Ivanov, Gruevski
dhe Pikaso
Gjorgji Ivanov dhe Pablo Pikaso. Nuk shkojnë bashkë, e di, por janë dy thënie dhe dy njerëz që aq mirë i kanë dhënë përgjigje njëri - tjetrit. I pari, na dha një deklaratë të çuditshme, nga ato që të lënë vërtet gojëhapur. Presidenti Ivanov, do të përgjigjej në një media gjermane se sklupturomania e qeverisë maqedonase që ka kulmuar kohët e fundit edhe me monumente që evokojnë antikitetin, nuk është gjë tjetër por "diçka mes inatit dhe revoltës". Deklarata e marrë në një moment delikat për vendin, në prag të nisjes së negociatave me Greqinë për çështjen e emrit, tingëllon aspak serioze dhe shumë naive për kreun e sapozgjedhur të një shteti të brishtë. Që Gruevski ka kapriço pa fund e dimë të gjithë, por që presidentit të vendit t'i tekej që tekave të Gruevskit t'u përgjigjej me një alamet përgjigje të tillë është e habitshme. Sesi arriti presidenti që milionat e investuara në kulturë, milionat e derdhura për të shkrirë tonelata bronxi, për të përjetësuar lustraxhinj, dema, llastica e të tjera, apo edhe për atë që mezi po e presim monumentin e Lekës së Madh (jo për gjë po se të ëmën e ka biçim shqiptare e për rrjedhojë më shumë sesa maqedonasit, shqiptarët i gëzohen më shumë), është absurde. Ne kujtonim se projektet e kulturës do ta "transformonin" Shkupin në një metropol bashkëkohor, por shpresat Ivanov na i rrëzoi në ujë, me një shprehje të vetme - bëhet fjalë për diçka mes inatit dhe revoltës. Pra, për kulturë dhe art as që duhet të na shkojë në mend. Lajthitja e presidentit, ndoshta ishte e radhës, qoftë edhe nga të fundit (se kuptohet është i ri në detyrë, sa t'ia marrë dorën), sepse gafat diplomatike e shoqëruan që kur vendosi të ulej në kolltukun presidencial. Në deklaratën për javoren gjermane, presidentit seç ia brente shpirtin edhe një brengëzë. Nuk kish hall se mund të ndërrohej emri i Maqedonisë, jo, se punë e madhe. Shqetësimi më i madh ish se ç'do të ndodhte me shqiptarët. "Greqia dëshiron të heqim dorë nga kjo përparësi dhe ta pranojmë emrin Maqedonia veriore, e epërme apo Maqedonia sllave. Nuk e di sesi do të reagonte popullsia shqiptare në Maqedoni kur ne papritmas do të bëheshim Sllavo Maqedoni, dhe do të flisnim gjuhë sllavo maqedone". Kështu shprehet për media gjermane presidenti, i cili papritmas kujtohet se këtu jetojnë shqiptarë, anipse qeveris pa legjitimitetin e shqiptarëve dhe në kurriz të shqiptarëve, se nuk ia begenis presidentët e saj, Sejdiun e Topin, se nuk i intereson as për Marrëveshje Ohri e as për Korniza Djalli. Shqiptarët nuk preken gjithqysh do të quhej Maqedonia. Përderisa nuk quhet Iliridë, Dardani, Penesti...., le ta quajnë si të duan. Shqiptarët janë shqiptarë, kanë qenë dhe ashtu do të mbesin. Nuk kanë probleme me identitetin, as me emrat, as me përvetësimet e figurave. Madje edhe kur i grabisin, janë fisnikë. Nuk merren me çikërrima. S'e di pse, po Ivanov këto ditë po i lakon shpesh shqiptarët, madje po sillet nga pak edhe si shqiptar. Zgjidhja e kontestit të emrit me Greqinë, nuk duhet asesi të prekë në nderin dhe të drejtën e vetëvendosjes së popullit, thotë presidenti. Bukur. Edhe shqiptarët nuk kanë qejf me i prek në nder e besë. Kujtuat se e harrova Pikason? Aspak, e ruajta për në fund.
Për të kuptuar më mirë presidentin dhe për të shpjeguar arsyetimin e tij se skulpturat janë diçka mes inatit dhe revoltës. Po të ish vërte ashtu siç tha presidenti, kjo do të ishte një e vërtetë shumë e hidhur dhe ofezë e rëndë. Ndoshta i vënë në siklet, ka qenë i detyruar të shprehet ashtu, të justifikojë marrinat me një marrinë. Ndoshta i pëlqen shumë kjo ide e glorifikimit të historisë me monumente, por i ka ardhur turp kur gjermanët dhe tërë bota e vunë me shpatulla për muri dhe ka qenë i detyruar të përgjigjet ashtu, për të hedhur lumin. Sido që të jetë dhe çfarëdo të ketë menduar presidenti apo edhe kryeministri, apo edhe të gjitha ata arkitektë të projektit të skulpturomanisë, një vepër arti, flet në mënyrën e saj. "Arti është gënjeshtra më e madhe për të zbuluar të vërtetën", kështu thoshte Pikaso. Dhe duhet të jetë e vërtetë. Fundja edhe po të mos jetë e vërtetë, është një gënjeshtër që na bën të zbulojmë të vërtetën.