Hip se t'vrava, zbrit se t'vrava
Besim ILJAZI
Përfshirja e shqiptarëve në konsultimet e kreut shtetëror për emrin, është hapi i parë pozitiv që duhet përshëndetur, pavarësisht zhvillimeve te mëtejshme ose kalkulimeve eventuale të VMRO-së. Nëse të gjithë jemi të bindur se zgjedhja e kontestit të emrit me Greqinë u bë parakusht për integrimin e Maqedonisë në strukturat euroatlantike, a ashtu është edhe realisht, atëherë përfshirja e shqiptarëve duhet parë në prizmin e katalizatorit për unifikimin e qëndrimit të Maqedonisë për kompromis
Nëse gjatë gjithë kësaj kohe partitë politike shqiptare dhe opinioni kërkonin përfshirje në kontestin e emrit, tani kur ka ardhur momenti kjo të realizohet , nuk duhet bërë sehir për interesa të politikës ditore dhe të kërkohet "qime në vezë", por nëse mungon guximi për përkrahje, atëherë të paktën të heshtet.
E udhës do ishte që të shprehet ndonjë sugjerim përmbajtjesorë që do të ishte në dobi edhe të shqiptarëve, të cilët tani më kanë përfaqësuesin e tyre i përcaktuar nga vullneti i shumicës së votuesve shqiptarë.
Në kontekst të kësaj, paraqitja e disa subjekteve politike, për të painformuarit, mund të shkaktojnë huti plotësuese, duke krijuar kështu hapësira për manipulime me qëllime jo të sinqerta, gjë që do të krijonte përshtypjen se shqiptarët nuk e kanë të qartë se [farë duan në të vërtetë. Pra, edhe para opinionit të brendshëm dhe ndërkombëtarë do të dilnim joserioz. Nëse deri dje, të gjithë kemi kërkuar që shqiptarët të jenë prezent për vendosjen e çështjeve që na tangojnë edhe neve, atëherë është e pakuptueshme që të dalin zëra se kjo pjesëmarrje nuk na qenka e mirë. Ose pjesëmarrja e një përfaqësuesi shqiptarë na qenka meritë ekskluzive e dikujt tjetër. Merita është e të gjithëve dhe ashtu duhet kuptuar dhe interpretuar. Çdo përvetësim tjetër, do ti shërbente më së paku atij që ndërmerr këtë hap.
Shqiptarët patjetër për ndonjë pikë duhet të kenë konsensus. Me këtë ata do të dëshmojnë se janë subjekt përgjegjës dhe marrin përgjegjësi në vendimmarrje. Tani kur edhe kemi përfshirjen e shqiptarëve, nuk duhet të vendosemi në pozicionin, siç thotë populli, "hip se t'vrava, zbrit se t'vrava", por secili ta jep kontributin e vetë në funksion të ndihmës së përfaqësuesit shqiptar për një kompromis të kapshëm edhe për shqiptarët. Sepse janë pikërisht shqiptarët që deri dje këtë e kërkonin.