Financial markets

PDF  PDF KOHA

Opinione

 | Komente |  
Maqedonasit do të hyjnë në EU pa shqiptarët, por si bullgarë?!
Branko GEROSKI
Jam befasuar me reaksionet ndaj deklaratës së nënkryetarit të BDI, Rafiz Aliti, se shqiptarët do të integrohen në UE dhe NATO "me apo pa maqedonasit". Prita që këtë deklaratë VMRO-DPMNE ta vlerësojë si "kanosje" dhe t'i shqetësojë shpirtrat. Dhe, ma merr mendje se ky ishte edhe shkak i takimit të papritur mes kryeministrit, Nikolla Gruevski dhe liderit të BDI, Ali Ahmeti. Në fund të fundit, Rafiz Haliti nuk është person i zakonshëm, ndaj edhe deklaratat e tij kanë peshë specifike.
Por, nuk prita që ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Musa Xheferi, publikisht të distancohet nga Aliti, e aq më pak këtë ta bëjë në emër të "anëtarëve të partisë", për të cilët tha se kinse e kishën dënuar deklaratën. Dikush do të thotë, kjo është punë e raporteve të brendshme të BDI-së. Po, kështu është, por opinioni deklaratën e Musa Xheferit do të mbajë në mend me pyetjen e gazetarëve që sugjeruan partia t'i shqiptojë sanksione deputetit të vet që "flet shumë". Kjo ma përkujton kohën e të ashtuquajturës "diferencim" ideo politik të kuadrove shqiptare, jo vetëm në parti, por edhe në administratën shtetërore, në shkolla, në mjekësi dhe gjithkund ku karriera dhe fati personal i njerëzve varej prej partisë.
A është e mundur që dikush në Maqedoni edhe tani, pas njëzet vjet pavarësi dhe demokraci, të kërkojë "sanksione" dhe dënim "publik" për fjalën e thënë publikisht? Dhe, a po na kthehet sërish delikti verbal?
Publikisht them se deklarata e Alitit është e pasaktë, po para se t'i paraqes argumentet e mija, dua të theksoj se e kuptoj nëntekstin e kësaj fjalie dhe frustrimin e atij që e tha. Rafiz Aliti është njeri i rritur dhe ai e di, siç e di edhe unë, se kohë të gjatë në komunizëm, po edhe në dekadën e parë pas rënies së regjimit, nga të gjithë shqiptarët në Ballkan, më së miri jetonin shqiptarët tanë në Maqedoni. Po, ishin të diskriminuar dhe kishin probleme me pushtetin (ndaj në vitin 2001 u bë luftë), por statusi i tyre shoqëror dhe social ishte i pakrahasueshëm në raport me statusin e shqiptarëve përreth Maqedonisë. Për këtë ekzistonin rrethana objektive. Shqipëri, siç dihet, vështirë e merrte veten pas krizës së tmerrshme me rënien e komunizmit, ndërkaq Kosova kalbej nën çizmen e Millosheviqit. Shqiptarëve tanë u ishte premtuar se do të jenë të parë që do të bëhen pjesë e Evropës së bashkuar. Por, në ndërkohë, punët ndryshuan në mënyrë dramatike për fatin tonë dhe të tyre të keq. Shqipëria u bë anëtare e NATO-s, kurse Kosova së shpejti do ta kapë trenin e fundit. Dhe, shqiptarët tanë kanë të drejtë të hidhërohen për vonesën dhe të kërkojnë që menjëherë të hapërojnë kah NATO-ja dhe UE-ja. Në një deklaratë për "Top channel" publikisht thashë se nëse kjo nuk ndodh tani, më 7 dhjetor, unë më nuk e di se pse ia vlen që shqiptarët të mbeten edhe më tej në qeverinë e Nikolla Greuvskit. Për tenderë?
Në kontekst të kësaj e kam shumë të qartë deklaratën e Rafiz Alitit. E kam lutur që ta japë një intervistë për javoren "Sega", në të cilën do ta sqarojë këtë deklaratë dhe shpresoj se do ta pranojë këtë ftesë. Sido që të jetë them me bindje se "shqiptarët do të integrohen në UE dhe NATO me ose pa maqedonasit" është jo precize. Nëse nuk bëhet fjalë për ndonjë ide të re aventuriere që një pjesë e Maqedonisë, e populluar me shqiptarë, me forcë të ndahet dhe menjëherë të bëhet pjesë e NATO-s dhe UE-së - besoj se ai nuk ka menduar kështu - shqiptarët, fatkeqësisht, tash për tash, nuk kanë gjasa të mira për të hyrë në NATO dhe UE para maqedonasve. Vendi ynë edhe më tej është një hap para Shqipërisë dhe disa hapa para Kosovës në hapërimin drejt UE-së. Kjo do të thotë se pasaportat shqiptare dhe ato të Kosovës nuk kanë edhe aq vlerë.
Nëse Rafiz Aliti ka menduar për një "hyrje të këtillë në NATO dhe UE", atëherë duhet ta dijë se punët qëndrojnë krejt ndryshe. Maqedonasit edhe tani kanë gjasa të mira për të "hyrë" në NATO dhe UE pa shqiptarët. Kuptohet, me pasaporta bullgare. Kam frikë se pas 7 dhjetorit, në rast të ndonjë bllokada të re ndaj Maqedonisë, maqedonasit do të kenë dëshirë më të madhe që të kërkojnë pasaportë bullgare. Për këtë kam paralajmëruar shumë më herët, në një kolumnë, në të cilën pata thënë se mund të ndodhë që maqedonasit të hyjnë në Evropa edhe pa Maqedoninë. Por, në një rast të tillë, ata në Evropë do të ishin vetëm një forcë e lirë e punës, hyzmeqarë të llojit më të ulët. Për mua, më falni, kjo nuk është "hyrje" në Evropë.
Ndaj mendoj se deklarata e Rafiz Alitit është shprehje e një proteste të dhembshme, për shkak të pamundësisë së faktorit politik shqiptar të bëjë presion përfundimtar mbi Nikolla Gruevskin që të bëjë kompromis me grekët dhe ta hapë portën e UE dhe NATO. Unë nuk e di se pse kjo është kështu. Vetëm Ali Ahmeti e di se pse dhe deri kur BDI do të participojë në qeveri, e cila më 7 dhjetor, me siguri, edhe një herë do të legjitimohet ashtu siç ishte gjatë këtyre tre viteve - anti-evropiane dhe jodemokratike.
 

komentet e lexuesve

1.  
 
 
2.  
 
 
3.  
 
 
4.  
 
 
5.  
 
 
6.  
 
 | Komente |  
Është koha të ulen shpatat
Branko GEROSKI
Një nga filmat që më së shumti e adhuroj është ai me titull "Gandi", me Ben Kingslin në rolin kryesor. Në këtë film është një skenë interesante, e cila flet për forcën destruktive të dhunës. Pas çlirimit nga varësia koloniale, derisa në Indi shpërthejnë kundërshtitë e ashpra mes hindusve dhe myslimanëve, shpirti i madh i Gandit me grevë urie tenton ta ndalojë dhunën. Dhe ia arrin, së paku përkohësisht. Në këtë skenë të filmit, përfaqësuesit e të dy bashkësive fetare e bindin Gandin se paqja është arritur në tërë vendin. Kur bindet se kjo është e vërtetë Gandi vendos ta ndërpresë grevën.
Në këtë moment, një nga njerëzit që e lut ta ndërpresë grevën vetëvrasëse, hindus, nga këmisha e tij nxjerr një copë bukë, ia afron Gandit dhe i thotë: "Merre, ha tani!". Derisa të gjithë janë ta habitur nga gjesti i këtij njeriu, Gandi qetë e lut që t'ia rrëfejë problemin e tij. Në këtë konflikt, hindusi i dëshpëruar tregon se e kishte humbur familjen, kurse vetë, në shenjë hakmarrje, kishte vrarë një fëmijë mysliman. Pikërisht në këtë skenë Gandi e shpreh një replikë që kurrë nuk do ta harroj. "Unë do të tregoj se si të shpëtosh. Do ta adaptosh një fëmijë që i ka humbur prindërit dhe do të përkujdesesh sikur për fëmijën tënd. Por, ki kujdes, fëmija duhet të jetë mysliman dhe duhet të edukohet si mysliman".
Siç dihet, pacifisti Gandi ishte një idealist i pa përmirësuar dhe është shumë pak e besueshme se dikush i ka zbatuar këshillat e tij (në të vërtetë, është fakt historik se ai nuk arriti ta pengojë ndarjen e dy shteteve, Indisë dhe Pakistanit, që ishin nën Perandorinë e madhe britanike). Por kjo skenë nga ky film i mrekullueshëm dëshmon se sa fatkeqësi sjell konflikti dhe sa i lartë është çmimi i justifikimit moral për të keqen. Pothuaj nuk ekzistojnë të flijuar të luftës "me apo pa faj", edhe pse shpesh i përdorim këto fraza. Në kuadër të kësaj teze, do të kisha guxuar të them se të flijuar të luftës janë xhelatët, njerëzit të cilët në emër të "qëllimit të lartë" lehtë e flijojnë atë më të vlefshmen që e ka njeriu në vete - njerëzoren.
Njeriu duhet të mendojë mirë sa herë që tenton ta kapë shpatën. Por, fatkeqësisht, kur kapet arma, arsyeja bllokohet dhe shpërthejnë emocionet. Në kontekst të kësaj, gjithnjë lajm i mirë është se çdo luftë përfundon me paqe dhe se njerëzit e arsyeshëm pastaj kërkojnë mënyrë se si t'u ndihmojnë atyre që dëmtohen, përfshi edhe pjesëmarrësit në luftë. Si për njërën palë ashtu edhe për tjetrën satisfaksion është drejtësia (zbulimi i të vërtetës) dhe ndihma (rehabilitimi). Kuptohet, nuk jam naiv që të mendoj se të vdekshmit janë të gatshëm për një distribuim, padyshim hyjnor, të drejtësisë dhe të ndihmës siç e kishte paramenduar Gandi në skenën e filmit që e përshkruam më lartë dhe e cila thjeshtë mund të çojë deri te larja e plotë e mëkateve. Por, jam i bindur se tetë vjet pas luftës së ndytë të vitit 2001, shoqëria maqedonase është e pjekur të sigurojë pak më tepër drejtësi dhe ndihmë për ata që u flijuan.
Do të jem i qartë dhe i hapur, dhe e di se shumë kujt kjo që do ta lexojnë nuk do t'i pëlqejë. Nëse jemi pajtuar se të vërtetën për krime lufte e zbulon Tribunali i Hagës, duhet të thuhet se drejtësia nuk është plotësuar. Procedurat e Hagës trajtuan vetëm njërën anë të barrikadës. Kurse krime lufte pati në të dy anët. Do të përmendi vetëm dy raste të krimit të luftës - atë në fshatin Lubeten dhe krimet në fshatrat e Tetovës, ku qenë kidnapuar dhe vrarë 12 qytetarë maqedonas, të cilëve edhe sot e kësaj dite nuk u dihen varret. Drejtësia nuk do të jetë e plotë derisa nuk zbulohen dhe nuk dënohen fajtorët për të dy krimet. Për të parën Haga shpalli fajësinë (momentalisht është në procedurë ankese), kurse për të dytën edhe më tej heshtet. Më falni, por kjo nuk është drejtësi.
Jo në mënyrë të drejtë është distribuuar ndihma për pjesëmarrësit në luftë. Derisa pjesëtarët e forcave të shtetit (branitellat) dhe familjet e tyre fituan njëfarë ndihme dhe kompensim për të vdekurit, pjesëtarët e UÇK-së me vite luten për pension dhe ndihmë sociale. Vetëm tani iu premtua se deri në Vitin e Ri do të bëhet diçka. Por, duket se kanoset rreziku që një e padrejtë të zëvendësohet me një tjetër. Derisa pjesëtarët e UÇK-së shpresojnë për ndihmën që e meritojnë, shteti po i padit "branitellat" dhe po i detyron që familjet e të vrarëve t'i kthejnë paratë, e që është një marri e madhe për Qeverinë e Nikolla Gruevskit.
Të kuptohemi, ndihmë, përkrahje dhe rehabilitim meritojnë të dy palët. Pjesa më e madhe e këtyre njerëzve gjatë luftës së pakuptimtë qëndruan përballë njëri tjetrit, duke shtënë me armë dhe u flijuan për "politikën e lartë". Pjesa më e madhe e tyre sot jetojnë në varfëri dhe ndjehen të mashtruar, të dëshpëruar dhe vuajnë nga sindromi vietnamez. Është e drejtë dhe njerëzore që të dy palët të ndihmohen.
Sikur Gandi të ishte gjallë, këtu pranë nesh, jam i bindur se do të kërkonte që njerëzit e shoqatës së luftëtarëve të UÇK-së dhe ata të shoqatës së "branitellave", t'ia zgjasin njëri tjetrit dorën që do të ishte një gjest simbolik për besimin e ndërsjellë. Të parëve do t'u thoshte të vënë kurora lulesh në pllakën përkujtimore në Karpallak dhe të përkujdesen që kjo pllakë kurrë më të mos thyhet, ndërkaq të dytëve që të shkojnë në Sellcë dhe atje, para bustit përkujtimor, gjithashtu të vënë kurora lulesh dhe ta shprehin dëshirën që më kurrë të mos luftohet.
Por, siç thash edhe më lartë, unë nuk jam naiv dhe nuk besoj në këso mrekulli. Jam i vetëdijshëm që të dy palët do të vazhdojnë me "kultivimin e sharmit ndaj urrejtjes" ( po e përdori këtë metaforë të shkëlqyeshme të Arbën Xheferit, që e tha në intervistën dhënë javores "Sega").
Por, besoj se mund të jemi pak më të përmbajtur dhe më pragmatik. Edhe zogjtë e dinë se lufta e vitit 2001 ishte e keqe dhe e padrejtë dhe se nuk duhej të shpërthente. Por, nuk është e thënë që tani të kthehemi në të kaluarën dhe për këtë të debatojmë. Nuk shkruajmë enciklopedi, djalli e marrtë. T'u ndihmojmë atyre që e pësuan. Të dy palëve dhe mos t'i akuzojmë njerëzit. Ata mjaftë kanë flijuar me vendimin për të qëndruar në barrikada, duke u vënë në tytë njëri me tjetrin dhe bashkërisht të gjithë kundër vetvetes.
 | Komente |  
Atdheu im është i bukur, por shteti im është i keq
Branko GEROSKI
Ma merr mendja se të gjithë e keni përcjellë klipin famoz që zgjat 8.5 minuta e ku paraqiten Menduh Thaçi dhe profesor Ali Aliu, i cili u realizua në TV Klan (Tiranë), në të cilin dy "intelektualë" lokal mysafirët nga Maqedonia jo që i lanë pa koment, por edhe nuk u lejuan ta hapin gojën. Nëse e kam kuptuar mirë, emisioni ka zgjatur një orë e gjysmë dhe supozoj se makineria propaganduese e Nikolla Gruevskit i ka zgjedhur dhe përkthyer deklaratat më interesante në dobi të spin -tezës së tij se në Tiranë, ja, ka "intelektualë të vërtetë", të cilët kanë guxim t'i thonë Thaçit se duhet ta dojë shtetin vet dhe jo me të të luftojë, të ngacmohet dhe ta përbuzë.
Unë nuk i njoh ata dy bashkëbisedues të cilët ashpër i sulmuan Menduh Thaçin dhe Ali Aliun dhe nuk mund të gjykoj për kapacitetin e tyre si "intelektualë". Dëgjova se bëhet fjalë për personalitete kontroverse, por kjo, në fund të fundit, fare nuk është e rëndësishme. Nga ana tjetër, nuk e kam ndërmend t'i mbroj Thaçin dhe Aliun dhe të aktroj se jam "shiptar" dhe "planinc" më i madh se ju, të nderuar lexues, siç ju emëron akademik Bllazhe Ristovski. Dua vetëm që publikisht ta kundërshtoj tezën se secili prej nesh, pa kushte, do të duhet ta dojë shtetin e vet. Kjo tezë është e vjetër, i ka kaluar afati, është tezë marksiste-leniniste, dogmatike dhe kuptohet nuk përkon me realitetin në të cilin jetojmë.
Thaçi, Aliu dhe shqiptarët nuk janë të vetmit në këtë vend të cilët jo shumë e duan shtetin e tyre. Të tillë janë edhe maqedonasit. Një hulumtim respektabil i opinionit publik në vendet ballkanike tregoi se maqedonasit, nëse u tregohet rasti, me të madhe do të largoheshin nga atdheu i tyre. Hulumtimi njëkohësisht tregoi se mundësitë e kroatëve, për shembull, për ta lëshuar vendin e tyre (kanë shumë familjarë dhe miq në shtetet e ndryshme, të cilët mund t'u ndihmojnë) janë shumë më të mëdha se të maqedonasve. Po, nga kush maqedonasit janë të pakënaqur? Nga malet? Nga lumenj e liqet? Nga ajri? Nga klima dhe ushqimi? Jo, kuptohet, ata janë të pakënaqur nga shteti i tyre.
Pos hulumtimit të opinionit publik, ka edhe shumë shembuj konkret që tregojnë se maqedonasit nuk janë në dashuri të madhe me shtetin e vet. Edhe maqedonasit si shqiptarët shmangen për të paguar tatime dhe kontribute. Kam dëgjuar se diçka e tillë në Danimarkë as që mund të paramendohet dhe se çdo danez e lajmëron fqinjin nëse kupton se ka fshehur tatimin. Maqedonasit nuk duan t'i paguajnë dënimet, sepse shteti i dënon në mënyrë drakonike. Dikur, kur të gjithë shkonim për të shërbyer në ushtri, maqedonasit shumë më tepër se shqiptarët i shmangeshin këtij obligimi e kështu me radhë.
Unë mendoj se e gjithë kjo nuk është normale. Duhet atdheu. Duhet vendlindja. Duhet lumi dhe mali. Unë e dua Maqedoninë, vendlindjen time, Gostivarin, Treskën dhe Matkën, por edhe Ohrin. Por, sinqerisht t'ju them se nuk mendoj mirë për shtetin tim. Pse? Sepse mendoj se nuk është e domosdoshme të krijoj marrëdhënie emocionale ndaj një organizmi që quhet shtet, në të cilin ka ushtri, polici, administratë shtetërore, gjykatë, ndërtesa, vetura zyrtare dhe gjithçka tjetër. Nuk e dua shtetin tim, sepse nuk është demokratik, sepse është e madhe dhe shtrenjtë për atdheun tim dhe për këtë popull të varfër. Dhe, ajo që është ndoshta më e rëndësishme, ka të bëjë me faktin se edhe ai (shteti) nuk më do mua.
Nuk them se nuk është e vërtetë se ai ju do më pak se mua për faktin se jeni shqiptarë. Po, në këtë drejtim ka se çka të thuhet, por le të më lejohet që kësaj radhe të përdori argumente, në të cilat nuk do ta theksoj prejardhjen tonë etnike - maqedonase timen dhe shqiptare tuajën. Shteti im nuk më do, sepse kërkon që policia ta mbrojë prej meje, por jo edhe mua nga ai. Shteti im kërkon që ta paguaj për të, por nuk ma kthen atë që duhet. Shteti im për disa është nënë, e për disa njerkë. Ajo është e rregulluar në atë formë që në pushtet të arrihet me forcë, manipulim, korrupsion dhe gënjeshtra. Me një fjalë, atdheu im, Maqedonia, është i bukur, por shteti im, Maqedonia, është e keqe.
Të gjithë ne këtë e dimë. Kemi parë shumë shtete më të bukura se ky i yni. Kur e krijuam ose thënë më mirë, kur e ndamë nga ish Jugosllavia, trashëguam edhe punë të mira, por edhe të këqija. Trashëguam diskriminim të ashpër të pakicave, i cili, të jem i sinqertë, shkaktoi urrejtje të madhe mes shqiptarëve dhe maqedonasve. Kjo ndjenjë është abstrakte, por e fortë. Unë, për shembull, nuk njoh maqedonas që mund të hartojë një listë me emrat e dhjetë shqiptarëve që i urren. Përkundrazi, mesiguri do t'i numërojë disa miq. Por, nga ana tjetër, i urren shqiptarët abstrakt, përkatësisht "të gjithë" shqiptarët. Dhe anasjelltas, gjithsesi.
Me fjalë të tjera, krijuam një shtet të atillë që na detyron të urrehemi në mënyrë abstrakte, edhe pse në përditshmërinë konkrete nuk mund t'i shmangim ndjenjat ndaj njerëzve konkret, që në të shumtën e rasteve janë pozitive, sepse njerëzit, sipas natyrës, janë qenie që duhen, respektohen dhe ndihmohen. Shteti ynë punon kundër asaj që është njerëzore në gjithë ne dhe prandaj duhet ta zbukurojmë dhe ta bëjmë më të mirë nëse mendojmë se duhet ta duam dhe me të të identifikohemi. Ne, më të vjetrit, e dimë se duket kjo. Edhe Jugosllavia Socialiste për dikë ishte nënë, e për dikë njerkë (shqiptarët këtë më së miri e dinë), por për shumë çka ishte shtet serioz, i rregulluar dhe liberal, me të cilin të gjithë identifikoheshim. Me krenari i mbanin pasaportat e kuq dhe anonim për reprezentacionet e tij sportive.
Republika e Maqedonisë, fatkeqësisht, ende nuk është shtet i tillë. Nuk është shtet që meriton të duhet shumë. Sikur në vend të Thaçit dhe Aliut të ishin dikush tjetër, për shembull Ali Ahmeti e Kim Mehmet, ata dy "intelektual" shqiptarë, do t'i akuzonin njësoj. Edhe mua do t' më akuzonin. Por, unë do t'u kisha thënë se edhe Shqipëri ka individë që nuk e duan shtetin e tyre. Bile, mendoj se ka më shumë se te ne.
Por, shpresoj, se ka diçka për të cilën të gjithë do të pajtoheshim - nëse mendojmë se shteti mund të bëhet objekt i emocioneve tona, atëherë duhet të kuptojmë se dashuria nuk është dashuri nëse është e verbër. Ju thash se unë jam i dashuruar në Treskën e Matkës. Shëtis pranë saj, hedh grepin për ta kapur ndonjë peshk dhe e dua për çdo ditë. Po, pikërisht ditëve të fundit Treska nuk është lum që ta duash- është turbulluar, niveli i ujit ka zbritur deri në gjunjë dhe i ngjan një moçali. Por, unë prapëseprapë e dua dhe pres që t'i kthehet pamja e mëparshme, siç ishte apo siç duhet të jetë.

 

 | Komente1• |  
Gruevski duhet të kërkojë falje, Stardellovi dhe Ristovski të japin dorëheqje!

Branko GEROSKI
Tashmë është e qartë se p "manupedinë" e akademik Bllazhe Ristovski, ky pamflet enciklopedist që e konteston autoktoninë e shqiptarëve në Maqedoni dhe që e ngrit lartë pushtetin e Nikolla Gruevskit, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, e quajti "ndërprerje e armëpushimit", edhe atë tetë vjet pas luftës së vitit 2001. "U bënë tetë vjet armëpushim. Pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit kemi armëpushim dhe këtë armëpushim e prishi një zotëri, Bllazhe Ristovski. Ai e prishi armëpushimin si një ushtar i papërgjegjshëm dhe i pandërgjegjshëm për popullin e vet", deklaroi Ahmeti në Prishtinë, në një emision debativ të televizionit Klan.
Kjo deklaratë, disi e çuditshme, erdhi pas zbardhjes së zërave skandaloze të "Enciklopedisë Maqedonase" në dy vëllime, projekt ky i udhëhequr nga institucioni më rëndësishëm i vendit, AMSHA, i cili u financua nga paratë e shtetit. I pari i BDI-së iu nënshtrua një presioni të fortë të publikut shqiptar në Maqedoni, por edhe qarqeve politike në Prishtinë e Tiranë, që qartë dhe publikisht të prononcohet për skandalin. Më në fund Ahmeti, si njeri i qetë dhe i dërueshëm, foli. Por, mos të brengoset Nikolla Gruevski, sepse Ahmeti i shmangu dyshimet se po përgatitet të tërhiqet urgjentisht nga Qeveria. Mirëpo, pas kësaj ai qartë kërkoi nga partneri i tij në koalicion të distancohet nga pamfleti i AMSHA.
"Mendoj se autoritet politike në shtet duhet të prononcohen për Enciklopedinë, me qëllim që të shmangen të gjitha dyshimet e faktori ndërkombëtar, shqiptarëve etnik, fqinjëve tanë, siç janë Shqipëria e Kosova, se pas këtij teksti provokativ që shkakton ndarje nuk qëndrojnë autoritetet politike të shtetit". Kjo ishte deklarata e matur e Ahmetit.

Vmrositët në kundërsulm
Se Ahmeti nuk do ta marrë atë që e kërkon u pa qartë edhe nga sjellja e kryetarit të shtetit, Gjorge Ivanov, të cilin Sali Berisha në Nju Jork e luti që të distancohet nga përmbajtja fyese në "Enciklopedinë Maqedonase". Gjolja u bë "francez" dhe refuzoi që ta komentojë enciklopedinë, me një sqarim të dobët se ai, si politikan, nuk guxon të komentojë vepër shkencore. Menjëherë pas kësaj Ahmeti u bind se ka zgjedhur njeri të gabueshëm që të kërkojë falje.
Më në fund, kjo, për Ahmetin nuk duhet të paraqesë befasi, sepse të gjithë e dimë se Gruevski është njeri me sedër dhe politikan i një formati të vogël - pasqyrimi i "madhësisë" së tij krijohet me zhurmë propaganduese dhe me projekte, siç është ky i çetës së lajkatarëve, në krye me Ristovskin. Prandaj edhe nuk presim që Gruevski ta ftojë AMSHA që t'i përpunojë zërat kontestuese dhe enciklopedinë ta tërheqë nga shtija. Enciklopedia, çështë e vërtetë, nuk pa dritë (pos 50 ekzemplarëve, të cilat tani kërkohen nën drunj e nën gurë), por Gruevski me asnjë fjalë nuk i mënjanoi dyshimet se ai dhe partia e tij qëndrojnë pas këtij pamfleti.
Këtë Ahmeti ka mund të parashikojë. Gruevski bëhet gjithnjë e më i fortë (duke i falënderuar, ndër të tjera, edhe koalicionit me Ahmetin) dhe, edhe më i sinqertë. Ai nuk lejon që t'u prishet qejfi njerëzve që e ngritën lartë në këtë botim dyvëllimësh dhe në të njëjtën kohë që e ngritën lartë politikën e tij shoviniste ndaj shqiptarëve në nivel të qëndrimit zyrtar të historiografisë maqedonase. Vozhdi ndjehet aq i fortë sa që nuk ka nevojë as t'i aktrojë dy-tri fjalë në dobi të Ahmetit. Përkundrazi, në vend të fjalëve që do të qetësonin, Gruevski u nis në kundërsulm, duke akuzuar "forca" të paemëruara për krijimin e këtyre tensioneve.
Në stilin e babait të tij inspirues, Millosheviqit, Gruevski deklaroi: "Gjithnjë paraqiten disa forca, për të cilat nuk dua të flas në imtësi, që tentojnë që në një mënyrë ta prishin atmosferën, të krijojnë nervozë, kacafytje, të krijojnë palë të kundërshtuara, që Maqedonisë i krijojnë një pamje të keqe, që eventualisht do ta detyronin dikë në Evropë, prej të cilit varet njëfarë raporti, vlerësimi, përparimi, ta ndërrojë mendimin. Ne maqedonasit jemi mësuar me këto çështje. Do të vazhdojmë që edhe më tej të punojmë. Dhe kur besoni në suksesin dhe kur punoni shumë, ai duhet të vijë". Me këtë deklaratë Gruevski tentoi që fajin për tensionin ta hedhë mbi "disa forca" të njohura, të cilët kinse krijojnë "pasqyrë të keqe" për Maqedoninë dhe për "realizimet" e kësaj qeverie. Ndryshe thënë, bëhet fjalë për intelektualët maqedonas që iu bashkëngjitën protestave të arsyeshme të shqiptarëve dhe të cilët nuk dëshirojnë që historinë e Maqedonisë ta shkruajnë lajkatarë dhe piromanë të prapambetur dhe të frustruar.

Grujo ngacmon Aliun
Them se gjithë këtë Ahmeti nuk mundi ta parashikojë. Dhe, të themi disi, ta gëlltisë. Por askush, as Ahmeti, po edhe unë (i njohur si Baba Vangja mes gazetarëve) nuk mundi të parashikojë se Gruevski, më falni, po ia fut liderit të BDI-së! Dhe kjo është fjala e vërtetë e asaj që ndodhi më vonë. Pasi me deklaratën e tij në stilin millosheviqian nuk e plotësoi kërkesën e Ahmetit, Gruevski sërish u lajmërua edhe me një mendim tjetër, me një perlë të vërtetë. Kjo deklaratë meriton të jepet e plotë: " Në situatë kur gjithnjë kemi dikë që është i ofenduar, është mirë që të dy palët, pavarësisht nga argumentet e njërës apo palës tjetër, pavarësisht se kush ka të drejtë e kush jo ose kush si i ndjen punët, është mirë që në një situatë të tillë të gjendet mënyrë që mes të dy palëve të bisedohet dhe përmes dialogut, mirëkuptimit dhe respektimit të ndërsjellë, të arrijnë deri te një zgjidhje e problemit".
Pas kësaj deklarate, me të cilën Gruevski u paraqit si "palë e tretë" e kontestit, kujtoj se Ahmeti më fund e ka të qartë se shoku i tij është duke e ngacmuar. Nëse kjo nuk është tallje, më falni, atëherë unë nuk e di se çfarë vërtet është tallje! Dhe, nëse mua më pyetni, ishte koha e fundit që Ahmeti të kuptojë se qëndrimi i enciklopedistëve tanë është pikëpamje vmroiste ndaj çështjes shqiptare në Maqedoni, se për VMRO-DPMNE shqiptarët gjithnjë do të jenë shiptari jo atukoton, arnautë e malësorë dhe se Gruevski është shovinist i bindur. Ishte koha e fundit që Ahmeti të pushojë se vlerësuari se marrëdhëniet e tij e tij me Gruevskin janë të mira dhe korrekte, kur më askush nuk beson në këtë. Ishte koha e fundit që BDI ta kuptojë dyfytyrësinë e partnerit të tij në koalicion, i cili tani ofrohet edhe si "lehtësues" i paftuar i "dialogut" me ata të cilët në mënyrë më të ndytë i ofenduan shqiptarët. Ja pra, erdhi koha që Nikolla Gruevski Ali Ahmetit t'i japë leksione për dialogun dhe tolerancën!
Turpi i këtillë nuk durohet!
Rafis Aliti, nënkryetari i BDI-së, duke se mori detyrë që t'i dërgojë mesazh të qartë Gruevskit. "Nëse Ahmeti vendos, ne jemi të gatshëm që menjëherë t'i lëmë funksionet", deklaroi Aliti, duke lënë që Ahmeti vetë të vendosë për koalicionin me Gruevskin. Por, Ahmeti, kuptohet, është politikan i arsyeshëm dhe ai do të lë edhe pak hapësirë që Gruevski publikisht, në emër të popullit maqedonas, t'u kërkojë falje shqiptarëve për provokimin e enciklopedistëve. Nëse mua më pyetni, tani më duhet të kërkojë falje!
Kjo sidomos tani bëhet e domosdoshme, pasi akademik Ristovski, në një intervistë për "Politikën" e Beogradit, thotë se nuk bëhet fjalë pas për tërheqje e as për korrigjim të enciklopedisë, as nën presionin e faktorit politik shqiptar. Pas këtij prononcimi, është e qartë si dita, se projekti "Enciklopedia maqedonase" dhe sidomos zërat e kontestuara janë dizajnuar në qarqet beogradase, atje ku me dekada është bërë politika e Maqedonisë Socialiste. Sikur të pyetej Bllazhe Ristovski, lideri Ali Ahmeti që moti të "diferencohej politikisht" dhe jo të jetë pjesë e pushtetit.
Këto lëvizje të Gruevskit dhe akademik Ristovskit, Ali Ahmeti do të duhet t'i përjetojë si ofendime personale. Nëse është lider, nëse është shqiptar krenar, nëse është burrë, kështu duhet t'i kuptojë këto ofendime. Dhe mendoj se është. Sa vlen pushteti, zoti Ali, nëse pas njëzet vjetëve politikën sërish do të na e bëjë "Politika" e Beogradit. Bile, as Llatasi nuk është aq i kualifikuar për ta mbrojtur Bllazhen. Ç'të duhet pushteti, miku im Ali, kur njeriu duhet të durojë edhe të marrët e këtillë!
Punën e kemi berbat
Por, unë dhe ju, maqedonas të arsyeshëm, që Gruevski na emëron si "disa forca" (së paku na pranon si "forcë" - dhe kjo do të thotë diçka) me Ahmetin lehtë merremi vesh. Por, çka bëjmë me piromanët tanë politik, të cilët na kthejnë mbrapa në vitin 2001? Ja, arriti reaksioni nga "ana tjetër". Partia jashtëparlamentare, BDK Hisni Shaqirit, për të enjten thirri protestë para Qeverisë, në të cilën do të kërkohet "Enciklopedia Maqedonase" të tërhiqet dhe të asgjësohet. Shaqiri premtoi se nuk do të bëjë ftesë që të digjet flamuri maqedonas, por nëse kjo ndodh, nuk do të bart përgjegjësi. Për këtë protestë ka përkrahje edhe të PPD-së së Sefedin Harunit. Janë ftuar edhe Ahmeti, Thaçi e Selmani që ta përkrahin protestën, por duket se kjo nuk do të ndodhë. Në partinë e Ahmetit thonë se protesta nuk është paramenduar mirë, se është e shpejtuar dhe se e prish unitetin e faktorit shqiptar. Partia Demokracia e Re e Selmanit dorëzoi memorandum në Kuvend, me të cilin kërkohet që kryeministri dhe kryetari Ivanov publikisht të distancohen dhe të kërkojnë falje për përmbajtjet në enciklopedi, që duhet të tërhiqet dhe në të ardhmen të emërohet si "Enciklopedia e Maqedonisë" dhe jo si "Enciklopedia Maqedonase". Por, piromanët tanë dhanë këtë përgjigje: VMRO - DP e Vlladimir Gollubovskit të harruar ia tërhoqi vërejtjen MPB-së se nuk duhet ta lejojë protestën, pas është paralajmëruar se do të digjet flamuri maqedonas.
Me një fjalë, punën e kemi berbat. Ky tekst botohet një ditë para protestës së paralajmëruar. Me lutjen time, KOHA, kolumnist i së cilës jamë, pranoi ta botojë këtë shkrim. Edhe unë, pikërisht si Ahmeti, do të kisha dëshiruar që Gruevski, së paku për një çast ta tejkalojë vetveten dhe si krishter i mirë nga shqiptarët të kërkojë falje për ofendimet e shprehura në "Enciklopedinë Maqedonase". Jo vetëm kjo, por edhe Stardellov si kryetar i AMSHA duhet të japë dorëheqje, bashkë me Ristovskin, si përgjegjës i Enciklopedisë. Nëse nuk ndodh kjo, atëherë çdo ditë, çdo orë që Ahmeti do ta kalojë në këtë Qeveri, do të jetë në dëm të tij, por parasegjithash në dëm të shqiptarëve dhe tërë Maqedonisë. Mendoj se për këtë janë koshient edhe SHBA-të dhe miqtë tanë evropian. Nëse në ndërkohë nuk ndodh diçka pozitive, si njeri i cili ndër të parët, sinqerisht dhe ashpër e kritikoi pamfletin antishqiptar të akademik Bllazhe Ristovski, në cilësinë e gazetarit të vetëm maqedonas që boton kolumna në gjuhën shqipe në gazetën KOHA, të enjten personalisht do t'i pres protestuesit në krye me Shaqirin dhe Harunin dhe në emrin tim personal do të kërkoj që të mos e djegin flamurin e Republikës së Maqedonisë. Do t'ju them se asgjë e mirë nuk arrihet me diçka të tillë që do ta ofendonte shtetin tonë të përbashkët. Përkundrazi, vetëm me një qasje dinjitoze, shqiptarët mund t'u tregojnë edhe atyre që nuk u besojnë, se kanë të drejtë.
Nëse ka kandidatë midis "forcave tona" le të vijnë e të më bashkëngjiten. Ka ardhur koha që flamurin tonë ta mbrojmë bashkërisht. Me nder dhe me miqësi me shqiptarët, se ndryshe s'bën. Pse, a menduat se vmroistët do ta mbrojnë?!

1.  
Komenti:  interesant tekst, me gezon fakti qe te pakten nji njeri i kombit maqedon e pranon faktin se jemi te trajtuar keq si popull.. i lumt Branko GEROSKI
Emri:  perker
Email:  perker_boy_dk@hotmail.com
 
 | Komente1• |  
Deputetë, mësoni shqip!
Branko GEROSKI
Të mësohet gjuha amtare është kulturë elementare. Ta dish edhe një gjuhë tjetër është çështje e pasurisë. Por, ta njohësh gjuhën e bashkësisë tjetër etnike në një shoqëri multi-etnike, çfarë është kjo e jona, është çështje e adaptimit dhe socializimit më të lehtë. Kur isha gazetar i ri, në kohën e socializmit, ky imperative ishte i njohur, por fatkeqësisht, i takonte vetëm njërës anë. Thuhej se shqiptarët duhet ta njohin "gjuhën e mjedisit shoqëror", maqedonishten. Ndërkaq, unë, prej natyrës shtrembër i mbjellë, shpejt u binda se nëse çështja e gjuhës në Maqedoni, sikur në çdo vend, parasegjithash është praktike, atëherë duhet të vlejë edhe e kundërta - maqedonasit duhet ta dinë gjuhën shqipe, sidomos në mjediset me popullatë shumicë shqiptare.
Edhe në vitet nëntëdhjeta të shekullit të kaluar ky ishte një mendim eretik. Por, kur Fondacionit i Sorosit në Shkup hapi kurs për gjuhën shqipe, menjëherë u paraqita. Për mua kjo ishte mundësia e vetme që ta plotësoja dëshirën time për të mësuar shqip. Më kujtohet se me mua ishte edhe kolegu nga Telma, Panta Xhambazovski. Në grupin tonë ishin edhe disa kuadro të rinj të Shërbimit për siguri shtetërore, të cilit gjuhën shqipe duhet ta mësonin për shkaqe praktike (të kuptojnë se çfarë flasin ata që i përgjojnë apo spiunojnë). Ndodhi çka ndodhi, ishte shumë mirë. Shoqëroheshim dhe mësonim. Kishim një mësuesi shumë të mirë dhe për gjashtë muaj mësuam shumë. Por, udbashët si udbashët (asnjëherë nuk kanë qenë inteligjentë) u lodhën dhe kursi u ndërpre. Atë që e mësova e harrova dhe sot mezi mund të kapi ndonjë fjalë ose të kuptoj ndonjë titull në gazeta.
Aq shumë energji u harxhua këtyre viteve në përpjekjet që gjuha shqipe të zyrtarizohet si gjuhë e dytë zyrtare dhe në përpjekjet që kjo të pengohet, sa që ndonjëherë them se sikur një e treta e asaj energjie të harxhohej në aplikimin e mësimit të gjuhës shqipe në mënyrë fakultative në shkollat fillore dhe të mesme në mjediset etnikisht të përziere, sot do të kishim një gjeneratë të tërë të maqedonasve që do të mund të flisnin dhe lexonin shqip dhe burimisht ta njihnin kulturën shqiptare. Jam i bindur se sikur kjo të ndodhte, Maqedonia sot do të dukej ndryshe.
Kuptohet, nuk jam naiv, mendoj se kusht që çështja e gjuhës të ketë trajtim praktik e jo politik, është që çdo njeri të ketë të drejtë bazike politike që ta përdorë gjuhën e vet amtare në të gjitha nivelet dhe në të gjitha lëmit e jetës shoqërore. Shumë të rinj maqedonas e mesiguri edhe shqiptarë, sot mendojnë se këtë të drejtë bazike shqiptarët e fituan pas luftës së vitit 2001, kur gjuha shqipe u bë gjuhë e dytë zyrtare (në letër, sepse në praktikë ende nuk është kështu). Mesiguri se askush këtyre të rinjve nuk u ka treguar se kjo nuk është kështu dhe se e drejta e gjuhës dhe disa të drejta tjera të fituara në vitin 2001 - sigurisht se jo me këtë vëllim dhe jo me këtë kualitet, u "fituan" pothuaj tre dekada para luftës, por më vonë u suspenduan në mënyrë të ashpër.
Kështu, nga sjellja e Kushtetutës së vitit 1974 deri në kryengritjen e Kosovës në vitin 1981, në komunat e Maqedonisë Perëndimore, kishim tre-gjuhësi - flitej maqedonisht, shqip dhe turqisht dhe valonin tre flamuj. Në Kuvendin e atëhershëm RSM-së qe siguruar e drejta të flitet në gjuhën amtare. Dhe, meqë kjo e drejtë u realizua (në Maqedoni, praktikisht pa luftë), delegatët shqiptarë qenë praktik dhe gjuhën e tyre e përdornin vetëm në raste të jashtëzakonshme. Për fat të keq, pas ngjarjeve të Kosovës, këto të drejta që ekzistonin në ato shtatë vite të arta, dhunshëm u suspenduan. U zbatuan procese të "diferencimit ideo-politik" të kuadrove shqiptare, u sollën edhe vendime të çmendura, si ajo që shqiptarëve u ndalohej fëmijët t'i emëronin me emra "të dyshimtë", si Lirim, Kushtrim etj. Frytet e një politike shpresëdhënëse brenda natës u shkatërruan
Kjo e ndërroi percepcionin tonë për gjëra të ndryshme, shkaktoi një dimension të ri të trajtimit të çështjeve, siç ishte edhe ajo e gjuhës. Të gjithë ne që më vonë besuam se shumë nga ato çështje të dhembshme do të rregullohen me definimin bazik të të drejtave të pakicave dhe me masa të reja praktike dhe më "liberale" në fushën e gjerë të "derregullimit", në fund doli se jemi budallenj naiv. Në vitet nëntëdhjetave hymë me bagazh diskriminues, e cila natyrshëm shkaktoi reaksion të ashpër dhe presion nga faktori politik shqiptar në rritje. Të dy palët e shtrënguan litarin dhe më duket se deri më sot nuk e kanë lëshuar.
Ndërkaq mua, të jem i sinqertë, edhe tani më vjen mirë kur dëgjoj se si deputetët shqiptarë flasin maqedonisht, bile disa në mënyrë perfekte. Më është barë bajat zëri i njëjtë i përkthyesit (disa miq shqiptarë më kanë thënë se përkthimi është shumë i keq). Por, pyes, vallë do të ishte më mirë sikur ndonjë deputet maqedonas të flasë në gjuhën shqipe, së paku të thotë disa fraza kurtoaze me ndonjë rast të jashtëzakonshëm ( për Festën e Bajramit, për shembull)?
Fatkeqësisht, jemi dëshmitarë se përdorimi i gjuhës shqipe në Kuvend edhe më tej i ngacmon deputetët, jo vetëm ata maqedonas, por edhe shqiptarë. Prandaj, propozoj që urgjentisht të sillet një masë specifike e besimit, që nuk do të kushtonte shumë, ndërkaq mund të kontribuojë në përmirësimin e sjelljes dhe botëkuptimit të deputetëve maqedonas. Në parlament le të organizohet një kurs për mësimin e gjuhë shqipe. Së paku dhjetë deputetë (maqedonas e shqiptarë, është njësoj) le ta përkrahin këtë ide dhe t'ia propozojnë kryetarit të Parlamentit, Trajko Veljanovskit. Më besoni, brenda një viti, kursistët e rinj do të ndjeheshin më ndryshe, më të relaksuar, më të pasur dhe mesiguri, sado pak, do t'i ndryshonin edhe qëndrimet e tyre.
Dhe ndoshta deputetët do të jenë më të qëndrueshëm se udbashët, me të cilët unë dhe Panta Xhambazovski mësonim shqip…
1.  
Komenti:  mirembrama se pari gezohem me keto fakte te medha qe i jep nje intelektual i madhe maqedone,do ta quaj te madhe pershkake se ne menyre te sinqert e shikon larg realitetin,shqiptaret dhe maqedonet kane jetuar gjithmon bashke dhe do te jetojme,edhe perkunder asaj qe dikush deshiron te fus urretjen mes dy etnive,pa marre parasysh nacionalitetin.fene,ky shtet eshte i joni shtepia jone dhe poqese e demtojme ateher kemi demtuar vetveten tone,se demet duhet ty reparojme ne(shqiptare.maqedon,turq etj,).
Emri:  alban
Email:  alban501@hotmail.com
 
 | Komente |  
Halë në "Sy"

Branko GEROSKI
Lajmi për vënien e gurthemelit të urës së re mbi lumin Vardar, që do të duhet të lulëzojë në qendër të qytetit të Shkupit, në barkun tim të ndjeshëm shkaktoi erupsion të vërtetë të thartësirës. Është e vërtet se sa herë që e shoh Gruevskin me lopatë në dorë, më vjen një neveri, por projekti "Syri" megjithatë është një projekt i veçantë. Kuptimi i urave është që të tejkalohen barrierat dhe t'i bashkojë njerëzit, por edhe t'i gëzojë peshkatarët. Prandaj, gjithnjë gëzohem kur dikush ndërton urë.
Por, në rastin e kësaj ure qesharake, isha i gatshëm bile as të mos bisedoj për paratë dhe të mos ngarkohem me idenë estetike idioteske të saj, në themelet e së cilës është rrëfimi për shkupjanët krenarë dhe turistët e humbur, të cilët përmes vrimës në mes të urës (do të thotë "syrit") do shikojnë në ujërat e Vardarit, i cili një ditë, kur do të përmbushet "Rilindja në një qind hapa", më nuk do të jetë aq aromatike, edhe pse buron (si tani) nga gropat septike, por do të jetë i kthjellët si loti dhe përplot me trofta.
Por, unë dhe lexuesit e gazetës KOHA, megjithatë nuk jemi komplet idiotë dhe shumë mirë e dimë se pse ndërtohet kjo urë totalisht e panevojshme, edhe atë mes dy urave në largësi prej më pak se 500 metra. "Syri" do të jetë edhe një përmendore e imperatorit Nikolla Gruevski. Halë në sy e të gjithë kundërshtarëve të tij. Pikërisht si edhe "Arena" e quajtur "Filipi i Dytë", ku tubimet e vetme grandioze pas hapjes solemne do të jenë mitingjet parazgjedhore të falangave të Gruevskit. Të gjitha angazhimet e tij ndërtuese dëshmojnë për dëshirën e zjarrtë që triumfalisht ta demonstrojë fuqinë e tij absolute në kuadër të zgjedhjeve të ardhshme, që do të jenë të parakohshme. Ndërkaq, të "gjitha zgjedhjet" e ardhshme në Maqedoni do të jenë të parakohshme derisa ky despot të mos të konsiderohet i mundur.
Ka kohë që e gjithë kjo për mua është e qartë. Gruevskin e kam lexuar si abetare katundi. Por mbetet që në të ardhmen të zbërthehet edhe agjenda e fshehtë antishqiptare e "ndërtuesit" Gruevski. Dhe kjo, për besë, duhet edhe të bëhet. Thjesht, duhet të flitet për qëllimet e pandershme të këtij njeriu. Po pse të pandershme? Së pari, sepse harxhohen paratë e arkës gjithnjë e më të varfër shtetërore, në kohën kur çdo familje e këtij shteti kursen dhe mezi e lidhin fillimin me mbarimin e muajit. Dhe së dyti, sepse me këso projekte megalomane kryeministri me qëllim e vazhdon distribuimin e padrejtë të parave shtetërore midis dy bashkësive më të mëdha etnike në Maqedoni - në dëm të asaj shqiptare, sepse, gjithsesi, me këtë fakt një ditë shovinisti Gruevski do të bëjë një rrëfim të suksesshëm parazgjedhor. U jap maqedonasve, s'u jap shqiptarëve!
Të bëhemi pak më të sinqertë. Nëse patjetër duhet të ndërtohet urë në Shkup, atëherë gjithsesi patjetër duhet të ndërtohet një urë në lagjen e Sarajit. Gjashtë muaj në vit jetoj në këtë komunë dhe rastësisht e di se ekziston një projekt solid për një zgjidhje të përhershme kualitative në komunikacion, që do ta zëvendësonte urën e tanishme të mjerë që e lidh Shkupin me një rajon në të cilin mesiguri jetojnë më shumë se 20 mijë banorë, shqiptarë, maqedonas dhe pjesëtarë të bashkësive tjera etnike. Ura "Syri" do të ndërtohet, kurse ai në Saraj do të pres kohët më të mira. Pse? Sepse Gruevski zgjedh se ku do të fotografohet dhe për kë hedh lopatën. A ju kujtohet?
Me përgjegjësi them se është e pandershme dhe aspak humane të ndërtohet ajo urë qesharake në qendër të Shkupit, siç është po kështu e pandershme dhe aspak humane, për shembull, të ndërtohet aeroport në Shtip apo magjistrale me tri korsi në Dellçevë, e të mos ndërtohet një shkollë në Drapçin Dol në Kërçovë, ku fëmijët mësojnë në oborr. Pse shteti nuk ka para për këtë shkollë, për nxënësit, prindërit dhe arsimtarët e tyre. Sepse janë shqiptarë. Ju lutem, më demantoni nëse nuk kam të drejtë.
Më besoni se unë nuk dua të mendoj në këtë mënyrë, sepse e di që të gjithë njerëzve u nevojiten ura, rrugë, shkolla e aeroporte. Por, kjo është shoqëri e komplikuar, e cila edhe më tej nuk mund që dallimet etnike, konfesionale e kulturore t'i transformojë nga hendikepi në përparësi. Ndaj është vendimtare që distribuimi i fondeve shtetërore të bëhet në mënyrë sa më të drejtë. Nëse ndërtohen dy shkolla maqedonase, e treta patjetër duhet të jetë shkollë shqiptare. Kështu duhet të tingëllojë ligji ynë i pashkruar. Nëse me të vërtetë nuk ka para për shkollë të re për ata nxënës që mësojnë në oborr, atëherë askush nuk ka të drejtë të mendojë të na shesë "çallëm" duke ndërtuar me paratë e shtetit salla sportive me ngjyrë të verdhë e të kuqe, përmendore idioteske, kisha e xhamia...
Është e ndershme të themi se një kohë me ide megalomane qenë edhe liderët shqiptarë në Maqedoni. Kishte parë bretkosa se si ia vënë patkoit kalit dhe, edhe ajo i kishte ngritur këmbët. Asat shqiptarë, për shembull, shpejtuan t'i fabrikojë diplomat e fakulteteve, me qëllim që brenda natës të krijojnë përshtypje për sukseset e jashtëzakonshme në lëmin e arsimit.
Një ditë kur do të kuptojmë se ku do të na çojë kjo gjendje në sistemin e arsimit, atëherë dikush do të duhet ta paguajë çmimin politik, por gjenerata e gjenerata tjera të reja do të paguajnë shumë më tepër. Më kujtohet se ekzistonte një projekt ambicioz që në Tetovë të ndërtohet një klinikë kardiologjie dhe mendohej se çdo gjë që nevojitet për realizimin e një ideje të këtillë do të bëhej me shumë para dhe presion politik. Për fat të mirë, dikujt iu kujtua se është ide që s'mund të realizohet dhe shpëtuan shumë zemra të pafajshme.
Besoj se megalomani ka edhe sot midis shqiptarëve, por paraqitje patologjike e Gruevskit hodhi hije më të gjitha të tjerat. Qeveria e tij është shndërruar në agjenci marketingu, kurse programi i tij në bibël, para të cilit partneri, Ali Ahmeti, duhet të përkulet. Më duket simpatik Ali Ahmeti, por unë nuk e kuptoj se me çfarë brekë do të vrapojë në fushë nëse Gruevski së shpejti shpall zgjedhje të parakohshme. Dhe do t'i shpallë. Deri në qiell Gruevski do të krenohet me gurthemelet e tij, me ndërtimin e rrugëve, kanalizimeve, ujësjellësve, sallave sportive, me fakultetet nëpër fshatra, me fshatrat e tij të Potemkinit. Por, me çfarë do të krenohet Ali Ahmeti? Si do t'ua shpjegojë shqiptarëve se për ta nuk ka salla sportive, shkolla, rrugë, ura. A do t'u thotë se nuk pati para, se ishte kohë krize?
Ndërkaq, më së shumti më habit fakti se në mediumet maqedonase nuk po mund të vërej asnjë shqiptar që publikisht të flasë për këtë padrejtësi. Kjo heshtje e çuditshme ma përkujton një mendim interesant të mikut tim, Lubomir Fërçkoskit, nga koha kur ishte ministër. Ai pat thënë: korruptimi i shqiptarëve është faktor i paqes dhe stabilitetit në Maqedoni. Vallë, a ende është kështu?

 | Komente |  
Trashëgimia e Rankoviqit
Branko GEROSKI
Qëllimi që edhe me kompromis të brishtë politik të zgjidhet një çështje banale, siç është dëshira kapricioze e mbi 200 shqiptarëve që me çdo çmim t'i regjistrojnë fëmijët në shkollën e mesme mjekësore "Panç Karagjozov", është pritur me shqetësim të madh midis maqedonasve. Përderisa vmroistët qeveritarë bëjnë çmos që ta qetësojnë situatën dhe ta shuajnë zjarrin, të cilin e ndezin pikërisht përkrahësit e tyre ushtarak dhe të besueshëm, opozita i gjuan në çështjen e joparimores. Në tërë këtë rashomoniadë, për fat të keq, askush nuk pyet se pse këta fëmijë dëshirojnë të regjistrohen pikërisht në këtë shkollë, bile edhe përkundër faktit të qëndrueshëm se nuk arritën ta kalojnë filtrin e parë në muajin qershor.
Ka dy përgjigje logjike në këtë pyetje. Nëse gruevistët duke paraduar e shpallën shkollimin e mesëm si të obligueshëm, atëherë është e natyrshme që secili të ketë të drejtë të zgjedhë orientimin dhe shkollën në të cilën do të mësojë. Si konsenkuencë ndaj kësaj nisme arsimore, patjetër duhet të sjellet edhe politika e re e shkollave dhe fakulteteve të hapura, ashtu siç mësova dhe studiova unë. Ky është argument i parë, i cili padyshim duhet të vlejë për të gjithë dhe jo vetëm për shqiptarët.
Përgjigja e dytë është se me siguri ka deficit të kuadrit të mesëm mjekësor në tregun e punës, sidomos në ato shkolla të mesme ku jetojnë më shumë shqiptarë. E di se një mikeshe e ime, pediatre e njohur dhe me përvojë, një kohë të gjatë ka probleme të gjejë motër medicinale shqiptare për ordinancën e vet në lagjen Veri të Shkupit. Dhe natyrisht, prindërit e kërkojnë më të mirën për fëmijët e vet - arsimim të mesëm në profesionin deficitar dhe mësim në shkollat me kualitet të lartë, ndërkaq këto kushte i plotëson "Pançe Karagjozov".
Kuptohet, të gjithë do të pajtohemi se "rregullat e lojës" duhet të vlejnë njësoj, si për maqedonasit ashtu edhe për shqiptarët. Dhe do të vlenin sikur me vite e dekada do të kishim ndërtuar një sistem të mirë të arsimimit, në vend të modelit të diskriminimit të bashkësisë etnike shqiptare. E di se ky është vlerësim i rëndë dhe jo i popullarizuar, ndërkaq për këtë m'u tërhoq vërejtja që në komentet e para të kolumnës së javës së kaluar në gazetën KOHA. Por, retorika që sot e dëgjojmë dëshmon për trashëgiminë e gërditshme të një politike të keqe që na solli në këtë derexhe, politikë që lindi diku në vitet gjashtëdhjeta të shekullit të kaluar.
Në ato vite Partia Komuniste Maqedonase, me siguri nën diktatin e Beogradit, zhvillonte një politikë feudale ndaj shqiptarëve. Qëllimi ishte shumë i thjeshtë: shqiptarët të mbeten fshatarë "të ngujuar", të lidhur për tokën e tyre dhe për traditën rurale, të paarsimuar dhe të paemancipuar. Në vitet e para të hapjes së ish Jugosllavisë ndaj botës, shqiptarët nuk kishin të drejtë as për pasaporta. Por, më vonë, politika dukshëm ndryshoi, sepse komunistëve iu kujtua se më mirë është që shqiptarët të shkojnë në kurbet se sa të rrinë në shtëpi dhe të bëjnë probleme (para tyre masovisht u shpërngulën edhe turqit në Turqi). Kapacitet industriale që klasën punëtore duhej ta çonin drejt komunizmit, qenë të rezervuara për maqedonasit - në "Teteks", në "Jugohrom", për shembull, në fabrikat më të mëdha në Tetovë, kishte shumë pak shqiptarë, por jo edhe në pozitat drejtuese.
Në ndërtesat e reja të Tetovës, të njohura si "hrushqovka", banonin vetëm maqedonasit, të cilit shqiptarëve u shitnin mijëra katrorë tokë me vlerë për të blerë tjegulla dhe parket. Maqedonasit mbaronin fakultetet, kurse shqiptarët mësonin në shkolla të këqija, të cilave u mungonte edhe kuadri kualitativ. Prandaj, shqiptarët e demotivuar, s'mundeshin të garonin njësoj për një vend në fakultet, e më vonë edhe për punë, sidomos në sektorin publik.
Politika e disejnuar në kohën e Rankoviqit pati sukses, por dështoi socializmi dhe çmimin e këtij projekti e paguan maqedonasit. U bë e qartë se tokat pjellore të Tetovës ishin më të dobishme se sa kotecat e pëllumbave në qytet, pastaj puna në kurbet më e levërdishme se sa ajo në "Teteks" dhe "Jugohorm", gjindshmëria në tregjet me shumicë më e rëndësishme se diploma e fakultetit. Por, ndjenja e shqiptarëve se janë qytetarë të rendit të dytë mbeti edhe më tej, duke u forcuar edhe më shumë për shkak të frustrimeve të liderëve shqiptarë.
Sepse, shumica e politikanëve shqiptarë, si marksistë-leninistë të devotshëm, enveristë apo komunistë të Titos, më vonë të diferencuar ideo-politikisht, të maltretuar dhe të prodhuar si disidentë, bile edhe sot në këtë kapitalizëm disi të egër, i dhanë më shumë përparësi sektorit publik se sa atij privat. Edhe pse e kuptoj angazhimin e tyre për një "përfaqësim të barabartë" në shoqëri, ky është një koncept anakronik.
Dua të them se sot të gjithë nga pak jemi robër të frustrimeve nga koha kur e gabuam punën. E kemi vështirë të kuptojmë se të gjithëve- edhe shqiptarëve edhe maqedonasve - na duhen shkolla dhe fakultete të hapura dhe kualitative, që do të na mundësojnë qasje të barabartë në tregun e punës (sot këtu në Maqedoni, nesër në Europë), para se gjithash në sektorin privat që duhet të forcohet dhe të sjellë më shumë të mira, e më pak në sektorin publik, që duhet të zvogëlohet dhe më pak të harxhojë.
Më 5 mars të këtij vitit, në një tribune të Lidhjes Demokratike, në të cilën isha i ftuar, e shpreha brengën se Maqedonia në periudhën që gjendet para nesh do të mund të ballafaqohet me një përpjekje serioze për rirregullimin e shtetit (federalizim, kantonizim e të ngjashme). Atëherë theksova se kjo do të jetë pasojë e shmangies së përcaktimit konsensual për integrimin e Maqedonisë në NATO dhe UE, që është një faktor i rëndësishëm i kohezionit të shtetit maqedonas. Tani dua të paralajmëroj se një zhvillim i këtillë jo i volitshëm i ngjarjeve mund të cytet edhe nga kushtet e papërshtatshme shoqërore dhe nga problemet e përditshme me të cilat po ballafaqohemi për shkak të Fshatrave të Potemikinit dhe politikës së papërgjegjshme të Nikolla Gruevskit, i cili po ushqen nacional-romantizmin, shovinizmin, gjuhën e urrejtjes dhe reinkarnimin e ideve rankoviqiane të viteve gjashtëdhjeta.
Më e keqja dhe më e pafalshme do të jetë nëse pikërisht fëmijët tanë detyrohemi t'i flijojmë në këto kohë të rëndë.
 | Komente |  
Zënka me të vërtetën

Branko GEROSKI
Për njeriun që mendon se gazetaria ka lidhje fundamentale me lirinë shpirtërore dhe me vlerat liberale përgjithësisht, atëherë s'ka dyshim se misioni i gazetarit është të dëshmojë për të vërtetën.
Ndërkaq kjo, në shoqëritë me vetëdije dominante autoritare, shpesh nënkupton edhe si obligim (Orueli thotë - e drejtë!) që njerëzve t'u thuhet ajo që ata nuk dëshirojnë ta dëgjojnë.
Me këtë paramendim po e hapi këtë seri të kolumnave në KOHA, gazetë shqiptare me tirazh më të madh në Maqedoni, duke qenë i gatshëm jo vetëm ta hulumtoj të vërtetën, por (e përdori fjalorin e Oruelit) edhe të dëshmoj edhe për ndarjen e turpshme të diskursit publik dhe të vërtetës, që ishin karakteristikë jo e mirë e gazetarisë maqedonase viteve të fundit. Kam të drejtë për një ashpërsi të këtillë, sepse në lëkurën time i kam ndjerë pasojat e rënda të këtij procesi. "Asat" e politikës dhe agjitpropët e tyre në vitet para konfliktit 2001 më akuzonin për "albanofobi", përderisa në kohën e luftës së ndyrë m'u ngjit etiketa "nacionalist maqedonas". Nga kjo distancë, edhe sot, nuk është aq lehtë që të tregohet se ekziston konsekuenca logjike mes kritikës sime publike për diskriminimin dhe padrejtësive ndaj shqiptarëve në Maqedoni dhe kritikës sime të ashpër ndaj luftës si mjet për realizimin e të mirave politikë.
Edhe sot, interesat afatshkurte politike të celulave partiake, manipulimet dhe propaganda sikur janë më bindëse se sa parimet, të cilat gazetarit liberal i imponohet të dëshmojë për të vërtetën, edhe atëherë kur në sytë e plebisitit injorant duket si akt i tradhtisë kombëtare.
Por, më humbëse dhe më relevante në aspektin shoqëror nga ai çmim që duhet të paguhet (pas asçfarë garancë se ajo që paguhet një ditë do të refundohet), padyshim se është fakti se gazetaria pas viteve 2001 u bë dorë e zgjatur e propagandës, e që në tri vitet e fundit, të shndërrohet në karnaval ekologji medial. Këtë term e huazova nga Martin Kaplan, një nga koautorët e suksesshëm të librit "Çfarë do të thoshte Oruel" (kohë më pare është botuar edhe në maqedonisht).
Amerikani Kaplan thotë se përballë paradigmës së vjetër gazetareske, që si postulat të vetin kishte hulumtimin pas të vërtetës, pas objektivitetit dhe paanshmërisë, imponohet një paradigmë e re, e cila qëllimet e këtilla i shpall si të papjekura dhe të paarritura dhe që urdhëron reporterin të mos gjykojë mes rrëfimeve kompetitive. Në vend që të tentojë të na e tregojë të vërtetën, reporteri duhet të krenohet nëse arrin të gjejë dy anët e çdo rrëfimi, pavarësisht se sa patetike mund të jetë njëra anë. Këtë hapësirë e shfrytëzojnë qendrat manipuluese dhe propaganduese, të cilët zakonisht legjitimohen si qendra "analitike", "hulumtuese" dhe të cilët "prodhojnë debat", ndërkaq në të vërtetë krijojnë iluzion për kontroversë, edhe atëherë kur faktet janë të pakontestueshme. Kaplan në mënyrë lucide vëren se ato qendra dinë se sa gazetarët modern bëhen rob të tiranisë bashkëkohore të barazisë gënjeshtare të vlerave. Përshkrim i shkëlqyeshëm për gazetarëve maqedonas që janë përtacë, sipërfaqësor dhe të nënshtruar, të cilët asnjëherë nuk dëshmojnë me sytë dhe veshtë e tyre, ndërkaq nga qëndrimet personale - nëse i kanë - ikin si djalli nga kryqi.
Shembulli më i freskët për karnavalin ekologjik medial është incidenti në Nerez të Shkupit. Pothuaj se nuk ka gazetar të dëshmojë se çfarë në të vërtetë vërejti dhe dëgjoi, e aq më pak të tregojë se kush sulmoi e kush u mbrojt, kush rrahu e kush hëngri dajak pse është shqiptar dhe pse policia i inkurajoi rrahësit në vend që t'i mbrojë qytetarët e pafajshëm. Nga ana tjetër, shumë lehtë e pranuan sqarimin zyrtar të MPB-së se bëhet fjalë për kinse konflikt mes "komitëve" dhe banorëve të lagjes Nerez, duke vënë simetri personale dhe "balancë" mes "të dy anëve" të rrëfimit.
Në televizion, bile pamë edhe një rekonstruim "komit" të ngjarjes. Përfaqësuesi i grupit të tifozëve, me fytyrë të mjegulluar në ekran (edhe kjo e vërteton trimërinë e tij) e përshkroi ngjarjen, duke i pasqyruar huliganët si të pambrojtur dhe viktima të banorëve të Nerezit. Sipas këtij versioni të ngjarjes, "komitët" më vonë ishin kujtuar se pse e kanë atë emër dhe ishin kthyer për t'iu "përgjigjur" sulmeve.
E impresionuar që xhiron përfaqësues të tifozëve të mjerë, gazetarja " e paanshme" e kapërdiu rrëfimin e një farë Miki, kurse redaktori, ma merr mendja, ka derdhur edhe ndonjë pikë loti nga gëzimi, duke e shikuar kontributin.
"Nerezi" ndodhi dhe kaloi. Natyrisht, shpejt edhe do të harrohet. Dhe duhet të harrohet. Por, nëse nuk më gënjen intuita, Maqedonia së shpejti do të ballafaqohet me incidente më dramatike multi-etnike. Te shqiptarët po thellohet bindja për padrejtësi për shkak të mos jetësimit të Marrëveshjes së Ohrit. Kurse te maqedonasit, të ënjtur nga propaganda e të paguarve të Gruevskit, sërish lind retorika e harruar nga koha para vitit 2001, kur "argumenti" kryesor i njerëzve që polemizonin me qëndrimet e mia "pro-shqiptare" ishte bindja se nëse shqiptarëve ua je gishtin, ata ta marrin dorën.
Në një (pa)kohë të këtillë të flasësh për të vërtetën është vështirë. Por duhet. Sriali im i kolumnave në gazetën KOHA do të tentojë të vë një lidhje mes meje, diskursit publik dhe të vërtetës, jo vetëm për dukuritë aktuale, por edhe për burimet e konfliktit latent mes dy bashkësive etnike më të mëdha. Po edhe sikur të jetë një iluzion lakuriq se me fjalën publike mund të pengohet ky konflikt që të mos shpërthejë si para tetë vjetëve, e respektoj hovin tim jo normal drejt mullinjve mbi këtë karnaval ekologji medial të pakuptimtë dhe të kësaj heshtjeje të kolegëve të mi, për të cilët në javoren "Sega" kam shkruar se kanë zemër zogu në kraharor.

P.S. Për ata që
mendojnë se kulumnat e mia në KOHA i fshehë nga sytë e pjesës maqedonase, duke shfrytëzuar faktin se janë fare pak maqedonas që dine shqip, ja një lajm i rëndësishëm: tekstet në gjuhën maqedonase i publikoj në ueb adresën www.geroski.mk
me vonesë më së shumti dy ditë.

 | Komente |  
Vetëm Fërçkoja mund t'ia sigurojë censusin Gjoles

Branko GEROSKI
Padyshim se gjithçka është thënë për parashikimet spekulative dhe të rrejshme të një pjesë të agjencive maqedonase për hulumtimin e opinionit publik, anketat e të cilëve duket se ishin paramenduar të ndikojnë në disponimin e votuesve në dobi të partisë në pushtet. Socialdemokratët i ftuan që t'i mbyllin dyqanet e tyre, kurse këta në mënyrë komike u arsyetuan me kinse disponimin e paparashikueshëm të votuesve të luhatshëm. Por, shumica e anketave më bënë të qeshem me interpretimet e "ekspertëve" lidhur me rezultatet zgjedhore që i dëgjojmë këtyre ditëve.
Teza e parë qesharake në të vërtetë është tentimi si lajtmotiv për krahasim dhe përcjellje të ndryshimit të disponimit zgjedhor që të llogariten zgjedhjet presidenciale të vitit 2004 dhe zgjedhjet e vendore të vitit 2005. Natyrisht, kuptimi i kësaj është që të tregohet se VMRO- DPMNE në pushtet triumfalisht fitoi në rrethin e parë të këtyre zgjedhjeve. Analistët që e mbështesin këtë pasqyrë nisen nga paramendimi se ndërkohë, gjatë këtyre katër, përkatësisht pesë vjetëve, në skenën politike maqedonase nuk ka ndodhur asgjë.
Duhet të harrojmë se VMRO-DPMNE fitoi në zgjedhjet e vitit 2006 dhe në zgjedhjet e parakohshme të vitit të kaluar, për të cilat u angazhua vetë. Duhet t'i mënjanojmë nga kujtesa premtimet që gruevskët i shtuan para kësaj kampanjë - se do të shkrijnë opozitën, se Gjorgji Ivanov do të fitojë në rrethin e parë, se Lubomir Fërçkoski do të humbë, se Lube Boshkovski do të përjetojë debakël, se Imer Selmani do të shkelet nga makineria e BDI-së dhe se LSDM-ja do të zhduket nga skena politike.

Ç'ndodhi me rejtingun
në ngritje?
Por, edhe anketat e agjencive tona joserioze treguan se rejtingu i partisë në pushtet bie ose stagnon në kohën e kampanjës së shtrenjtë dhe të ashpër, kur në parim pritet që rejtingu të rritet. Sido që të jetë, lajtmotiv i vërtetë për përcjelljen e trendit të besimit të elektoratit në politikat qeveritare mund të jenë vetëm rezultatet nga zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të vitit 2008. Vetë Gruevski në deklaratën e parë pas "triumfit zgjedhor", këto zgjedhje i quajti si deklarim edhe për politikat e qeverisë. Më këtë, ai qartë e përcaktoi lajtmotivin për krahasim. Kurse shprehja e fytyrës së tij tregoi se vozhdi nuk ishte aq i lumtur nga ajo që u realizua.
E si të jetë? Është fakt se 340.000 votat e fituara, në krahasim me zgjedhjet e kaluara, Ivanovi i solli një minus prej 140.000 vota. Agjitpropët e VMRO-DPMNE tani mundohen t'i paraqesin së të "tyre" votat që i fitoi Lube Boshkovski, njeriun të cilin e pështynë kudo që arritën. Bashkë me votat e vëllait Lube, VMRO - DPMNE, do të mund të gëzohet se e ka arritur rezultatin nga zgjedhjet e kaluara parlamentare (480.000 vota). Atëherë ku është rejtingu në rritje permanente?
Të habitur dhe në panik, megafonat medial të tij, tani përhapin një rrëfim të ri, se gjysma e 150 mijë votave fantastike të Boshkovskit qenë të LSDM-së. Bre! Unë me të vërtetë nuk e kuptoj se pse Gruevski i paguan "analistët" e këtillë. Nëse është e vërtetë ajo çka e thonë ata, kjo në mënyrë eksplicite do të thotë se partia në pushtet pranon zvogëlimin prej së paku 70 mijë deri 80 mijë vota, që është një rënie serioze e rejtingut. Dhe ja, Gruevski edhe këtë rezillëk do të duhet ta pranojë vetëm që të shmanget vëmendja e opinionit nga fakti se 150 mijë vmrovcë, të pakënaqur nga politika aventureske e Gruevskit, u përcaktuan për Boshkovskin. Pse? Sepse, për dallim nga Ivanovi perlë, i cili nuk pati qëndrim për asnjë çështje të rëndësishme politike, Boshkovski u paraqit nga një pozitë e arsyeshme dhe shtetërore për çështjen kryesore - kontestin delikat me Greqinë dhe perspektivën tonë euro-atlantike.
Sado që të inkurajohen, vmrovcët nuk mund të fshehin faktin se të gjithë kandidatët tjerë për president, pos legjendës së tyre, qëndruan në pozitë që ishte kundër politikës bukefaliste të Gruevskit. Rreth 550 mijë vota të zgjedhësve për politike realiste aktive proevropiane përballë 340 mijë votave për izolimin dhe përkushtimin deklarativ të procesit euro-integrues - ky është rezultati më i rëndësishëm i këtyre zgjedhjeve.

Grujo, përse i paguajnë "analistët"?
Edhe më argëtuese janë "matematikat" që bëhen për atë se kujt do t'i takojnë ato 300 mijë vota "të lira" nga saldoja e Boshkovskit dhe Selmanit. Me këtë, përballë dilemës së shtruar, plotësisht pajtohem me vlerësimin e Gruevskit se askush nuk i bart votat e fituara në xhep që t'ia ndajë atyre që i dëshirojnë. Gara në rrethin e dytë fillon sërish nga pika zero dhe secili fitues sërish do të mendojë se kujt do t'ia japë votën e tij.
Por, për shkak të argëtimit, le ta ndjekim bashkërisht logjikën e "parashikimit" të "analistëve" tanë, të cilët me para të majme janë paguar. Nëse është e saktë se 70 mijë vota të Boshkovskit janë të LSDM-së, atëherë është e logjikshme që ato të përfundojnë në konton e Fërçkoskit. Por, nuk është logjikshme të pritet që të pakënaqurit me Gruevskin të votojnë për Ivanovin, sidomos jo pas ofendimeve të ashpra dhe atakut mbi ta dhe mbi të zgjedhurin e tyre. Edhe 40 mijë votat modeste të Nano Ruzhinit do të duhej ta ndihmonin Fërçkoskin. Shtrohet pyetja se vallë VMRO-DPMNE mund të llogarisë në votat e shqiptarëve - ndoshta një kontingjent prej BDI-së, pak nga Selmani dhe zero nga PDSH-ja e ekzekutuar e Menduh Thaçit. Nga ana tjetër, Fërçkoski me siguri mund të llogarisë në ato 56 mijë vota joshqiptare që i fitoi Selmani dhe në votat e disa shqiptarëve që nuk pajtohen me politikën e dyshes Gruevski-Ivanov.
Nëse tani bëjmë kalkulime të këtilla, duhet thënë edhe ajo se është e mundur që një pjesë e madhe e votuesve fare të mos dalin në ditën e zgjedhjeve. Boshkovski dhe Selmani tani më janë shprehur se nuk do t'i ftojnë votuesit e tyre të përcaktohen. Agron Buxhaku publikisht e shprehu kushtin e BDI-së për përkrahje të Ivanovit - premtim i forte nga Gruevski se në vitin 20014 kryetari do të jetë nga radhët e shqiptarëve (t'i fitojë lehtë Gostivarin dhe Tetovën dhe përkrahësit e Ahmetit do të mund të lavdërohen me triumf në zgjedhjet vendore dhe ndoshta do ta linin anash kushtin e rëndë - por, Rufi Osmani i theu në Gostivar, ndërkaq PDSH me forcat e fundit po lufton për Tetovën). Nëse bën tregti me BDI-në, Gruevski do të urdhërojë që shumë vmroistë të ngelin në shtëpi pranë ekraneve televizive. Plotësimi i censusit më së shumti do të varet prej LSDM-së. Është ironike, por afër të vërtetës: ai që me siguri mund ta sjellë në pushtet kandidatin e Gruevskit është pikërisht Fërçkoski. Ndërkaq, është e rendit që t'i shpaguhet më rregullimin e zmadhuesit të zërit.

Selmani dhe Lube duhet të formojnë parti
Objektivisht, bojkoti o zgjedhjeve mund të pengohet vetëm në dy mënyra. Njëra është që Gruevski të ofrojë premtime sekrete në anë të ndryshme, por parasegjithash shqiptarëve (është i paparashikuar, njeriu realizon dhe nuk luan majtap) dhe të zbatojë kampanjë edhe më të ashpër mediale, duke mos e lëshuar lopatën fare nga dora. Mënyra e dytë është që të mos bëjë asgjë të veçantë (lopata mbetet, gjithsesi) dhe të shpresojë se Fërçkoski do të rrezikojë dhe do të mundohet të formojë bllok pro-evropian, i cili do të tentojë ta mundë Ivanovin. Sinqerisht mendoj se koha është shumë e shkurtë dhe urat e besimit janë të shembura për zbatimin e një operacioni të këtillë delikat. Sido që të jetë, rezultati nga rrethi i parë paralajmëron ndryshime të thella në skenën politike maqedonase gjatë periudhës që do të pasojë.
Së pari, me 200 mijë vota në zgjedhjet për president dhe me 300 mijë vota për zgjedhjet vendore, në pritje të kthimit të Branko Cërvenkovskit, LSDM-ja po zgjohet nga letargjia dhe po kthehet në lojë. Me freskim të dukshëm kadrovik në të gjitha nivelet, me definimin e programit të qartë ideologjik dhe me pasurimin e jetës politike, LSDM-ja prej dite në ditë do ta shtojë rejtingun e saj dhe do të fitojë simpatizantë të rinj, me çka do të verifikohet si udhëheqëse e opozitës maqedonase.
Së dyti, Nikolla Gruevski duhet të kuptojë se rejtingu që e merr nga qytetarët është për harxhim, pse jo edhe buxhetin - për politikë dhe projekte. Nëse nuk e di, së shpejti do t'i tregohet se projekti më i rëndësishëm në karrierën e tij do të jetë arritja e kompromisit në kontestin me Greqinë, që ta çojë vendin në NATO, t'i filloje bisedimet me UE dhe ta demokratizojë Maqedoninë. Kohë më parë, përmes një bashkëpunëtori të tij, i dërgova porosi se sinqerisht dëshiroj t'i përgjigjet detyrës. Por, nëse edhe më tej çon inat, do të vazhdojë të bie.
E treta, Boshkovski dhe Selmani, secili me kapital prej 150 mijë vota, duhet të bëjnë parti serioze. Le të më falin për ashpërsinë, por me të vërtetë do t'i konsideroj si joserioz nëse nuk e bëjnë këtë. PLD e Jovan Manasievskit, me përkrahje prej 40 mijë vota për Ruzhinin, është parti me katër deputetë në parlament. Kjo e dhënë vëllait Lubes dhe Selmanit do t'u thotë diçka.
Të përfundoj. Pavarësisht se çfarë mund të ndodhë në rrethin e dytë të zgjedhjeve, është e qartë se në këto zgjedhje votuesit i bënë vërejtje të ashpër Nikolla Greuvskit, duke paralajmëruar rikomponim thelbësor të skenës politike në Maqedoni. Bile, edhe në këso rrethana jodemokratike në të cilat jetojmë, shikoni se çfarë mund të sjellë një ditë e mire e zgjedhjeve! Ndaj, kam frikë se dikush do të mund të mendojë se çfarë mund të ndryshojë një ditë e keqe e zgjedhjeve më 5 prill. Mos thëntë Zoti…
(www.geroski.mk)

   

Komenti JUAJ

Të dhënat tuaja:

Emri
E-mail
Tel:
 

Kthehu mbrapa

komentet e lexuesve

1.  
Komenti:  mirembrama se pari gezohem me keto fakte te medha qe i jep nje intelektual i madhe maqedone,do ta quaj te madhe pershkake se ne menyre te sinqert e shikon larg realitetin,shqiptaret dhe maqedonet kane jetuar gjithmon bashke dhe do te jetojme,edhe perkunder asaj qe dikush deshiron te fus urretjen mes dy etnive,pa marre parasysh nacionalitetin.fene,ky shtet eshte i joni shtepia jone dhe poqese e demtojme ateher kemi demtuar vetveten tone,se demet duhet ty reparojme ne(shqiptare.maqedon,turq etj,).
Emri:  alban
Email:  alban501@hotmail.com
 
2.  
 
 
3.  
 
 
4.  
 
 
5.  
 
 
6.