Financial markets

PDF  PDF KOHA

Opinione

 | Komente |  
USHT dhe dekorata
Arben RATKOCERI
Në kohën kur në opinionin shqiptar vazhdojnë debatet për maqedonishten që në klasën e parë si dhe kërkohet përgjegjësi nga ministri i Arsimit, Nikolla Todorov, ky i fundit dekorohet nga Universiteti Shtetëror i Tetovës. Madje, kjo dekoratë iu dha nga kreu i këtij institucioni, rektori Reka, për të cilin jo ma larg se para disa ditëve, zgjedhjen e tij ne këtë post, si të dyshimtë, e cilësoi i dekoruari Todorov. Kujtojmë se dekorata është mirënjohje, medalje, urdhër etj., që i jepet dikujt nga ndonjë institucion si shenjë nderimi për arritje të larta ose për merita të veçanta. A di dikush të thotë se cilat janë arritjet e larta apo meritat e veçanta të ministrit Todorov për arsimin shqip?
Është për të ardhur keq se dekorata për ministrin Todorov bëhet nga një institucion akademik nga me elitistët që kanë shqiptarët e Maqedonisë, pa u ditur motivacioni real apo i argumentuar. Nuk e di se si ndihen një pjesë e mësimdhënësve të këtij universiteti, para së gjithash anëtarët e Senatit apo dekanët, në emrin e të cilëve, Todorov tash e tutje, do të mund të mburret me kontributin e tij në arsimin shqip, duke përfshirë edhe legjitimitetin moral të marrë nga vetë shqiptarët përmes USHT-së, për veprimin e fundit të tij rreth maqedonishtes që në klasën e parë.
Edhe nëse anashkalojmë maqedonishtes që në klasën e parë, arsimi shqip i gjitha niveleve kurrë nuk ka qenë më në kaos se sa tash, të paktën në dekadën e fundit, e sidomos kur ministria e Arsimit drejtohet nga të dekoruarit Todorov dhe zëvendësja Qazimi.
Pa dashur që t`i lodhim lexuesit me problemet nga më banalet që i ndeshin mësimdhënësit dhe nxënësit e studentët shqiptarë, edhe pse duket pak ironike, ky dekorim i fundit, ministrit Todorov i bënë me dija se ai ka të drejt dhe është meritorë, jo vetëm për maqedonishten në klasën e parë, por edhe për gjitha ato ankesa nga arsimdashësit shqiptarë që nga kushtet mizerabël nëpër disa shkolla deri te kaosi në USHT. Sa për arsyetimet eventuale banale për kontributin e tij rreth objektit në Gostivar, ky ministër e ka meritën më të vogël, sepse atë projekt e filloi dikush tjetër, kurse përurimi i tij ishte vetëm një koincidencë për shkak të pozitës që ka.
Dy elemente duken pak sa më shqetësuese në këtë rast.
Pa dashur që të futemi në fantazitë e konspiracioneve na habit distanca shumë e shkurtër kohore mes prononcimit të ministrit Todorov për zgjedhje të dyshimit të Agron Rekës në pozitën e rektorit që ky i fundit t`i përgjigjet me dekoratë!
E dyta që ndoshta është edhe më shqetësuesja, heshtja e të tjerëve në këtë institucion, pra të "alamet" intelektualëve që i thonë vetes, pa dashur t'i amnistojmë edhe studentët që, dorën në zemër, janë shumë të zëshëm kur instrumentalizohen nga partitë politike, ndërsa nuk i ke askund për "pisllëqet" që ndodhin në oborrin e tyre.
Kjo dekoratë për ministrin Todorov ka devalvuar aq shumë këtë mirënjohje të USHT-së, sa që të gjithë atyre që kjo u është dhënë më herët në mënyrë të merituar, tani e tutje mund t'u shërbej vetëm si një letër tualeti, që më mirë të mos e kishin marrë fare se sa të jenë në një "thes" me atë që faktet vërtetojnë se falë kontributit të ministrit Todorov, arsimi shqip gjendet në situatën më të vështirë të mundur.
Pas kësaj,USHT-ja nuk do të më habit që në ndonjë situatë të caktuar politike, një dekoratë të tillë t`ia ndaj edhe ish ministrit Lubomir Fërçkovski, i cili e quajti "bebe të vdekur" si dhe drejtoi dhunën, madje duke vrarë shqiptarët që kërkonin legalizimin e këtij institucioni. Ndoshta do kishte mjaftuar në të ardhmen që Lubomir Fërçkovski, si ish ministër i Brendshëm, të deklaron ndonjë të pavërtetë të tipit se "rektori Reka e ka dëftesën e dyshimtë të shkollës fillore", që kjo të jetë e mjaftueshme që edhe ky të radhitet ashtu si Todorov në piedestalin e të dekoruarave të USHT-së
Nga gjithë ky zhvillim banal i këtyre ditëve, pyetja që nuk ka përgjigje është se prej nga ajo e drejte e ai moral që dikush të tallet me USHT, si një institucion që simbolizon çdo gjë për shqiptarët e Maqedonisë.
 

komentet e lexuesve

1.  
 
 
2.  
 
 
3.  
 
 
4.  
 
 
5.  
 
 
6.  
 
 
 | Komente |  
MUZEOMANIA

Arben RATKOCERI
Projekti qeveritar për Muzeun e VMRO-së, që në thelb sipas projektueseve parasheh ti grumbullon në një vend të gjitha personalitetet qoftë negative qoftë pozitive që kanë kontribuar për këtë shtet, përmes statujave, është shembulli më i mirë i politikës maqedonase që thënë shkurt nuk ka as ide as nuk di se çka të bëjë me shqiptarët.
Kur e do nevoja e momentit, shqiptarët nga ana e autoriteteve, as si figura negative nuk lejohen që të jenë pjesë e një institucioni siç është ky Muze, e nga ana tjetër nuk lejon që shqiptarët të formojnë muzeumet e tyre serioze apo hesht për disa kasolle që vetëquhen Muze të shqiptarëve.
Të ishte puna vetëm e Muzeut ndoshta si shumë çështje tjera shqiptarët do t'i kishin mbyllur sytë, por çështja është se e gjithë shoqëria e dirigjuar nga politika me dashje apo pa te, po shkon drejt ndarjes. Shkollat e çerdhet i kemi ndarë, Universitetet po, mediat gjithashtu, e çka jo tjetër… E vetmja që ka mbetur e që duket se po funksionon bashkërisht deri diku është qeverisja qendrore, ku duket se vetëm aty bashkohen shqiptarët e maqedonas për shkak të tenderëve, korrupsionit kriminalitetit…
Por edhe kjo ka rrezik të përfundoj në ndarje, sepse përqindja e ndarjes së parave të tenderëve njërës palë mund ti duket pak dhe shkakun e vërtet do ta kamuflon në mënyrë të mrekullueshme përmes hegjemonizmi dhe nacionalizmi
Ideja e muzeumeve ka ndryshuar shumë nga muzeumet e para që datojnë rreth viteve 1700. Aso kohe, ato ishin të rezervuar vetëm për dhomat e pak zotërinjve të pasur, që mund t'i lejonin vetes luksin e mbledhjes dhe konservimit të disa objekteve me vlerë.
Atëherë mund t'i shijonin vetëm ata, por me Revolucionin Francez, ideja e muzeut ndryshoi, duke e bërë atë më të hapur për popullin, duke qenë didaktik dhe duke i dhënë akses të gjithëve. Në këtë aspekt, muzeu duhet të integrohet duke bërë që pasuria e trashëgimisë kulturore të jetë një rrotull zhvillimi për vendin. Thelbësore të transmetohet "shpirti" i atyre njerëzve që kanë jetuar në këtë territor, i cili është një "shpirt" i ndryshëm nga popujt e tjerë, për shkak të karakteristikave në të cilat është zhvilluar. Vetëm ata që e kanë jetuar, që e kanë dashur dhe që e kanë zhvilluar në kohë dhe hapësirë këtë "shpirt", mund të jenë në gjendje ta transmetojnë atë. Shpreh bindjen se kjo tokë është shumë e pasur në aspektin kulturor, ndaj është thelbësore që këto elemente të transmetohen të publiku, duke "lexuar" në mënyrë korrekte dhe duke zbërthyer të gjitha detajet që vijnë nga e kaluara.
Edhe pse jemi në shekullin 21 dhe themi jemi për integrime në vlerat evropiane e çka jo tjetër, projekti qeveritarë i Muzeut të VMRO-së, karshi shqiptarëve nuk dallon fare nga ideja e Muzeve të shekullit 16 e 17 që i përmendëm më lart.
Deri më tani dihet se në këtë muze vend nuk do të ketë vetëm për personalitete shqiptare, qoftë atyre pozitave, që si të tillë i konsideron edhe historiografi maqedonase por edhe për ata që konsiderohen si negative e që më bollëk janë po në këtë histori.
Thuhet do ketë shtatore të personaliteteve bullgarë, turq, vlleh e sidomos serb të cilët "sagllam" për disa centimetër ka rrezik të qëndrojnë edhe mbi vetë maqedonasit. Kjo flet mjaft.
Nuk do të ndalemi për vendin e merituar që duhet ta kenë në këtë muze personalitete shqiptare, të cilët kanë flijuar edhe jetën për këtë vend,flas vetëm për ata që në këtë mënyrë i trajton historiografia maqedonase sepse tek ajo shqiptare janë më shumicë.
Është e pashpjegueshme se si nuk është gjetur ndonjë skutë p.sh për Ibe Palikuqin, Bajram Shabanin apo Liman Kabën që kanë edhe statusin e heronjve kombëtar ose pjesëmarrësit shqiptarë në Republikën e Krushëvës apo ASNOM-it, si Qemal Agolli të cilit as varri nuk i dihet. OK, janë edhe shqiptarët që kanë flijuar për Maqedoni dhe kjo sipas projektuesve, nuk duhet të potencohet. Ama nëse koncepti i këtij muzeu parasheh që vende të posaçëm do ketë edhe për personalitete negative që kanë dëmtuar Maqedoninë, pse atëherë të paktën nuk është gjendur ndonjë vend për Xhemë Gostivarin, Mefailin e Zajazit apo shumë e shumë të tjerë që nëpër librat e historisë maqedonase janë më shumicë.
Që ky projekt tendencioz të duket edhe më banal, vend për shqiptarë nuk do ketë as në pavijonin e rezervuar për antikomunistët. Është fat i madh që kjo periudhë është më e re dhe të gjithë jemi dëshmitarë se që nga viti 44 e deri te viti 90, burgjet maqedonase kanë qenë përplot me shqiptarë antikomunistë. Shoqata e të burgosurve politik shqiptarë numëron rreth 24 mijë të tillë e disa qindra të ekzekutuar.
Përmes këtij rasti të Muzeut, shihet qartë se shqiptarët në Maqedoni janë në hallë. Ata vazhdojnë edhe më tutje të jenë në dilemën të jenë të integruar madje edhe përmes "pavijonit të figurave negative" apo ti krijojnë muzeumet e tyre.
Në rastin e dytë akuzat për separatizëm nuk do të mungonin ama duket se dikush në elitat politike, mediale apo edhe intelektuale maqedonase ndoshta edhe e dëshiron.
Tjetër shpjegim kjo nuk ka. Të dashur miq në pushtet, ose duhet të na pranoni me të mirat e të këqijat që i kemi ashtu si gjithë të tjerët ose të na lejoni ti bëjmë edhe ne muzeumet tona se ndryshe s'ka kuptim.

Ky opinionin njëkohësisht
botohet edhe në gazetën "Shpic"

 | Komente |  
Kur injoranca fiton kirurgun

Arben RATKOCERI

Kongresi i fundit i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), fatkeqësisht dëshmoi një nga shqetësimet kryesore të opinionit shqiptar në Maqedoni, se shoqëria jonë është e kapur nga "e keqja" dhe e ka vështirë të lirohet nga kthetrat e saj. Këtë të keqe nuk e ndeshim vetëm në këtë parti, por aspak më mirë situata nuk është as në partitë tjera, as në institucionet arsimore, as ato kulturore, sportive e besa edhe në media, sidomos në ato proqeveritare në gjuhën shqipe. Duke u nisur nga një thënie që e kam dëgjuar më herët se "mendjet e mëdha diskutojnë idetë, mendjet mesatare - ngjarjet, ndërsa mendjet e vogla - njerëzit", do të përpiqemi që përmes rastit konkret të anashkalimit të ministrit Bujar Osmani në Kongresin e BDI-së, të kontribuojmë me disa reshta për këtë fenomen, e jo për njerëzit, që rastësisht në këtë shkrim si personazh kryesor paraqitet pikërisht ky ministër. Ministri Bujar Osmani, një kirurg me një CV- briliante akademike, njohës i së paku tre gjuhëve të huaja, më një moshë nën të 30-tat, e çka jo tjetër, merrni me mend, nga dega e Çairit nuk kandidohet për anëtar të Këshillit të Përgjithshëm të BDI-së. Në vend të tij, kandidatë të kësaj dege delegohen persona, që të gjithë së bashku nuk i afrohen as mesatares së nivelit arsimor të ministrit Osmani e mos të flasim për edukatën, karizmën, back-groundin e tij akademik e pse jo edhe familjar.
Që situata të jetë edhe më tragjike, mbi 600 burra e gra të BDI-së, komandantë e profesorë universitarë, nuk ua mbajti ta thonë asnjë fjalë nga foltorja në Kongres, ndoshta jo direkt për Bujarin (jemi të sigurt se si ky rast ka edhe shumë të tjera), por për fenomenin e lënies jashtë strukturave partiake të vlerave, të cilat zëvendësohen me antivlera të dëshmuara, që si kancer po e gërryejnë indin shqiptar në Maqedoni. Shumica e këtyre burrave e grave, duke lënë anash idenë apo idealet siç e kishin edhe sloganin e Kongresit, krejt potencialin e tyre e orientuan tek njerëzit, konkretisht tek vetja, duke marrë pozitat më të mira për plotësimin e nevojave të tyre personale dhe familjare.
"Faji" i vetëm i ministrit Osmani, që nuk e paskan kandiduar, mësohet se paska qenë paraqitja e tij dinjitoze si ministër, niveli i lartë akademik si dhe mos pasje e asnjë "qime", të paktën deri më tani, të ndonjë afere korruptive, ashtu siç i ndjek si hija disa bashkëpartiakë të tij. Kjo e ka dalluar ministrin Osmanin nga të tjerët, të cilët duke shfrytëzuar edukatën dhe kulturën e tij, jo vetëm për ta "përzënë" me forcën e bërrylave e kërcënimeve nga BDI, por edhe duke bërë "hesape" që në fazën tjetër ta bëjnë edhe atë si veten. Tani kryeministrit Gruevski kur t'ia kërkojë nevoja e rejtingut të tij, e ka të hapur terrenin nga vetë BDI, që t'i "zbulojë" diçka ministrit Osmani, që edhe ky të hyjë në grupin e disa "xheparoshëve" dhe funksionarëve të korruptuar të BDI-së, dosjet e të cilëve apo familjarëve të tyre presin radhë në prokurori. Pra, personaliteti i ministrit Osmani paska rrezikuar shumë interesa në BDI, sidomos ata të degës së Çairit, ndërsa kandidimi eventual i tij, do t'i "nxirrte në aut" ata që për momentin e shohin veten zyrtarë të lartë dhe shefa partiakë të tenderëve.
Gazeta "Koha" jo rrallë herë e ka kritikuar ministrin Osmani, gjithnjë në funksion për ta nxitur që të përmirësojë sado pak gjendjen jo edhe aq të volitshme në sferën e shëndetësisë, sidomos në rajonet shqiptare. Dhe jorastësisht këto kritika kanë qenë të fokusuara kundër tij, sepse që nga marrja e mandatit si ministër, binte në sy përgatitja e tij jo vetëm akademike por edhe politike, e pse jo edhe kombëtare, që e bënte të veçantë thuajse nga gjithë ministrat e kabinetit qeveritar të Gruevskit.
E vetmja e mirë në rastin Bujar Osmani është porosia që i dërgohet bashkëmoshatarëve të rinj shqiptarë që kanë një përgatitje të lartë e cilësore akademike e kombëtare si ai, e ajo është që të rrinë sa më larg politikës, sepse rrugët i kanë me ortekë të pakalueshme, duke filluar nga banditët, injorantët që mezi kanë kryer tetëvjeçaren, të korruptuarit e të tjerët si ata. Andaj, ministrit Osmani tani i ka mbetur t'i kthehet bisturisë së kirurgut, ndoshta aty do të lënë të qetë, ndryshe duhet të pranojë që injorantët ta "menaxhojnë" deri në fazën kur të bëhet si ata. Edhe këtu si kirurgë që është mund të kontribuojë tek tenderomanët, duke i furnizuar me mbetjet e synetimeve. E sa për politikë, mosha e tij e re, CV e shkëlqyer akademike, puna si ministër në një koalicion që funksionon sa për të thënë, e ka bërë ndoshta të vetmin, që politika shqiptare, në kohë më të mira, do ta kërkojë t'i kthehet përsëri. Nëse kjo nuk ndodhë, atëherë jo vetëm që do vërtetohet teza se e keqja e shqiptarëve në Maqedoni nuk janë maqedonasit, por vetë injoranca e shqiptarëve, atëherë shoqëria jonë është e dedikuar të fundoset. Dhe punët po shkojnë në këtë drejtim. Të bëhej fjalë për incident, atëherë ndoshta edhe nuk do të brengoseshim fare për rastin e Bujar Osmanit, mirëpo shqetësimi ynë bëhet më i madh sepse përjashtimet dhe incidentet po bëhen rregull e funksionimit të të gjitha institucioneve shqiptare në Maqedoni, duke u nisur nga kopshtet e fëmijëve, e deri në universitetet tona. Për partitë shqiptare, të mos flasim.

 

 | Komente1• |  
Jo tërheqje, por vendim për pavlefshmëri

Arben RATKOCERI
Në këto ditë debatesh rreth "Enciklopedisë Maqedonase", ajo që duket se është më imediate, ka të bëjë me gjetjen e modaliteteve adekuate për përgjigje, por me një kusht që kjo të reflektojë një efekt konkret. Ky modalitet mendoj se duhet të jetë i shtrirë në dy rrafshe, atë politikë dhe atë shkencorë.
E keqja ndoshta qëndron në atë se hapësirat manovruese rreth asaj se çka më tutje janë shumë të limitizuara për shkak të peshës shkencore, po edhe politike që ka ky publikim. Qoftë opinionistët të cilët s'kanë të ndalur duke dërguar mendimet e tyre në gazetën KOHA apo edhe prononcimet tjera si të politikanëve, OJQ-ve dhe intelektualëve të ndryshëm, duhet t'i përqendrojmë idetë tona në kërkesë konkrete, ku në "punë" nuk do hynte as kompromisi eventual.
Në rrafshin politikë është e padiskutueshëm që duhet të insistohet te kreu më i lartë shtetëror të distancohet e ta dënojë këtë publikim, para së gjithash kjo duhet të del nga goja e kryeministrit Gruevski. Për shkak të funksionit që ka, anash nuk duhet të qëndrojë as presidenti Ivanov, anipse të gjithë e dimë se si funksionon ai. Për rëndësinë politike të distancimit dhe njëkohësisht dënimit të këtij nuk ka edhe aq nevojë të shkruhet se kjo çështje është devalvuar aq shumë sa mund edhe të përsëritemi ndoshta me shumicën e atyre intelektualëve apo politikanëve shqiptarë, që dorën në zemër, kur më aktivë se tani nuk kanë qenë.
Sot nuk mund të shkruash pa polemizuar me arsyetimet banale që dëgjohen nga politikë-bërësit maqedonase se "MANU" është institucion i pavarur dhe s'ka çka kërkon politika. Duhet kujtuar ata dhe të tjerët se edhe Adolf Hitleri kishte publikuar librin MEIN KAMPF, por thuajse e gjithë bota dhe pjesa dërmuese e gjermanëve u distancua apo e dënoi këtë libër.
"Targeti" kryesorë i shqiptarëve, sidomos i politikë-bërjes duhet të jetë në shpalljen e pavlefshme të kësaj Enciklopedie apo të paktën të atyre pjesëve që i tangojnë shqiptarët. Nuk mjaftojnë përmirësimet, plotësimet, ribotimi i përmirësuar, tërheqja apo variacione tjera, sepse botimi aktual edhe më tej do vazhdojë të ketë relevancën e vet, pavarësisht se sa janë në qarkullim si numër. Pra, imediate është që të sillet një vendim zyrtarë shkencor si i pavlefshëm po nga institucioni që e hartoi këtë Enciklopedi skandaloze, "MANU", në mënyrë që sado pak të përmirësohet krimi shkencor, që ky institucion, përmes falsifikimit, ua bëri shqiptarëve po edhe të tjerëve. Krahas kësaj, shpallja e pavlefshme e Enciklopedisë parandalon apo e bën të paefektshëm rëndësinë e saj si dokument shkencor jo vetëm tani, por edhe në të ardhmen për këdo që do gjurmojë në Arkiva dhe, me qëllim apo paqëllim, do tentonte që ta shfrytëzojë si dokument shkencoro-historik. Pra, thënë shkurt, vendimi eventual për tërheqje nuk nënkupton mosrelevancën e saj si dokument shkencor, sepse tani më ajo është publikuar. Enciklopedinë si pronë të tyre e kanë arkivat, bibliotekat, universitetet, institutet hulumtuese, media e shumë të tjerë ….
Kjo Enciklopedi nëse nuk shpallet e pavlefshme nga institucioni që e ka prodhuar, tash e një mijë vjet për shumë kënd, sidomos për qarqet shoveniste antishqiptare, do jetë pikë referimi për publikime e debate tjera.
Këtë e parandalon vetëm një veprim i shpalljes së pavlefshme nga institucioni që e ka publikuar, respektivisht Akademia e Shkencës dhe Arteve të Maqedonisë.

 

 

1.  
Komenti:  mendoj se kjo do te ishte zgjidhje per ate qe ndodhi, edhe pse duhet te pajtohemi se me mire do ishte te mos ndodhte, mbeshtes kete teze
Emri:  Belul
Email:  luli_98@yahoo.com
 
 | Komente |  
Ata u bashkuan, e ne ...
Arben RATKOCERI
Isa Boletini u vonua 24 orë për të arritur ne Vlorë me 28 nëntor të vitit 1912 në ditën e shpalljes së pavarësisë, vonesë që si shkaktarë kishte rrugën, e jo luftërat e kohës që Isa bashkë me shokët e vetë asnjëherë nuk diti t`iu shmanget.
Tash e tutja nuk do të ketë më vonesa mes shqiptarëve. Këtë e betonuan përgjithmonë kryeministrat Sali Berisha e Hashim Thaçi. Punët i morën me radhë, kryen pavarësinë e Kosovës, e bënë Shqipërinë anëtare të NATO-s, dhe së fundi bashkimin e shqiptarëve e ngritën nga niveli shpirtëror në atë fizik. Pra, ata punuan që të mos përsëritet rasti i vonesës së Isa Boletinit, por nga Prishtina në Tiranë e Durrës ose anasjelltas, për dy orë, jo vetëm të jenë pjesëmarrës të barabartë në evenimente historike, kulturore, sportive… por thjeshtë, edhe për të pirë kafen e mëngjesit. Definitivisht Berisha dhe Thaçi bënë mrekullinë, dëshmuan patriotizmin e vërtetë, dëshmuan se vetëm dashuria nuk mjafton, andaj edhe sakrifikuan duke i bërë të ditur botës se jemi një dhe s`ka kush na ndalë. Pavarësi, NATO dhe rruga, janë argumentet "që t'i plasin sytë"... Deri sa elita politike në Kosovë dhe Shqipëri si dhe populli shqiptar i këtyre viseve kanë se për çka të krenohen dhe të festojnë, për fat të keq, ne shqiptarët e Maqedonisë pa fajin tonë dukemi si të heshtur e si me faj. Të heshtur se për 18 vite rresht, elitat tona politike nuk arritën që t'i bashkojnë shqiptarët e Llojanit e të Miratocit, Tanushës me ata të Debëlldesë, e lere më ta afrojnë Shkupin e Tetovën me Prishtinën apo Tiranën.
Nuk ishte e rastësishme se dje mungonin vetëm përfaqësuesit e politikës shqiptare nga Maqedonia sepse janë të vetmit, që nuk kanë përgjigje, në pyetjet se pse Tetova e Shkupi vazhdojnë të janë aq larg Tiranës dhe Prishtinës, gati si në kohën e Isa Boletinit. Kjo largësi vazhdon të jetë si para një shekulli, sepse tash e 18 vite asnjë metelik nuk është hedhur në ndërtimin e ndonjë rruge moderne në drejtim të Kosovës apo Shqipërisë, përkundër privilegjit që e kemi nga Zoti që gjeografikisht na ka pozicionuar shumë afër këtyre dy kryeqendrave. Merre me mend, rruga nga Shkupi deri te kufiri me Kosovën nuk është më e gjatë se 20 km, por deri sot, asnjë lopatë asfalt nuk është hedhur, e lere më të zgjerohet apo të ngritet në autostradë. Tetova falë Zotit po ashtu është edhe më afër Prishtinës apo Tiranës, mirëpo përsëri, përveç një parashikimi buxhetor që këtë vit të ndahen ca mjete për mbushjen e disa gropave në rrugën Tetovë-Jazhincë, as që bëhet fjalë për ndonjë rrugë moderne që do të afronte Tetovën me Kosovën, por për atë aktualen, që sipas shumë ekspertëve konsiderohet si "rruga e vdekjes" për shkak të trajektores së saj që kalon nëpërmjet vendbanimeve, ku shumë banorë të tyre kanë lënë kockat. Thuajse gati nga ana shqiptare është edhe rruga e famshme e Arbërit, e cila së shpejti pritet të përurohet. Ajo Tiranën me Dibrën do ta bëjë jo më shumë se një orë, mirëpo Gostivari, Tetova por edhe Shkupi e Kumanova do të vazhdojnë të jenë shumë larg Tiranës, por për të njëjtën, sepse për 18 vite nuk parashihet asnjë mjet buxhetor apo angazhim për gjetjen e donatorëve të huaj që edhe Tetova të lidhet me Tiranën për 1 orë e gjysmë. Vazhdojmë ta shfrytëzojmë rrugën e njëjtë, që në vitet e dyzeta, shkrimtari dibran Haki Stërmilli e pagëzoi si rruga e Arbërit, gjatë kohës që përshkroi këtë trajektore, kur po transferohej nga burgu i Mitrovicës në atë të Tiranës.
Mos të harrojmë se e vetmja rrugë Shkup-Gostivar e ndërtuar pas viteve të 90-ta, ku jo vetëm si autorë por edhe si ekzekutues i ka ndërkombëtarët, se ndryshe të mos ishin këta edhe kjo rrugë do kishte fatin e asaj për Bllacë, Jazhincë apo Dibër, që makineritë moderne do zëvendësoheshin me lopata siç po ndodhë tani. Kemi pas ministra e zëvendësministra shqiptarë, kemi pas drejtorë e zëvendësdrejtorë të Fondeve për rrugë, mirëpo kot, ata duket se në vend që të na afrojnë me bashkëkombësit tanë në Kosovë e Shqipëri, energjinë e tyre e harxhuan për të punësuar ndonjë familjar apo simpatizant partie nëpër "patarina" ose për të rrjepë ndonjë "Lek" nga tenderët e investimeve buxhetore nëpër rrugët e Maqedonisë Lindore apo asaj qendrore. Ndërsa, korridori 8 jo rastësisht nuk po e përmendim sepse u kuptua se kjo është një utopi, nëse sadopak do varej ndërtimi i saj nga ne shqiptarët. Kur dy kilometra rrugë dhe një pikë kufitare nuk mund ta hapim në Llojan për afrim të kësaj zone me Luginën e Preshevës atëherë, projekte madhore të tipit të Korridorit 8 mundet vetëm t`i ëndërrojmë dhe t'ua lëmë si "çejz" partive shqiptare në Maqedoni që të kenë se çka të shkruajnë në programet e tyre paraelektorale.
   

Komenti JUAJ

Të dhënat tuaja:

Emri
E-mail
Tel:
 

Kthehu mbrapa

komentet e lexuesve

1.  
 
 
2.  
 
 
3.  
 
 
4.  
 
 
5.  
 
 
6.