Avniu, ky prishës
i rendit shqiptar
Në këtë kohë të pakohë, megjithatë ka edhe lajme të gëzueshme. I diplomuar në Fakultetin e Filozofisë me notë mesatare 10, njëjtë sikurse në Fakultetin e Sociologjisë. Gazetarinë e ka mbaruar me notë mesatare 8.3. Shkëlqyeshëm ka mbaruar edhe masterat e dy fakulteteve në Tiranë. Aktualisht doktoron në Shën Klimentin e Shkupit, ndërsa ka fituar dhjetëra mirënjohje e certifikata nga shumë seminare e organizata të ndryshme.
Bëhet fjalë për një djalë nga Kumanova që, secili që ka bërë dy llafe me të, do ta mbajë mend përgjithmonë. Çudia nuk mbaron këtu. Për Avni Avdiun nga Kumanova, assesi të gjendet një vend pune.
Vend pune nuk pati as në konkurset e Sekretariatit për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit. Sigurisht që me arsye. Kabineti i zëvendëskryeministrit ka menduar për djalin me tri fakultete dhe dy mastera, megjithëse vendimi ka qenë i prerë: Avniu do të kishte prishur balancin e notave mesatare në administratë.
Dhe, përveç administratës shtetërore dhe konkurseve që po shpallen në çdo dy-tre muaj, as Universiteti Shtetëror i Tetovë, e as ai i UEJL, s'kanë vend për të. Bile, as si një asistent i thjeshtë. As shkollat e mesme s'ia kanë hapur dyert.
Avniu nuk mund të gjejë punë për vetëm një arsye. Asnjëherë nuk i ka vizituar shtabet e partive politike. Fati i tij konsiston me faktin që ai, s'mund të pranojë asnjë librezë partie. Kjo është ndershmëria e tij, megjithëse deri tani, është treguar fatale.
Në Kumanovë qarkullon një tregim i lezetshëm për këtë djalë. Deri para pak kohësh, në Entin për punësim kishte qenë i regjistruar vetëm me diplomën e shkollës së mesme. Dhe, derisa paralelisht kishte mbaruar tri Fakultetet, e më pas edhe masterin, kishte vendosur të ndryshojë statusin në këtë institucion. Kur një nëpunëse ia kishte dorëzuar diplomat dhe masterat, ajo e habitur i kishte drejtuar vetëm një pyetje: A mos keni pirë diçka të jashtëzakonshme?
Avniu, po të ishte maqedonas, që moti do të kishim dëgjuar për te. Në secilin edicion lajmesh do ishte "kryelajmi". E keqja e Avniut është se i takon shoqërisë shqiptare. Është vërtetë apartiak.
Ai nuk është i vetëm. Kemi me dhjetëra djemë që kanë diplomuar shkëlqyeshëm dy-tre fakultete dhe që ende kërkojnë një punë për të mbijetuar.
Nuk është e vështirë të kuptohet se kemi të bëjmë me një diskriminim të paparë. Ministritë dhe administrata vazhdon të mbushet me ushtarë partiak. E njëjta gjë po ndodh edhe me institucionet arsimore.
Zërat mediale që shpesh flasin për mungesë transparence në konkurset për administratë dhe në institucionet shqiptare, po shuhen lehtësisht në heshtjen e gjerë të atyre që janë përgjegjës për të bërë transparencën. Dëgjojmë për klasifikimin e konkurrentëve më të mirë. Për një administratë jopolitike. Por, rasti i Avniut dhe sigurisht i shumë të tjerëve, demantojnë këtë transparencë të rrejshme. Zaten, nëse dikush shkelë mbi mundin e personave, ky është vetë shteti dhe institucionet e saj. Kjo po dëshmohet gjatë kohë. Për fat të keq, dukuri të tilla të punësimeve janë frekuente tashmë në të gjitha partitë shqiptare, të cilët nuk po munden të na bindin se angazhohen për një të ardhme më të mirë të shqiptarëve.