Tetovës ka tubuar më shumë shqiptarë se sa Pollati?
Natyrisht, që të mos keqkuptohemi, që në fillim do të themi se aktori turk dhe shokët e tij, absolutisht nuk janë fajtorë për shashtrisjen e shqiptarëve këtu në Maqedoni. Ai aspak nuk ka faj që tashmë është bërë mit i shqiptarëve, që fëmijët e lagjeve tonë e imitojnë atë dhe shokët e tij nga filmi, duke luajtur me pistoleta plastike, ai aspak nuk ka faj pse serialet e filmit "Lugina e ujqve" që moti kanë thyer rekordet e shikueshmërisë. Nuk do të mbajë asçfarë përgjegjësie nëse nesër fëmijët e porsalindur do të emërohen me emrin Pollat.
Do theksuar se para Pollatit rekordin e mbante Kasandra, një serial latino-amerikan që shqiptarët e kishin parë vite më parë. Më të vjetërve do t'u kujtohet se kur erdhi Kasandra në Shkup, në stadiumin e qytetit të Shkupit kishin shkuar vetëm shqiptarë e rom për ta parë Kasandrën për së afërmi.
Në Shkup e Tetovë shpesh kanë qëndruar Ndriçim Xhepa, Luiza Xhuvani, Enver Petrovci, Bujar Lako e aktori tjerë shqiptarë që edhe sot vazhdojnë të shkëlqejnë me paraqitjet e tyre në filma e skena teatrale. Ka qenë edhe i madhi Ismail Kadare, edhe e famshmja Inva Mula, por një pritje e këtillë asnjëherë nuk u ka ndodhur. Të gjitha këta artistë të shquar të kombit tonë kanë kaluar përmes Bit Pazarit e Çarshisë së Vjetër të Shkupit pa u vërejtur fare. Madje, edhe mediumet nuk u kanë kushtuan rëndësinë e duhur.
Të premten që e lamë pas, pra në të njëjtën ditë kur shqiptarët në Maqedoni përjetuan katarzën për shkak të ardhjes nga Stambolli të heroit-mitit të tyre, në Teatrin Shqiptar të Shkupit u dha premiera e dramës "Gjenerali i ushtrisë së vdekur", vepër e kjo e dramatizuar sipas romanit me të njëjtin titull të Ismail Kadaresë. Po mos të ishin ftesat që iu bënë miqve nga Prishtina e Tirana, natyrisht, siç ndodh zakonisht, edhe të afërmve të aktorëve e miqve të tyre, premiera gjithsesi do të kalonte me pak publik. Por, e them me zemër të thyer, se pas kësaj premiere, në reprizën e parë ndoshta do të mbushet gjysma e sallës (nja 150 veta), ndërkaq për reprizën e dytë askush nuk mund të garantojë se do të ketë publik. Pra, edhe kjo shfaqje do të harrohet, siç janë harruar edhe shumë e shumë shfaqje të mira, që s'kanë patur fat të reprizohen së paku pesë herë. Merreni me mend se çfarë do të ndodhte me këtë teatër sikur në vetëm një shfaqje të paraqitej Pollati. Do to ndodhte hataja, do të duhej të intervenonin njësitë speciale të policisë për ta mbajtur qetë radhën e gjatë të shqiptarëve për të blerë një biletë.
Sikur vetëm një për qind e atyre shqiptarëve që u çuan peshë për ta pritur mysafirin nga Stambolli të dilnin e të protestonin bashkë me prindërit e nxënësve të "Pançe Karagjozovit" sot me siguri do të kishim një situatë tjetër, sikur vetëm një për qind e atyre shqiptarëve që dolën për ta parë nga afër heroin-mitin e tyre të ngrinin zërin për Institutin e Trashëgimisë Kulturore të Shqiptarëve, sot ky Institut gjithsesi do të funksiononte normalisht, sikur vetëm një për qind e atyre që u ekzaltuan me heroin e serialit "Lugina e ujqve" të ngrinin zërin për problemet e shumta që po i ndodhin shoqërisë shqiptare këtu në Maqedoni, për moslejimin e shqiptarëve të shfrytëzojnë pishinat, për Burmali Xhaminë, për Shtëpinë e Nënës Terezë, për gjuhën, për natalitetin etj. ne sot do të kishim një pozitë shumë të avancuar, e mos të themi se do të ishim populli më i lumtur sikur vetëm një për qind e gjithë asaj masa të "lumturuar" të lexonte së paku një faqe të ndonjë vepre të Kadaresë apo të shikonte ndonjë shfaqje në Teatrin Shqiptar të Shkupit, të Tetovës apo të ndonjë qyteti tjetër shqiptarë. Pastaj do të dalin gojëkëqijtë dhe do të thonë: fajin e kanë partitë politike. Bile-bile, në këtë muaj të Bekuar të Ramazanit, janë hutuar edhe imamët e xhamive, të cilët në mbrëmjet kur jepet seriali për Pollatin, namazi i teravisë falet vetëm me ata që janë më të devotshëm, ndërkaq të tjerët mungojnë, se nuk lejojnë t'u ikë heroi i tyre.
Po pse ishte trishtuar Pollati nga ajo pritje? Nexhati Shashmaz, i njohur me rolin e Pollat Alemndarit, siç edhe mundëm të konkludojmë nga prononcimet e tij, ishte një njeri modest, i qetë, inteligjent, por edhe fetar. Dhe, njërit nga organizatorëve të ardhjes së tij me shokë në Maqedoni, pas konstatimit se ai më ishte shndërruar në mit, përafërsisht do t'i thotë se kjo që po ndodh nuk është mirë, se edhe feja islame nuk lejon krijimin e miteve...Ja pra, ky ishte trishtimi i Pollatit të pafajshëm, që do t'ia shkaktojnë shqiptarët gjithandej ku ai shkoi e qëndroi.
Duhet ta pranojmë se jemi popull i çuditshëm dhe i veçantë. Shumë shpejtë krijojmë mite nga të huajt, shumë shpejt e huaja na bëhet vlerë e pandashmë e shpirtit tonë, kurse ajo që është e jona me rrënjë e trung, e përjeton fatin e mohimit. Sinjalet e krizë së identitetit ka kohë që po japin alarmin. Dhe, a i dëgjon kush...
Shkëlzen HALIMI
A e ndjejnë shqiptarët imponimin e filozofisë së nënshtrimit? Ajo që po ndodh këtyre ditëve në Maqedoni, tregon qartë se dikush vullnetarisht pranon të jetë i nënshtruar vetëm e vetëm që të qëndrojë në pushtet.
Duke u sjellë sipas skemës tashmë të njohur - mos t'i lëndojmë ndërkombëtarët që janë miqtë tanë- zgjidhet opsioni i amortizimit të problemit dhe të opinionit. Morali i dyshimtë i një grupi të nënshtruar nuk mund të bëhet moral i dyshimtë kolektiv. Sepse, s'vlen pushteti kur të cenohet dinjiteti.
Është e qartë se nuk ka disponim që problemet të zgjidhen hap pas hapi. Sot bëhet një hap para, nesër dy prapa. Luhet ngjashëm si në vallet popullore. A duhet vetëm shqiptarët të mendojnë për ruajtjen e vlerave specifike edhe atëherë kur marrin rolin e të nënshtruarit?
Ka ardhur koha që të thuhet e vërteta, pavarësisht se pas kësaj dikush mund të të etiketojë se tradhtar, arkaik, terroristë, armik i shtetit etj. Shqiptarët në Maqedoni nuk kanë mekanizma mbrojtës, ndonëse ato janë të shkruara në tekstet e ligjeve dhe konventave të ndryshme ndërkombëtare. Liri dhe drejtësi ka vetëm aty ku sundon dhe respektohet ligji. Kur nuk funksionon kjo, atëherë në rastin konkret, shqiptarëve, si shumë herë në të kaluarën, u mbetet të mbështeten në refleksin mbrojtës. Por, edhe në këtë mbështetje vazhdimisht e kanë pësuar njerëzit e thjeshtë. Kur do të vijë ajo kohë që shqiptarët të mos bëhen objekt përdorimi me afat të caktuar? Vetëm atëherë kur lakmia të zëvendësohet me përgjegjësinë ndaj popullit, ndaj atij që është sovran. Fatkeqësisht, realizimi i kësaj bie në sferat e fantastikës, sepse nuk mund të jenë të përgjegjshëm ata që hapin e pare në politikë e bëjnë pasi ta dalin nga çajtorja.
Sot politika shqiptare në Maqedoni mbështetet në aktivitetin e klaneve provinciale. Interesat e klanore që moti i kanë fshirë nga faqja e dheut interesat kombëtare. Prandaj pse duhet të na habisë fakti se nuk kemi arsim, shkencë, kulturë…
Gjithsesi, na ka lodhur edhe dëshpërimi i vazhdueshëm nga politikat dështuese dhe naive. Politika e inatit, ngritja në qiell e individit gjatë ditës dhe groposja e tij gjallë gjatë natës, janë vetëm disa argumente për të konstatuar se jemi bërë lëndë e mjaftueshme për studime socio-psikologjike. Nuk është turp e as e gabim nëse gjithçka ia fillojmë nga pika zero. Natyrisht, me letra të hapura. Fajin ta kërkojmë midis nesh dhe jo atje ku realisht nuk gjendet.
Vetëm pasi të kemi pastruar me vetveten, atëherë do të dimë se cilat janë synimet dhe aspiratat tona. Ta kapërcejmë hendekun e plogështisë dhe ta ndajmë shapin prej sheqerit, duke iu kthyer secilit vendit të vet: berberi briskut të rrojës, tregtari shitores, bujku arës, çobani kopesë së deleve, mekaniku automjeteve e kështu me radhë. Të gjithë këta fatkeqësisht janë politik-bërësit tanë që gjithë kapacitetin "intelektual" e kanë të koncentruar në muskujt, që në fakt i përdorin në prodhimin e frikës në njërën anë, ndërkaq në anën tjetër nuk e ndjejnë imponimin e filozofisë së nënshtrimit, sepse ata të palës tjetër ua kanë zënë "bishtin" me dëshmi të përdorshme nëpër sirtarë.
Kur të ndodhi kjo lëvizje dhe kthimi i secilit në vendin e vet, atëherë mund të themi se jemi kthjellur nga lakmia dhe se më në fund jemi çliruar nga filozofia e nënshtrimit.
Shkëlzen HALIMI
Ambienti kulturor i shqiptarëve të Maqedonisë është në pikën kritike. Ajo tashmë është zbehur si asnjë herë më parë, ndërkaq në sfond nuk duket asnjë shenjë se mund të pësojë ndonjë ndryshim pozitiv. Nuk ka ide, nuk ka nisma, nuk ka interesim për të prodhuar vlera të mirëfillta shpirtërore. Kur t'i kemi parasysh të gjitha këto mungesa, atëherë ne duhet ta pranojmë se jemi thellë në procesin e dekulturimit, që edhe më shumë rrezikon identitetin tonë.
Të gjithë janë të koncentruar te përfaqësimi adekuat, te numrat e përqindjet, kurse askush nuk e çan kokën për këtë aspekt, pa të cilin të gjitha do të jenë të kota, sepse ç'dobi do të kemi nga numrat e përqindjet, nga ajo masë e cila për nga vlerat kulturore është në përqindje zero, për të mos thënë në një minus të madh.
Tendenca për të prodhuar "njeriun e ri" të përkatësisë shqiptare në Maqedoni është e dukshme, siç është i dukshëm edhe fakti se pothuaj askujt kjo nuk i bën përshtypje. Po si do të duket ky "njeriu i ri" që nuk do të ketë as identitet e as trashëgimi? Vetëm si një robot që mund të lëvizë prapa e mbrapa. Ndaj jo të rastësishme janë të gjitha ato marifetllëqe që u bënë me Institutin e trashëgimisë kulturore, që sot figuron vetëm në letër, kurse nesër ndonjë kronisti do t'i kujtohet të shënojë: "na ishte një herë një Institut...".
Është shumë e qartë se pse dikujt i pengon një institucion i tillë. Vlerat kulturore të një populli më së miri mund të zhvillohen, por edhe të ruhen në formën institucionale. Dikush do të thotë po shteti e ndihmon edhe kulturën shqiptare! Po, e ndihmon ose simbolikisht, ose sipërfaqësisht, ose në formë lëmoshe, gjithnjë duke u thirrur sërish në disa përqindje. Por, fatkeqësisht, edhe kjo ndihmë që jepet, është një ndihmë me premisa anarkie! E di se ndonjëri që është futur në kallëpet e "njeriut të ri" do të thotë se autori i këtij shkrimi me formulimin "ndihmë me premisa anarkie" po ia fut kot. Po jap vetëm një shembull për ta mbështetur formulimin e më sipër. Shikoni vetëm produksionin e botimeve të vitit të fundit (po edhe të viteve të kaluara) në gjuhën shqipe. Nëntëdhjetë e nëntë për qind e këtij produksioni nuk ka kurrfarë vlerë artistike. Ndaj, çfarë dobie ka kultura shqiptare nga këto botime? Ose, a keni dëgjuar për ndonjë investim kapital në kulturën shqiptare. Nuk keni dëgjuar e as që do të dëgjoni përderisa nuk ndizet alarmi për t'i dhënë fund amullisë ekstreme në të cilën gjendet kultura shqiptare.
Tortura shtetëror dekulturuese që çuditërisht është e padukshme fillet i ka pikërisht te gjuha, kurse gjuha shqipe vazhdon të hasë në rezistencë frontale. Kur gjuha amtare të bëhet mjet me zbatim të kontrolluar në shtet, atëherë si mund të flasim për zhvillim kulturor, kur dihet se pa të (gjuhën) do të dukemi vetëm si një kolektiv pa identitet e trashëgimi. Dhe, dita ditës po plotësohen kushtet për të qenë një kolektivitet i tillë (pa identitet e trashëgimi). Dhe kur ky cikël do të mbyllet, atëherë numrat e përqindjet sa për sy e faqe definitivisht do ta zhvendosin vëmendjen nga ambienti kulturor dhe do ta kemi "njeriun e ri" (shqiptar) që do t'i ngajë këngëve tallave, që tashmë janë bërë lajtmotiv i përditshmërisë sonë dhe konsum i vetëm dhe i preferuar shpirtëror i "njeriut të ri".
Shkëlzen HALIMI
Sa i përket politikës, ekziston një rregull i pashkruar (që assesi s'mund të jetë i saktë) që thotë se me të, pra me politikë, mund të merren ata që ekonomikisht janë të pasur. Më në fund, këtë e ka dëshmuar përvoja e shteteve më të pasura. Bie fjala, në Japoni, personi që emërohet ministër, pos kapacitetit të dëshmuar intelektual, duhet të ketë dëshmi se posedon pasuri të mjaftueshme. Kushti i fundit imponohet me qëllim që ministrit fare të mos i shkojë mendja për të vjedhur, por të koncentrohet maksimalisht në shërbim të shtetit dhe prosperitetit të kombit. Por, si qëndron puna me politikën në Maqedoni, përkatësisht me politikën që e bëjnë shqiptarët!
Shqiptarët (shumë më tepër edhe të palës tjetër) në politikë hyjnë me të vetmin ideal, që qëndron vazhdimisht në hije, për t'u pasuruar, ndërkaq në plan të parë, por vetëm si formë, qëndron kauza kombëtare. Ky rregull gjithsesi i pashkruar, në të vërtetë është preferenca e fshehur, që realizohet përmes veprimit politik për kinse prosperitetin e shqiptarëve. Më në fund, këtë të gjithë e dinë dhe kjo është dëshmuar me ndryshimet e shpejta që u kanë ndodhur atyre që ose kanë qenë në pushtet ose e kanë kontrolluar pushtetin. Pjesa dërmues për të mos thënë 99 për qind e shqiptarëve angazhohen në politikë vetëm për të gjetur një vend pune ose për të përfituar një privilegj. Kur të gjithë angazhohen për vete, atëherë përse të gjithë këta proklamojnë se angazhohen për të mirën e kombit. Këtë fakt, mbase, më së mirë e ka dëshmuar, por edhe e dëshmon shtegtimi i "politikanëve", duke u endur prej një partie në partinë tjetër (të jesh në opozitë është rëndë), kuptohet duke qenë vetëm përkrah asaj partie që është në pushtet. Po kjo pjesë dërmuese, për të mos thënë sërish 99 për qind e "politikanëve" dhe anëtarëve të partive as që e kanë idenë se çfarë përmbajtje kanë programet e partive ku ata "aderojnë". Çfarë dobie ka politika shqiptare në Maqedoni kur e tërë lufta bëhet për numra e vota! Kur t'i kemi parasysh këto parametrat të profilit të "politikanit" shqiptarë, atëherë na imponohet një e vërtetë që, megjithatë, është e dhembshme: ai hyn në politikë para se gjithash për barkun, sepse për kombin me bark të zbrazur nuk mund të bëjë asgjë, bash asgjë.
Të paktë janë ata që në politikë hynë me qëllime të pastra, me ideal të vërtetë. Sot me politikë më së shumti merren të papunët, ata që kanë kryer vetëm filloren, ata që kohën e mbysin nëpër çajtore, ata që s'kanë njohuri elementare për politikën, por që janë të dëgjueshëm, ata që s'mund ta shkruajnë një fjali në gjuhën amtare...Ndaj, unë personalisht, e kam të qartë se pse politika shqiptare ka arritur në këtë derexhe (të zbehtë) në të cilën sot gjendet. Larg qoftë, nuk them se duhet të jemi si japonezët, sepse ata kanë një qasje krejt tjetër, ndoshta të paarritshëm nga ana jonë, ndaj punës, kombit dhe atdheut. Përkundrazi, është mirë që secili të angazhohet aty ku e ka vendin dhe ku është zot i punës së vet.
Është absurde që të gjithë shqiptarët, i vogël e i madh, të pretendojnë të bëhen vetëm politikanë, aq më tepër kur dihet se mbi 50 për qind e popullatës shqiptare me shumë peripeci e siguron kafshatën e bukës. Politika kërkon individë që kanë kapacitete intelektuale, që kanë ideal të pathyeshëm, që i përkushtohen programit të partisë që përfaqëson, që kanë vizion, që janë në gjendje të sakrifikojnë gjithçka për prosperitetin e kombit. Ai që lufton ditë e natë për ta mundur urinë, vështirë që do të mund të gjejë dy-tre sekonda për të menduar për fatin kolektiv. Por, realisht varfëria mund të tejkalohet, por ç't'i bëjmë një varfërie tjetër: varfërisë intelektuale, që i prodhon të gjitha varfëritë tjera, përfshi edhe politikën aktuale shqiptare, të cilës më së shumti i besojnë pikërisht të varfrit që mund t'i mashtrosh, t'i manipulosh, që shpresojnë dhe ushqehen me iluzione, pa përjashtim të gjithë, se do t'u vijnë pesë minuta kur jeta e tyre do të ndryshojë brenda natës. Ky ndryshim, fatkeqësisht është i rezervuar vetëm për një kaste fare të vogël. Dhe kur dihet se edhe ky numër i vogël mendon për veten, atëherë s'mund të presim që të varfrit me bark të zbrazët të mendojnë për fatin e kombit.
Politika shqiptare ka arritur vetëm në nivelin e një byroje punësimi sezonal për aktivistët partiakë në institucionet shtetërore, ku gjithashtu nuk janë të qetë, sepse për çdo ditë duhet të mendojnë se si do t'ia bëjnë nëse në pushtet vije një parti tjetër: do të mbeten apo do të largohen nga puna. Kjo e fundit deri më tani ka qenë praktikë (a)normale. Dilemën për barkun apo për kombin, lexues të dashur, mund ta zbërthejë secili nga këndi i vet, ndërkaq e vërteta do të jetë një dhe vetëm një: të merresh me politikë të vërtetë, do të thotë t'i përmbushësh disa kushte, kurse kushti i parë është të mos jesh me bark të zbrazur, sepse në një gjendje të tillë nuk punon as truri...
Shkëlzen HALIMI
Parulla e vjetër komuniste "Në emër të popullit", edhe në pluralizëm vazhdon të jetë pjesë e vokabularit të përfaqësuesve të partive politike shqiptare, sidomos në komunikimin me opinionin. Keni dëgjuar e parë, lexues të dashur, se si, shpesh, përfaqësues të grupacioneve të ndryshme, kur kanë nevojë për ndonjë interes të ngushtë, thonë: "e bëjmë në emër të popullit shqiptar". Ose, gjithsesi edhe këtë e keni dëgjuar, se kur dikujt i ndodh ndonjë problem që nuk i konvenon, thotë: "Zoti e ka shkruar"! Gjithnjë gjejnë arsye vetëm për të mos e pranuar përgjegjësinë. Por, a mund kush të tregojë se kur dhe për çfarë është pyetur populli?
Parullën e vjetër komuniste "Në emër të popullit", por në një variant tjetër, e dëgjova edhe nga një përfaqësues i garniturës së re të USHT-së, përkatësisht (siç e prezantoi një kanal televiziv) nga një zëdhënës (sa shumë zëdhënës që kemi), i cili tha: "populli shqiptar i ka kërkuar këto ndryshime...". Sipas një logjike (sille pështille prapë është logjikë komuniste) del se populli shqiptar, edhe në rastin e UTSH-së, na qenka deklaruar absolutisht njëzëri. Nëse nuk përfillet, atëherë nuk është mirë që dikush të tallet me vlerën e quajtur - popull.
Tregohet si barsoletë: në kohën e regjimit komunist në Çekosllovakinë e dikurshme, policia sekrete, pas mesit të natës, kishte shkuar për ta kapur një "armik të popullit", i cili në ato momente kishte qenë në gjumë. "Në emër të popullit, je i arrestuar", i kishin thënë policët. Ndërkaq, "armiku i popullit" kishte pyetur: po, nga e di populli se unë qenkam armiku i tij. Lëreni popullin të qetë, se tash, në këtë moment, është duke fjetur". Kështu veprohej dikur në regjimin komunist, parullat e të cilit regjim i dëgjojmë herë herë edhe sot e kësaj dite.
Ndërkaq sot jetojmë në një realitet tjetër dhe asnjë parti politike shqiptare jo vetëm në Maqedoni, por as në Kosovë, Shqipëri, Mal të Zi e Luginë të Preshevës nuk ka të drejtë të justifikohet, si për të mirë si për të keqe, në emër të popullit. Secila parti qoftë në pushtet, qoftë në opozitë është vetëm përfaqësuese e një vullneti politik të një pjesë të qytetarëve shqiptarë. Kjo është shumë e thjeshtë dhe e qartë për ata që dinë ta bëjnë dallimin mes sistemit njëpartiak (siç ishte komunizmi) dhe atij shumëpartiak.
Po, flasin në emër të popullit e qëndrojnë larg popullit. Në këto kushte të vështira ekonomike, këtu në Maqedoni, më e goditura është popullata shqiptare. Me pak përjashtime, sot familjet shqiptare mendojnë vetëm për një qëllim: si të mbijetojnë, si ta sigurojnë kafshatën e gojës.
Dy ditë më parë, një mik imi më tha: "më duket se vështirësitë ekonomike do të destabilizojë shpirtërisht një pjesë të madhe të familjeve shqiptare. Më keq se sot s'mbaj mend të kemi qenë. S'na bëjnë punët as në politikë, as në ekonomi, as në arsim, as në kulturë...Kurrë më keq".
Që të jetë ironia edhe më e madhe, ata që s'ngurrojnë të thirren në emër të popullit shqiptar, nuk zbresin pranë popullit për t'i dëgjuar hallet e tij, për ta ndjerë dhembjen e tij, për t'i dhënë, së paku shpresë (qoftë edhe gënjeshtër), se e nesërmja do të jetë më ndryshe, më e mirë... Nuk zbresin, se i kanë marrë mandatet për të jetuar në një realitet tjetër, ku interesat e ngushta lehtësisht realizohen ekskluzivisht në emër të popullit të lodhur dhe të dëshpëruar. Nuk zbresin se kanë frikë që dikush mund t'ju thotë: "ju lutem, meqë edhe unë jam pjesëtar i popullit shqiptar, nuk keni të drejtë të flitni në emrin tim, se nuk mendoj si ju".
Duke dashur që ta gjej fajtorin për gjithë këtë katrahurë që ka kapluar pjesën më të madhe të shqiptarëve në Maqedoni, sado që do të tingëllojë me ngjyrime fatale, më rezulton se faji kryesor bie pikërisht mbi vetë popullatën shqiptare, ndonëse ka edhe të tillë që (për t'i mbrojtur reprezentët tanë në pushtet) do të thonë: "e kemi të shkruar nga Zoti". Edhe atëherë kur askush për asgjë nuk e pyet popullin. Ndaj, bashkërisht të lutemi që ta ruajmë ekuilibrin e shpirtit shqiptar. Edhe në këto kushte që dita ditës bëhen më të vështira...
komentet e lexuesve
| 1. | |
| 2. | |
| 3. | |
| 4. | |
| 5. | |
| 6. | |
| 7. | |
| 8. | |
| 10. | |
| 11. | |
| 12. | |
| 13. | |