Më mirë një kishë,
xhami, apo një hiç
Evis Halili
Të ndërtosh një kishë, apo xhami, ose të dyja bashkë, ndoshta edhe asnjërën. Ndërtimi i të ashqujturave shtëpi të Zotit ka ngjalluar debate te delet e Perëndisë. Disa syresh kërkojnë ndërtimin e një kishe në shëtitoren kryesore të qytetit, të tjerë pak metra më tutje duan të rindërtojnë një ish xhami. Debati zhvillohet mes të "fortëve", ndërsa rindërtimi i objekteve sakralë të vjetra dhe vënia e themeleve atyre të rejave është një tendencë që po shtrin metastazat në gjithë vendin. Por, a ia vlen që debati të jetë kaq i nxehtë dhe histeria kolektive të vjellë vrerin mbi hierarkinë klerikale myslimane, ashtu si edhe këto të fundit mbi të tjerët. Disa organizata joqeveritare që herë shfaqen nën një ombrellë dhe herë tek e tek, iu kundërvunë kreut të BFIM-së për pohimin se nuk i pengon ndërtimi i kishës mbi themelet e shtëpisë së Nënës Terezë. BFIM e prekur nga kjo do të vijonte serinë e akuzave ndaj tyre.
Në dilemën se a duhet të ndërtohet apo jo, të gjithë e parakalojnë argumentin se pse na duhen. Vallë ky vend ka nevojë për kaq shumë nevojë për këmbana e minare, apo për biblioteka e shkolla, parqe, komplekse banimi, shëtitore, kopshte e shkolla, muze, kinema, teatro...Pse shqiptarët duhet të identifikohen pandashmërisht me atë pjesë të trashëgimisë që sa është e tyre, po aq është edhe e të tjerëve. Ashtu si oktapodët janë kapur pas xhamive dhe humbasin përditë e më shumë simbolet e identitetit kombëtar, zakonet, ritet, etnosin… Askujt nuk i bëhet vonë për ata banorë fshatrash të Penestisë që reliktet nga antikiteti i kanë privatizuar, që dekretin e perandorit Vespasian, e ruajnë me fanatizëm në bodrume shtëpish e kopshtesh me zarzavate. Që Instituti i Trashëgimisë po lëngon, që Qendra për Konservim në Gostivar as që i hapi dyert ndonjëherë, që Biblioteka në Tetovë s'kish zot që e ndërtonte….
Një tjetër fakt interesant në këtë debat është indiferenca e të tjerëve. Në debatin mes ortodoksëve sllavë dhe shqiptarëve myslimanë të vetmit pa pretendime janë katolikët. Aty ku do të ndërtohet "Shën Konstandini dhe Elena" ka qenë shtëpia e Nënës Terezë. Shqiptarët e moderuar janë kundër kishës me pretendimin se nuk ndërtojnë në vendin ku po falsifikohet historia. Insistimi maqedonas vazhdon. Vetëm katolikët nuk bëzajnë. Duket se mjaftohen me ato që kanë, ose….
Disa kilometra më tutje zhvendosemi në fqinjin më të afërt, Shqipërinë. Në vend ku dominon besimi islam, por që numëron 638 xhami dhe 1119 kisha.
Shqipëria është vendi që shtetarëve të sotshëm i pëlqen ta quajnë "model i tolerancës fetare", por që sipas të madhit Noli, një tokë ku sundon anarkia fetare, me katër fe të ndryshme që nuk kanë zënë rrënjë në zemrën e një populli pagan.
Sipas një raporti të përpiluar nga komunitetet fetare për objektet e kultit të cilat sa janë në funksion të shërbesave, po aq edhe të artit, vihet re një tjetër "paradoks" që lidhet me katolikët. Edhe pse nuk dominojnë me numrin e besimtarëve, posedojnë numrin më të madh të objekteve sakrale. Në total numri i objekteve fetare të të gjitha besimeve në Shqipëri është 1757. Numri më i madh i objekteve sakrale i përkasin besimit katolik, që për hir të së vërtetës numëron edhe më pak besimtarë. Gjithsej janë 694 kisha katolike, ndërsa besimatët katolikë përbëjnë vetëm 10 për qind të popullsisë. Në vend të dytë për objektet e kultit, por jo të besimtarëve renditet besimi mysliman, i ndarë në disa sekte, por me dy rryma kryesore, synitë dhe bektashinjtë. Xhamitë janë gjithsej 568, ndërsa tyrbet 70. Në vend të tretë renditen objektet e kultit të besimit ortodoks. Sipas Kishës Ortodokse, numërohen 425 kisha. Ndonëse në numrin e këtyre objekte nuk bëjnë pjesë vetëm ato objekte që shërbejnë për ushtrimin e ritualeve fetare, pasi një pjesë e mirë e tyre shërbejnë si vende edukimi për brezat e rinj të klerikëve.
Modeli i Shqipërisë nuk mund të përdoret në Maqedoni. Dhe nuk ka sesi. Por është një shembull. Një kujtesë e vogël. Shqipërinë e marrim si ekzemplar për gjithçka dhe etalon të asaj që dëshirojmë të jetë, ose të bëhet. Identifikohemi me vlerat dhe virtytet e saj, por edhe me veset. Marrin ato që na pëlqejnë, që na përshtaten dhe as që kemi guxim të pëshpëritim ato që s'na vijnë për shtat. Eksperienca e shtetit të tmerrshëm ateist prej vitit 1967, ku xhamitë u shndërruan në hambarë e kishat në kinema, nuk është për t'u hedhur poshtë. Ia vlen të paktën t'i hedhësh një sy, qoftë edhe shkarazi.