Financial markets

PDF  PDF KOHA

Opinione

 | Komente |  
KORNIZA

Arbën XHAFERI

Më 13 gusht bëhen 9 vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit, një dokument që ndërpreu një luftë që sot e kësaj dite nuk dihet pse filloi, por dihet pse dhe si u ndërpre.
Shumë kush përpiqet të depërtojë te misteri i kësaj ngatërrese, por vështirë do të arrijnë ta ndriçojnë, ashtu si atentatin kundër ish-presidentin maqedonas, Kiro Gligorov. Sa për ta gudulisur imagjinatën do përmendja edhe vdekjen aksidentale të ish presidentit maqedonas, Boris Trajkovski i cili, sa ishte i gjallë, përbuzej nga miq e armiq dhe kur ndërroi jete u mitizua, së pari nga opozita dhe pastaj nga të tjerët, në fund edhe nga bashkëmendimtarët e tij politikë. Mitizimin e tij e filloi në mënyrë inteligjente ta përhapë opozita për të ikur nga dyshimet bezdisëse. Vetëm shqiptarët mbetën indiferentë, mbase, për shkak të mungesës së informatave, nuk dinin çka po ndodhë në realitet.
Sot, edhe pas 9 vitesh, konfuzioni por edhe dyshimet lidhur me konfliktin e 2001. vazhdojnë të thellohen, mbi të gjitha për shkak të shpjegimeve naive dhe tallëse: kryengritja paskësh filluar për ta penguar marrëveshjen Georgijevski- Xhaferi për ndarje të Maqedonisë! Mua ky argument më duket i sajuar nga disa hokatarë që nuk e njohin mirë mendësinë e shqiptarëve të cilët kurrë nuk do të merrnin pjesë në një kryengritje motivesh të këtilla. Fundja, komunikatat e para nuk jepnin sqarime të këtilla, ngaqë rrallë kush do t'i përgjigjej një kushtrimi të këtillë. Madje, marr guximin të shtoj se shqiptarët e Maqedonisë me siguri masivisht do të merrnin pjesë në një luftë që do të pengonte ndarjen e Kosovës sesa të Maqedonisë. Natyrisht se këto pohime mbështeten në intuitën politike, në të ashtuquajturën inteligjencë emotive që heton se diçka është apo nuk është në rregull me argumentimin.
Nëse këto ngjarje dramatike që e shoqërojnë Maqedoninë prej themelimit të saj, antagonizmat e skajshme lidhur me ekzistencën e saj si shtet, si komb, si gjuhë, si histori, pastaj problemet me kohezionin e brendshëm që shfaqet si antagonizëm i pashërueshëm ndëretnik, përfundimisht luhatjet lidhur me aleancat gjeostrategjike nuk mund të dëshmohen drejtpërdrejt, atëherë duhet kërkuar metoda të tjera që hedhin dritë mbi këto zhvillime.
Shumë studiues të historisë janë të një mendimi se zanafillën e ngatërresave të ndryshme rreth Maqedonisë duhet kërkuar te anulimi i Marrëveshjes së Shën Stefanit( 1878) nga ana e Kongresit të Berlinit(1878) ku u mor vendimi që territoret, të ashtuquajturës Maqedoni Antike t'ia kthejnë Perandorisë Osmane me qëllim që të mos lejohet zgjërimi i Bullgarisë(Rusisë) në qendër të Ballkanit.
Interesat e ndryshme gjeostrategjike, ekonomike, kombëtare në fund nxorën idenë për themelim të një shteti të ri që do të merrte rolin e amortizatorit të përplasjeve të interesave të ndryshme. Kjo ide pati një vonesë të arsyeshme, por megjithatë u realizua. Në Jugosllavinë e Dytë u formua një republikë ku maqedonasit fituan mundësinë që t'i realizojnë idealet e tyre. Por cinikët parashtronin një dilemë sfilitëse: a mundet një komb historikisht "inekzistent" të ketë ideale kombëtare? Ose: a e formoi ideali kombëtar shtetin apo shteti(interesat gjeostrategjike) e formoi kombin!? Popujt që sot kontestojnë diçka nga qenia maqedonase janë ithtarë të opsionit të dytë: shteti e paska formuar kombin.
Këto përimtësime nuk do të kishin vlerë sikur të mos bëhej fjalë për një metodë të të vepruarit politik që arsyeton zgjerimin: krijohet një identitet i ri etnik, pastaj kërkohet territori ku do të ndërtohet shteti për të. Pra me formimin e Jugosllavisë, në këto hapësira u vendos një inkubator që sajonte tipare etnike, që listës së ngjashmërive shtonte tipare që veçonin, duke krijuar identitete të reja, fillimisht etnike, pastaj edhe kombëtare. Grupi i ri etnik, pos vullnetit politik nuk kishte realitet, ose argumente historike, të atilla që dëshmojnë ekzistimin e tij ndër shekuj. Kjo lehtësi që shfaqet si përpjekje për shpikje të kombeve të reja, natyrisht se lë pasoja në planet tjera. Sa për të mos harruar, këta inxhinierë etnikë tentuan që edhe me shqiptarët e Jugosllavisë të bëjnë një eksperiment të këtillë, të formojnë një komb të ri.
Në Jugosllavi, por edhe gjatë një periudhe më të gjatë historike zhvillohet antagonizmi serbo- shqiptar në të gjitha rrafshet. Po ashtu në Jugosllavi heshtur, por në vazhdimësi përcaktohej linja ndarëse ndërmjet popujve me origjinë etnike dhe atyre që cilësoheshin si kombe politike. Maqedonasit, malaziasit, boshnjakët, deridiku edhe sllovenët të cilët, në fazat e ekzaltimeve nacionaliste kroate quheshin "Alpski konjushari"(timarxhinjtë alpinë), i takojnë grupit të popujve me identitet politik. Nga aspekti teorik s'ka asgjë të keqe nga të qenit popull politik. Të tillë ka shumë, madje edhe SHBA-të, ashtu si Franca paraprakisht, kanë pranuar këtë zgjidhje që funksion si më mirë.
Nga ana pragmatike kjo përzierje e mënyrave të ndërtimit të kombit dhe te shtetit, përplasjet ndërmjet parimit etnik dhe atij politik, që krijon hapësirë për ekspansion dhe hegjemoni, ngushton mundësinë për zgjidhje të antagonizmave të tjera ndëretnike, veçmas të atij serbo-shiptar.
Pra, problemet lindin kur ngatërrohen parimet. Maqedonasit refuzojnë zgjidhjen politike të çështjes së identitetit dhe ngulin këmbë në tezën se ata janë etnikisht maqedonas. Njëkohësisht ata, popujve që kanë identitet të verifikueshëm etnik dhe janë shtetas të Maqedonisë u ofrojnë variantin politik të kombformimit, atë variant që ata vetë e refuzojnë. Përfundimisht, të gjitha këto përplasje, megjithatë burojnë nga shteti që shpesh herë është jo luajal ndaj shqiptarëve dhe të tjerëve.
Kjo kakofoni ligjërimesh antagoniste krijon konfuzion edhe te faktori ndërkombëtar. Për të pasur një zgjidhje sa më të qëndrueshme ata ofrojnë kategorizimin e nocioneve që kanë një semantikë të kuptueshme për ta. Prandaj në negociatat e Ohrit përdorën nocionin "kornizë" që do të thotë se Maqedonia do të ekzistojë në këtë kornizë që e ka. Politikanët maqedonas e dinë fare mirë domethënien politike të fjalës"kornizë"(maqedonisht "ramka", anglisht "framework"). Nocioni "kornizë' atyre ua siguron ekzistencën gjeostrategjike: në Europën jug-lindore është krijuar një shtet i ri, një kornizë që askush nuk mund ta eliminojë, madje edhe vetë maqedonasit. Për popujt që bëjnë vërejtje dhe shfaqin rezerva ndaj shtetit të ri, faktori ndërkombëtar u ofron zgjidhjen brenda kornizës. Ta thjeshtoj shpjegimin: deri më tani maqedonasit fituan kornizën, shtetin unitar, ndërkaq shqiptarët shansin që një pjesë të brendshme të kornizës ta përshtatin interesit të vet, të drejtën për diversitet që garantohet me veton etnike(koncept i demokracisë konsensuale). Por, jo vetëm klasa politike, por edhe shumica e maqedonasve refuzojnë të pranojnë e lë më zbatojnë një marrëveshje të këtillë. Bie fjala të majtët maqedonas kërkojnë që të nënshkruhen marrëveshjet tjera ndëretnike, sipas insistimit të faktorit ndërkombëtar, të sigurt se do të gjejnë metoda se si ta pengojnë zbatimin real të Marrëveshjes së Ohrit. Ata këtë edhe bënë gjatë qeverisjes 2002-2006. Të djathtët, kryesisht hapur konstatojnë se pas "Marrëveshjes së Ohrit" më nuk do të ekzistojë ajo Maqedoni që ata dikur e paskan njohur. Qeveria e sotme përmes nacionalizmit të tyre klerikal aq shumë përhapin simbole nacionale dhe fetare, saqë i përmbysin të gjitha simbolikat tjera, kryesisht të shqiptarëve.
Kryeministri maqedonas ka marrë një vendim që t'i sfidojë të gjithë me qëndrimin e tij radikal: faktorin e brendshëm, atë të jashtëm, profesionistët, krijuesit etj. Z. Gruevski ka gjetur shtegun për t'i sendërtuar ëndrrat e fëmijërisë së tij, por jo vetëm kaq: ai me këto veprime i teston limitet e durimit të të gjithë faktorëve, veçmas të shqiptarëve. Ai jo vetëm që nuk mendon ta implementojë Marrëveshjen e Ohrit, por atë e ka shndërruar në floskulë diplomatike, që në mungesë të temave të tjera përdoret si uratë, apo si mallkim. Nuk mbaj mend asnjë diplomat të mos e ka përmendur togfjalëshin "implementimi i Marrëveshjes së Ohrit". Kjo temë dhe kjo frazë tashmë, pos misionit hakmarrës dhe tallës ka humbur çdo kuptim. Marrëveshja nuk implementohet ngaqë askush nga faktori i huaj nuk tregon gatishmëri që të hapet çështja që mezi u mbyll. Por ku të kërkohet zgjidhja? Te kontestimi i paluhatshëm i varianteve që nuk përputhen me Marrëveshjen e Ohrit si dhe zgjerimi i mëtejmë i të drejtave sipas frymës së marrëveshjes. Çdo kompromis me ngushtimin e të arriturave sipas kësaj marrëveshjeje, përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe, përfaqësimi adekuat, përdorimi i plotë i mekanizmit të konsensusit, zbatimi i ligjit për amnisti etj. do t'i trimërojë edhe më shumë nacionalistët maqedonas që kanë humbur sensin e realizmit: ata ndryshojnë të kaluarën, historinë, përvetësojnë ngjarje dhe personalitete, sfidojnë durimin jo vetëm të shqiptarëve, por edhe të UE-së, SHBA-së, NATO-s, luajnë me alternativat gjeostrategjike etj. Për ata që nuk i kuptojnë këto mesazhe kanë ofertë tjetër, atë të gurtësuar, urbanistik, SHKUPI 2O14, Aleksandri i Madh tok me Qirilin dhe Metodin dhe një varg "dejcash" (veprimtarësh) të periudhës së rilindjes(?!) hedhin vallen e lumtërisë së amshuar sipas koreografisë së kryeministrit Gruevski. Sipas të gjitha gjasave kemi të bëjmë me një pansinkretizëm që shfaqet në të gjitha fushat: politikë, histori, art etj. Si duket ekipi i kryeministrit pandeh se nocioni "sinkretizëm" ka konotacion pozitiv.
Parimi kryesor në Marrëveshjen e Ohrit është kërkesa që koncepti i shtetit ta pasqyrojë karakterin, realitetin multietnik të shoqërisë. Ky parim ka më shumë peshë se çdo nen i Marrëveshjes së Ohrit, ngaqë rregullon çështjen e barazisë në çdo segment. Ky parim mund të shërbejë si standard edhe për interpretimin e neneve dualiste brenda Marrëveshjes së Ohrit. Bie fjala në Kushtetutë, gjuha shqipe trajtohet si gjuhë zyrtare, ndërkaq në ligje ajo segregohet në krahasim me gjuhën maqedonase.
Inkoherenca të kësaj natyre ka shumë dhe nuk nevojë të shpenzohet kohë dhe mund për analiza të përsëritura.
Problemi kryesor nuk është një person politik që përpiqet ta rishkruajë historinë sipas nevojave të sotme, por te një politikë që shënon vazhdimin me konceptet dhe atavizmat që paraprakisht e patën shpërbërë Jugosllavinë.

 
   

Komenti JUAJ

Të dhënat tuaja:

Emri
E-mail
Tel:
 

Kthehu mbrapa

 | Komente |  
Feja, religjioni...

Arbën XHAFERI

"Lindja është karrierë", pat thënë jo pa ironi, kryeministri i dikurshëm britanez, Benxhamin Disraeli. Në atë kohë çdo perëndimor, prej diplomatit e deri te aventuristi bënin karrierë Lindje, të përshkuar me rrëfejza romantike. Si duket tani është përmbysur situata: shumë lindorë, për një grusht të hollash mund të bëjë karrierë në botën perëndimore, veçmas në mjedise shoqërore ku mungon qartësia për zhvillimet historike.

Keqpërdorimi i lirisë

Këto ditë, në fshatin Marinë të komunës së Skenderajt, një person me mjekër që tipizon identitetin e tij fetar, përkatësisht sektar, u arrestua dhe pastaj u deportua në Shqipëri si shtetas i saj. Policia kosovare e zbatoi urdhrin me korrektësi dhe profesionalizëm. Shumë qytetarë të Kosovës janë të brengosur nga dilema: a është ky një incident i rastësishëm apo, duke marrë parasysh tensionimet globale, paralajmëron se dikush ka interes të madh që të mos pajtohet me ndërhyrjen e NATO-s për çlirim të Kosovës, rrjedhimisht me aktin e shpalljes së pavarësisë së saj? Kjo dilemë është objektive ngaqë e sotmja është e përshkuar me antagonizma, me përplasje të qytetërimeve. Mjafton një shami të nxisë debate të nxehta që nuk zgjidhin asnjë çështje, por edhe më shumë e shtojnë konfuzionin.
Ata që për interesa të ndryshme nuk pajtohen me këtë ndërhyrje të policisë kosovare thonë se me këtë rast qenkan dhunuar të drejtat e njeriut. A kanë të drejtë ata, apo kemi të bëjmë me një proces historik, pak më serioz dhe më të thellë që e kishte parashikuar edhe vetë kumtuesi i fjalës së Zotit, profeti Muhamed, shkërmoqjen e besimit islam në 75 sekte? Shoqëritë moderne, të hapura ndërtohen mbi parimet e lirisë së fjalës, të bindjeve, tregut të lirë, barazisë para ligjit, ndarjes së pushteteve, shekullarizimit, shfrytëzimit të barabartë të oportuniteteve të sistemit etj. Kur këto parime zbatohen në mënyrë revolucionare në shoqëritë sapo të liruara nga shtrëngesat, tipike për formacionet autoritare shoqërore, liria e fjalës, e organizimit dhe e veprimit shndërrohen në faktorë destabilizues, që rregullin, rendin e dikurshëm e shndërrojnë në anarki. Anarkia është pasoja më e hidhur e lirisë, e demokracisë së keqpërdorur.
Keqpërdorimi i lirisë është bërë problem global ngaqë shfaqen tendenca për ringjalljen e atavizmave, për legalizim të radikalizmave llojesh të ndryshme që, përmes gjuhës së urrejtjes krijojnë antagonizma në marrëdhëniet ndërnjerëzore, ndëretnike, ndërfetare etj. Këto antagonizma, shpeshherë të shkaktuara artificialisht janë në funksion të interesave që nuk mund të zbërthehen lehtë ngaqë janë të mbështjellë si dhurata ndaj të cilave njeriu nuk mund të rezistojë, ose si medikamente që "këndellin" mendjen, ndërgjegjen e fjetur. Ky lloj i njerëzve që këndelljen e perceptojnë si antagonizëm kanë një aftësi të jashtëzakonshme për keqpërdorim të idealeve, të bindjeve, të brengave dhe të frikave të njeriut të zakonshëm. Me ngadhënjimin e standardit qytetërues që afirmon të drejtën e lirisë së fjalës u shfaqën fërkime jo vetëm në relacionet ideologjike, por edhe ato fetare, të shoqëruara me kërcënime, por edhe me akte terroriste. Këto akte, sidomos pas 11 shtatorit, kanë krijuar dhe thelluar bindjet se fajtorin duhet kërkuar te feja islame. Kjo akuzë tashmë është modifikuar. Nuk thuhet më se çdo mysliman është terrorist, por çdo terrorist është mysliman. Natyrisht ka edhe mendime të kundërta, më serioze që fajin e kërkojnë te politika që shfrytëzon, që keqpërdor ndjenjat fetare të njerëzve për t'i arritur disa qëllime politike që nuk mund të realizohen me rrugë të drejtë, me procedura legale demokratike. Këto manipulime politike me ndjenjat fetare të besimtarëve, tashmë për shkaqe të njohura paraqesin rrezik për popullin shqiptar në përgjithësi dhe veçmas për atë që jeton në Kosovë. Nëse vazhdon procesi i instrumentalizimit së besimeve fetare që në shoqërinë shqiptare kanë pasur një zhvillim harmonik, do të rrezikohet pozita e shqiptarëve jo vetëm nga shkaku i humbjes së relevancës së tyre në agjendën e shteteve që sot e protezhojnë kauzën shqiptare, por edhe për shkak të prishjes së harmonisë ndërfetare që është kusht pa të cilin nuk mund të ekzistojë as shteti dhe as kombi shqiptar. Qëllimi i këtij artikulli është mbrojtja e besimit islam nga ata që e përdorin atë si instrument për arritje të qëllimeve jo fetare.

Zonë eksperimentale

Rasti i fundit që i brengosi jo vetëm shqiptarët ka të bëjë, pra me veprimtarinë e kundërligjshme të një personi që është i identifikuar me emrin Kastriot Duka, ose edhe si Xhemajl Duka, qytetar i Shqipërisë dhe banor i Elbasanit.
Qytetarët e Skenderajt iu përgjigjën apelit të zonjës A.Halimi që të nënshkruajnë peticionin sipas të cilit kërkohet largimi i hoxhës, të personit që zhvilluaka aktivitet fetar jashtë kornizës së BIK( Bashkësisë Islame të Kosovës), sipas një programi të pa verifikuar nga asnjë instancë shoqërore. Ai akuzohet po ashtu për keqpërdorim të fondeve humanitare, për abuzime morale, për stimulim financiar të vajzave prej moshës 4 vjeçare që për një pagë mujore (25 E.) të mbulohen me shami. Këto konstatime mund të jenë të sakta, apo të sajuara, por gjithsesi të pamjaftueshme për ta shpjeguar problemin kryesor: guximin e një individi që vjen në Kosovë, ndërton xhami dhe fillon të punojë si imam pa lejen e BIK-ut. Por, jo vetëm kaq. Ai refuzon që të bëhet anëtar i BIK-ut, përkatësisht të punojë sipas plan-programit të një institucioni të legalizuar dhe që ka traditë, mbase qindra vjeçare në këto hapësira. Nga ana tjetër zyrtarët e BIK-ut vetëm me një fjali distancohen nga veprimtaria, siç thuhet të imamit të vetë shpallur që nuk qenka nën juridiksionin e BIK-ut. Mirëpo ky shpjegim është i pamjaftueshëm ngaqë nuk jep përgjigje për pyetjen se si mundet një person i pa autorizuar të merret me punë fetare që, sipas të gjitha gjasave vjen ndesh me traditën fetare tolerante të shqiptarëve në përgjithësi. Në këtë incident implikohet edhe Euleksi, gjithnjë në kuadër të kompetencave të saja, përmes institucionit të prokurorisë e inkriminon elbasanasin që identifikohet me emrin Kastriot Duka për keqpërdorime financiare, për një varg xhiro-llogarishë, ku dërgohen mjete financiare nga shoqata a qytetarë britanezë me prejardhje pakistaneze, nga ata që perëndimin e shohin si shans për karrierë. Ky fakt, kjo lidhje e një shqiptari me grupacione fetare apo politike të huaja që e dëmtojnë imazhin dhe intersin kombëtar, shikuar realisht, mund të përdoret si argument për demaskim moral të një individi që tregon me arrogancë lojalitet ndaj të huajve sesa bashkëkombësve të tij. Mirëpo as ky sqarim nuk e shpjegon kaosin që e ka pllakosur botën islame: sekte, grupe të vogla politike, apo individë të sëmurë nga megalomania që në emër të Zotit shpallin luftë orë e çast. Ky fragmentarizim strukturor, deri diku edhe doktrinar i botës islame shfaqet gjithkund, në mikrostrukturë dhe makrostrukturë. Në Sanxhak, bie fjala më se dy vjet thellohet konflikti ndërmjet dy bashkësive fetare, natyrisht islame, asaj të vjetrës, që udhëhiqet nga myftiu Muamer Zukorliq, që e ka mbrojtjen e Rasim Ljaiqit (kryetar i Partisë Demokratike të Sanxhakut) dhe asaj të resë që drejtohet nga reis ul-ulema Adem Zilkiqi, nën patronatin e Sulejman Uglaninit, kryetar i partisë SDA, fillimisht e paramenduar si degë e partisë boshnjake për aksion demokratik të A. Izetbegoviqit. Të dy këta liderë që kanë bashkërisht 3 deputetë janë ministra në kabinetin e Tadiqit, përkatësisht Cvetkoviqit. Për të qenë të përçarë duhet të jenë të barabartë.
Në botën islame shfaqen kudo përçarje strukturore, por edhe doktrinare. Ajo është shndërruar në zonë eksperimentale të atyre që dinë diçka dhe atyre që s'dinë asgjë. Ata që insistojnë me këmbëngulje që të restaurojnë pastërtinë e dikurshme të besimit insistojnë që një periudhë e së kaluarës të shpallet si standard i pakontestueshëm. Dijetari islam, marokeni Muhamed Al Xhabir thotë: mënyra e vetme për ta kontrolluar të tashmen është përdorimi i së kaluarës si standard të shenjtë.
Si mund të shpjegohet gjithë ky intensitet veprimesh revolucionare për të ndryshuar bindjen e njerëzve qofshin ato myslimanë apo jo, si të shpjegohet injorimi arrogant i institucioneve zyrtare fetare, në rastin konkret të BIK-ut, si mund të arsyetohet reagimi lakonik i zyrtarëve të kësaj bashkësie fetare se "ai nuk qenka anëtari i këtij institucioni", mbi ç'bazë një person anonim, me para të disa qytetarëve britanezë, me origjinë pakistaneze, ndërton xhami dhe predikon fenë sipas standardeve të tija dhe paralajmëron se askush tjetër në këtë xhami nuk mund të predikojë?!.

Të gjitha ekstremizmat

A mund të ndodhë kjo në shtetet ku dominon besimi krishter? Në Maqedoni bie fjala një prift ortodoks tentoi të hapë një kishë ortodokse serbe dhe përfundoi në burg. Pse pra, paraqiten këto dallime? Përgjigjen duhet kërkuar te dallimi ndërmjet fesë dhe religjionit. Krishterimi e ka përfunduar procesin e konstituimit si religjion me dallime të vogla. Katolicizmi është ndërtuar si religjion universal, ku çdo kishë katolike është nën juridiksionin e Vatikanit, ku çdo gjë është e përkufizuar saktë, prej dogmës fetare e deri te hierarkia, ku dihet kush çfarë posti ka, çfarë të drejtash i takojnë dhe kush e ka fjalën përfundimtare për interesat e katolikëve kudo në botë. E gjithë kjo vlen edhe për religjionin ortodoks me një përjashtim të vogël: fushëveprimi është kufizuar brenda kufijve të një shteti. Në krahasim me këto religjione, islami përjeton një krizë në procesin e konstituimit të një besimi në religjion. Sot çdo kush flet, komenton dhe merr vendime në emër të myslimanëve, madje çdo kush mund ta shpallë fetfanë për çdo kë.
Ky proces filloi të përkeqësohet sidomos pas vitin 1922 kur Kemal Ataturku e shpalli Turqinë si republikë dhe vetë ai u bë kryeministër. Me këtë rast ai shpalli nevojën që urgjentisht të abrogohet sistemi paralel i sulltanatit dhe i kalifatit. Në kuadër të këtij procesi të laicizimit të shtetit, ai e mbylli Ministrinë për Çështje Fetare, Zyren e Kalifatit dhe shkollat fetare. Kërkesave që ta restaurojë kalifatin ai, në fjalimin e mbajtur në Kuvendin e Madh Popullor më 3 mars 1924 përgjigjet "...Kalifati e përcakton shefin e shtetit. Si mundem unë të pranoj propozimet e njerëzve që janë nënshtetas të mbretërve, të perandorëve të tjerë...a do të pajtoheshin ata me këtë propozim!" Natyrisht se Ataturku kishte të drejtë, mirëpo shikuar nga aspekti i procesit historik, kjo datë shënon fillimin e rrënimit të strukturës universale religjioze islame që sot, pas shuarjes se institucionit të kalifit, institucionit ku puqeshin autorizimet fetare dhe politike, është organizuar në nivel të bashkësive islame. Pikërisht për këtë shkak, rrënimit të strukturës religjioze, me këtë edhe të autorizimeve të ngushtuara të bashkësive islame, krijohet mundësia për veprimtari politiko-fetare të qarqeve që "bëjnë karrierë në Perëndim" dhe lehtë gjejnë bashkëpunëtorë vendorë, qoftë që për shkak të bindjeve të tyre ose të interesave vetjake.
Të gjitha ekstremizmat, u thënçim fetare islame, me të cilat sot ballafaqohen jo vetëm myslimanët, por edhe të tjerët janë pasojë e ngecjes së procesit të transformimit të një feje në religjion. Kushti i parë që një besim fetar të shndërrohet në religjion është ndarja e shtetit, e politikës prej fesë, pra respektimi i parimit të shekullarizimit. Këto procese mund të zgjasin shumë, por përvojat e hidhura nuk duhet përsëritur. Vatikani e pranoi statusin që e ka, të religjionit të ndarë nga shteti përfundimisht në vitin 1963, ndonëse kemi përshtypjen se kjo ndarje ka ndodhur qindra vjet më parë. Pas kësaj ndarjeje autoriteti i tij u rrit jashtë mase. Tani më, jo vetëm që është vendosur rendi në çështjet fetare, por njëkohësisht është amplifikuar ndikimi politik dhe kredibiliteti i përfaqësuesve të kishës katolike, veçmas i papës. Kisha universale objektivisht krijon mundësi për ndikim global. Nëse kjo fazë do të kapërcehet, atëherë dinjitarët e fesë do t'i shërbejnë Zotit dhe jo zotrave, autoriteteve të ndryshme politike dhe jo politike...

Autori është kryetar i Kuvendit
të PDSH-së

 

 | Komente |  
Prodhuesit e krizës

Arbën XHAFERI

Referati i presidentit serb, Boris Tadiq në Këshillin e Sigurimit të OKB-së sërish na përkujtoi kohën e lajthitjeve kardinale serbe, paragjykimeve të rrezikshme, gënjeshtrave naive, atë ligjërim politik të përzier me elemente historike, fetare, metafizike, megalomane dhe mungesën proverbiale të tyre për realizëm. Ai që linte përshtypjen e njeriut të kulturuar, tolerant, të hapur për dialog dhe kompromis, ai që ngjalli optimizmin se Serbinë, bashkë me të edhe rajonin do ta nxjerr nga balta e atavizmave politike, ai të cilin Berluskoni i shushatur dhe i kompleksuar e krahasoi me yllin kinematografik, Xhorxh Kllunin, ai në paraqitjen e tij të fundit KS të OKB-së, përsëriti uratën që nuk bekon por, mallkon: kurrë s'do të pranuakan pavarësinë Kosovës! Edhe Millosheviqi fliste kështu...Kërkojnë negociata të reja, por me kusht që rezultati të jetë në favor të tyre!
Është vështirë të shpjegohet se si klasa politike serbe, në mesin e tyre ka edhe intelektualë të shquar, nuk vëren kundërthënien logjike ndërmjet kërkesës për negociata për statusin e Kosovës dhe qëndrimit se kurrë dhe askush në Serbi nuk do ta pranojë pavarësinë e Kosovës. Ky paradoks do të tolerohej ashtu si shumë të tjerë që prodhojnë politikët, por e veçanta e këtij qëndrimi nuk është statusi i Kosovës, por tendenca për kërcënim të vazhdueshëm të paqes me përjetësim të motivit të luftës, casus bellm-it tipik serb, argumentit, përmes të cilit ata kërkojnë t'u njihet e drejta për rolin e hegjemonit, të liderit në rajon. Ose status të privilegjuar ose krizë pambarim, është motoja e kësaj politike.
Kohët e fundit, presidenti serb, Tadiq, i cili sillet shumë komod në lëkurën e pafajësisë, dërgoi dy deklarata kërcënuese. Të parën nga Stambolli, tërësisht në frymën e re të politikës së jashtme turke( Evropa duhet të tregojë se a do të na pranojë... Serbia nuk mund të presë në çivillëk...) dhe të dytën nga mbledhja e KS të OKB-së( Nëse OKB nuk është në gjendje ta kryej misionin ... Serbia mund ta rishqyrtojë lejen për praninë ndërkombëtare në Kosovë). Po ashtu edhe qeveria serbe reagoi në këtë frymë kundër transferimit të detyrës për ruajtje të objekteve fetare autoriteteve vendore. Me këto qëndrime, gjenerata e re politike serbe përpiqet ta vazhdojë strategjinë e krijimit të krizës, e vetëdijshme se paqja i rrezikon jo vetëm pretendimet territoriale serbe lidhur me Kosovën, por shpirtin politik serb, atë amalgam të sajuar nga miti, feja, politika, atë rrëfim ku ata kanë rolin e popullit të zgjedhur, qiellor...
Edhe mbledhja e fundit e Këshillit të Sigurimit u thirr me këtë tendencë për riciklim të krizës. Sipas të gjitha gjasave, paqja dhe rendi janë bërë të padurueshme për strategët e krizës. Duke shfrytëzuar incidentet e fundit në Mitrovicën e veriut, presidenti serb, Tadiq, me një nguti panikuese shtroi kërkesën për mbajtjen e mbledhjes së KS. Në diskutimin e tij, Tadiqi, si një gazetar fillestar, duke harruar se ku gjendet, iu përvesh punës që ta bindë botën se fajin për incidentet e kohëve të fundit në Mitrovicën e veriut e paskan shqiptarët. Ai, me këtë lehtësi të njollosjes së shqiptarëve , me gjasë synon të bindë veten, popullin e tij se punon shumë që ta rikthejë Kosovën në Serbi, përkatësisht se arrin ta përmbushë normën ditore të prodhimit të krizës në të gjitha nivelet.
Një shef i shtetit gjithsesi, të paktën sipas detyrës, duhet të dijë se në sistemet demokratike nuk lejohet prejudikimi i fajit. Ai, pikërisht këtë, në mënyrë arrogante e bën, saqë ambasadori amerikan e pa të udhës ta shprehë habinë e tij lidhur me motivet dhe urgjencën e thirrjes së mbledhjes së Këshillit të Sigurimit, organit më të lart të OKB-së. Vetëm ai që nuk bën dallim ndërmjet mikro-klimës dhe makro-klimës politike, vetëm ai që e adhuron veten saqë e errëson arsyen, vetëm ai që pandeh se ka të drejtë t'i kontrollojë vendimet institucioneve të pavarura, vetëm ai që, ende pa marrë raportin e institucioneve përkatëse vendore dhe ndërkombëtare, vetëm ai që ka ndërtim të këtillë mendor, vetëm ai që në mënyrë naive mendon se mund t'i mashtrojë lehtë institucionet ndërkombëtare, nuk hamendet të denoncojë fajtorin ende pa filluar punën organet legale të hetuesisë. Kjo përpjekje për fajësim të shqiptarëve është naive ngaqë efektet e këtyre incidenteve janë kundër interesit shqiptar. Sa është interesi serb që në Kosovë të thellohet kriza aq më i madh është interesi i shqiptarëve që të ruhet paqja dhe rendi. Ky nxitim i presidentit Tadiq, shpresës së politikës moderne serbe, në mënyrë dëshpruese dëshmoi se ai nuk ka kapacitete të liderit, por të epigonit që varet nga botëkuptimet anakronike të qarqeve të hirta pushtetmbajtëse serbe, ashtu si ishte edhe vetë Millosheviqi. Kërkesa që të kapet dhe të dorëzohet krimineli i luftës, gjenerali Mladiq është në fakt testimi i legjitimitetit dhe i forcës politike dhe strukturore të qeverisë aktuale dhe të presidentit. Meqë ai është ende në liri dëshmon se gjenerali-cub Mladiq, qenka legjitim dhe më i fortë se presidenti legal, Tadiq.
Shpërputhja ndërmjet pretendimeve joreale dhe mungesës së kapaciteteve reale serbe shkakton probleme në vazhdimësi. Sipas shumë analitikëve, këto ambicie joreale kanë nxitur dy luftëra botërore. Lufta e Parë ishte reagim i Autro-Hungarisë ndaj atentatit të 28 majit 1914 ku u vra Franjo Ferdinandi, pretendent i fronit Austro-Hungarez.
Me këtë atentat qarqet serbe synonin që të zgjerojnë pushtetin e tyre edhe në Bosnjë dhe Hercegovinë. As atëherë, as sot serbët nuk kishin kapacitete për projekte të këtilla, por kishin aftësi që vënë në lëvizje interesa të ndryshme, të prishin balancat e arritura me mund të madh.
Analitikë të ndryshëm vlerësojnë po ashtu se edhe Lufta e Dytë Botërore është shkaktuar nga serbët. Ata bënë përpjekje që duke shfrytëzuar antagonizmat euro-amerikane të krijojnë një hapësirë të pamerituar për vete. Por, këtë nuk arritën pos tragjedisë që e shkaktuan vetes dhe të tjerëve.
Politika dhe kultura serbe është bërë minierë e pashtershme për analizë të kundërthënieve luftënxitëse, të të menduarit paradoksal, të megalomanisë, mitomanisë, të përzierjes së ëndrrës me zhgjëndrrën, të besimit fetar me politikën, të dilemave rreth përkatësisë qytetëruese, të proceseve historike që zhvillohen në Gadishullin Ilirik, në Ballkan ose siç quhet sot, në Evropën Jug-Lindore. Edhe pse nga skena politike u larguan prodhuesit e shquar të krizës, Millosheviqi me të tijët, edhe pse vendin e tyre e zunë politikë të rinj, në të parë të moderuar, të kulturuar, të qëruar, megjithatë, politika e tyre vazhdon ta sfidojë paqen në rajon. Mbase ka diçka të veçantë, ndonjë cen, ndonjë ambicie, pretendim të pakapërdishëm që i detyron ata të jenë seriozisht qesharak.
Akademiku serb Jovan Rashkoviq, që me mburrje i shpalli popullin e vet si të çmendur ka lënë edhe një porosi interesante: "Ne serbët jemi të fisit të Adamit, popull me fat tragjik dhe hyjnor; baza e identitetit tonë etnik është bashkëdyzimi i qiellit dhe i identitetit tonë nacional". Këtë e thotë një akademik dhe kjo porosi ngjall adhurim.
Serbët kanë telashe me vetveten, por nuk duhet të harrojmë se edhe ne do të kemi telashe me telashet e tyre...

 | Komente2• |  
Sfida Osmane

 

Arbën XHAFERI
Në fund të viteve '80 - të në Jugosllavinë e pushtuar nga ethet e nacionalizmit, agjitimi, baltosja e kundërshtarit politik, etnik dhe fetar u bë e vetmja mënyrë e komunikimit ndër-njerëzor. Politika nxori në shesh njerëz të etshëm për role shoqërore, të cilët tregonin gatishmëri që të shpifin çkado kundër secilit, nëse prej tij kërkohej një detyrë e këtillë "sublime". Kjo gatishmëri e një mase të madhe shpifësish, të ligjëruesve të urrejtjes ishte njëri nga shkaqet e shkatërrimit të sistemit social, etik dhe fetar gjatë periudhës së komunizmit. Shpifësit, jo vetëm që nuk kishin problem me ndërgjegjen e tyre, por përkundrazi, ata fanatizmin e tyre e arsyetonin me misionin që ua paska besuar vetë Zoti, apo kreu kombëtar.

Kohë e manipulimeve cinike
Propaganda zhvillohej në të gjitha planet, veçmas në atë qytetërues, duke kopjuar në mënyrë banale idenë e Hantigtonit për përplasje të qytetërimeve. Nga ajo kohë e manipulimeve cinike, të lejuara nga klasat politike, sidomos serbe, kanë mbetur fraza paradigmatike propaganduese, si togfjalëshi "Zetra", emri i një salle sportive të Sarajevës (zelena transferzala, transferzalja e gjelbër) që sugjeronte idenë e depërtimit të islamit nga Turqia, Bullgaria (ku paska më se dy milionë myslimanë), pastaj Maqedonia, Kosova, ku stafetën e depërtimit islam në perëndim e bartin shqiptarët dhe ua përcjellin myslimanëve të Sanxhakut, të cilët pastaj ua dorëzojnë boshnjakëve... dhe pastaj, siç lehtë-lehtë parashikonte agjit-propi (agjitim dhe propagandë) serb, s'do të ketë më të krishterë. Me këto pohime shumëkush tallej ngaqë besohej se janë trillime tipike të serbëve që kauzën e vet përpiqeshin ta përhapin si terapi planetare për pengim të këtij rreziku, të islamizmit që i kanosej Perëndimit... Boshnjakët nuk e lodhnin veten që t'i kundërviheshin propagandës kundër-islame serbe ngaqë ata besonin thellë se Evropa nuk është kundër-islame dhe se ata paskan të drejtë që ta ekspozojnë përkatësinë e tyre fetare. Evropa mbase jo, por serbët gjithsesi po. Shqiptarët u treguan shumë më të rezervuar dhe betejën e tyre historike e zhvillonin në dimensionin kombëtar. Pas vitit 1999 edhe në hapësirat shqiptare, disa grupe të vogla besimtarësh myslimanë, filluan në mënyrë intensive, demonstrative, me prapavijë kryekëput politike, ta shquajnë përkatësinë e tyre fetare, duke i dhënë argumente propagandës kundër-shqiptare serbe.
Nga këto elemente, demonstrime, më shumë teatrale sesa fetare, propaganda serbe e sajonte akuzën e tyre kundër shqiptarëve. Kohët e fundit argumente të këtilla që e ushqejnë propagandën serbe mjerisht vijnë edhe nga shteti më demokratik islam në botë, Turqisë, hiç më pak nga vetë ministri Ahmet Davutogllu, njëri nga intelektualët më brilant jo vetëm i Turqisë, por i të gjithë botës islame. CV-ja e tij intelektuale është mbresëlënëse. Ai është autor i disa librave interesante socio-politike të botuara në shumë gjuhë të botës, natyrisht edhe anglisht, si bie fjala "Paradigmat alternative", "Transformimi qytetërues dhe bota islame", "Thellësitë Strategjike", 'Kriza globale" etj. Përmes veprave të tij, të shkruara me një metodë moderne hulumtuese, ai në Turqi u bë personi më me ndikim në trekëndëshin ushtri-qeveri dhe akademi. Më 1 maj të vitit 2009, z. Davutoglu u emërua ministër i Punëve të Jashtme i Turqisë. Shumëkush priste prej tij që ta bëjë një lloj të "brain storming" (një stuhi ndjellëse mendore), mirëpo, sipas të gjitha gjasave kjo nuk do të ndodhë. Shkas për këtë pesimizëm është ligjërata e tij, mbajtur në Sarajevë, lidhur me politikën e jashtme të Turqisë në Ballkan. Shumëkush u befasua nga tezat aktuale radikale të ministrit, që nuk përputheshin me natyrën e dikurshme të intelektualit racional.

Tezat radikale
Ata që janë të interesuar ta lexojnë ligjëratën në tërësi mund të kërkojnë në Google: DANI, Ahmet Davutoglu "Sta hoce Turska na Balkanu"(23 tetor 2009), ose në NSPM (Nova Srpska Politicka Misao, Mendimi i ri politik serb). Me ardhjen e tij në kreun e diplomacisë turke ai nënshkroi disa marrëveshje me fqinjët e saj, duke zbatuar parimin "zero probleme me fqinjët". Zbatimi i këtij orientimi strategjik menjëherë rezultoi me zbehje të raporteve me Izraelin. Cilat do të jenë këto pasoja për Turqinë me prishjen e marrëdhënieve me Izraelin do të kuptohet shumë shpejtë. Reagimi i parë ndaj ligjëratës së tij "Trashëgimia osmane dhe bashkësitë myslimane në Ballkan" mbajtur në Sarajevë, erdhi nga diplomatët e huaj, të habitur nga tezat radikale, plot vetëbesim të ministrit turk. Njëri nga ata e pyeti "pse kaq befas ratë nga qielli në Bosnjë?". Duke shpërfillë esencën e kësaj pyetjeje që në vete përmban një dozë fine të akuzës, të ironisë lidhur me rolin e zbehtë të Turqisë në kohët më të vështira, ministri turk i përgjigjet: "Nuk zbritëm nga qielli me parashutë, por në Bosnjë erdhëm me kuaj, duke aluduar në periudhën e depërtimit të osmanëve në Ballkan."
Në këtë ligjëratë që mëton ta ringjallë rolin e osmanëve në Ballkan, përhapet ideja se riosmanizmi i këtyre hapësirave qenka strategjia e vetme për qetësimin e gjakrave. Duke kritikuar konceptet perëndimore që e trajtojnë Ballkanin si zonë periferike gjeo-strategjike të Evropës, ministri turk e trajton Ballkanin si zonë qendrore. Ashtu si në librin e tij "Thellësitë strategjike", ai Ballkanin e trajton si bafër-zonë (si tampon zonë) ndërmjet Evropës dhe Azisë, duke filluar nga Baltiku e deri në Mesdhe. Vlera e dytë e Ballkanit osman është pesha e tij gjeo-ekonomike, ndërkaq vlera e treta qenka ndërveprimi kulturor. Sa për shqiptarët kjo vlerë e tretë nuk mund të vërtetohet, ngaqë në atë periudhë vetëm shqiptarëve u ndalohej shkollimi në gjuhën amtare dhe disa veçori etnike (ata nuk trajtoheshin si "milet" por si "akraba", kushërinj). Duke trajtuar Ballkanin si zonë qendrore dhe jo periferike, siç e trajton politika perëndimore, ministri i tanishëm turk i Punëve të Jashtme, në esencë e ringjall periudhën e sundimit osman, pra rolin thelbësor të popullit turk, duke filluar prej Afganistanit e deri në Sarajevë. Në këtë konferencë ai njëanshëm (në mënyrë unilaterale) e zbulon strategjinë shumë ambicioze, lidhur me rolin e Turqisë në ish kolonitë e saj, ose thënë më saktë rolin e ardhshëm global të Turqisë.

Perandori e re universale
Në këtë plan përfshihet Ballkani në tërësi, pastaj Lindja e afërt, përfundimisht edhe Afganistani. Në këtë mënyrë, Ballkani prej një zone periferike të Evropës shndërrohet në qendër të një perandorie të re universale, të ngjashme me atë osmane, ku rolin kyç do ta ketë Turqia. Këtë zbërthim nuk e bën ndonjë politikan margjinal, por një intelektual i formatit ndërkombëtar dhe ministër i Punëve të Jashtme të shtetit më demokratik islam në botë. Por, kjo strategji ka një mangësi elementare: Nuk ka përkrahës, veçmas ngaqë autori i këtij projekti e shpall periudhën e sundimit osman si ideal, si periudhë të artë në historinë e Ballkanit. Pra, ky projekt me karakteristika perandorake, hap dy lloje problemesh:
- si do të realizohet dhe
- çfarë do të ndodhë me trashëgiminë e Ataturkut, i cili e mbylli të kaluarën anakronike dhe me guxim hapi krahun për modernizim të Turqisë, sipas standardeve evropiane? Problemi i parë ka të bëjë me vetë popujt e Ballkanit që gjatë kohë luftuan sundimin osman dhe ende vazhdojnë të manifestojnë haptazi një distancë fanatike ndaj çdo ringjalljeje të idesë osmane. Këtë distancë e kanë të gjithë popujt e Ballkanit, një pjesë e madhe e popullit turk, por edhe shtetet evropiane. Si do të merret pëlqimi nga Greqia, Bullgaria, Serbia, Rumania, pastaj UE-ja që të formohet një shtet universal që e bashkon Evropën me pjesët më problematike të botës, me Lindjen e Afërt dhe atë të Largët? Për këtë pyetje nuk ka përgjigje të argumentuara në ligjëratën e ministrit Davutoglu. Argumentet e tija për këtë opsion janë kryesisht emotive. Në këtë ligjëratë ai periudhën e sundimit osman e lartëson me pohimin se jeta në atë kohë paska qenë shumë më e mirë sesa sot. "Po të mos kishte qenë Perandoria Osmane çdo të ndodhte me fshatarin e varfër serb, Mehmet Pasha Sokolloviqin, pyet z. Davutoglu? Përgjigjen e jep vetë: ai do të mbetej ashtu si ka qenë, një fshatar i varfër serb. Po këtë argument ai e përdor lidhur me Mehmet Ali Pashën, shqiptarit që e themeloi Egjiptin modern. Me këto shembuj ai përpiqet ta bindë auditorin se vetëm në periudhën e sundimit osman Ballkani ka pas progres, jo vetëm njerëzit, shtetet, por edhe qytetet.

Dy pretendime antagoniste
Pas luftërave të përgjakshme ndërmjet popujve të Ballkanit, si mund të arrihet që ringjallja e kësaj pjese të padiskutueshme politike dhe gjeografike e Unionit Evropian t'i dorëzohet një shteti, Turqisë që në vazhdimësi pretendon të bëhet anëtare e UE-së? A pretendon Turqia të hyjë e vetme në UE, apo do të tërheqë zvarrë pas vetes Sirinë, Irakun, Libanin, popujt e Kaukazit, Avganistanin etj? Edhe nëse ndodh kjo mrekulli, atëherë si do të arrihet pajtimi ndërmjet popujve të armiqësuar përjetësisht? Si të harmonizohen këto dy pretendime antagoniste turke, anëtarësimi në UE dhe ringjallja e Perandorisë Osmane, madje qoftë vetëm të frymës së saj? Ose si do të harmonizohen konceptet historike të popujve që kanë formuar shtetet dhe identitetin e tyre etnik mbi baza anti - osmane? Si do të pranojnë boshnjakët tezën se Mehmet Pashë Sokolloviqi qenka fshatar serb? Me këtë tezë rrëzohet njëra nga premisat kryesore të historisë së boshnjakëve, ajo e prejardhjes së tyre prej bogumillëve! Përgjigjet e tij për pyetjet shumë konkrete siç është bie fjala vullneti i popujve për të hyrë në këtë perandori të ringjallur janë shpeshherë naive, sidomos nëse shikohet nga aspekti i një projekti tjetër që formohet mbi baza të interesave konkrete të shteteve të ndryshme siç është ai i Unionit Evropian dhe NATO -s. Ballkani i ri si urë ndërlidhëse mes Afganistanit dhe Evropës me rolin qendror të Turqisë nuk mund të ndërtohet vetëm mbi baza emotive, as me oferta të paketuara me një fjalor të butë demokratik, siç është bie fjala bashkëjetesa shumëkulturore. Kjo tezë i acaron sidomos boshnjakët ngaqë hapë një kapitull tragjik që shumë vështirë do të korrigjohet. Shumëkulturalizmi në historinë e popujve të Ballkanit gjatë kohëve do të funksionojë si një ngjarje tragjike që i ka traumatizuar të gjithë popujt e Ballkanit. Ofertat e këtilla retorike-emotive, krahasuar me ofertat reale të strukturave perëndimore perceptohen si një fyerjeje jo vetëm për ndjenjat e qytetarëve të traumatizuar, por edhe të intelektit të çdo populli që tashmë premtimet joreale i vlerësojnë si një cinizëm kardinal. Si do të interpretohej teza "Se ne (Davutogllu) parapëlqejmë një rajon ballkanik, të bazuar në vlera politike, ndërvarësinë ekonomike dhe harmoninë kulturore?"

E mundëm vetveten
Kush nuk e parapëlqen këtë? Cila do të jetë përgjigja e serbëve dhe grekëve bie fjala? Serbët reaguan shumë ashpër kundër vizitës së presidentit turk Abdulla Gylit në Beograd dhe mund të merret me mend se si do të reagonin ndaj idesë së shumëkulturalizmit, nën patronazhin turk. Ose si do të interpretohej nga çdokush fjalia se "gjatë viteve të '90-të jemi ballafaquar me shumë vështirësi në BE, në Kosovë dhe në Maqedoni. Kur shfaqen problemet e këtilla, nga e kthejnë kokën boshnjakët, shqiptarët dhe maqedonasit? Nga Turqia! Kësaj i thonë "lidhje historike",- konstaton Davutoglu. Ky projekt i rikthimit të Ballkanit në një perandori aziatike-evropiane vjen ndesh me vetë premisat e Politikës së Jashtme të proveniencës së Ataturkut. Ai nuk pranonte se në Turqi jetojnë popuj të tjerë, por as tezën se jashtë Turqisë jetojnë turqit. Ai madje përfundimisht refuzoi që ta pranojë rolin e Kalifit, duke përdorur argumentin se shumë shtete myslimane i kanë udhëheqësit e tyre politikë të cilët nuk do të pranojnë të kontrollohen nga një Kalif. Duke klithur se ardhmëria e popujve të Ballkanit është e përbashkët me atë Turqisë, Kavkazit, Lindjes së Mesme, Afganistanit, me Turqinë në qendër do të bëhet strumbullar i politikës botërore në të ardhmen. Në këtë projekt përfshihen edhe çeçenët, afazët dhe të tjerët që kanë qenë të sunduar nga osmanët. Ministri i Jashtëm turk, Davutoglu, mbase ka ndonjë argument të fshehtë kur pohon se integriteti territorial i Bosnjës është njësoj i rëndësishëm sesa i Turqisë. Në pyetjen e gazetarit, se për kë bënte tifo në ndeshjen e futbollit ndërmjet Turqisë dhe Bosnjë - Hercegovinës, z Davutoglu tha se zemrën e paska të ndarë dhe fjalinë e përfundon me "ne e mundëm ne" (vetveten). Me këtë fjali ai merr një duartrokitje të gjatë nga auditori.
Evropa bashkë me SHBA-të shpenzojnë miliarda dollarë për t'u ardhur në ndihmë shteteve të Ballkanit që të integrohen në Bashkimin Evropian, por prapë hasin në vështirësi. Vallë a do të mund Turqia ta ringjallë Perandorinë Osmane vetëm mbi argumente nostalgjike? Pra, a ka mundësi që edhe një herë Davidi ta mundë Golijatin? Sipas mbiemrit Davutogllu do të thotë i biri i Davidit. Pale... Tani për tani këto ide shënuan vetëm një fitore, edhe atë kundër nesh: e nxorën jashtë Institutin e Trashëgimisë Shqiptare (që në popull u identifikua me emrin e Pjetër Bogdanit) nga objekti i periudhës osmane "Kapan Han". Ky akt hap të paktën dy dilema:
- kujt i takon trashëgimia osmane jashtë Turqisë?
- a ka vend për kulturën shqiptare, Pjetër Bogdani është një kapitull i madh i kësaj kulture, në konceptin e ri të osmanizmit?
Sipas të gjitha gjasave jo.

   

Komenti JUAJ

Të dhënat tuaja:

Emri
E-mail
Tel:
 

Kthehu mbrapa

komentet e lexuesve

1.  
Komenti:  Kлshtu dinл tл mendojnл e gjykojnл vetлm intelektualлt e vлrtetл.Prandaj лshtл mirл qл kemi njл njeri me kлto parametra e dimensione.Tл lumtл zoti Arbлr!
Emri:  Zeqir Kadriu
Email:  z.kadriu@seeu.edu.mk
 
2.  
Komenti:  I nderuar z.Arber Xhaferi,them me dyshim qe pretendimet teritoriale te Turqise,te bera publike nga Ministri Turk i Puneve te Jashtme,jane deshira per pushtet,domonimi, marreveshje te fshehta mes Serbise pra edhe Rusise.Levizjet e reja flasin per ndryshim te politikes se jashtme te fuqive te medha,sic jane SHBA-te,etj.Jam nje njeri qe mbaj qendrimin se-te gjitha lufterat e padrejta jane te gjykuara te deshtojne.Mbetet te shtoj se ndoshta eshte vetem nostalgji personale.Ju lutem me shkruani edhe pse shume vone kam lexuar kete shkrim tuajin.
Emri:  Jusuf Durmishi
Email:  jusufdurmishi@yahoo.com
 
3.  
 
 
4.  
 
 
5.  
 
 
6.