Financial markets

PDF  PDF KOHA

Opinione

 | Komente |  
"Unë jam e vërteta"
Afrim GASHI
Zhvillimi i mendimit filozofik mbi konceptin e fesë ka filluar me krijimin e vetë njeriut dhe asnjëherë nuk është ndalur. Për ta kuptuar një çështje në mënyrë më të drejtë, është e domosdoshme që para se gjithash të kemi një qasje të drejtë. Njeriu është krijesë subjektive ndaj kur vështrohet një çështje e cila mëton të jetë analizuar drejt, subjektiviteti i tij në mënyrë automatike bëhet pjesë e vrojtimit, perceptimit, analizës e pastaj edhe e dhënies së mendimit ose përfundimit rreth çështjes së shtruar për përkufizim. Por, metodologjia moderne shkencore na bën të ditur se nëse e dëshirojmë të vërtetën, atëherë subjektivitetin medoemos duhet përjashtuar në masën më të madhe të mundshme. Këtë e potencoj ngaqë shpesh hasim në përkufizime të cilat shihet qartë se më shumë janë produkt i prapavijës subjektive ideologjike të autorit të ndonjë tekstit sesa produkt i qasjes së drejtë reale të problematikës që shtrohet për diskutim. "Unë jam Zoti" - tha Faraoni. "Unë jam e vërteta" - tha Mensur Hallaxhi. Këto janë thënie të dy personazheve në kryeveprën "Mesnevi" të mistikut të famshëm persian Xhelaludin Rumi-Mevlana. Në shikim të parë duket se nuk ka shumë dallim mes këtyre dy thënieve, por në të vërtetë dallimi është shumë i madh, si i themi shqip - si nata e dita, kemi të bëjmë, pra, me dallim KONCEPTUAL. Kur Faraoni tha "Unë jam Zoti", ai e ngriti egon e tij në piedestalin më të lartë duke mos pranuar pushtet më të lartë mbi të, duke synuar të thotë se "mbi mua s'ka asgjë". Ndërsa kur Hallaxhi tha "Unë jam e vërteta" (që është cilësi e Zotit në kuptimin absolut), ai e përuli deri në maksimum egon e tij duke e konsideruar veten vetëm pjesë dhe vullnet të Zotit dhe asgjë tjetër. Ai deshi të thotë se "unë s'ekzistoj, sepse ekziston vetëm Zoti". Më poshtë në tekstin e tij Mevlana supozon se Hallaxhi shkoi në xhenet (parajsë), ndërsa Faraoni në xhehenem (ferr), duke na dhënë kështu mesazhin se koncepti mbi Zotin, ashtu si e përkufizojmë dhe e interpretojmë ne njerëzit, në shikim të parë mund të duket shumë i ngjashëm dhe i përafërt, por njëri shpie në rrugë të drejtë ndërsa tjetri shpie në rrugë të gabuar. Duke analizuar në mënyrë të drejtë dhe duke e përjashtuar subjektivitetin deri në maksimum, do të orvatem të them diçka mbi zhvillimin e mendimit filozofik mbi fetë. Në momentin kur një trupi të krijuar në mitrën e një nëne i jepet shpirti nga Zoti i tij, ai tashmë është një subjekt i veçantë në univers, ai e ka vëmendjen e plotë të Krijuesit të tij, pa marrë parasysh a është ai i vetëdijshëm për këtë apo jo. Ky relacion i Zotit me krijesën e tij është i pandërprerë. Prandaj, shikuar nga kjo perspektivë, feja në këtë koncept paraqet relacionin më të ngushtë dhe më të drejtpërdrejtë mes njeriut dhe Zotit, ky është koncept universal, i pandryshueshëm dhe hyjnor që është në harmoni të plotë me universin dhe me ligjet e tjera të Zotit. Koncepti tjetër aludon në ndërtimin dhe zhvillimin e vazhdueshëm të konceptit mbi fenë duke u mbështetur në arritjet shkencore, tekniko-teknologjike, rrethanat gjeopolitike, ekonomike, kulturore etj., duke e përkufizuar konceptin mbi fenë si një proces dinamik i cili duhet të mbindërtohet dhe përshtatet ashtu siç ndryshojnë edhe rrethanat e tjera shoqërore. Atë që Mevlana na e prezanton me thëniet e Faraonit dhe Hallaxhit është një përplasje konceptesh që na përsëritet vazhdimisht në historinë e njerëzimit. Shikuar nga ky këndvështrim, nuk mban kërkesa për reforma dhe ndryshime në konceptin universal mbi fenë, sepse ajo është çështje personale dhe intime mes njeriut dhe Zotit dhe në të nuk mund të ketë ndërhyrje, siç ndodh në konceptin tjetër mbi fenë. Reforma mund të ketë dhe sigurisht që ka (ndoshta jo të mjaftueshme), por ato i përkasin sferës së mënyrës së organizmit të jetës fetare, riorganizimit të institucioneve fetare, interpretimit të teksteve fetare etj., por në asnjë mënyrë nuk mund të ndërhyhet në vetë esencën e konceptit. Në këtë kontekst, ekziston një thjerrëz tjetër që e thyen dritën në pikën e rreme duke dhënë fotografi të gabuar në pasqyrën që po e vëzhgojmë. Në të vërtetë, mashtrimi qëndron në përzierjen e tezave se koncepti mbi fenë dhe mënyra e organizimit të jetës fetare është një trajtë e njëjtë. Disa mendimtarë i barazojnë këto koncepte, andaj dhe fotografia u del e shtrembëruar. Teza që shtrohet vazhdimisht në këtë perspektivë është se feja islame duhet riorganizuar dhe reformuar duke e krahasuar atë me shembullin e feve të tjera, si ajo krishterë që është e organizuar me Papatin në Vatikan. Mandej, sipas tyre, ajo është edhe arsyeja kryesore pse nami i keq i ka kapluar myslimanët, ngaqë mungon një Halif (me fjalor të krishterë - një papë), një organizim i denjë i botës islame e cila do ta zgjidhte kaosin e krijuar në këtë pjesë të rëndësishme të globit. Ky gabim gjithmonë bëhet duke i barazuar myslimanët me islamin, të krishterët me krishterimin, hebraizmin me hebrenjtë dhe ortodoksinë me ortodoksët. Feja është një, ndërsa pasuesit e asaj feje dhe mënyra e organizimit të jetës fetare janë një gjë krejt tjetër. Shembulli i hoxhës Duka është një rast shumë i përfolur dhe i debatuar kohëve të fundit në nënqiellin shqiptarë. Ai është një hoxhë nga Elbasani i cili kishte ndërtuar një xhami në një fshat në Skenderaj dhe kishte predikuar fenë islame sipas mënyrës që ka preferuar ai, duke refuzuar që xhamia e tij të bëhet pjesë e Bashkësisë Islame të Kosovës, i cili është institucioni i vetëm legal i organizimit të jetës fetare në Kosovë. Pas kësaj merret vendim që, në bashkëpunim me organet komunale, shtetërore e ndërkombëtare (EULEX), ky hoxhë të largohet nga Kosova. Ky rast vërtet është një indikator i mirë për të na rrëfyer situatën histerike në të cilën gjendemi. Megjithatë nuk arrij ta kuptoj aspak sesi mundet që një rast i tillë i lokalizuar në një fshat të Kosovës të gjeneralizohet e të marrë përmasa globale, botërore për prezantimin e gjithë islamit. Nëse një njeri bën një vepër që është në kundërshtim me rregullat dhe ligjet e një vendi, ai duhet të ndëshkohet sipas procedurave të parapara dhe aq. Asnjë njeri, asnjë hoxhë, asnjë kryetar bashkësie fetare apo asnjë imami nuk i është dhënë e drejta ekskluzive të përfaqësojë islamin dhe askush nuk ka të drejtë që, për gabimet e bëra nga këta apo nga pasuesit e tyre, ta fyejë, ta shtrembërojë, ta etiketojë e ta satanizojë fenë. Sa për të krahasuar këtë situatë, po jap shembullin e videos, tashmë të famshme, të publikuar në "youtube" ku ndër të tjerash, protagonisti Dom Anton Kçira thotë: "Ne nuk e kemi merituar lirinë nga Beogradi. Ashtu siç i rrjepi 260.000 mijë qej Millosheviqi në Bosnjë, nuk kishë bërë asgjë më keq po t'i të rrjepte edhe 1.900.000 qej në Kosovë" (mbase duke aluduar në myslimanët kosovarë). Përkrahësit e konceptit universal mbi fenë për këtë deklaratë do të thoshin se për të është përgjegjës vetëm personi në fjalë dhe askush tjetër.
 
 | Komente |  
Sfida neoosmane
Afrim Gashi
Para disa ditëve në Sarajevë u mbajt "Konferenca ndërkombëtare mbi trashëgiminë osmane", në të cilën pjesëmarrës ishte edhe ministri i Jashtëm turk, Ahmet Davutogllu. Fjalimi i tij me titull: "Trashëgimia osmane dhe bashkësitë myslimane në Ballkan" ngjalli një kërshëri jo të zakonshme në qarqet diplomatike, por edhe te mendimtarë e intelektual të ndryshëm nga rajoni dhe bota, ndër të cilët edhe te i yni, Arbën Xhaferi. Kërshëria e tij u shkri në një shkrim të botuar gjithandej mediave të shkruara shqipe, me titull "Sfida osmane". Ndërsa po ky shkrim ngjalli te unë kërshëri për të debatuar në temën e rrekur nga dy autoritet e përmendur më lart. Në fillim dua të shpreh mirënjohje dhe respekt për kapacitetin intelektual të z.Xhaferi për të gjitha shkrimet e tij të publikuara dhe për mënyrën e artikulimit të ideve të tija në shtyp, me çka po len një pasuri rrallë të krijuar të mendimit filozofik, politik e kombëtar ndër shqiptarët e Maqedonisë e më gjerë.
Duke analizuar këtë shkrim në mënyrë racionale erdha në përfundim se ngjyrosja ideore dhe kualifikimet e shënuara ndaj fjalimit të z.Davutogllu nga ana e z.Xhaferi do të kishin marrë një kahe krejt tjetër, nëse do ishte qasja ndaj idesë së tillë, e një këndvështrimi tjetër. Në fillim të tekstit jepet një pasqyrë e zhvillimeve të ngjarjeve në ish-Jugosllavi në fund të viteve të 80-ta, ku në veçanti përshkruhet propaganda serbe ndaj çështjes boshnjake dhe shqiptare duke keqpërdorur përkatësinë fetare të këtyre dy popujve në kuadër të Jugosllavisë, për të realizuar idenë e tyre serbomadhe. Mirëpo, epilogu i kësaj ideje është në përfundim e sipër. Të gjithë jemi dëshmitarë për rezultatin e asaj propagande. Si duket, z.Xhaferi ende ndikohet nga ajo propagandë, duke tentuar të distancohet nga çdo ide e cila do të mund të asoconte në propagandën serbe. Mendoj se kjo është e panevojshme në konstelacionet e tashme gjeopolitike dhe më shumë është refleks i një të kaluare të hidhur të shqiptarëve në ish-Jugosllavi. Kjo është një arsye që më duket se ia ka rënduar, madje edhe shtrembëruar atij fotografinë që ka për idenë e z.Davutogllu.
Arsyeja tjetër që, sipas mendimit tim, ka krijuar perceptim joreal është qasja fukujamiste ndaj kësaj ideje. Tërë tekstin e përshkon kjo frymë e cila konsideron çdo koncept tjetër të ristrukturimit të Ballkanit, si të harxhuar dhe të vonuar madje edhe te pamundur për realizim, madje ai konsideron konceptin e ministrit të Jashtëm turk si naiv dhe nostalgjik. Këto janë perceptimet e mia mbi qasjen e z.Xhaferi ndaj idesë davutoglliane, por megjithatë për perceptimet është rëndë të gjykohet, andaj ta shtjellojmë temën qendrore të dy mendimtarëve për të cilën edhe dua të debatoj.
Çështja dhe problematika kryesore sillet rreth idesë qendrore të z.Ahmet, e ajo është se Ballkani duhet të kthehet në qendër të politikës botërore e jo të jetë zorrë-qorre e politikës europiane. Distonia e kuptimit të idesë së z.Davutogllu nga ana e z.Xhaferi, qëndron në mënyrën e elaborimit dhe në të perceptuarit e kësaj ideje. Në fakt z.Davutogllu, kur flet për historinë e artë të Ballkanit nuk pretendon se kthimi i perandorisë osmane (lexo: Sfida Osmane sipas z.Xhaferi) është mënyra se si do të duhet të kthehet Ballkani në qendër të politikës botërore, por ajo është vetëm një dëshmi se në këto troje kur dikush tjetër, me një mënyrë tjetër ka qeverisur, punët kanë shkuar ndryshe. Ai pra (Davutogllu), historinë e Ballkanit në kuadër të Perandorisë Osmane e shfrytëzon vetëm sa për të ilustruar se ajo ka funksionuar shkëlqyeshëm 5 shekuj me radhë, por koncepti i rendit të ri, sipas tij nuk duhet të jetë pikërisht ai i Perandorisë së atëhershme Osmane, por një rend i ri i bazuar në vlera universale, moderne, humane të bazuara sipas tij në tre pika elementare që janë karakteristika të Ballkanit që janë: 1. Pozita gjeostrategjike e Ballkanit; 2. Ndërveprimi ekonomik dhe 3. Ndërveprimi kulturorë.
Andaj unë them se sfida të cilën e hapi në Sarajevë z.Davutogllu është një sfidë neoosmane, jo osmane, siç thekson z.Xhaferi. Davutogllu nuk kërkon kthimin e Perandorisë Osmane, por kërkon një mënyrë tjetër të funksionimit të rendit të ri ku postulatet elementare të atij rendi të ri do të formulohen në bazë të vlerave universale të pranuara sipas gjitha standardeve dhe konventave të kohës por me shpirtin e asaj Perandorie që ishte shumë e suksesshme sidomos në planin e bashkëjetesës së komuniteteve të ndryshme që përbënin një hapësirë multietnike e multikonfesionale në kuadër të asaj Perandorie. Në realitet, ideja e Unionit të sotëm Europian a nuk bazohet në milet-sistemin e Perandorisë Osmane? Ku popujt një pjesë të integritetit që ka të bëjë me politikën e jashtme dhe çështje tjera të rëndësishme e bartin në nivel qendror ndërsa çështjet lokale mbesin nën kuadrin e secilit popull(shtet) nën integritetin e tyre të plotë. Nëse shikohet me syrin objektiv, shumë më rëndë ka qenë të besohet se dy shtete e kombe që masakroheshin mes vete me vite të tëra si gjermanët e francezët, do të mund të jenë bartës të një koncepti për një Union si ky i BE-së, por ne jemi dëshmitarë se ky projekt pas shumë viteve, pas shumë mundimeve, pas shumë investimeve, me tërë ato transformime që nga organizata e parë e përbashkët për çelik dhe thëngjill e deri më Bashkimin Europian çfarë e njohim sot, po realizohet dhe po jep frytet e veta. Pse mos mund të realizohet një koncept i cili veç më dihet se ka funksionuar. Dhe kur jemi te milet-sistemi në Perandorinë Osmane, më duhet ta demantoj z. Xhaferi kur thotë se shqiptarët nuk kanë pasur statusin e miletit në kuadër të Perandorisë Osmane. Për pozitën e shqiptarëve në këtë Perandori ka shumë fakte historike, lista prej 35 vezirëve shqiptarë duke filluar që nga Davud Pasha (1482-1497) e deri te Mehmed Ferid Pasha - Vlonjaku (1903-1908) ndoshta është vetëm një ilustrim i vogël për të dëshmuar këtë pozitë. Pastaj letërkëmbimi mes Kemal Atatrukut dhe mbretit Zog në vitin 1934 ku ndër tjera thuhet: "Ne e duam popullin shqiptarë dhe ju njohim si vëllezër tanë. Seriozisht dhe prerazi duam t'ua bëjmë me dije se dëshirojmë që ju si shtet dhe si popull të jeni ndër popujt më të fuqishëm të Ballkanit"- thotë Ataturku, ndërsa mbreti Zog kështu përgjigjet: "Pesë shekuj me radhë unitetin e popullit shqiptarë e ka mbrojtur Turqia. Pa Turqinë, Shqipëria nuk do të mund të shpëtonte nga presioni i sllavëve... ekzistencën tonë ia kemi borxh Turqisë" - ky letërkëmbim është një argument për marrëdhëniet shqiptaro-turke edhe pas rënies së Perandorisë Osmane. Ndërsa akraballëku si terminologji dhe si koncept që z. Xhaferi e përmend u zhvillua shumë më vonë pas rënies së Perandorisë Osmane. Nëse lexohet me kujdes shkrimi i z.Xhaferi mund të shihet se ai idenë e z.Davutogllu që në fillim e minon, duke mos i lënë hapësirë të qartësohet e të elaborohet, edhe pse vetë e titullon shkrimin e tij mbi idenë e z.Davutogllu si: "Sfidë..." ku vetë ky term në vete ngërthen një proces që duhet të zhvillohet, të cilit e ardhmja nuk i dihet. Idenë e z. Davutogllu ai e sulmon duke i veshur vetëm anën emocionale, kurse nga ana tjetër vetë parashtron disa pyetje shumë të rëndësishme, si p.sh:
- si do të realizohet
- çfarë do të ndodhë me trashëgiminë e Ataturkut
-Edhe nëse ndodh kjo mrekulli, atëherë si do të arrihet pajtimi ndërmjet popujve të armiqësuar përjetësisht?
- Si të harmonizohen këto dy pretendime antagoniste turke, anëtarësimi në UE dhe ringjallja e Perandorisë Osmane, madje qoftë vetëm të frymës së saj?
Pa mos ua ditur përgjigjen këtyre pyetjeve nuk mund edhe të sulmohet një ide apriori.
Në fillim duhet të konstatojmë se ideja e shpaluar nga ana e z.Davutogllu në Sarajevë nuk është elaboruar, andaj konstatimet të cilat i derivon z.Xhaferi se tezat janë radikale, nuk qëndrojnë. Ai, duke dashur të japë pasqyrë të një fatamorganeje idesë se z.Davutogllu i qaset nga këndi i tezës radikale. Nuk mund të ketë tezë radikalë deri sa nuk kemi tezë të zhvilluar plotësisht, për momentin kemi vetëm një ide dhe ideja është fisnike, por tentimi për ta përshkruar atë se z.Davutogllu kërkon një shtet i cili do të shtrihet nga Bosnja e deri në Afganistan, nuk mbajnë. Me këtë ai fut në kurth lexuesin duke ia shfaqur "shtetin e Davutogllut" si shtet ku bashkërisht do të jetojnë talebanët e shqiptarët. Mandej, z. Xhaferi është skeptik se sllavët do të pranonin një "ide të shumëkulturalizmit, nën patronazhin turk". Por përgjigjja më e mirë në këtë skepticizëm është teksti i botuar pikërisht nga një maqedonas, Stevo Pendarovski (ish këshilltar i kryetarit të shtetit për Siguri Nacionale) në "DNEVNIK" më 28.09.2009 me titull "Otomoanët e ri po vijnë", ku ndër të tjera ai shkruan: "Dihet se Otomanët e vjetër pa ftesë u kanë ardhur mysafir. Nëse ia dëshironi të mirën shtetit tuaj, Otomanët e rinj duhet që vetë t'i ftoni në muhabet. Liderët e Turqisë së sotme janë të vetmit që mund të bisedojnë edhe me Hamasin edhe me Hezbollahun, edhe me sunitët edhe me shiitët. Për këto punë, që sot nuk mund t'i bëjë as Amerika, më i merituar është vizioni i Davutogllut". "... po ky njeri nga institucione prestigjioze perëndimore emërohet si "Kisinxheri turk...", "... redaktori i CNN Turk ka bindje se ai është këshilltari më me ndikim në historinë e diplomacisë turke...". Kështu pra, perceptohet ky njeri në qarqet diplomatike perëndimore. Po edhe vetë z.Xhaferi në hyrje bën një përshkrim të vogël figurës së tij: "ai është njëri nga intelektualët më brilant jo vetëm i Turqisë, por i të gjithë botës islame. CV-ja e tij intelektuale është mbresëlënëse". Por kur përmend veprimtarinë e tij: "Paradigmat alternative", "Transformimi qytetërues dhe bota islame", "Thellësitë Strategjike", 'Kriza globale"- thotë se janë botuar në shumë gjuhë të botës natyrisht edhe në anglisht, por harron të potencon se po këto libra janë të përkthyera edhe në gjuhën shqipe (përveç Thellësitë Strategjike" që është në përkthim e sipër) dhe se lexuesi shqiptarë ka qasje direkte në botëkuptimet dhe vizionet e Davutogllut për të ardhmen.
Ideja e z.Davutogllu nuk përkon me kthimin e Turqisë në histori duke vënë në pikëpyetje trashëgiminë e Ataturkut, por ai mëton të ngërthen tërë trashëgiminë historike e kulturore të të gjitha kohërave të këtij nënqielli duke ngërthyer këtu edhe periudhën e Ataturkut, dhe me gjithë atë bagazh historik të marrë përgjegjësinë për të krijuar një rend të ri, një sistem të ri të funksionimit të bazuar në vlera dhe standarde universale.
Në interes të zhvillimi të këtij debati dhe për të sqaruar më mirë pozicionimet dhe botëkuptimet tona rreth kësaj ideje të z.Davutogllu, unë po e pyes të nderuarin z.Xhaferi:
- Si është e mundur që një njeri çfarë e përshkruajtët ju vetë në shkrimin tuaj në fjalë siç është z. Ahmet Davutogllu (si akademik, si intelektual, me gjithë ato vepra të shkëlqyera, me gjithë atë peshë të rëndësishme në krijimin e politikave të shtetit më demokratik të botës islame), të mund të shtrojë një ide kaq të madhe e ta mbështesë atë vetëm me motive, siç thoni ju, "retorike-emotive" dhe atë ta bazojë vetëm "mbi argumentet nostalgjike" - siç thoni ju? Dhe po këtë ide ta shpalosë pa u shqyrtuar gjerë e gjatë në të gjitha instancat e krijimit të politikave ndërkombëtare të shtetit të tillë siç është Turqia me gjithë kapacitetin që ajo ka?
Në shkrimin e tij z. Xhaferi përshkruan edhe këtë:
- Në pyetjen e gazetarit, se për kë bënte tifo në ndeshjen e futbollit ndërmjet Turqisë dhe Bosnjë - Hercegovinës, z Davutogllu tha se zemrën e paska të ndarë dhe fjalinë e përfundon me "ne e mundëm ne" (vetveten). Me këtë fjali ai merr një duartrokitje të gjatë nga auditori.
- Ai, pohon se integriteti territorial i Bosnjës është njësoj i rëndësishëm sesa i Turqisë.
Bazën e konceptit të idesë se tij si një "sfidë neoosmane", Ahmet Davutogllu e shpalosi duke përfunduar fjalimin e tij kur i dha përgjigje pyetjes më joformale në lidhje me tifon në ndeshjen futbollistike mes Turqisë dhe Bosnjës, pra duke thënë: "Ne e mundëm ne (vetëveten)" - Ai tha fjalinë kyçe dhe sipas meje ngjyrosi konturat e konceptit të tij për ardhmërinë e këtij rajoni në veçanti dhe të botës në përgjithësi. Ky është një koncept multilateral e jo unilateral siç thekson z.Xhaferi, ky madje është një koncept unik, i bazuar në vlera të përbashkëta dhe sistem të unifikuar të ndërveprimit kulturor e ekonomik. Ky është një lajtmotiv, Kjo frazë sipas meje do të jetë pandan i thënies së Martin Luter Kingut: "I have a dream". Të jesh i madh siç është Turqia dhe të barazosh veten me Bosnjë e Hercegovinën e vogël, është koncepti i ardhmërisë për drejtësi, barabarësi, humanitet e solidaritet. Andaj, unë mendoj se z.Davutogllu dhe shteti turk, jorastësisht zgjodhën pikërisht Sarajevën të fillojnë të shpalosin këtë ide, në Sarajevën multietnike e multikonfesionale, aty ku bashkëjetojnë historia e famshme e Perandorisë Osmane bashkë me konceptet moderne të civilizimit Perëndimor. Thonë, historia përsëritet, ajo është vërtetuar shumë herë në historinë e njerëzimit, si duket edhe në këtë rast do të ndodh e njëjta, Davidi, si duket përsëri do ta mundë Golijatin.
   

Komenti JUAJ

Të dhënat tuaja:

Emri
E-mail
Tel:
 

Kthehu mbrapa

komentet e lexuesve

1.  
 
 
2.  
 
 
3.  
 
 
4.  
 
 
5.  
 
 
6.  
 
 
 | Komente |  
Violina e çakorduar
Afrim GASHI
Protestave të përditshme të grupeve të ndryshme para qeverisë po ia shoh sherrin edhe unë. Ato i kanë nxitur neuronet e mia që të marshojnë prej trurit të vogël e deri te korja e trurit të madh me ankesën e vetme se i kam bombarduar duke dëgjuar vetëm një instrument dhe një tingull - "violinën e çakorduar". Neuronet e trurit tim të angazhuara për të perceptuar tinguj nuk kanë fare faj, ngase unë kohëve të fundit po dëgjoj dhe shikoj shumë lajme që transmetohen nëpër mediat tona dhe për këtë shkak te unë është ngritur kryengritja e neuroneve që janë duke luftuar për të drejtat e tyre. Unë nuk jam si Maqedonia e vitit 2001 që t'i quaj ata terroristë e banditë, as vjedhës e as vrasës, por po veproj si të isha shteti më demokratik në botë - ju them se ata kanë plotësisht të drejtë për këtë kryengritje dhe se fajtorë për gjithë këtë jam pikërisht unë. Në fakt unë jam vetëm fajtorë indirekt, ngase informacionet e sferave të ndryshme që po dëgjoj çdo ditë i ka nxitur neuronet e mia në këtë "kryengritje". Me faj direkt apo indirekt, unë duhet si e si ta zgjidh këtë problem, duhet ta shuaj disi këtë "kryengritje". Mora rrugën një ditë nga Ohri, që në dialog me qelizat e mia nervore ta përpilojmë një marrëveshje kornizë me qëllim të shuarjes së kryengritjes së tyre në lidhje me padrejtësinë që ua kam shkaktuar, andaj dhe i pyeta se cilat janë kërkesat e tyre. Ato kërkuan që marrëveshjen e bërë me to në Ohër ta implementojë pa asnjë ndryshim, e jo rrugës duke ardhur nga Shkupi, aty te kthesa në Kërçovë, të bëjë ndërhyrje në ligjin e gjuhës e pastaj në hyrje të Tetovës ta ndryshojë preambulën dhe kështu në çdo ndalesë të pagesave rrugore të ndryshojë nga ndonjë amendament të marrëveshjes sonë. Ah çka janë këto neuronet e mi! Nuk ju kanë ngjarë fare subjekteve politike shqiptare. Po të ishte ashtu, unë do ta kisha shumë lehtë - edhe do ta shuaja kryengritjen edhe kur do të arrija në Shkup nuk do ta kishin fare të qartë se çka jemi marrë vesh.
Kërkesa e tyre e dytë është që ta ndërpres urgjentisht përcjelljen e punës së partive politike shqiptare, ngase kjo reflektohet te ato sikur e dëgjojnë tingullin e violinës së çakorduar. U mundova t'i bindë se ai tingull që vjen nga çiftelitë dhe sharkitë e shahirëve tanë ju duket si i tillë, ngase instrumentet e tyre janë jo shumë të reja, se për shkak të krizës ekonomike globale s'kanë mundur të sigurojnë më të mira, pastaj u thashë se bashkëqytetarët tanë maqedonas kanë probleme me intonacion dhe nuk po munden ende mirë ta interpretojnë këngën e tyre të identitetit dhe të emrit, andaj edhe këto çiftelitë tona po shkojnë pas gajdes së tyre, por megjithatë argumentet e mia nuk u morën në konsideratë. Ata kishin këmbëngulur se ai tingull vjen vetëm nga violina e çakorduar dhe se do ta shuajnë "kryengritjen e tyre" vetëm nëse unë ia bëj hallin këtij tingulli. Me këtë më vunë në pozitë të palakmueshme dhe nuk kisha alternativë tjetër, pos t'u premtoj se më nuk do t'i detyroj ta dëgjojnë atë tingull. Në botën e artit muzikor tingulli i violinës së çakorduar është sinonim i tingullit që shkakton rrëmujë në pjesën e trurit që është përgjegjëse për pranimin e zërave. Thuhet se kur u bihet telave të çakorduar të violinës me dorezën e saj, nuk ka njeri që nuk neveritet nga ai tingull. Kjo gjendje e këtij tingulli ma kujton situatën politike në të cilën gjendemi kohëve të fundit në të cilën ka aq shumë lajme, aq shumë situata e aq shumë veprime politike të cilat kur i pranon një "vesh", shkaktojnë apati, defetizëm, pesimizëm, zhgënjim e dëshpërim. Shfletoni gazetat tona, lexoni artikujt e analistëve të ndryshëm politikë dhe do të hasni në gjendjen emocionale të shqiptarëve të cilën e përmenda pak më lart. Prandaj kujtoj se është koha e fundit që të fillohet të dilet nga kjo situatë. Ata që ia kanë mësyer të merren me politikë, le ta dinë se ky popull nuk ka më kohë për t'i dëgjuar violinat e çakorduara. Ato që mëtojnë të jenë bartës të përgjegjësisë kolektive shqiptare le ta dinë se popujt e tjerë tashmë i kanë formuar filarmonitë e tyre dhe në mënyrë maestrale po e orkestrojnë të ardhmen e popujve të vet. Është koha e fundit të braktisen çiftelitë e vjetra që prodhojnë zërin e violinës së çakorduar, është koha kur duhet të mendohet për formimin e orkestrës sonë e cila do të dijë se si duhet orkestruar politikisht në këto kohë. Brenga ime është se nëse vazhdojmë në këtë mënyrë dhe me këtë temp ta prodhojmë zërin tonë politik, do të mbetemi edhe gjatë kohë nën hijen e orkestrës maqedonase duke qenë të vendosur në radhën e fundit të saj, ku është e parëndësishme se si e çka interpreton. E kur ata ta ndalin zërin, do të dëgjohet vetëm zëri ynë i violinës së çakorduar. Instrumentet muzikore janë të lloj-llojshme: çiftelia e fyelli janë nga më të thjeshtët, ndërsa instrumentet e reja, të përpunuara nga arritjet më të fundit të botës së teknologjisë, si sintisajzerët e ndryshëm etj., janë më të komplikuara. Ndonëse nuk është me rëndësi në cilin instrument luan, por me rëndësi është të kesh vesh muzikal që të mund të akordosh instrumentin tënd me qëllim që tingullin që e prodhon të jetë i kapshëm për veshin e pranuesve të atij tingulli. Andaj edhe politikanët tanë nuk është me rëndësi çfarë instrumenti posedojnë, por me atë që e kanë duhet të dinë të akordohen mirë që të mund të prodhojnë tinguj të bukur, tinguj të cilët jemi duke i pritur dhjetëra vite.
Ju lutem kini pak sens për muzikë!!!