Shkëlzen HALIMI
A bëjmë përpjekje minimale që ta flasim e shkruajmë gjuhën tonë ashtu siç e kërkon jo vetëm natyra e saj, por edhe normat e gramatikës shqiptare? Padyshim se parashtrimi i kësaj pyetje bie në rrafshin e turpit, sepse është konsumuar me mijëra e mijëra herë? Është pikërisht realiteti, që për çdo ditë na turpëron, duke na dhënë shembuj, që na çojnë te pyetja e vetme fatkeqe: vërtet, a dimë të flasim dhe të shkruajmë shqip?
Pothuaj për çdo ditë jemi dëshmitarë të një shpërfillje të gjuhës amtare nga ana e përfaqësuesve të politikës shqiptare, të profesorëve universitare dhe të atyre që janë të përfshirë në kategorinë e quajtur intelektualë. Nuk më habit fakti kur shpesh dëgjoj prononcimet e disa nga përfaqësuesit shqiptarë në Qeveri e në Parlament kur, bie fjala, numrin DY assesi nuk mund ta shqiptojnë ashtu siç duhet. Në vend të DY thonë DI. Nuk më habit fakti kur dëgjoj e lexoj fjali shqipe me sintaksë serbe e maqedonase. Nuk më habit fakti (e di se dikush do të thotë nga i nxjerrë ky këto fakte), sepse ndër ne ka shumë politikanë, profesorë e të ashtuquajtur intelektualë që mendojnë turqisht, serbisht e maqedonisht, kurse flasin shqip. Nuk më habit fakti që askush nuk e mbron gjuhën shqipe. Nuk më habit, sepse edhe ashtu gjitha zhvillimet na shkojnë mbrapsht.
Më ka rënë të lexoj dhe vazhdoj të lexoj herë herë tekste të atyre që para emrit dhe mbiemrit të tyre vënë titujt DR e MR. Me pak përjashtime, shumica e këtyre teksteve bindshëm ua demantojnë titujt e tyre. Janë me qindra tekste, që edhe përkundër vullnetit të mirë për t'i bërë sado pak të botueshme, fatkeqësisht përfundojnë në RECYCLE BIN (në kosh). Në kontekst të kësaj, jo një herë jam pyetur, po si i kanë mbrojtur këta "akademikë" titujt e tyre? Shpesh është folur për magjistratura e doktoratura false, të blera ose të kompiluara. Dhe, çuditërisht (duke kaluar përtej dinjitetit, moralit e përgjegjësisë), ata sot i kemi nëpër universitete, nëpër shkolla ku ligjërojnë shqip, ashtu siç dinë, paçka edhe me gabime të pafalshme. Konsumues të kësaj gjuhe janë nxënësit e studentët tanë, të cilëve (sërish me pak përjashtime) po t'u kërkohej një hartim i thjeshtë (si ato për filloristët) do t'u duhej shumë mund për t'i lidhur, qoftë edhe me gabime, pesë fjali të thjeshta.
Të kesh diplomë universiteti, aq më tepër edhe titull akademik dhe të mos dish të flasësh e të shkruash në gjuhën amtare, ashtu siç duhet, kjo është më tepër se absurde. Ndër ta do të ketë (ka) edhe të atillë që (nesër) i mësojnë e edukojnë fëmijët tanë. Dhe mund ta marrim me mend se çfarë do të ndodhë. Janë të paktë ata individë me tituj shkencorë që trajtojnë (së paku në ato pak mediume të shkruara që i kemi) problemet e lëmenjve për të cilat janë specialistë. Ndërkaq, shumica prej tyre jo që nuk duan, por thjeshtë nuk dinë, sepse e kanë barrierë gjuhën amtare, gjuhën shqipe.
Pa dyshim se kjo është pasojë edhe e humbjes së interesit për leximin e librit shqip, që është në krizë të madhe. Nuk do ta teprojmë nëse themi se sot, ndër ne, kemi më shumë shkrimtarë se sa lexues, se kemi tirazhe të turpshme, librari me tituj të shkëlqyeshëm, që nuk i shfleton askush. E tërë kjo na ka sjellë në realitetin e sotëm, i cili dikujt do t'i duket edhe virtual ose edhe i sajuar "nga armiqtë e popullit shqiptarë". Nuk është realitet i sajuar niveli i rënë në zero i arsimit shqip, që ka filluar të japë shenjat e parë të prodhimit të zombit (njeriut pa identitet).
Kjo e keqe shoqërisë shqiptare në Maqedoni, tash për tash, nuk i bën fare përshtypje. Ndaj, si mendon kjo shoqëri të ketë një mendim të pjekur për perspektivën e nesërme? Nuk mjafton t'i biesh me grusht gjoksit dhe të thuash: jam shqiptarë. Sot, kur ekzistojnë shumë rrethana lehtësuese (dikur kishim probleme), mund të thuash se je shqiptarë, vetëm nëse di të shprehesh shqip, di të shkruash shqip, di të lexosh shqip...