Pse jo
Maqedonia e Veriut
Arben RATKOCERI
Kaluan disa javë që kur ambasadori grek ne Uashington, në mënyrë diplomatike dërgoi sinjale në Shkup, se Greqia do të dakordohej me kompromisin "Maqedonia Veriore". Që atëherë është interesante heshtja e subjekteve politike shqiptare në këtë shtet.
Edhe pse në deklarimet e tyre ata e kanë gojën plot me integrime, tani kur kishin rastin që për këtë çështje të japin kontributin konkret dhe që duket se është edhe në përputhje të plotë me qendrat vendosëse, Uashingtonin dhe Brukselin, elita politike shqiptare zgjodhi heshtjen. Nëse të gjithë jemi dakord se emri duhet të ndryshojë, ndërsa kjo gatishmëri më së miri u vërtetua me pranimin në Samitin e NATO-s në Bukuresht të propozimit "Republika e Maqedonisë (Shkupi), atëherë pse mungoi guximi të paktën të thuhet se propozimi i lansuar në Uashington nga përfaqësuesi grek është korrekt. Ose, nëse gjykojnë të kundërtën, atëherë le ta thonë, por jo të ikin nga përgjegjësia.
Ata nuk duhet të frikësohen nga reaksionet iracionale që mund të vijnë nga qarqet e caktuara nacionaliste maqedonase që sigurt po e çojnë vendin në një izolim total nga bota demokratike. Shqiptarët kanë argumente të forta për t'i bindur bashkëqytetarët e tyre maqedonas se duan t'i ndihmojnë ata dhe veten.
Shqiptarët, jo vetëm në Maqedoni, por edhe në rajon janë të vetmit që nuk kontestojnë identitetin, gjuhën, madje edhe kishën maqedonase.
Shqiptarët kanë përvojë pozitive me grekët për zgjidhjen e disa kontesteve të hapura që kishte Shqipëria me Greqinë në rrugën e saj për të hyrë në NATO.
Edhe pse kompromise të dhimbshme, ato u menaxhuan pa ndonjë zhurmë dhe i mundësuan Shqipërisë të jetë pjesë e strukturës më të fuqishme politiko-ushtarake në botë. Perspektivat të njëjta ka edhe në synimet për të qenë anëtare e BE-së.
Përfitimet nga kjo politikë konkrete integrative mund të pasqyrohen me shifra. Vetëm vitin e kaluar Shqipëria arriti të sigurojë 4 miliardë euro investime të huaja për ekonominë e saj. Nga një shtet ku për 50 vite u eksperimentua me format më të egra të komunizmit, tani Shqipëria së bashku me Maqedoninë pret liberalizimin e vizave.
Kështu nuk ishte para 18 viteve. Të prirë nga një nacionalizëm vetë-shkatërrues tërë këto vite, Maqedoninë e kaluan të gjithë fqinjët, falë politikës së tyre pragmatike dhe qëllimeve strategjike për të qenë pjesë e botës së civilizuar.
Ne duhet të jemi pjesë e zgjidhjes së kontestit të emrit, për shkak të të drejtës morale që kemi, por edhe për hir të ardhmërisë së fëmijëve tanë.
Tolerimi dhe asistimi i një politike që i ka zëvendësuar këto përcaktime strategjike me politikë jo racionale, dhe që po kërkon shpëtim në ftohje të marrëdhënieve ndëretnike dhe ndërfetar ndeshet drejtpërdrejtë me planet që ka bashkësia ndërkombëtare me Maqedoninë. Ndaj, nëqoftëse ne nuk do të hyjmë së shpejti në NATO, atëherë siç tha para do kohe profesori i nderuar, Jeton Shasivari, duhet të presim që NATO të hyjë në Maqedoni. Që kjo të ndodhë, duhet ta marrim me mend se çka duhet t'i paraprijë.