Financial markets

PDF  PDF KOHA

Opinione

 | Komente |  
Ndryshime
Ndryshimet janë më se të domosdoshme për secilën shoqëri, pa marrë parasysh nivelin e saj demokratik. Por, ekzistojnë ndryshime dhe ndryshime. Edhe pse janë një fjalë e njëjtë, në praktikë dallimi mund të jetë sa qielli me tokën. Mbase, te një konstatim i tillë mund të arrihet nëse shqyrtojmë fushatën elektorale në Shqipëri që po numëron ditët e fundit. Ndryshimi është motoja kryesore e partive politike atje. Mund të shohim ndryshime nga më të ndryshmet të DOKTORIT, EDIT, të ish-KRYEMINISTRIT, të ish-MINISTRAVE.
S'do mend se një pjesë e madhe e shqiptarëve jashtë shtetit shqiptar, Shqipërinë e identifikojnë me Berishën. Sidomos pas ndryshimeve që ai bëri dhe po bën me vendin. Imazhi i këtij politikani është i pranueshëm gjithandej. Deshtëm apo s'deshtëm ta pranojmë, është një e vërtetë që shihet e ndjehet, se Berisha vërtet e ka ndryshuar Shqipërinë, duke lënë, bie fjala, shumë mbrapa edhe Maqedoninë. Shqipëria tash është pjesë e NATO, është në derën e familjes evropiane, shtet demokratik, me liri të të shprehurit, e lëvizjes së lirë, e qarkullimit të lirë të mallrave, energjetikisht shumë më e fuqishme... Por, ajo që shënon epokën Berisha është rruga Kukës-Durrës, një portë e madhe për shqiptarët, siç themi shpesh, të kësaj ane. Ndoshta për oponentë e tij politik kjo është vetëm një fushatë elektorale, por nuk besoj se nga mendja e secilit shqiptar, kudo që jeton nuk do të mund ta shlyejë momentin e depërtimit të rrezes së parë nëpër tunelin e Kalimashit. Berisha në njërën dhe Thaçi në anën tjetër. Kosova në njërën anë dhe Shqipëria në tjetrën, vetëm për disa kilometra. Muri ra. Një pjesë e shqiptarëve u bashkua. As Rruga e Arbërit që ka filluar të ndërtohet për lehtësimin e rrugës së shqiptarëve të Maqedonisë nuk mund të shlyhet nga mbamendja shqiptare dhe nuk mund të futet në sirtarin e harresës.
Oponenti kryesor i Berishës, Edi Rama, duke iu përmbajtur në mënyrë të përkryer thënies makiaveslite se "Qëllimi arsyeton mjetet", së fundi po kërkon shkëputje nga të gjitha këto ndryshime, shkëputje nga gjithçka që solli Shqipërinë deri në këtë stad. Nga politika 18 vjeçare shqiptare, që sado e mirë apo e keqe të ishte, i forcoi themelet e shtetit demokratik shqiptar. Rama, kuptohet, po promovon ndryshime dhe këtu nuk ka asgjë të keqe. Por, shtrohet një pyetje shumë logjike dhe shumë e thjeshtë: sa i vjetër politikisht është Rama dhe sa mundet që vet ai të bëjë një shkëputje politike nga e kaluara dhe të ndryshojë të ardhmen. Përgjigja është po aq logjike dhe e thjeshtë nëse i shikojmë njerëzit që atë e rrethojnë. Ish-kryeministra, ish-ministra dhe shumë ish të tjerë po aq aktiv në politikë. Gramoz Ruçi, Pandeli Majko, Arta Dade, Namik Dokle... që ishin bartësit kryesore të politikës së kaluar 18 vjeçare. Atëherë ku janë ndryshimet e Ramës? Që e gjithë kjo të marrë një përfundim ashtu siç pretendon Rama, pra të shkëputet nga politika e vjetër, doemos duhet të shkëputet edhe nga njerëzit që ishin protagonistë kryesorë të asaj politike që sot ai e quan të vjetër.
Më vijnë ndërmend fjalët e një miku tim nga Tirana. Në vizitën e fundit në kryeqendrën shqiptare mbeta e fascinuar nga ndryshimet që ishin bërë atje. Koha e vjetër sikur nuk kishte lënë asnjë gjurmë, përveç sheshit që paralajmërohej se së shpejti do të ndryshonte. Derisa po debatonim për këto ndryshime me mikun tim, ia shfaqa konstatimin se Edi vërtet kishte ndryshuar Tiranën. Përgjigja e tij ishte edhe më e shpejtë se konstatimi im. Edi vërtet e ka ndryshua Tiranën, por aq shumë e ka betonuar sa që në të nuk po mund të marrim frymë lirshëm, s'ka ku qarkullon ajri. Tirana është betonuar, më tha ai.
Edi Rama nuk mund të shkëputet nga politika e vjetër, sepse edhe vetë, sado që do të tingëllojë rëndë, është prodhim i asaj politike. Dhe ky konstatim, siç është betonuar Tirana, po ashtu është i betonuar në mbamendjen e atyre që e përjetuan nga afër periudhën 18 vjeçare të "politikës" herë të vjetër e herë të re, varësisht se kush si e percepton. Megjithatë, retorikat e këtilla (për ndryshime) janë normale kur bëhet fjalë për fushatat zgjedhore, sepse është dëshmuar me mijëra herë se "i ha pazari". Se vërtet është kështu, dëshmojnë edhe anketat, të cilat, edhe përkundër arritjeve kapitale të Berishës, dy forcat kryesore, PD-në dhe PS-në, i nxjerrin me një dallim shumë të vogël. Ndryshimet, pra kanë ndodhur, Shqipëria ka bërë hapin më të madh nga të gjitha shtetet tjera të Ballkanit. Dhe prapë, askush nuk mund të thotë qind për qind se do të fitojë.
Për Shqipërinë më me rëndësi është që këto zgjedhje të kalojnë në atmosferë të qetë dhe demokratike, sepse pikërisht nga zhvillimi i këtij procesi do të varet perspektiva evropiane. Kurse ndryshimet, pastaj, vetvetiu do të vijnë...
 
   

Komenti JUAJ

Të dhënat tuaja:

Emri
E-mail
Tel:
 

Kthehu mbrapa

komentet e lexuesve

1.  
 
 
2.  
 
 
3.  
 
 
4.  
 
 
5.  
 
 
6.  
 
 
7.  
 
 
8.  
 
 
10.  
 
 
11.  
 
 
12.  
 
 
13.