Lojalistët dhe jetimët
Lirim DULLOVI
Më kujtohet një shkrim i botuesit të gazetës FAKTI, Emin Azemi, i cili para shumë viteve shkruante për lojalitetin e shqiptarëve të Maqedonisë ndaj këtij shteti, dhe si atë e paramendojnë politikanët maqedonas. Sipas perceptimit të tyre, shkruante Azemi, për të qenë qytetarë lojalë të këtij shteti, shqiptarët duhet të mendojnë maqedonisht, duhet të vallëzojnë maqedoniasht, duhet t'i ngasin veturës maqedonisht, duhet të notojnë maqedonisht, duhet të bëjnë seks maqedonisht, bile edhe duhet të "pordhin" maqedonisht.
Ky tekst është shkruar si kundërpërgjigje ndaj tezave të sëmura të politikës maqedonase, të cilët artikulimin e ndonjë kërkese, nevoje, apo ndonjë problemi që në veçanti i shqetësonte shqiptarët e Maqedonisë, e arsyetonin me mungesën e lojalitetit të shqiptarëve.
Ky artikull ishte shkruar para shumë viteve, atëherë kur në Maqedoni, në mënyrë demokratike shqiptarët kontestonin këtë mentalitet dhe këtë parim të padrejtë të funksionimit të këtij shteti.
Me keqardhje sot duhet të konstatojmë, se që nga ajo kohë e deri tani, gjërat kanë ndryshuar në disfavor tonë. Ky popull që dikur ishte i unifikuar rreth idesë së përbashkët për barazi të plotë me maqedonasit, sot është i përçarë dhe i nënçmuar nga një politikë proserbe e Qeverisë së Maqedonisë, njëkohësisht i poshtëruar para vëllezërve në Kosovë dhe më gjerë. Sot shqiptarët e Maqedonisë janë jetimë. Ata s'kanë përfaqësues të tyre politik që do të mundej t'i realizonte kërkesat e tyre legjitime. Vullneti i popullatës shqiptare po nëpërkëmbet nga vetë të zgjedhurit e tyre, të cilët dje, në Parlamentin e Maqedonisë, nuk patën guximin me një bojkot, që është forma më e butë e rezistencës ndaj politikës antishqiptare që ushtron kjo Qeveri, të thonë JO, ne nuk pranojmë edhe më tej të përçahemi, tani edhe me vëllezërit tanë në Kosovë, për t'ia bërë qejfin presidentit serb Boris Tadiq, apo padronit Nikolla Gruevski. Me pjesëmarrjen e tyre të turpshme, ata i thanë Gruevskit se ne jemi ata trima që s'mbajmë llogari për vullnetin e votuesve tanë, i cili sipas mendimit të tyre nënçmues që kanë, ky popull s'ka kurriz, s'ka ndërgjegje, s'di të ofendohet, s'ka dinjitet, s'ka kërkesa. Dhe për të shkuar edhe më tej, për të satën herë më radhë gjatë këtyre ditëve, edhe një herë i thanë kushtimisht "RRENC" presidentit kosovar Fatmir Sejdiu. Guximit të deputetëve Tahir Hani dhe Rafiz Haliti, dhe më pastaj nonshalancës së Ali Ahmetit, i cili për këtë "lëshim" fajësoi" gjithë të tjerët, por jo edhe veten, iu bashkëngjit edhe lideri i Demokracisë së Re, Imer Selmani. Ky, pas shumë hezitimeve mes Kosovës dhe Serbisë, në fund do të thotë se ka pranuar të shkojë te Ivanovi, me arsyetim se, paramendoni, kanë arritur të bindin presidentin e respektuar Ivanov, se i pari që do të vizitojë Maqedoninë, do të jetë pikërisht president i Kosovës, Fatmir Sejdiu. Se integristët dhe demokratët e rinj në mënyrë të paskrupullt po gënjejnë këtë popull vetëm për t'i qëndruar besnikë padronit Gruevski, për të satën herë me radhë e vërtetoi president i Kosovës Fatmir Sejdiu. Mjaft më, do t'ju thotë ai nga Prishtina dy liderëve Ahmeti dhe Selmani dhe kukullave të tyre që i hanë "llokumat" e liderëve të tyre, se për shkuarjen në Parlament paskan marrë përkrahjen e ndërkombëtarëve, bile edhe të vëllezërve të tyre në Kosovë. Për fat të keq, kjo ndodhi përkundër paralajmërimit që bëmë në numrin e djeshëm të gazetës KOHA. Mos të harrojmë se në emër të ndërkombëtarëve, partitë shqiptare në Maqedoni i kanë bërë krimet më të mëdha ndaj këtij populli, siç ishte dikur edhe Marrëveshja për përcaktimin e kufirit mes Shkupit dhe Beogradit në vitin 2001… Mjaft më. Është koha t'i hapim sytë dhe t'i themi gjërat troç, ashtu siç janë.
Ky kaos i shqiptarëve të Maqedonisë, është rezultat i garës së liderëve tanë për të treguar se kush do të jetë shërbëtori më i mirë që do t'ia plotësojë të gjitha ëndrrat e mira dhe të këqija kryeministrit aktual, i cili, përveç shqiptarëve të Maqedonisë, nëpërmjet këtyre politikanëve, arriti të mbjellë me sukses edhe përçarjen mes shqiptarëve në rajon. Nëse dikur kërkesat dhe vullneti ynë politik luftohej nga politikanët maqedonas, sot në vend të tyre, presidentit të Kosovës do t'i thonë kushtimisht rrenc të zgjedhurit tanë, që lojalitetin ndaj këtij shteti dhe kësaj politike të Gruevskit e kanë kuptuar ashtu, siç dikur paralajmëronte botuesi i nderuar i gazetës FAKTI, z.Emin Azemi. Zoti i ndihmoftë shqiptarët e këtij shteti!