Lirim DULLOVI
Edhe një miratim i paaftësisë së krerëve të BDI-së. Ata në mbledhjen e fundit "shqyrtuan situatën aktuale në vend" dhe zbuluan se Maqedonia është parajsa ku kanë pasur fatin të jetojë kjo pjesë e kombit shqiptarë. Këta "politikanë" në këtë mbledhje shprehën kënaqësi që janë pjesë e bashkëqeverisjes së kësaj parajse me Gruevskin. Nuk është çudi që në takimin e radhës, pas rrumbullakimit të projektit për integrimin e shqiptarëve dhe zbatimit të 5 përqindëshit të mbetur nga Marrëveshja e Ohrit, kjo kryesi të hedhë propozimin edhe për shkrirjen e saj formale në VMRO-në e Gruevskit.
Këta njerëz janë të kënaqur nga kontributi i madh që kanë dhënë në zbatimin e projektit të VMRO-së, të njohur si rimëkëmbje në 100 hapa. Ata mund të krenohen dhe të thonë se kanë thyer rekordet e vrapimit të shqiptarëve në këto hapësira pas politikave të kryeministrave maqedonas, prej të cilëve, ky i fundit me paratë tona dhe të studentëve tanë, do të ndërtojë kisha dhe mure për ta mbrojtur këtë parajsë nga dashakqinjtë e këtij vendi. Po kush është Fatmir Sejdiu, ky president i një vendi pa diplomë, që të vijë dhe të prishë qëllimet e Ahmetit për të thyer rekorde të reja, i cili vrapon në disiplinën "sprint", për dallim nga të tjerët që vrapojnë maratonën. Ahmetin nuk mund ta rrezikojë as kryedemokrati i ri, Imer Selmani, i cili ka filluar haptazi të shprehë xhelozinë ndaj sukseseve të kryeintegristit.
Sa i përket ftesës së Sejdiut, këta nuk janë fajtorë që ajo nuk i ka shkuar me kohë. Të behej fjalë për Kolë Diamantin, do ta gjenin dhe do ta sillnin pa problem, siç e sollën dhe na e prezantuan me nderimet më të larta në Radushë, në kremtimin e MO në Gostivar dhe në vendosjen e kryeveprës së BDI-së, përmendoren e Skënderbeut në Shkup. Politizimi i çështjes Sejdiu, siç do të thoshte Ahmeti, është i panevojshëm dhe qëllimkeq. Kritikuesit e tij duhet ta dinë se në kufi me Kosovën, ky shtet po ndërton një mur të pakalueshëm, jo vetëm për qytetarët e rëndomtë që aty presin me orë për të hyrë në parajsën tonë, por edhe për Albinin që po na ofron modelin e dështuar të vetëvendosjes së Kosovës, të cilës Maqedonia ende nuk po ja nostrifikon diplomën e shtetësisë.
Parajsa e shqiptarëve duhet të funksionojë edhe më tej, pa marrë parasysh çmimin që "dikush" do të duhet ta paguajë. Aty nuk ka vend për demokracitë e imponuara nga Kosova problematike. Kështu vlerësojnë edhe vizionarët tanë që shkuan në Parlamentin e Maqedonisë për të festuar kurorëzimin e presidentit dhe bashkë me të, edhe të kësaj politike të fqinjësisë së mirë me të gjithë, përveç me Kosovën. Dhe, a ka më mirë se kur të gjithë janë të kënaqur, kënaqet Ahmeti, kënaqet Selmani, për Gruevskin të mos flasim. "Përjashtim" bën vetëm deputetja Teuta Arifi, e cila në një kolumnë në gazetën Dnevnik, një ditë pas mbledhjes së Kryesisë së partisë ku zë vendin e dytë, do të arsyetojë shkuarjen e saj në dasmë, por edhe do të kërcënohet se "herën tjetër", kur ne nuk do të vijmë, atëherë do të bëhet kiameti.
Paramendoni rebelizmin e kësaj deputete, që çon gishtërinjtë për gjuhën shqipe, për natalitetin maqedon, miraton rekordet e partisë së saj në nëndisiplinat: ndërtimi i kishave, ndërtimi i përmendoreve, marrja e parave nga USHT-ja, humbja e Institutit Bogdani, dhënia e Kërçovës Gruevskit, heshtja e simboleve kombëtare, heshtja e familjeve të dëshmorëve, burgosjen e shqiptarëve të pafajshëm, zëvendësimi i shqiptarëve në vend të përfaqësimit të tyre në institucionet e shtetit, heshtja për çështjen e emrit dhe bllokimin e proceseve integruese në NATO dhe BE, etj. Gjithë këto suksese për më pak se 10 muaj. Ka edhe shumë të tjera, e ato nëse nuk i kujtohen deputetes me kontratë "rebeli" dhe shokëve dhe shoqeve të saja në parti, do t'i mbajnë mend historianët që për punë kanë evidentimin e gishtave në Parlament, e jo taktikat partiake që nëpërmjet kolumnave kanë për synim improvizimin e demokracisë së brendshme partiake. Vendi për të kundërshtuar këto politika, është në organet e partisë dhe institucionet e shtetit ku "rebelët" vazhdojnë të bashkëveprojnë. Përkundër kësaj, ata të dielën shprehën përkrahjen e parezervë për zbatimin e idesë së Gruevskit për shtetin-parajsë, i cili në këtë krizë ekonomike në shtet, ka porositur jo më pak se 150 automjete transportuese, si dhe katër helikopterë super të armatosur për nevojat e policisë. Këtë e din mirë edhe Ali Ahmeti, por si duket edhe ai mendon se ky armatim është blerë për nevojat e heronjve maqedonas që do të vendosen në sheshin e kryeqytetit. Duhet t'ja ketë thënë Gruevski se këto armë nuk do të përdoren kundër shqiptarëve. Nëse i ka besuar Ahmeti, dhe partia e tij, atëherë edhe ne s'kemi zgjidhje tjetër. Duhet t'ju besojmë edhe më tej njerëzve që janë dëshmuar se dinë ta mbajnë fjalën!