"Nëse s'do të vijë Ivanovi, do të vij..."
Arbën XHAFERI
Ky rast e trazoi edhe subjektin politik shqiptar. Luajalistët, pjesëmarrjen e tyre në këtë ceremoni e arsyetonin me ardhjen e sigurt të presidentit kosovar, Sejdiut, ndonëse ai vetë, me qetësi diplomatike përgënjeshtronte se ka marrë çfarëdo ftese, ndërkaq ata që refuzonin të merrnin pjesë në këtë ceremoni me rastin e inaugurimit të një presidenti të bojkotuar nga shqiptarët, nuk e personalizonin këtë vendim të kreut të shtetit maqedonas, por hapën një çështje shumë serioze-fatin e mëtejmë të Marrëveshjes së Ohrit. Gjithsesi nuk mund të mos përmendet apeli i kryetarit të BDI-së, z. Ali Ahmeti, që të mos politizohet ky rast. Pra, të mos politizohet një fenomen par ekselence politik?!. Presidenti i Kosovës nuk u ftua në këtë ceremoni për shkak të vlerësimit politik se mysafiri primar në këtë ceremoni, të paktën për maqedonasit është presidenti serb, Tadiq, prandaj u vendos që të respektohen parimet dhe preferencat e tija politike. Kjo duhet thënë hapur. Maqedonasit ende vazhdojnë me distancën e tyre ndaj faktorit shqiptar në shumë plane. Vardisja, përfillja e kërkesave të presidentit serb, Tadiq, megjithatë nuk dhënë efekt. Ai megjithatë e përkujtoi opinion maqedonas se mes këtyre dy shteteve mbeten dy çështje të hapura, njohja e pavarësisë së Kosovës nga ana Maqedonisë dhe çështja e autoqefalisë së kishës ortodokse maqedonase. Natyrisht se nuk bëhet fjalë për autoqefali, por për pronat e kishave të Maqedonisë të cilat pala serbe i konsideron si të vetat. Për këtë pretendim kanë edhe dokumentacionin përkatës. Një nocion tjetër, pos politikës, që në këtë ngatërresë diplomatike u përdor në konotacion, si zakonisht, negativ është "marketingu". Kur dikush tenton që, pa dhënë asnjë argument të mposhtë një qëndrim politik e përdor këtë nocion, marketingun si akuzë njollosëse.
PDSH-ja këto ditë doli me qëndrimin se Marrëveshja e Ohrit ka pësuar modifikime të palejueshme saqë e ka humbur misionin fillestar: ta pasqyrojë karakterin multietnik të shoqërisë në konceptin, strukturën dhe funksionimin e shtetit. Këtë qëndrim të kësaj partie, analistët maqedonas, por edhe shqiptarë e cilësuan si marketing politik, ndonëse zgjedhjet kaluan. Kjo anatemë përdoret aq lehtë saqë brengos. Në vend që të analizohen argumentet, me një fjalë goje pretendohet të mbyllet debati, të anashkalohet problemi. Po të analizoheshin argumentet, ose procesi dhe dinamika e implementimit të "Marrëveshjes së Ohrit" do të shihej se kanë ndodhur modifikime të palejueshme dhe se janë shtyrë afatet kur duhej përfundimisht dhe praktikisht të implementohej kjo marrëveshje. Ndonëse në këtë marrëveshje parashikohej që korniza të shndërrohej në realitet më së voni deri në vitin 2004, ky afat jo vetëm që nuk u respektua, por pati ngecje dhe devijime të palejueshme. Mjafton të rikujtojmë disa pika të marrëveshjes:
1. Substanca e kësaj marrëveshjeje ishte zyrtarizimi i gjuhës shqipe që në Marrëveshjen e Ohrit ka këtë formulim: cilado gjuhë tjetër të cilën e flasin të paktën 20% e popullatës po ashtu ËSHTË GJUHË ZYRTARE. Them substanca ngaqë maqedonasit imponojnë parimin latin "Quis lingua eius regio "( E kujt është gjuha, atij i takon territori). Me zyrtarizimin e gjuhës shqipe ky parim vetvetiu relativizohej. Pra, norma 20% është kusht që një gjuhë ta fitojë statusin e përdorimit zyrtar dhe kurrsesi nuk përcakton se ajo mund të përdoret vetëm në ato mjedise ku ka më se 20% pjesëtarë të një populli jo maqedonas. Por, ky nuk është modifikimi i vetëm. Ai më i rrezikshmi fshihet në nenin 2 të ligjit për përdorim të gjuhës shqipe ku thuhet: "Në organet shtetërore të Republikës së Maqedonisë, MUND të përdoret edhe gjuha zyrtare, tjetër nga ajo e maqedonishtes në përputhje me këtë ligj". Ky modifikim nuk është i sipërfaqshëm, por thelbësor. Përkufizimi kushtetues është apodiktik, pra konstaton se është në përdorim zyrtar, ndërkaq ligji këtë të drejtë e shndërron në mundësi hipotetike, ose foljen "është" e zëvendëson me "mund". Pra, gjuha shqipe nuk përdoret me automatizëm, por mund të përdoret ose jo. Ky është ndryshim kapital.
2. Në Marrëveshjen e Ohrit përfaqësimi i drejtë ka këtë formulim: "tërësisht do të respektohet parimi i mosdiskriminimit dhe trajtimit të barabartë të të gjithë personave para ligjit. Ky parim do të zbatohet sidomos në raport me punësimet në administratën publike dhe në ndërmarrje publike...". Aktualisht askush nuk mund të garantojë se ky parim është respektuar. Për ta fshehur këtë fakt jepen sqarime statistikore që askush nuk mund të verifikojë;
3. Decentralizimi i pushtetit, kryesisht në segmentin financiar është zëvendësuar me dekoncentrim. Pra, pushteti qendror disa nga kompetenca e tija i ka dekoncentruar në segmentet e pushtetit qendror të vendosura në territorin e komunës.
4. Në aneksin C të Marrëveshjes së Ohrit parashikohen masa për ndërtim të mirëbesimit. Nga ky kapitull buron ligji për amnisti dhe për risocializim dhe integrim të ish-pjesëtarëve në konfliktin e vitit 2001. Në nenin 1 të këtij ligji garantohet amnistia për të gjitha rastet, pos ato që eventualisht do të jenë nën shqyrtimin e Tribunalit të Hagës: " Me këtë ligj lirohen nga ndjekja, ndalohen procedurat penale dhe krejtësisht lirohen nga vuajtjet e dënimit me burg qytetarët e Maqedonisë, personat që përkohësisht jetojnë në Maqedoni... për të cilët ekziston dyshimi se kanë kryer vepra penale të ndërlidhura me konfliktin e vitit 2001, përfundimisht deri më 26 shtator të vitin 2001". Sipas këtij ligji amnistia i përfshin edhe veprimet në fazën parapërgatitore, por edhe në kohën e konfliktit. "Amnistia vlen dhe për persona të cilët edhe para 1 janari kanë përgatitur ose kryer vepra penale lidhur m konfliktin e vitit 2001"( Neni 1 i Ligjit për Amnisti)
Qeveria e Maqedonisë, e cila, sipas marrëveshjes e propozoi dhe votoi Ligjin për Amnesti, njëkohësisht u përpoq t'ia imponojë Tribunalit që të marrë në shqyrtim katër raste ku, sipas saj, pjesëtarët e UÇK-së i paskan shkelë normat ndërkombëtare. Tribunali i ktheu këto raste, pa asnjë rekomandim meqë, sipas standardeve të tyre nuk gjeti asnjë argument për t'i marrë në shqyrtim. Pas kthimit të katër rasteve, Qeveria e Maqedonisë, e vetëdijshme që ky konflikt nuk duhet të përfundojë pa i fajësuar shqiptarët, ia imponoi prokurorisë që të fillojë shqyrtimin e këtyre katër rasteve. Është e qartë se këtë hap ajo nuk do të mund të merrte pa e marrë pëlqimin e partnerit të saj në qeveri. Prokuroria maqedonase, në mënyrë flagrante kundërligjore ngriti aktpadi për rastin e punëtorëve të Mavrovës, të cilët paskëshin keqtrajtuar disa punëtorë të një sipërmarrjeje ndërtimore,"Mavrova". BDI-ja jo vetëm si pjesëtare e koalicionit qeveritar, por edhe si palë e involvuar në këtë kontest, jo vetëm që nuk e parandaloi këtë shkelje të ligjit, por kërkoi nga dy deputetët e saj të inkriminuar të heqin dorë nga imuniteti. Me këtë veprim u legjitimua suspendimi i ligjit për amnisti, ashtu si paraprakisht modifikimi i të drejtave të arritura në negociatat e Ohrit;
5. "Duke marrë parasysh karakterin ndërkombëtar të konkursit publik (për ndërtimin e katedrales ortodokse ne qendër të Shkupit, sqarim i A.Xh.), Ministria e Kulturës, me respekt ju lutet që të përcaktoni përfaqësuesin tuaj i cili duhet të jetë arkitekt i njohur në këtë fushë...Nënvizojmë se Ministria e Kulturës do t'i mbulojë të gjitha shpenzimet e rrugës dhe të qëndrimit të përfaqësuesit tuaj të zgjedhur" , kështu i drejtohet Ministria e Kulturës Nuncit Apostolik për R. e Maqedonisë, ekselencës së tij, mons. Santos Abrily Castello-s. Letra e dërguar me 06.05. 2008, nr.28-4729/2 dëshmon qartë se në Maqedoni haptazi shkelet parimi i laicitetit, i shekullarizimit të shtetit. Ndërhyrja e shtetit në këto çështje, jo vetëm që i thyen këto parime, jo vetëm që për këto projekte i keqpërdor mjetet e taksapaguesve që nuk mbështesin projekte të këtilla, por edhe nxit garën fetare që, shikuar nga aspekti i perspektivës e deformon politikën laiciste të partive shqiptare. Idetë e këtilla e tensionojnë faktorin shqiptar, i cili, pa vullnetin e tij involvohet në një kontest global qytetërues dhe detyrohet të marrë anë që nxit antagonizma jo vetëm me faktorin ndërkombëtar, por edhe brenda shoqërisë shqiptare;
6. Qeveria maqedonase në mënyrë provokuese e vazhdon përcaktimin që ta ruajë statusin e popullit maqedonas si trashëguese të vlerave antike dhe njëkohësisht pretendon të përvetësojë rolin kyç në ndërtimin e gjuhës, kulturës sllave në Mesjetë dhe në përgjithësi. Këto pretendime duken qesharake, por për shqiptarët e Maqedonisë kanë pasoja të rënda: për shkak të marrëzisë, pretendimit megaloman, fiksimit absurd të kreut të shtetit maqedonas, ata humbin shansin që ky shtet, ata vetë ashtu si edhe Shqipëria dhe Kosova të jenë anëtarë të NATO-s dhe UE-së. Shqiptarët, tani e tutje nuk do të fshehin se nuk pajtohen me një politikë, që pa asnjë dyshim do të dështojë.
Kryeministri maqedonas, Nikola Gruevski në mënyrë të rrezikshme dhe shumë të papërgjegjshme e ndërton imazhin i tij si një lider romantik, i papërkulur, si sfidues i zotave, që nuk bën kompromis, por të kundërtën, i radikalizon relacionet dhe i ngrit dozat e provokimit, pikërisht në ato pika ku duhet të arrihet kompromisi. Me këtë demagogji ai e ngriti rejtingun e tij personal dhe të partisë së tij, por njëherësh e rrezikoi Maqedoninë. Ai fitoi në zgjedhjet vendore, parlamentare dhe ato presidenciale, mirëpo tani do të jetë shumë vështirë për të, ngaqë me këtë grumbullim të pushtetit në duart e tija nuk do të dijë ç'të bëjë. Pos të bëjë një fotografi për pasardhësit e tij.
Sa i përket Marrëveshjes së Ohrit, ai arriti që ta modifikojë atë, ta shndërrojë në një ikonë që shërben vetëm atyre që nuk dinë ç'të flasin para kamerave, pos të thonë se implementimi i Marrëveshjes së Ohrit s'ka alternativë. Ajo është implementuar, por në mënyrë të gabuar. Krejtësisht! Gruevski pandeh se ka fituar, por me vonesë do të kuptojë se çështjen shqiptare e riktheu në shtratin e kontestit të vazhdueshëm.