Arbën XHAFERI
Në njërën nga gazetat ditore që botohen në gjuhën shqipe në Maqedoni lexova, mbase me vonesë artikullin e Alban Dudushit, "Koha për të heshtur, koha për të folur". Artikulli ishte i përshkuar, ashtu si edhe emisioni i tij paraprak televiziv, Top Show, me brengën, njëherësh edhe dilemën lidhur me akuzën, gjithnjë e më të orkestruar nga ana e mediumeve serbe për krimet e shqiptarëve, të UÇK-së ndaj serbëve, qytetarë të Kosovës ose ushtarëve serbë të zënë rob. Akuzat e kësaj gjenerate të shpifjeve të reja kanë të bëjnë me tregtinë me qenie dhe organe njerëzore. Kjo temë një kohë të gjatë nuk hiqet nga faqet e para të gazetave serbe, por edhe jashtë Serbisë, që edhe më parë e kanë mbështetur haptazi kauzën serbe. Z.Dudushi, ndonëse me ndrojtje, me kujdes maksimal, sugjeron idenë që të hapet debati për këtë temë, të paktën për ta qetësuar ndërgjegjen tonë. Çdo popull i qytetëruar nuk do t'i ikte ballafaqimit me një imputim, apo të vërtetë të tillë, por me kusht që të përfillen argumentet. Zakonisht, ata që shpifin, veçmas nëse bëhet fjalë për shpifje institucionale, me qëllime armiqësore, atëherë, në raste të tilla argumentet, faktet nuk bëjnë punë. Por, kundërvënia ndaj shpifjeve të këtilla monstruoze nuk bëhet vetëm në relacion me burimin e imputimit, mediumet dhe institucionet politike dhe shtetërore serbe, por edhe për shkak të objektit të njollosjes, me këtë rast të vetë shqiptarëve, të cilët duhet të jenë të bindur se periudha e krenarisë së tyre, epopeja e UÇK-së është e dëlirë. Nuk mjafton vetëm të konstatohet se qëllimi i propagandës së shfrenuar serbe qenka formimi i opinionit negativ ndërkombëtar për shqiptarët, si dhe interiorizimi i fajit në vetëdijen kolektive të tyre. Kjo dihet. Në situata të këtilla nuk mjafton as qetësia tipike për të pafajshmit, ose injorimi neveritës i njollosjes dashakeqe, ngaqë propaganda serbe, e ndihmuar nga ajo ruse, tashmë ka arritur të depërtojë në kokat e njerëzve me reputacion dhe besueshmëri ndërkombëtare, duke filluar nga kryeprokurorja e Tribunalit të Hagës, Karla del Ponte e deri te filozofi amerikan, Noam Çomski.
Vala e re e armiqësisë
Nëse do të analizoheshin të gjitha shtrembërimet, shpifjet e botuara, të lexuara, të thëna takime kokë më kokë, sekrete apo publike do të shihej se kundër nesh Serbia ka nisur një fushatë, që ka efektet e një agresioni. Faktori serb në këtë periudhë e vazhdon luftën kundër shqiptarëve me mjete tjera. Vazhdimi i kësaj politike, të një lufte të ftohtë dëshmon se ata kanë qëllime të njëmendta armiqësore. Sa jemi të vetëdijshëm për këtë kanosje? Do të thosha me zhgënjim, aspak! Vala e re e armiqësisë që manifestohet si satanizim i shqiptarëve dëshmon se serbët nuk pajtohen me interpretimin e shkaqeve të luftës në Jugosllavi dhe me rezultatet përfundimtare. Ata pranojnë vetëm opsionin e ngrirjes së luftës dhe presin momentin për rifillim të armiqësive. Deri sa të vijë ky moment, ata vazhdojnë ta ushqejnë popullin serb me gënjeshtra që përputhen me paragjykimet e tyre, sa për ta mbajtur gjallë vrerin dhe mllefin, tashmë të gjeneratave të reja. Këtë e bëjnë si të moderuarit ashtu edhe radikalët. Ky plan sheshazi ekziston. Nuk janë naive deklaratat identike të parisë politike serbe se ata kurrë s'do ta pranojnë pavarësinë e Kosovës. Këtë përfundim të sotëm të çështjes së Kosovës ata e trajtojnë si shkas për luftë (casus belli). Së këndejmi, ne nuk mund të sillemi në trajtën e verbërisë psikologjike, të shikojmë dhe të mos shohim, ta mohojmë atë që qarkullon në mediumet lokale dhe ndërkombëtare, të sillemi se këto janë broçkula serbe dhe asgjë me tepër.
Në këtë fazë mund të konstatojmë vetëm faktin se gazetaria shqiptare kudo që zhvillohet ajo, nuk ka kapacitete investiguese (hetuese), prandaj ajo nuk mund të marrë qëndrim pro ose kundër, por vetëm në mënyrë përshkruese të konstatoj se lajme të këtilla qarkullojnë. Prandaj, kërkesa nga disa pjesëtarë të organizatave joqeveritare që synojnë ta luajnë rolin që e ka z/nja Natasha Kandiç në shoqërinë serbe më duken të hezituara nga shkaku se kopjohet forma e jo përmbajtja. Si mund të mbështetet dyshimi pa investigime elementare, si mund të relativizohet faji pa e konstatuar atë. Propaganda serbe përdor metodën e akuzimit pa argumente dhe pastaj kërkon prej të pandehurit që të dëshmojë se s'ka faj. Ky agjitim intensiv kundër shqiptarëve ka një parahistori të hershme, me qëllime vazhdimisht antishqiptare, por hëpërhë për ne është me rëndësi që ta analizojmë kapitullin e fundit që përfundoi me shpërbërjen e Jugosllavisë. Roli shpifarak i mediumeve, ushqimi i paragjykimeve të vjetra me rrëfime të reja të sajuara, demagogjia politike, populizmi ishin faktorët që e shkërmoqën Jugosllavinë, idenë e saj.
Ky kapitull fillon me vdekjen e Titos, përkatësisht me demonstratat e shqiptarëve në vitin 1981. Siç dihet Titoja arriti ta ruajë harmoninë në mes të sllavëve të jugut përmes parimit që "secili ta pastrojë oborrin e vet", ose çdokush të flasë për nacionalizmin e vet dhe jo të tjetrit. Një segment i shoqërisë serbe që gjithmonë e kanë perceptuar kauzën serbe si e drejtë për hegjemoni, e kishin të qartë se pa e shembur këtë parim titist nuk mund ta ndryshonin pozitën e serbëve në Jugosllavi. Pra, problemi kryesor për ta ishte si të fitohet e drejta që ta kritikojnë tjetrin, të ndërhynë në oborrin e tjetrit. Duhej të zgjidhej një faktor i padhembshëm që nuk do të krijojë gjithaq shqetësim në pjesët tjera të Jugosllavisë. Këtë rol, prej fillimit të formimit të Jugosllavisë ia patën ndarë shqiptarëve. Duke i dhunuar ata, arrihej njëherësh frikësimi, disiplinimi i popujve të tjerë të Jugosllavisë.
Formacionet katanike
Strategjia propagandistike serbe për ndryshim të pozitës dhe raporteve brenda për brenda Jugosllavisë u zhvillua në tre faza.
-faza e parë, zgjati prej vitit 1981-1987, pra prej demonstratave të Kosovës e deri te Mbledhja e tetë, ajo e famshmja e KQLK të Serbisë (e mbajtur më 23-25 shtator të vitit 1987). Kjo fazë karakterizohet me ndryshimin e trashëgimisë së Titos, i cili krijoi një sistem të barazisë që nuk u konvenonte serbëve. Kjo fazë përfundoi me zgjedhjen e Millosheviqit si realizues i projektit për ripërkufizim të pozicioneve;
-faza e dytë, zgjati prej vitit 1987 e deri më vitin 1990. Propaganda ishte në funksion të arsyetimit të ndryshimeve strukturore, pra ndryshimit të statusit të krahinave autonome të atëhershme, të Kosovës dhe Vojvodinës;
-faza e tretë është e përshkuar me arsyetime për mbrojtje të tezës "Serbia e fortë- Jugosllavi e fortë", ose shpërbërja e saj që serbët e quanin si zgjidhje e madhe dhe kapërcimi në idenë e zgjidhjes së vogël, krijimit të Serbisë së Madhe.
Qëllimi i këtij artikulli nuk është vlerësimi i procesit historik, por analiza e keqpërdorimit vulgar propagandistik të mediumeve për qëllime politike, e përshkuar me imputime monstruoze. Në këtë fushatë u përdorën mediumet e shkruara dhe elektronike sidomos ato që kishin paraprakisht një kredibilitet të veçantë siç është gazeta ditore "Politika", pastaj edicionet e saja siç është "Politika e ilustruar" (revistë javore që shtypej në shkronja cirilike dhe i destinohej kryesisht faktorit serb) dhe TV Politika. Themeluesit e kësaj gazete(diku në fillim të shek.XX) nuk ishin serbë, por slloven, Vlladisllav Ribnikar, kroati Tjeshimir Starçeviq dhe një serb Stanoje Stanojeviq. Të tre këta kishin bindje jugosllave dhe donin që kjo gazetë të afirmojë këtë ideal, por ajo pastaj do të shërbejë për mohim të këtij ideali. Misioni i ri i kësaj gazete, dikur shume serioze dhe e besueshme ishe formimi i bindjes që rolin e partisë komuniste(multietnike ) ta marrë populli(serb), ose zëvendësimi i ideologjisë komuniste me populizëm(nacionalizëm). Gjithë kjo fushatë filloi në rubrikat e parëndësishme të gazetës, "Jehona dhe reagime" ku botoheshin letrat e lexuesve. Goditja e parë ishte një shkrim humoristik sarkastik kundër akademikut serb, Gojko Nikolish me titulli përqeshës "Vojko i Savle"(Vjku dhe Savle). Duke i përqeshur qëndrimet e tija në fakt u dha sinjali për disiplinim të intelektualëve, të elitës serbe. Pas kësaj filloi një proces tjetër që aso kohe u quajt organizimi i spontanitetit ose ndodhja e popullit (dogadjanje naroda). Filloi procesi i zëvendësimit të partisë me popullin ose bartja e arbitrazhit nga partia në popull. Titujt e shkrimeve ishin shumë karakteristike: "Popullit nuk i duhet përkrahja", "Populli di më miri çka i duhet", "Populli i hoqi maskat e atyre që nuk patën vesh për gjëmën e nënave të vajzave të dhunuara në Kosovë", "Nuk humbet autonomia, por kolltuku", "Kushtetuta do të hartohet sipas dëshirës së popullit" ( natyrisht atij serb), "Ai që i frikësohet popullit të vet nuk duhet ta përfaqësojë atë", "Kaloi koha e fjalëve, tash është koha e përgjegjësive", "Nuk pranojmë asnjë afat, pos atë -menjëherë!", "Vendit nuk i duhen aspirina, por ndërhyrje kirurgjike", "Të jesh indiferent do të thotë të jesh pjesëmarrës në faj" etj. Këto tituj dëshmojnë qëllimin që të instalohet një kategori e re arbitruese-populli, që në emër të një far urgjence dhe interesi kombëtar, në tubime folklorike merrte të drejtën t'i disiplinojë gazetarët, duke i detyruar të vihen në shërbim të politikës ditore. Në vazhdim të kësaj fushate populiste, do të kalohet në argumente edhe më forta që do të dëshmojnë fajin konkret të një kategorie të popujve të Jugosllavisë, konkretisht të shqiptarëve. Më 3 shtator të vitit 1987, tre javë para mbledhjes së tetë të KQLKS ku Millosheviqi ngadhënjen, përhapet lajmi se në kazermën e Pançevës një ushtar shqiptar, Azis Kelmendi paska vrarë, pa kurrfarë arsye katër ushtarë dhe ka plagosur pesë të tjerë. Të vrarët dhe të plagosurit çuditërisht i takonin të gjithë etnive jugosllave. Ky incident i konstruktuar u vlerësua si "Shtënie mbi rininë jugosllave". Reagimet e orkestruara nuk vonohen, madje erdhi edhe lajmi se fshati i lindje së Azis Kelmendit, Dushanova afër Prizrenit e paska lëçitur familjen e "dorasit". Kësaj ngjarje tragjike që e pat tronditur Jugosllavinë në atë periudhë, i parapriu një fjalim promovues Millosheviqit, i mbajtur më 4 prill 1987 në Fushë Kosovë, ku ai u premtoi serbëve se tash e tutje askush nuk do të guxojë t'i rrahë ata. Të gjitha këto shembuj ishin në funksion të ndryshimit të strukturës udhëheqëse serbe. Kjo ndodhi në mbledhjen e famshme të tetë të KQ ku Millosheviqi u zgjodh duke e mposhtur mentorin e tij, Ivan Stamboliqin, i cili u vra gjatë bombardimeve NATOS të vitit 1999 nga atentatorë të angazhuar nga regjimi. Kufoma e këtij njeriu serioz, kryetarit më stabil të serbëve të periudhës së komunizmit u gjet në një pyll afër Beogradit, në një gropë, sikur të ishte qen. Ky rast flet për kapacitetet shtetformuese të serbëve, por sipas standardeve afrikane.
Me ndërrimin e kuadrit filloi procesi i rikonstruktimit të Jugosllavisë. Siç dihet më 1989 u abrogua Kushtetuta e Kosovës dhe Vojvodinës. Këtyre krahinave iu morën atributet e vendimmarrjes autonome. Por, për këtë shkrim është me rëndësi manipulimi i një grupi të interesit me mediumet që do të kulmojë me idealizim dhe mitizim të së kaluarës si dhe me kritikë mohuese të tjetrit dhe afirmim jokritik të vetes. Me këtë ndryshim të ligjërimit u varros tërësisht parimi i shëndetshëm i Titos, ai i vetëkritikës. Që të arrihej ky ndryshim duhej katërçipërisht të rritej doza e shpifjeve. Ja disa shembuj tipikë: një baba rri mbi varin e djalit të vetëm dhe i drejtohet prijësit: "Millosheviq, floriri ynë, eja" dhe ai vinte plot bujë që për pasojë kishte rrënimin dhe tragjeditë. Një skenë tjetër më llahtarshme e përshkruar në gazetën javore "Duga" paraqet një nënë serbe që i sheh shqiptarët tek sa e vrasin djalin e saj të vetëm: "Eh plaga ime! Dy të mbanin o bir, i treti të binte me shkop në kokë. Pa frymë u hodha për të të mbrojtur, por ata edhe mua mu vërsulën me shkop. Pastaj, Ferati, i mallkuar qoftë sa është jeta e nxori revolen dhe të qëlloi në zemër". Krahas këtyre rrëfimeve të sajuara që s'kanë ndodhur asnjëherë paraqiten tentativat për dhunim të murgeshave plaka të manastireve nga të rinjtë shqiptarë si është rasti i inkriminimit të policit, Ahmet Latifi i cili paska tentuar ta dhunojë një murgeshë plakë në manastirin e Graçanicës, apo paraqitja e një murgeshe tjetër, Tatjana Todoroviq që me armë në krah e mbron nderin e saj. Në këtë periudhë shqiptarët dhe armiqtë e tjerë të serbëve, si kroatët janë gjithmonë në përpjekje për të bërë krimin, por vigjilentët serb në çastin e fundit e parandalojnë krimin. Këta vigjilentë janë njësitet paramilitare të udhëhequr nga kriminelët ordinerë të tipit të Arkanit. Në vijë të planit për minimizim të vlerës morale të kombeve të tjera asnjëherë nuk thuhet se kroatët vetë kanë tentuar të bëjnë diçka, por gjithnjë në bashkëpunim me Gjermaninë dhe Vatikanin që paraqiten si formacione katanike.
Propaganda pa skrupulla morale
Kauza serbe, e kuptuar si një mision hyjnor, identifikimi i parapëlqyer me idenë se janë popull qiellor, mitizimi i gjithëçkajes serbe, shenjtërimi i personazheve dhe ngjarjeve, identifikimi mjeshtëror me rolin e viktimës krijoi hapësirë për implikimin e kriminelëve në politikë. Ata i kryenin punët që ndalohen me norma ndërkombëtare, ndërkaq politikanët i lanin duart si Poncie Pilati.
Propaganda serbe është mjeshtërore dhe nuk ka skrupulla morale. Ajo gjithmonë është në funksion utilitar, në funksion të së vërtetës së ideologjizuar. Ai që vret, krijon njësite paramilitare për pastrim të territorit nga elementi i huaj, ai që gjithmonë dhe kudo përdor të njëjtën metodë të veprimit, ai s'mërzitet për shpifje. Dikur shpifej se shqiptarët janë krijesa me bisht, se janë turq që duhet të shpërngulen në Turqi, pastaj se janë kundërrevolucionarë, nacionalistë, irredentistë, fundamentalistë, kontrabandistë dhe kohët e fundit tregtarë me armë, me qenie dhe organe njerëzore. Epitetet ndryshojnë sipas modës, por armiqësia kundër shqiptarëve mbetet si konstantë.
Pyka pykën e nxjerr thotë populli.