Financial markets

PDF  PDF KOHA

Opinione

 | Komente |  
Parlamenti i Prizrenit, Prishtinës dhe ai i Shkupit
Arben RATKOCERI
Presidenti Gjorge Ivanov duket se me mos-ftesën e homologut të tij kosovar, Fatmir Sejdiu, po e nis mandatin e tij në mënyrën më të keqe të mundshme. Madje, ky
injorim i Sejdiut ka qenë i shoqëruar edhe me tallje të tipit se i kemi dërguar ftesë, pastaj s'i kemi dërguar ftesë, që krejt kjo të përfundojë me një të vërtetë që vetë Sejdiu e sqaroi.
Që ironia të jetë më e madhe, këtë nonshalancë të autoriteteve të Shkupit ndaj Kosovës, jo vetëm që ua lejojnë, por edhe ua arsyetojë vetë shqiptarët, përmes partisë që i përfaqëson në pushtet apo që e zgjodhi atë
president.
Injorimi i Sejdiut është rasti i dytë që shënohet brenda një muaji ku autoritetet e Shkupit dalin haptazi e fuqishëm kundër Kosovës, gjithnjë në përkrahje të Serbisë. Kujtojmë se jo më larg se para tre javëve, Maqedonia ishte ndër vendet e rralla që nuk
dorëzoi deklaratë për njohjen e Kosovës në Gjykatën
Ndërkombëtare të Drejtësisë, deklaratë për të cilën Kosova kishte po aq nevojë sa edhe për njohjen që, pas shumë shtyrjeve, u bë nën trysninë amerikane në tetor të vitit të kaluar.
Në krahasim me këto dy veprime, mosvendosja e marrëdhënieve diplomatike apo rasti i Albin
Kurtit, duken minore madje edhe normale. Po ashtu, konsulli i Maqedonisë në Beograd, me gjuhë diplomatike, bëri të qartë se "ne (Maqedonia) jemi me Serbinë dhe pikë". Nga ana tjetër, Maqedonia, çdo vit nga Kosova, përmes eksporteve me këtë vend, në buxhetin e saj inkason hiç më pak se 200 milionë euro, euro që jo pak ndikojnë në zbutjen e krizës së madhe ekonomike që e shoqërojnë këtë shtet që nga pavarësia. Në kontekst të kësaj, ndonëse do të tingëllojë paksa banale, janë po ato euro që do të harxhohen në koktejin e së martës me Tadiçin e pa Sejdiun.
Me dijë apo pa të, bashkautorë në këtë përkrahje kaq të fuqishme të Serbisë karshi Kosovës, pa diskutim që janë shqiptarët përmes të zgjedhurve të tyre.
Liderët politik shqiptarë në Maqedoni, që nga pavarësia, sa herë që kanë bërë ndonjë veprim që është cilësuar si kundër vullnetit të shqiptarëve, në kontinuitet janë justifikues duke thënë "na kanë sugjeruar ndërkombëtarët" (duket qartë se sërish kapen në këtë degë të kalbur).
Natyrisht, ngelet për t'u debatuar qëndrimi i deputetëve, votuesit e të cilëve është më së e qartë se janë kundër legjitimimit të
politikës antikosovare.
Edhe këta, deputetët, duhet të jenë të vetëdijshëm për peshën e tyre dhe derisa liderët e tyre
arsyetohen me ndërkombëtarët, këtyre nuk u lejohet që të "gëlltisin çdo gjë që vjen nga i pari i partisë", sepse emri e mbiemri i tyre do të jetë i shënuar në historinë e së nesërmes. Kujtojmë se asnjë
justifikim i kohës nuk ua ka lehtësuar rangimin në faqen më të zezë të historisë më të re të shqiptarëve deputetëve të vitit 1945, të cilët duke anuluar vendimet e Konferencës së
Bujanit, në Mbledhjen e Prizrenit, vendosën që Kosova duhet t'i bashkëngjitet Serbisë apo kolegëve të tyre më të rinj të vitit 1990 që në Prishtinë, në favor të Millosheviqit, hoqën atë pak autonomi që kishte Kosova. Më të mirë nuk ishin as deputetët shqiptarë të vitit 39 të Parlamenti të Shqipërisë fashiste, të cilët, madje me ceremoni, Kurorën mbretërore ia dorëzuan Viktor Emanuelit.
Jemi të sigurt se edhe këtyre deputetëve, liderët e kohës u kanë thënë që të votojnë në favor të Serbisë, por një është e sigurt: atëherë faktori ndërkombëtar
(si tani) vështirë t'u ketë sugjeruar diçka, sepse ky faktor vlerëson vetëdijen dhe ndërgjegjen e secilit individ, përfshi këtu edhe ata që merren me politikë. Mirëpo, historia as që i ka marrë parasysh "rrethanat lehtësuese", por përkundrazi, me lehtësinë më të madhe vendin ua ka caktuar në koshin e plehrave.
Këtë nuk ia dëshirojmë askujt. Tani, kur rrethanat janë krejt ndryshe, pse jo shumë më të favorshme se gjatë viteve 45 apo 89, nuk do bëhet kiameti nëse të paktën deputetët shqiptarë njëherë marrin guximin dhe thonë: kjo është e tepërt, nuk mundemi. Tani është më lehtë, sepse atëbotë në Prizren dhe Prishtinë, ku veprimi ndryshe reflektonte likuidimin fizik, ndërsa tani të paktën dëmi më i vogël personal i një deputeti mund të jetë mospërfitimi i ndonjë thërrmije nga ndonjë tender në formë lëmoshe që ju hidhet nga privilegji i të qenit edhe shqiptarë, edhe deputet, edhe në qeveri.
Na ka ngelur të presim vetëm mesditën e së martës në Parlamentin e Shkupit si dhe pasditen e Beogradit, kur Tadiqi në formë triumfaliste do "zgërdhihet" për kolegëve tanë gazetarë të Serbisë.
Urojmë dhe presim të mos jetë kështu.
arben@koha.com.mk
 
   

Komenti JUAJ

Të dhënat tuaja:

Emri
E-mail
Tel:
 

Kthehu mbrapa

komentet e lexuesve

1.  
 
 
2.  
 
 
3.  
 
 
4.  
 
 
5.  
 
 
6.