Financial markets

PDF  PDF KOHA

Opinione

 | Komente |  
Përle-ja i Komunalecit

Përlen nuk e njoh. Nuk besoj ta njihni as ju, lexues të dashur (pos ata të mëhallës dhe partisë). Për te kam dëgjuar tash së fundi. Përle-ja, siç më thanë, punon në Komunalecin e famshëm të Shkupit, ndërmarrja e vetme për higjienë. Kuptova se qenka punëtorë krahu dhe se, ndonëse me tetëvjeçare të mbaruar, ka pretendime të ngjitet pak më lartë, sepse na qenka aktivist i devotshëm dhe i fuqishëm në vendimmarrjet e partisë. Dhe, me që u përmend Komunaleci, mbaj mend se kur ishim filloristë, prindërit na qortonin: "nëse nuk mësoni, ju pret fshisa e Komunalecit".

***
Për Përlen më tregoi AJO, një mike e shtëpisë sonë, e cila ka kohë që ka mbaruar Fakultetin Pedagogjik në Shkup, por që assesi nuk po mund të gjejë punë të përhershme. AJO dhe AI, bashkëshorti i saj, gjithashtu pa punë, jetojnë në Gazi Babë dhe vetëm ata e dinë se si e lidhin fillimin me fundin e muajit. Por, ajo që më habit te ky çift bashkëshortësh është optimizmi dhe dinjiteti, që për rrethanat e kohës sonë, mbase mund të quhet dinjitet ekstrem.
-Shumë herë më kanë thënë se punë do të gjesh vetëm nëse merr librezë partie, më tha AJO, tek ma tregonte rastin e Përles, që dikur në lagjen e saj kishte qenë fëmija më problematik.
AJO është një nga ata që konsideron (me dinjitet ekstrem) se libreza më valide e saj është diploma e fakultetit, një dëshmi që flet shumë dhe që është superiore përballë një libreze partiake.
-Ç'kohë të vështira që na kanë mbërthyer. Fatin, ekzistencën dhe ardhmërinë ta përcakton partia, tha ajo duke qeshur zëshëm.

***
Të premten e kaluar AJO kishte shkuar te nëna e saj. Rrugës, papritmas, pas shumë kohe kishte takuar Përlen, i cili i kishte thënë: kam dëgjuar se ende nuk ke gjetur punë. Por, mos ke dert, Përla të punëson. Shko në komunë dhe kërkoje L. Tregoja gjithë hallin që ke. I thuaj se të kam çuar unë, Përleja, dhe patjetër do ta gjejë një punë. Kurse AJO i kishte thënë: nuk jam anëtare e partisë.
-Të anëtarësoj unë. Ma fotokopjo letërnjoftimin dhe unë nesër ta sjell librezën e partisë, kishte folur me ngazëllim Përle-ja.

***
AJO nuk është rast unikat me një fat të tillë. Përkundrazi, janë ndoshta me mijëra si AJO, fati i të cilëve varet nga PËRLAT partiakë, zëri i të cilëve dëgjohet shumë larg. Tashmë, ndër ne janë edhe shumë të rinj, të cilët të gërditur nga politikanët e llojit të Përles, humbin dëshirën për të kryer ndonjë fakultet, sepse e dinë që nesër diplomat e tyre nuk do të kenë asçfarë vlere për të gjetur ndonjë vend pune. Nuk duhet fare të habitemi nëse në një kohë të afër shoqërisë shqiptare t'i ndodhë PËRLEZIMI i tërësishëm.

***
Natyrisht, AJO, me atë dinjitetin e saj ekstrem, që i kushton edhe me rrezikim të ekzistencës, nuk e kishte përfillur "ofertën" e Perles.
-Më nuk i përcjelli lajmet e as nuk i lexoj gazetat, sepse dua ta ruaj higjienën shpirtërore nga PËRLAT e politikës aktuale shqiptare, më tha në të ndarë AJO.

***
AJO dhe AI kanë emër dhe mbiemër. Jetojnë në Gazi Babë. Përla jeton afër Bit Pazarit. Unë megjithatë, nuk ua përmenda emrat, sepse kam frikë se ndoshta ua keqësoj situatën nëse eventualisht ka ngelur ndonjë shpresë dhe se diku në horizont do t'u buzëqeshë fati. Ndaj, nuk kisha dashur që unë të jem ai që këtë buzëqeshje t'ua bëj akull.

***
Është shumë e pritshme që Përla, nga një pastrues i rrugëve, me një trevjeçare të kryer disi, nesër të gdhijë në një post të lartë. Ndërkaq, ata që kanë të kryer fakultet e që nuk janë anëtarë partie, po edhe sikur të donin, nuk do të mund as të punojnë si pastrues rruge, sepse sërish do të dalë një Perle tjetër, që do t'ju thotë: s'njoh unë diplomë fakulteti, ma trego librezën e partisë sime. Më kot prindërit do t'i qortojnë fëmijët e tyre, siç na qortonin dikur neve, se: "nëse nuk mësoni, ju pret fshisa e Komunalecit".

 
   

Komenti JUAJ

Të dhënat tuaja:

Emri
E-mail
Tel:
 

Kthehu mbrapa

komentet e lexuesve

1.  
 
 
2.  
 
 
3.  
 
 
4.  
 
 
5.  
 
 
6.  
 
 
7.  
 
 
8.  
 
 
10.  
 
 
11.  
 
 
12.  
 
 
13.