Vedat MEMEDALIU
Ishte i drejtë vendimi i ministrit të Shëndetësisë, Bujar Osmani dhe partisë së tij, që shkarkuan drejtorin e Spitalit të Kumanovës, Selver Jashari. Edhe pse një ditë më parë, Selveri ia kishte ofruar dorëheqjen Ahmetit, në komunikatën e ministrisë për mediat, e shpërndarë shpejt e shpejt, Bujar Osmani arsyetonte vendimin për shkarkimin e Selverit me mungesën e rezultateve. Dhe me të drejtë. Ai kishte bërë shumë gabime. Partia shqiptare në pushtet kishte qenë në siklet të madh prej tij. Selveri kishte një "background" të keq. Si një djalë i ri i Kumanovës, ai kishte marrë pjesë aktive në luftën e Kosovës, prej nga ishte kthyer me një shkallë të caktuar invaliditeti. Kjo kishte bërë që ai të radhiste gabimet në menaxhimin e Spitalin të Kumanovës.
Që në fillim, ai kishte vendosur flamurin kombëtar shqiptar, fotografinë e Adem Jasharit dhe figurën e Skënderbeut në zyrën e tij. Në këtë mënyrë ai kishte shkelur ligjet e këtij shteti, ku gjithë këto simbole përdoren në mënyrë ilegale nga shqiptarët.
Gabimi i dytë kishte të bëjë me dygjuhësinë brenda këtij institucioni shtetëror shëndetësor. Edhe këtu Selveri kishte harruar se nuk jeton në Kosovë, por në shtetin e Maqedonisë, ku gjuha maqedonase është gjuhë zyrtare, ndërsa shqipja, edhe pse e miratuar me ligj, ajo lejohet të përdoret vetëm në familjet e shqiptarëve.
Duke menduar se jeton në Shqipërinë etnike të Gafurr Adilit, apo të Koço Danajt, në hyrje të Spitalit, pa qenë i vetëdijshëm për veprimin, Selveri vendosi mbishkrimin në gjuhën shqipe. I dashuruar në gjuhën shqipe, që është gjuhë zyrtare e shteteve tona fqinje, por jo edhe e Maqedonisë, Selveri e futi atë edhe në letër-identifikimet e mjekëve maqedonas. Këtu ishte kulmi. Në skenë menjëherë dolën tender-patriotët, të cilët një kilogram patate, deri atëherë, Spitalit të Kumanovës ia shisnin për 90 denarë, lakrën për 40 denarë, ndërsa furnizimi mujor me benzinë i makinave të aktivistëve partiakë arrinte shumën deri në 10 mijë euro. Bëri aq gabime sa që rrezikoi edhe koalicionin qeveritar BDI-VMRO, pasi edhe mediat më nacionaliste maqedonase, vendosën t'i kundërvihen interesave të shteteve të huaja armike, që po lëshonin rrënjë në Maqedoninë demokratike.
Selveri shkretoi rëndë edhe në festën kombëtare të shqiptarëve, 28 Nëntorin. Kjo festë që për Maqedoninë është e huaja, u kremtua për herë të parë në Spitalin e Kumanovës. Selveri, i detyroi një pjese të madhe të mjekëve maqedonas të ngrihen në këmbë dhe të respektojnë hymnin kombëtar shqiptarë, në vend të hymnit shtetëror "Denes nad Makedonija...". Edhe me këtë veprim ai çmendi krerët e BDI-së në qytetin heroik të Kumanovës, ku kishte krisur pushka e parë në luftën antifashiste.
Gabimi tjetër i radhës ishte hapja për dy ditë në javë e dyerve të spitalit për pacientët e pakënaqur nga shërbimet e mjekëve. Në vend se, i shoqëruar nga sekretaresha të kënaqej me menaxhimin spontan të punëve të spitalit dhe të mos ua shihte "surratin" kurrë qytetarëve të rëndomtë, Selveri vendosi të luajë edhe rolin e Avokatit të Popullit dhe t'i sanksionojë mjekët e papërgjegjshëm. Se në gjak kishte idetë e Shqipërisë Etnike, ky njeri e dëshmoi edhe me hapjen e dyerve të spitalit për pacientët e rajonit të Preshevës.
Ky njeri, inkompatibilitetin e tij me strukturën politike që e kishte dërguar në atë detyrë, e dëshmoi edhe për nga aftësia e theksuar për të mos lejuar korrupsionin. Në vend se paratë nga parkingu i Spitalit të shkonin në xhepat e komandantëve trima të pasluftës, Selveri nga ky shërbim për çdo muaj në arkën e spitalit mblidhte nga 2.500 euro. Jo vetëm kaq, por për dallim nga kuadri elitist që ka kjo degë partiake në radhët e saja: tregtarë të dështuar që kalojnë dhe bëhen profesorë me pedagogjikun e kryer në afate rekorde, ministra dhe intelektualë të dalluar të kalibrit të Kadaresë e përtej, ky njeri në dosjen e tij nuk vodhi as makina por as nuk u morr me prostituta. Ai nuk u solidarizua as me deputetin, të cilit dikur, kur i ofrohej të jetë pjesë e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, ai përgjigjej duke thënë se "kush ia kthen pushkën këtij shteti, turpshëm do të përfundojë". Në vend që t'i nderojë këta njerëz, Selveri, i dha përparësi "terroristëve" të UÇK-së, invalidë dhe familjeve të tyre. Me të vërtetë, partia shqiptare në pushtet, por edhe ato tjerat në opozitë, nuk kanë nevojë për njerëz të këtillë. Mbetet vetëm t'i urojmë ministrit Osmani dhe liderit Ahmeti për guximin që treguan duke i thënë "MJAFT MË" këtij far ish-drejtorit të Spitalit të Kumanovës. Qoftë e kaluar!