Financial markets

PDF  PDF KOHA

Opinione

 | Komente |  
Dreka gjunjëzuese në Parlament
Nebi MËRSELI
Fatmir Sejdiu duhet t'i heqë dilemat disaditëshe rreth pjesëmarrjes në inaugurimit të presidentit të sapozgjedhur maqedonas. Ftesa nuk i erdhi. Edhe nëse i vjen nesër, është tepër vonë. Është vonë të lahet "lëshimi protokollar" i Shkupit. Nëse vendos të shkojë, po qe se ndërkohë merr ftesën, atëherë më 12 maj në Parlamentin e Maqedonisë duhet tok të shkojnë Fatmir Sejdiu, Bamir Topi, Ali Ahmeti, Menduh Thaçi, Ymer Selmani… Nëse nuk ftohet Sejdiu e shkojnë të lartpërmendurit në inaugurim të Ivanovit dhe kalimthi e takojnë Tadiqin, atëherë kjo do të ishte debakël për gjithë shqiptarët. Me këtë do të gjunjëzoheshim para megalomanisë së nacionalizmit frontal të Gruevski dhe shigjetave përçarëse që ai ka drejtuar kah shqiptarët tashmë tre vjet. Kushdo prej shqiptarëve që shkon të martën në Parlamentin e Maqedonisë e ia ha drekën Ivanovit, e ka përtypur helmin e shigjetës përçarëse. Për hir të Tadiqit, maqedonasit edhe një herë po e sfidojnë qëndrueshmërinë e shtetit. Po i qesin telashe vetes, shqiptarëve dhe serbëve. Mosftesa është sinjal më se i qartë - maqedonasit më shumë ia kanë hatrin Serbisë sesa shqiptarëve të tri shteteve. Shtatë muaj pas njohjes formale, Shkupi zyrtar po zvarrit lidhjen e marrëdhënieve diplomatike me Prishtinë. Në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, lidhur me kërkesën e Serbisë për Kosovën, Maqedonia u deklarua e përmbajtur. Në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë nuk ka dërguar asgjë.
Ditë më parë Shkupi i përtëriti marrëdhëniet diplomatike me Serbinë. Konsulli i Maqedonisë në Beograd, jorastësisht ka thënë se sa i përket statusit të Kosovës, Maqedonia do të vazhdojë të jetë neutrale. Dhe ky neutralitet, shihet qartazi se në vete mbart dilemat e Shkupit zyrtar për të lidhur marrëdhënie diplomatike me Prishtinës. Dikur thuhej se kufiri është kontestues. Tashmë kjo punë është kryer dhe nuk ka asnjë pengesë që të lidhen marrëdhëniet bilaterale. Por, si duket, presioni i Beogradit ka qenë më i madh te Gruevski se sa i Ali Ahmetit dhe BDI-së së tij, partisë shqiptare pjesëmarrëse në koalicionin qeverisës. Për presidentin Sejdiu nuk është e rëndësishme ftesa. Ai këtë punë e quan çështje të vetë Maqedonisë. Domethënë, Sejdiu nuk është prekur nga mosftesa dhe injorimi që i është bërë. Nëse jo si president, atëherë ka mundur të ftohet si mysafir i një vendi fqinj. Në drekën e Ivanovit do të jenë "i hunit e i konopit". Do të jenë të gjithë presidentët e shteteve të Ballkanit. Vonesa e vënies së marrëdhënieve diplomatike, rasti i Albin Kurtit, si dhe krijimi artificial i panevojshëm i tollovive në vendkalimin kufitar në Bllacë janë shenja se Shkupi zyrtar po gjen pretekste nga më të ndryshmit për të nxitur reagim të pamatur të shqiptarëve në Maqedoni dhe të Prishtinës zyrtare, që pastaj të përdoren si alibi të fortë, nëse Gruevski i bie pishman që e njohu Kosovën.
 
   

Komenti JUAJ

Të dhënat tuaja:

Emri
E-mail
Tel:
 

Kthehu mbrapa

komentet e lexuesve

1.  
 
 
2.  
 
 
3.  
 
 
4.  
 
 
5.  
 
 
6.