Besim ILJAZI
Është më se e qartë se raportet brenda koalicionit qeveritarë janë të ngrira dhe kjo të le të kuptosh për një qetësi para stuhisë. Këtë nuk e mbulon as frazeologjia politike me të cilën eksponentët e dy partive mundohen ta kamuflojnë kohë pas kohe. Kësaj i paraprijnë një sërë projektesh mono-etnike, përmes të cilëve shqiptarëve u bëhet e qartë se fryma e Marrëveshjes së Ohrit dhe multietniciteti i Maqedonisë është një përrallë e venitur. Këtë së fundmi po e dëshmon edhe mosfunksionimi i Komitetit për marrëdhënie ndëretnike, e që është mekanizëm kontrollues kundër majorizimit. Përtej deklarimeve politike, rishtazi po provokohen ndjenjat më sublime të shqiptarëve, duke filluar me nënçmimin përmes Enciklopedisë, mësimit të maqedonishtes, evidencës pedagogjike, projektin "Shkupi 2014", diskriminim etnik në investime dhe një sërë incidentesh që kanë parashtesë ndëretnike dhe ndërfetare.
Këto si dhe diskriminimi në projektet tjera ekonomiko-politike të VMRO-së, kanë vënë në sprovë durimin e shqiptarëve. Kjo pakënaqësi e shqiptarëve nuk dihet se sa do të zgjasë, por me siguri edhe shumë, pasi brenda shoqërisë shqiptare ende nuk ekziston një vetëdije dhe mekanizëm i kurajës politike apo qytetare për t'iu kundërvënë të keqes. Në gjithë këtë, ka edhe një të vërtetë, se shqiptarët në Maqedoni kanë treguar se janë mazohistë. Pasi e gjithë ajo pak krenari e rikthyer pas konfliktit të vitit 2001, me ardhjen e VMRO-së në pushtet, u përmbys.
Përderisa durimi politik i shqiptarëve vazhdon, elita politike maqedonase është duke shkuar përtej. Ngadalë por sigurt, në vetëdijen kolektive të maqedonasve po instalon mekanizma të ekskluzivitetit të shtetit, përkatësisë së të mirave ekonomike dhe kulturore. Me anë të taksapaguesve edhe shqiptarë, Sheshi i Shkupit po shndërrohet si Fshati i Potomkinit, kurse gjithandej frymon realiteti dëshpërues i shqiptarëve. Ky diskriminim i elitës politike maqedonase, në vazhdimësi është bërë edhe me asistencë politike të shqiptarëve.
Është më se e qartë se Gruevski po implementon filozofi të etnizimit maqedonas të shtetit dhe të gjithçkaje. Ai në diskursin e tij politik flet për histori nacionale maqedonase, për trashëgimi kulturore maqedonase dhe një sërë përvetësimesh tjera që i atribuohen një etnikumi, duke përjashtuar shqiptarët si pjesë konstituive të Maqedonisë dhe duke shkelur mbi parimet themelore të Marrëveshjes së Ohrit. Madje, që nga ardhja e tij në pushtet në vitin 2006, në mos gabofsha, vetëm në dy tre raste protokollare ka përmendur Marrëveshjen e Ohrit. Në diskursin e VMRO-së ky dokument nuk e ekziston dhe kjo parti që nga fillimi e ka kontestuar atë.
Nga ana tjetër, vetëm BDI thirret në parimet e këtij dokumenti të garantuar ndërkombëtarisht, kurse të gjitha partitë tjera shqiptare kritikojnë për deformime gjatë implementimit. Së këndejmi, jo të rastësishëm janë zërat e fundit për rikonfigurim të ri të marrëdhënieve shqiptaro-maqedonase, që gjithsesi është pasojë e shpërfilljes së shqiptarëve dhe qëndrimit rigid të Gruevskit për kontestin e emrit, që ia ka mbyllur dyert Maqedonisë ndaj integrimit euro-atlantik. Se si do ta tejkalojë Gruevski mllefin e akumuluar të shqiptarëve dhe krizës politike brenda shtetit, mbetet të shihet. Nuk ka shumë alternativa. E vetmja që mund t'i shkojë në favor vetëm atij, ashtu siç bëri edhe para dy vitesh, është të shpallë zgjedhje të parakohshme në vjeshtë, pasi vazhdimisht është në fushatë parazgjedhore.
besim@koha.com.mk
Besim ILJAZI
Nëse në shkencën e psikologjisë mbyllja në vetvete ndaj rrethit definohet si një ndër komplekset shoqërore, këtë më së miri në praktikë e vërteton kryeministri Nikolla Gruevski në relacion me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Kosovën.
Pas kaq muajve të njohjes së pavarësisë së shtetit fqinj, Gruevski me taktikën e tij prej cubi të një mëhalle të izoluar, vazhdon të injorojë vendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Injorimi është veti e të dobëtit karshi ballafaqimit me tjetrin. Gruevski i ka harxhuar të gjitha argumentet për të mbrojtur mosvendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Kosovën. Kurse arsyetimi rreth përshkrimit të vijës kufitare nuk mban më, pasi ekspertët e komisionit të përbashkët që moti kanë thënë se puna e shënimit ka përfunduar. Por, në fakt cila është frika e Gruevskit dhe çka synon ai dhe çka fshihet pas mosvendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Kosovën?
Duke qenë i vetëdijshëm se Maqedonia po e humb garën politike dhe ekonomike me vendet rajonale, respektivisht Shqipërinë dhe Kosovën, Gruevski dëshiron të minojë avancimin politik dhe ekonomik ndërkombëtar të Kosovës, duke u munduar të godasë tërthorazi edhe Shqipërinë si avokate të saj. Gruevski i ka hyrë një beteje shumë të vështirë, thuajse të pamundur, ndërsa është hedhur në përqafim të Begradit zyrtarë kundra Kosovës. Pikëtakim tjetër në rifreskimin e lidhjeve Shkup-Beograd në fund të korrikut, përveç aleancës së përbashkët kundër shqiptarëve nuk mund të ekzistojë. Riaktivizimi i aleancës Shkup-Beograd shkon edhe përtej. Gruevski po bëhet argat në synimin e serbëve jo vetëm kundër pranimit ndërkombëtare të Kosovës, por edhe për të rikthyer dominim ekonomik të Serbisë në rajon. Pasi serbët, së fundmi, përmes një fushate për investime, po orvaten që të sigurojnë dalje edhe në det përmes portit të Malit të Zi si dhe të investojnë në Maqedoni. Investimet e jashtme aq të proklamuara nga Gruevski nuk janë askund. Ndërsa investimet serbe në Maqedoni kanë mbetur si përralla e vetme ekonomike e Gruevskit që do të na i rrëfejë në të ardhme. Ky duhet të jetë kompensimi për investimet serbe në Maqedoni.
Vizita e kryeministrit maqedonas, në Beograd, në fund të korrikut, la shumë pikëpyetje se cila ka qenë axhenda e kësaj vizite dhe çfarë ka biseduar me krerët e Beogradit. Aq më shumë kur nuk pati asnjë përfaqësues shqiptar, ashtu siç praktikohet herë pas here në vizitat qeveritare. Kryeministri Gruevski takimet me lidershipin serb i shfaqi si ekonomike, por në prapaskenë është pjesë e forcimit të marrëdhënieve midis dy vendeve, pas acarimit të tyre vitin e kaluar me njohjen e pavarësisë së Kosovës. Gruevski u tregua skandaloz dhe injorues ndaj Kosovës lidhur edhe me shkëmbimin tregtar në rajon. Ai tha se Serbia është partner kryesor i biznesit, edhe pse shifrat e shkëmbimit tregtar me Kosovën janë tejet të larta dhe se Maqedonia është importuesi kryesor në shtetin e Kosovës. Gruevski gjithashtu ka theksuar se prioritet i Qeverisë së tij është kryerja e ndërtimeve të Korridorit 10, që e lidh Maqedoninë me Serbinë përmes Nishit, e që u shfaq si kundër-lidhje ndaj Korridorit të Tetë që e lidh Maqedoninë me Shqipërinë.
Shtrohet pyetja, nëse këtë betejë ekonomike dhe politike serbët nuk arritën ta realizojnë përmes luftërave të viteve nëntëdhjeta në ish-Jugosllavi, a mund ta arrijnë në paqe? Kjo betejë është gjithnjë e më e vështirë, duke patur parasysh pozitat gjeografike dhe rolin gjeopolitik të shteteve respektive dhe raportet e tyre me fuqitë e mëdha.
Mirëpo, synimi i lidershipit serb me aleatët edhe në Maqedoni, përveç luftës diplomatike për të penguar njohjen ndërkombëtare të Kosovës, së fundmi i ka dhënë për detyrë vetes që të krijojë edhe një baraspeshë të re kundër ngritjes ekonomike dhe politike në Shqipëri, ashtu sikundër edhe në Kosovë, si dhe ndërlidhjes shpirtërore mes këtyre dy vendeve. A është ky fillimi i një faze të re të rikthimit të peshës reale të shqiptarëve në rajon dhe a kanë drojë nga kjo peshë Serbia dhe Maqedonia? Gjithsesi se po...
besim@koha.com.mk
| 1. | |||||||
|
|||||||
Besim ILJAZI
Është vonë, diku rreth mesnatës. Isha shtrirë dhe po lexoja, ashtu siç po e praktikoj kohëve të fundit, pasi jam përshëndetur me televizorin dhe po e shmang totalisht. Po lexoja librin e ministrit të Jashtëm turk dhe profesorit, apo edhe siç parapëlqejnë ta quajnë ndryshe, "Trurit të Turqisë Moderne"-Ahmet Davutogllu. Librin "Transformimi qytetërimor dhe bota muslimane" e kam marrë me alegro, si ushqim para gjumit. Nuk e shpejtoj, por edhe po të dua nuk mundem, pasi në të njëjtën kohë po mundohem ta krahasoj me atë të Hantigtonit dhe historinë pak më të largët të Ballkanit, Evropës, por edhe zhvillimeve të deritanishme botërore. Po mundohem të kuptoj demantimin e tezave të Hantiogtonit rreth fundit të historisë dhe konfliktit të civilizimeve, ashtu siç po thotë shoku im Emin A. se ia ka bërë Davutogllu Hangtingtonit. Nëse kam arritur të kuptoj drejt, Davutogllu po promovon apo tezat e tij kanë të bëjnë me rikthimin e dominimit të Turqisë në vendet i ish-Perandorisë Osmane. Ndoshta edhe ardhja e Pollat Alemndarit këtu dhe dominimit të serialeve turke në Maqedoni është ishareti i parë i synimit të këtij rikthimi. Ku ta dish…?
***
Por jo vetëm kaq, përjashtuar hamendjet, gjykimet ndoshta edhe paragjykimet, libri gjithashtu synon të pasqyrojë civilizimet përballë epokës së re të globalizmit dhe përballjet e tyre me të, flet për marrëdhëniet e reja gjeostrategjike, ripozicinimet e fuqive të mëdha, krizat e aleancave dhe krijimi i atyre të rejave dhe shumë rrahje të tjera rreth pozicionimit të forcave gjeopolitike botërore. Flet për krizën intelektuale dhe intelektualin. Duke u ndalur në momentet e krizave, edhe të atyre shoqërore, Davutogllu thotë se Ballkani për të dalë nga kjo humnerë, duhet të ndërtojë një prototip të intelektualit me besim të fortë në vete dhe me bagazh të madh kulturor. Ajo që më bëri përshtypje, është se në parathënien e librit përmend se çështja më e rëndësishme e qarqeve kulturore në përgjithësi, dhe e shqiptarëve në veçanti, është nxjerrja në skenën historike e një prototipi të intelektualit. Sipas tij, kjo mund të arrihet më një model të ri të arsimit dhe edukatës dhe mbështetjes në një kulturë të shëndoshë. Ne si komb, këta njerëz i kemi të paktë. Në Shqipëri ka qindra, në Kosovë dhjetëra, kurse këtu nuk mund t'i numërosh në gishta, ose është vetëm një ndaj të cilit të gjithë bëjnë me gisht, kurse shumica e përbuzin. Kjo që thotë Davutogllu, më së miri për shqiptarët në Maqedoni është determinuar nga shkrimtari Mehmet Kraja. Ai në një artikull të tij-"Trekëndëshi pa një brinjë", duke artikuluar nivelin kulturor të shqiptarëve, thotë se shqiptarët e Maqedonisë e kanë më së keqi. Fatkeqësisht kjo është kështu!
***
Këto ishin përsiatjet e mia rreth tezave të Davutogllut dhe kësaj të Krajës, derisa nuk më tundi zilja e celularit pothuajse në mesnatë. Më merr një mik i imi. Më pyeti nëse mund të dilja për një kafe, por jo me shumë insistim, me siguri për shkak se ishte shumë vonë. Në anën tjetër të receptorit dëgjoj një zë të njohur që i thotë: thuaj të dalë. Edhe ashtu bëra. U vesha dhe dola. Porosita një espresso dhe ia krisëm muhabetit. Natyrisht se politika është e pashmangshme. Jo se unë parapëlqej të diskutoj rreth politikës ditore këtu, porse aty ishte shqetësimi i miqve. Kishin një hall, por nuk donin ta shfaqnin si të tillë. U interesonte nëse një shok i tyre do të bëhej ministër në Qeverinë e Gruevskit, në një ministri që aktualisht nuk udhëhiqet nga partia shqiptare në pushtet. Ama njëri nga ata më pyet me marifet. Donte të kuptojë nëse unë di gjë për këtë dhe nëse shoku i tyre ishte emri që lakohej për t'u bërë ministër. Me të parën ia preva se ministria për të cilën flet, hë për hë, nuk është objekt diskutimi për t'u drejtuar nga shqiptarët. Kur e kuptoi këtë, atëherë e ndërroi muhabetin. Më pyeti se si mund t'ia bënim disi, që të përmendim emrin e shokut si kuadro shumë i mundshëm për të drejtuar këtë post. Ia preva se kjo është e pamundshme për shumë shkaqe. E para, i thashë se hë për hë nuk diskutohet që shqiptarët të marrin atë ministri që ai thoshte, pasi aktualisht drejtohet nga ministër maqedonas. Dhe e dyta, ne si media nuk mund të përmendim emër konkret përderisa nuk ekziston as indicia më e vogël që kjo do të ndodhë shpejt. I thashë se do të ndërrohen një post ministri dhe një zëvendësi. E sigurova se shoku i tij potencial për t'u bërë ministër është një kuadër dhe menaxhues i suksesshëm, pasi këtë e kishte dëshmuar edhe më parë.
Por, argumentet e mia rreth rikonstruimit të koalicionit qeveritarë ishin të kota. Shoku, i shoqëruar nga miku që më morri në telefon dhe një shok tjetër, vazhdonte të insistonte dhe të më bind, se nuk kisha të drejtë dhe se dita e nesërme do të sillte ndonjë informatë të re, nëse shoku i tij do të bëhej ministër. Tha të përfitojmë edhe ne diçka. Shqetësimi i tij ishte ky, si t'më bëhet shoku ministër?
Besim ILJAZI
Edhe më pak se tre muaj, më 22 nëntor, shqiptarët në Maqedoni do ta festojnë Ditën e Kongresit të Alfabetit. Kjo datë, në të njëjtën kohë njëherit paraqet edhe ditëlindjen (e tretë) të gazetës KOHA. Kjo datë gjithashtu konsiderohet edhe si sinonim që mundësoi përmes shkronjave të unifikuara nxënien e dijes ndër shqiptarët, por nga ana tjetër paraqet edhe një paradigmë historike arsimore dhe atdhetare.
Dhe 101 vite më pas, kjo paradigmë arsimore dhe shumë të tjera pararendëse, rrezikojnë që të shemben si kurrë më parë në historinë e arsimit shqip në Maqedoni. As në kohën e monizmit arsimi shqip nuk ka qenë kaq i rrezikuar, ashtu siç po cenohet së fundmi, me të gjitha nishanet, ashtu siç do të mund të shembte vetëm fisi Zulu në Afrikë.
Mbamendja kolektive shqiptare nuk ka shënuar kaq politizim të skajshëm të arsimit shqip në Maqedoni. Ky është fundi dhe shënimi i vdekjes së kurajës qytetare për të shëruar këtë pjesë të kombit shqiptar. Riparimet e kësaj të keqe do të jenë të ngadalta dhe me pasoja.
* * *
Fenomeni i politizimit të arsimit, në mos gabofsha, filloi pas 2001-shit, atëherë kur në skenë doli gjithë ai kapadaillëk i shfrenuar brenda shoqërisë shqiptare. Atëherë kur kuazi komandantët filluan të përcaktojnë drejtuesit e institucioneve arsimore dhe kulturore. Atëherë kur shqiptarët shpërthyen dufin. Kjo ka qenë kështu dhe s'e luan topi! Kështu është ndoshta në të gjitha shoqëritë post-konfliktuale, mirëpo popujt që dalin nga luftërat çlirimtare kanë mekanizma të shëndoshë në indin shoqëror për të riparuar.
Ne, në vend se të flasim për ngritje të USHT-së pas legalizimit, mund të flasim për degradime. Mund të flasim për diferencime dhe hakmarrje politike ndaj atyre që ndoshta më së paku e meritojnë, bërthamës që synon të krijohet si xhevahir i shoqërisë. Nëse pas vitit 2001 universiteti u legalizua dhe më pas u zgjerua, atëherë ç'na duhet i gjithë ky mllef për revanshizëm politik brenda kuadrit dhe tribalizëm për shembje institucionesh.
Nëse një kuadro në kohë të caktuar e ka punësuar njëra ose tjetra parti, kjo nuk do të thotë se ia ka politizuar shpirtin, por vetëm se i ka ndihmuar të sigurojë ekzistencën materiale. Aq më shumë duke patur parasysh faktin se çdo i diplomuar e din hapin dhe vrapin kombëtar të partive politike shqiptare.
* * *
Politizimi i USHT-së nuk ishte ideali për të cilin flijoi jetën Abdylselam Emini, ky nuk është ideali për të cilin hëngrën qytek në Reçicë, ndjesë pasëshin, Haxhi Latifi i Loçesh, puça Xhemil i Ajetit dhe shumë e shumë pleq të tjerë që kishin dalë të mbronin universitetin atë ditë kur policia maqedonase ushtroi dhunë. Me siguri se ky nuk ishte dhe nuk është as ideali i ish-kongresmenit amerikan, Xhezef Diogardi, që kujtoj atëbotë duke u kthyer nga Gjimnazi i Tetovës, e kishte nxehur masën duke u thënë se është me rrënjë shqiptare dhe se po atyre u takon të mësojnë në gjuhën e vet amtare. Ndërkaq, revanshizmi fatkeqësisht është bartur edhe në shkollat e mesme dhe fillore dhe tani më edhe aty kemi drejtorë partiak. Gjithashtu, gjithmonë në këtë linjë janë bërë edhe shkarkimet dhe emërimet e fundit nëpër shkollat fillore dhe të mesme në Tetovë dhe Gostivar. Me siguri se ky nuk ishte ideali i Gjeneratës së Parnasit, mësuesve të parë që ua mësuan ABC-në shqiptarëve në Maqedoni, e pa kontributin e të cilëve shqiptarët këtu me siguri se ende do të jetonin në mesjetë. Ky nuk duhet të ketë qenë ideali i Mbretit Zog, i cili përmes Ministrit të Arsimit, Ernest Koliqi, kontribuoi që shqiptarët nga Kumanova e deri në Manastir e Ohër të kenë atë pakë dije që e kanë sot. Dhe ne, si dhe sa po e kultivojmë, hë? Rrugëdalja për ndërprerjen e revanshizmit ka mbetur vetëm te intervenimi i përfaqësuesve ndërkombëtarë, pasi partitë politike shqiptare deri më tani kanë dëshmuar se mund ta ndërpresin të keqen vetëm me "kërcënimin" e tyre. Nëse kështu nuk ndodh, pasi mekanizëm tjetër kontrollues s'ka mbetur, atëherë si ia kemi nisur, do të kemi një polarizim dhe përçarje të skajshme jo vetëm në arsim, por edhe në poret tjera, ashtu tipike për organizimet shoqërore më primitive.
besim@koha.com.mk
Besim ILJAZI
Të jesh i marrë nuk është mëkat. Si individ mund të përfitosh edhe benificione shoqërore. Por, ama kur një shoqëri e tërë jeton me kulte marrëzie, atëherë nga po shkojmë? Jemi bërë argat kundër ngritjes sonë kolektive. I ndihmojmë Gruevskit në politikat e tij mono-etnike dhe në përçarjen infra-etnike, brenda nesh. Ai po ia del. Kësaj radhe përmes një ministri që të jep përshtypjen e një teveqeli po rikthen sherrin mes partive shqiptare dhe që është më e keqja, mes botës akademike shqiptare, ashtu siç e kemi. Dhe ja dha dorëheqje, mirëpo gjurmët mbeten.
Për disa ditë kisha hamendje nëse duhet të shkruaja rreth krimit arsimorë në USHT, duke qenë se të gjithë heshtin, ose edhe ata që flasin ndër vete dhe nëpër koluare, ndërhyrjen në USHT e barazojnë me atë paraprake. E bënë ata përpara, le ta bëjnë edhe këta! Nuk më pëlqen kjo logjikë sehirxhinjsh. Deri kur kështu do të bëjmë sehir me shkatërrimin dhe ndërhyrjet arbitrare në institucione që sjellin të mira të përgjithshme. Të mos keqkuptohemi, nuk kam për qëllim të arsyetoj asnjë ndërhyrje, as të parën dhe as këtë tani.
Më shqetëson fakti se marrëzia e partive tona politike për 6 vite nuk mund t'i kuptojë prapavijat e politikës së Gruevskit, ose nëse i kuptojnë nuk mund të parandalojnë dhe ashtu të strukur janë aktorë në teatrin e tij. Kjo që po ndodhë duhet të jetë një rënqethje kolektive për të gjithë ne.
Kësaj radhe, kur shqiptarët pajtohen në një pikë dhe kur kërkojnë llogari për politikën anti euroatlantike të Gruevskit, ai po ua fut një zënkë të brendshme, për t'i shpërqendruar nga kursi properëndimorë dhe nga problemet e brendshme dhe të jashtme që ka vendi. Dhe këtë truk ata e përpijnë, madje në forma të ndryshme edhe e ndihmojnë me politika ditore.
Të gjithë pajtohen se ndërhyrjet e deritanishme në USHT janë shkelje e autonomisë që këtij institucioni i garantohet me ligj. Po askush nuk ndërmerr guximin të ndërpresë këtë tatëpjetë të kurdisur nga Gruevski.
Asnjëherë nuk jam pajtuar me qasjen e propagandës partiake dhe qeveritare se USHT nuk prodhon vlera, madje edhe ata profesorë që ligjërojnë aty të gjithë janë të papërgaditur. USHT e mirë apo e keqe është produkt i ynë. Dhe fatkeqësisht ashtu si edhe shumë gjëra të shqiptarëve, është i varur nga shteti.
Të gjithë kapen për dege e jo për rrënjë! Problemi esencial është te vet mënyra se a kontribuon shteti financiarisht që ky institucion të jetë i barabartë me institucionet tjera simotra. Këtu duhet kërkuar arsyen bazë të funksionimit ose mosfunksionimit të USHT-së, e jo në zhvendosje të problemit në periferi. Të gjithë pajtohen se USHT deri më tani ka funksionuar si ndërmarrje private, ashtu do të funksionojë edhe për shumë kohe me të gjitha ato atribute që ia japim, përderisa shteti nuk e ndihmon të vihet në binare të shëndosha. Aty mungojnë gjërat më elementare me të cilat karakterizohet një universitet, duke filluar që nga kuadrot e deri te kushtet elementare për mbarëvajtjen e procesit mësimorë. Dhe për këtë në esencë fajet i ka shteti, kësaj radhe shteti është Gruesvki dhe ai gjithmonë gjen Hasana dhe Hysena për t'i realizuar qëllimet dashakeqe. Dhe ne kur jemi të pa fuqishëm, e ndihmojmë dhe madje bëjmë edhe sehir në kurrizin tonë!
komentet e lexuesve
| 1. | |
| 2. | |
| 3. | |
| 4. | |
| 5. | |
| 6. | |
| 7. | |
| 8. | |
| 10. | |
| 11. | |
| 12. | |
| 13. | |