Financial markets

PDF  PDF KOHA

Opinione

 | Komente |  
MO nuk është vetëm numra, por shpirt dhe vlerat

Imer SELMANI
Te nderuar dhe shumë të respektuar delegatë të Kongresit, mysafirë të partive politike nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, përfaqësues të korit diplomatik, miq afarist, të nderuar gazetarë, motra dhe vëllezër, Ju falemnderit shumë!
Jam çdoherë i nderuar kur shoh angazhimin e thellë që keni ju në shoqërinë tonë dhe në familjet tuaja. Ju keni bërë një punë të vështirë që sot të kemi sukses, dhe unë mendoj se ne gjithë së bashku po bëjmë një histori. Më lejoni që të përshëndes anëtarët e Këshillit Qendror. Ata janë një grup i mrekullueshëm i prijësve dhe jam krenar t'i quaj shokë dhe kolegë. Edhe më me rëndësi, më lejoni që të përshëndes ata të cilët do të punojnë edhe pa ndonjë titull ose vëmendje të posaçme. Partia jonë është aq e fortë sa i ka këmbët e forta. Dhe ata të cilët do të jenë të kyçur në këshillat lokale, ata të cilët do t'iu flasin fqinjëve dhe shokëve për Demokracinë e Re, janë themeli mbi të cilin është ndërtuar partia jonë. Ju dëshiroj gjitha të mirat sepse ju jeni zemra dhe gjaku i partisë tonë. Liderët shkojnë e vijnë, ne të gjithë jemi të zëvendësueshëm, por ju, fundamenti i partisë tonë, anëtarësia e partisë tonë, jeni të pazëvendësueshëm. Ju jeni forca jonë dhe unë ju falënderoj për këtë forcë! Si lider i juaj, më lejoni t'ju tregoj se çka jemi NE. Ne punojmë për ide, ne punojmë që të ndihmojmë ndërtimin e ekonomisë më të mirë që familjet tona të jetojnë me dinjitet.
Ne dëshirojmë t'i zgjidhim çështjet më madhore kombëtare dhe shtetërore që të bashkohemi në Evropën e zhvilluar dhe të përfundojmë me këtë pjesë të së kaluarës e cila po pengon progresin tonë.
Si parti, ne NUK jemi diktaturë. Ne çdoherë do ta bazojmë partinë tonë në vullnetin e njerëzve dhe vlerat tuaja. Nuk besoj se ndonjë lider partiak ka monopol mbi idetë e mira dhe inspirimin. Ne kemi dëshmuar në muajt e kaluar se nëse ju i besoni njerëzve, mund të ndërtoni parti politike moderne evropiane. Ne gjithmonë do tu besojmë njerëzve që të do të na mbajnë të sinqertë dhe do të na shtyjnë në rrugë të drejtë. Nëse nuk mund t'u besojmë njerëzve që të ndërtojnë parti politike demokratike dhe transparente, atëherë si mund tu besojmë atyre të qeverisin dhe të përfaqësojnë interesat tona?
Ne kemi arritur të paraqitemi dhe të bëhemi një nga partitë kryesore në vend. Kjo është kështu falë lidershipit tuaj dhe integritetit të vizionit tonë. Më lejoni të përmend disa gjëra në të cilat ne fuqimisht besojmë: Ne besojmë në votën e lirë të qytetarëve tanë, pikërisht ashtu siç na votuan në Zgjedhjet Presidenciale para 7 muajve mbi 150 mijë qytetarë me të drejtë vote. Ne besojmë se Maqedonia duhet të punojë më mirë në hapjen e vendeve të punës të cilat paguhen mirë. Maqedonia duhet të forcojë ekonominë e saj që secili të ketë dinjitetin e një jete të hijshme. Shkolla të mira, spitale të mira, ushqim të mjaftueshëm për të ngrënë: nuk kërkojmë shumë! Ne besojmë në fqinjësinë e mirë me të gjithë fqinjët. Ne besojmë në te ardhmen pa alternativë tjetër të vendit tonë vetëm dhe vetëm në NATO dhe ne BE. Maqedonia duhet të jetë shtëpi për të gjithë qytetarët e saj, askush në këtë shtetet nuk duhet të ndjehet qiraxhi dhe qytetar i rendit të dytë.
Ne jemi parti e bazuar kryesisht në bashkësinë etnike shqiptare, por ne kemi përkrahës nga i tërë vendi të cilët ndajnë vizionin tonë për një shtet modern evropian dhe besojnë në rrugën e drejtë të Demokracisë së Re. Ne kemi përkrahës të cilët paraqesin më të mirën e Maqedonisë, të cilët kuptojnë se drejtësia dhe mundësitë janë e drejtë e të gjitha bashkësive etnike në Maqedoni. Ne sot kemi anëtarë dhe përkrahës jo vetëm shqiptarë, por edhe turq, boshnjakë, maqedonas, vlleh, romë, egjiptianë etj. Ne kemi anëtarë të cilët kuptojnë se Marrëveshja e Ohrit nuk ka të bëjë vetëm me numra të të punësuarve, por me shpirtin dhe vlerat me të cilat ne dëshirojmë të udhëheqim shoqëritë tona dhe vendin tonë. Ne kemi përkrahës të cilët janë të vullnetshëm të tejkalojnë zemërngushtësinë dhe mendjelehtësinë dhe të kapin engjujt e mirë të natyrës sonë. Ne e themeluam këtë parti, sepse kemi kapacitetin e bollshëm që të menaxhojmë edhe çështjet më delikate të vendit tonë për ardhmërinë evropiane të familjeve tona dhe fëmijëve tanë. Nuk ka sfidë të pakapërcyeshme, Marrëveshja e Ohrit dhe fryma e saj janë shtylla kryesore e shtetit tonë multietnik, janë baza elementare e të drejtave kolektive të popullit tonë dhe bashkësive tjera. Sot Maqedonia është shumë afër mundësisë që të bëhet anëtare e NATO-s dhe BE-së, por edhe shumë larg nëse mazhoranca aktuale qeverisëse dhe kreu i shtetit nuk tentojnë të tejkalojnë pengesën për emrin e shtetit, në frymën e fqinjësisë së mirë dhe vlerave te larta evropiane. Kam respekt edhe për ata që bile provuan të bëjnë diçka per të mirën e përbashkët. Shumë të tjerë as nuk provojnë, por vetëm rinë dhe ankohen. Unë kam shumë respekt edhe për ata të cilët përkrahin dhe punojnë për partitë tjera politike. Unë me të vërtetë besoj se mund të jemi shumë më të fortë, shumë më avangardë, shumë më të suksesshëm, nëse jemi të bashkuar dhe jo të ndarë. Prandaj, unë i ftoj të gjithë qytetarët e Maqedonisë të na bashkëngjiten në betejën tonë për vend të merituar në Evropë dhe një fillim të ri për qytetarët tanë. Evropa është demokracia, zhvillimi, siguria, mirëqenia ekonomike, barazia kolektive dhe respekti ndaj njeriut. Të nderuara motra dhe vëllezër, a ka dikush që nuk i dëshiron këto vlera për vete dhe familjen e vet? Kjo duhet neve të na shtyjë që të japim maksimumin, të bëjmë zgjidhjen e problemit me Greqinë dhe të vendosim në rrugë të drejtë vendin tonë dhe të ardhmen tonë.
Kaluan 18 vite nga pavarësimi dhe unë tash shoh një shpirt të ri të energjisë dhe optimizmit i cili vjen nga çdo fshat, nga çdo qytet dhe, që është më me rëndësi, nga çdo familje e cila është ngopur me premtime të cilat nuk realizohen, me hile dhe mashtrime të cilat përsëriten, me trazicionin politik dhe ekonomik të pafund. Është detyrë e jona që prej tani e deri në zgjedhjet e ardhshme qytetarëve tanë tu prezantojmë idetë tona. Patjetër duhet t'i ftojmë me plot respekt: "Bashkangjituni në ndërtimin e një Maqedonie më prosperuese, më të drejtë dhe më evropiane!".
Ne do të punojmë me plot besim me secilin që është i lodhur me format e vjetra të kërcënimit, korrupsionit dhe klientelës partiake. Nëse ju punoni me zell dhe luani sipas rregullave, për ju do të ketë vend të respektuar në Maqedoni. Si parti opozitare, puna jonë nuk do të jetë e lehtë. Ne nuk kemi vende pune për të ofruar vetëm e vetëm për interesa personale. Ne nuk mund të japim shërbime vetëm e vetëm për interesa personale. Por ne kemi gjëra që në fund janë më të forta: energji të re, ide më të mira për qeverisje dhe dhjetëra mijëra njerëz të cilët kujdesen për fqinjët e tyre aq sa kujdesen për veten. Disa nga ju mund të jenë të lodhur nga puna e rëndë të cilën e kemi bërë deri më tani, por më lejoni që t'ju paralajmëroj: Puna jonë sapo ka filluar. Ndryshimi asnjëherë nuk është i lehtë. Po të ishte, nuk do të kishim asnjëherë nevojë të formojmë parti të re politike. Por, më lejoni të them: Ndryshimi po vjen! Unë jam i bindur në këtë fakt pasiqë kam besim në ju dhe në dëshirën tuaj për një të ardhme më të mirë. Fëmijët tanë kërkojnë një gjë të tillë. Unë pres t'ju shoh në shoqëritë tuaja dhe t'ju ndihmoj të sjellim ide të reja dhe energji në secilin kënd të vendit tonë.
Të nderuara motra dhe vëllezër, Zoti ju bekoftë juve të gjithëve, Zoti e bekoftë Demokracinë e Re, Zoti e bekoftë rrugën tonë të drejtë. Ju faleminderit!

(Pjesë nga fjalimi i kryetarit të DR-së në kongresin partiak)

 
   

Komenti JUAJ

Të dhënat tuaja:

Emri
E-mail
Tel:
 

Kthehu mbrapa

komentet e lexuesve

1.  
 
 
2.  
 
 
3.  
 
 
4.  
 
 
5.  
 
 
6.  
 
 
7.  
 
 
8.  
 
 
10.  
 
 
11.  
 
 
12.  
 
 
13.  
 
 
13.