Drejtësi e verbër
Ilir IVANOVSKI
E shpejtë, e brishtë dhe e "verbër" ose e stërzgjatur, tepër e shtrenjtë dhe me shumë nerva të prishura. Cila është drejtësia që i nevojitet vendit? Cila është ajo drejtësia që do të kënaqte nevojat e qytetarëve? Të gjitha vlerësimet e faktorit ndërkombëtar, por edhe të sektorit joqeveritar vendas, vazhdojnë të konstatojnë se gjyqësori, ose pushteti i tretë, mbetet hallka më e dobët institucionale. Nuk ka si të jetë më ndryshe. Për të nuk mund të ketë vlerësime dhe cilësime të tjera, nëse merret parasysh se kemi raste që njëzet vite me radhë nuk mund të fitojnë epilog. Nuk mund të jetë më ndryshe nëse merret parasysh se ka lëndë gjyqësore që për transferim nga një gjykatë në një tjetër presin vite të tëra. As që mund të shpresojmë në vlerësime më të mira nëse politika mbetet e pranishme në sallat gjyqësore.
Në një situatë të tillë Ministria e Drejtësisë ka urdhëruar që të përshpejtohet vendimmarrja nëpër gjykatat e vendit. Gjykatësit të përshpejtojnë punën dhe në këtë mënyrë raftet e gjykatave të zbrazen nga lëndët shumëvjeçare. Por, këtu parashtrohet pyetja sa mund të përshpejtohet vendimmarrja me të njëjtat kuadro gjyqësore, me të njëjtin vullnet, me të njëjtat presione dhe me të njëjtën sasi të politikës në sallat gjyqësore. Sigurisht që është për t'u përshëndetur vendimi i ministrisë dhe pushtetit aktual për të përshpejtuar procesuimin e lëndëve gjyqësore, por në rrethana të tilla nuk duhet harruar se drejtësia që mund të vijoj mund të jetë e "verbër".
E keqja në një situatë të tillë është se për ne, qytetarët e thjeshtë, nuk bën as njeri dhe as varianti tjetër. Pra nuk bën drejtësia e sjellë me vrap, por nuk bën as ajo për të cilën nevojiten dekada të tëra.
Më e keqja në këtë situatë, kur duhet zgjedhur midis dy të këqijave, është se ende nuk kanë të ndalur proceset e montuara. Rastet kur duhen zgjedhur viktima. Raste në të cilat dikush do të "kalbet" qelive të burgjeve me qëllim që të kënaqen nevojat e dikujt ose të dëshmohet se shteti i të drejtës funksionon. Shembuj për funksionimin e këtillë të drejtësisë në vend ka plot, por le të përmendim vetëm dy prej tyre. Vite me radhë aktualitetin nuk e humb burgosja e tetovarit Ibrahim Sulejmani. Djali i dënuar për krime lufte është duke vuajtur 15 vjet heqje lirie. Që nga dita e burgosjes, kundër vendimit të gjykatës kanë reaguar dhjetëra subjekte fizike dhe juridike, ndërsa kulmi u arrit kur ish njeriu i parë i Këshillit gjyqësor, majës së pushtetit gjyqësor në vend, pranoi se rasti i të riut nga Tetova është i politizuar. Ishte personalisht Beqir Iseni ai që pranoi se Ibrahim Sulejmani është viktimë e politikës. Rasti i dytë, i cili sipas vlerësimeve të shumta cilësohet si një nga ato në të cilat politika ka futur gishtat thellë, është ai i Sopotit. Në këtë rast që është duke u aktualizuar pas presioneve të familjarëve të të dënuarve, disa banorëve të fshatit Sopot të Kumanovës iu shqiptuan një shekull e gjysmë burg. I përmend këto dy raste për të sqaruar se drejtësia në vend, e atillë siç është për momentin, nuk mund të jetë e shpejtë. Do ta pranonim sikur të ishte e vonuar ose e stërzgjatur, vetëm të ishte e drejtë. Por për fat të keq rastet e shumta dhe burgosjet politike vazhdojnë të vërtetojnë se drejtësia në vend është e padrejtë. Pra, dua të them se të kota janë përpjekjet e z. Manevski për të përshpejtuar punën e gjykatave. Do të ishte mirë që gjërat të mund të rregulloheshin kaq lehtë, por për fat të keq rrënjët e problemit tonë janë tepër të thella që të mund t'i çrrënjosnim kaq lehtë. Prandaj, gjëja e parë që duhet bërë është të hiqet politika nga gjykatat. Në të kundërt mund të flasim sa të duam për drejtësi, të kërkojmë përshpejtim të procesuimit të lëndëve ose të debatojmë për stërzgjatjen e proceseve gjyqësore. Nëse nuk do të hiqet politika nga pushteti gjyqësor drejtësia e vendit do të vazhdoj të dënojë. Kur jemi tek përshpejtimin në zgjidhjen e kontesteve gjyqësore, nuk është keq që t'i kushtohet më shumë rëndësi ndërmjetësimit. Ai nënkupton zgjidhje të kontesteve jashtë bankave dhe sallave gjyqësore, ku palët me ndërmjetësim të ndërmjetësuesit kërkojnë zgjidhje të përbashkët të problemit. Duke marrë parasysh se si funksionojnë punët në gjykatat e vendit, ai do të ishte mënyra më e mirë për zgjidhje të kontesteve civile dhe tregtare. Në kohë kur kontestet që procesuohen nëpër gjykatat e vendit janë të ngadalshme, të shtrenjta dhe të stërzgjatura, ndërmjetësimi zakonisht është i shpejt dhe zgjidhja e lëndëve matet me ditë ose javë dhe jo me vite dhe dekada, si në gjykata. Të mos ishte i mirë dhe efikas ndërmjetësimi nuk do të përdorej në Britaninë e Madhe që në vitin 1913. Disa vite më vonë ai gjen zbatim edhe në SHBA dhe Kanada, ndërsa viteve të fundit gjen përdorim në shtetet fqinje siç janë Bosnja, Shqipëria dhe Serbia.
Pra, kur jemi tek kontestet civile, një nga mënyrat që mund të përdoren për zgjidhjen e tyre është ndërmjetësimi, ndërsa për kontestet penale sistemit gjyqësor i nevojitet intervenim "kardiovaskular". Nevojiten masa sistematike, pasi punët nuk mund të ndryshohen në të mirë vetë me urdhër nga ministria.